Poeti Vehbi Skënderi ka lindur në Ersekë më 18 maj të vitit 1927 në familjen e një kleriku të lartë nga Strelca e Korçës. Babai i tij Imam Demir Efendiu kishte kryer studimet e larta fetare në Stamboll. Ai ishte një njeri i ditur, kishte një bibliotekë nga më të pasurat e asaj kohe në arabisht dhe persisht, kishte pikëpamje liberale antikomuniste, ishte për bashkëjetesë të mirëfilltë ndërfetare dhe shfaqte simpati për demokracitë perëndimore: djalin e madh, Kadriun, e dërgoi në Shkollën Amerikane të Fullcit, në Kavajë. Imam Demir Efendiu kishte shërbyer në Korçë, Ersekë, Pogradec etj
Nëna e tij, Selimeja, ndonëse autodidakte, përveç librave fetare, lexonte edhe letërsi në gjuhën shqipe. Ajo ishte Kryetare e Komisionit të Luftës kundër Analfabetizmit në të gjithë Gorën.
Vehbi Skënderi shkollën fillore (me pesë klasë) e kreu në Strelcë në vitet 1934-1939. Në vitin 1940 u mobilizua me forcë nga ushtria greke në vijën e parë të frontit për hapjen dhe mirëmbajtjen e rrugëve. Aty ai përjetoi nga afër tmerret e luftës: përpara syve të tij kalonin përditë me qindra luftëtarë të plagosur e të gjymtuar.
Në vitet 1941-1943 vazhdoi studimet fetare në Medresenë e Lartë Tiranë, ku midis mësmidhënësve kishte orientalistin e mirënjohur Vexhi Buharaja, Profesor Mehdi Bushatin, Hafiz Ismetin etj..
Në majin e vitit 1943 ndërpret studimet dhe del partizan në Çetën e Dibrës me komandant Haxhi Lleshin, ku iu mbijeton tre plagosjeve. Në vitin 1944 pranohet në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare.
Me mbarimin e luftës në vitin 1945 kalon në Divizionin e Mbrojtjes Popullore. Në fillim të 1947 shtrohet në sanatorium me një proces tuberkular të avancuar kur merr raport për t’u shkeputur perfundimisht nga ushtria.
Më 1951 fillon një kurs estetik dyvjeçar ku japin leksione Jakov Xoxa, Bedri Dedja, Mark Gurakuqi etj. Në vitet 1953-1956 kryen shkollën e mesme profesionale (dega rusisht). Në vitet 1956-1961 kryen Fakultetin Histori-Filologji me rezultate shumë të mira. Vehbi Skënderi njihte shumë mirë rusisht, italisht dhe frengjisht.
Veprimtaria si gazetar
Bashkëpunimin me shtypin Vehbi Skënderi e fillon tek gazeta Arma e Mbrojtjes. Shkrimi i tij i parë që gjen jehonë të veçantë ishte ai i botuar më 1945 tek Bashkimi, me titullin “Myfiti”, ku bën portretin dhe historinë e një çami nga Filati.
Në vitet 1949-1953 është redaktor në revistën Miqësia me Gjovalin Lukën, ndërsa në vitet 1955-1956 në revistën Hosteni me Spiro Çomorën. Në vitet 1956-1959 është korespondent special në të përditshmen Bashkimi. Nga viti 1960 deri në vitin 1966 punoi në revistën Ylli, ku ishte gazetar dhe anëtar i kolegjiumit. Në vitet 1973-1974 ai ishte redaktor i poezisë në Shtëpinë Botuese „Naim Frashëri”.
Veprimtarinë publicistike, e cila është brilante, Vehbi Skënderi mundi ta rifillonte vetëm pas vitit 1992, me rrëzimin e diktaturës. Në këto vite Vehbi Skënderi ka botuar publicistikë dhe poezi kryesisht në gazetat e përditshme “Rilindja” e Kosovës që botohej në Tiranë dhe “Bota Sot”.
Veprimtaria si poet
Poezinë e parë, e cila pati shumë sukses, Vehbi Skënderi e botoi në revistën “Letërsia jonë” në vitin 1947.
Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, pa qenë kandidat.
Më 1953 botoi librin e parë poetik, Këngët e para. Prej atëherë ka botuar librat poetikë Vjersha (1958), Fletë nga ditari im (1964), Vjershat dhe poemat e Drinit (1969), Vazhdim i një bisede (1971), Vdekja e Ofelisë (1971), Shqiponja e Vermoshit (1972), Përsëri mëngjes (1973), Vjersha dhe poema të zgjedhura- Kolana e poezisë shqipe (1973), Kumbojnë vitet (1983), Nxitoj (1987), Bëjmë sikur (1995), Hëna e vjedhur (2000), Zvicra Shqipëria ime (2004). Për “Fletë nga ditari im”, në vitin 1966 Vehbi Skënderi mori Çmimin e Republikës. Një vit më vonë merr çmim në konkurs kombëtar për poemën Vazhdim i një bisede. Ai merr edhe çmime të tjera nga organet botuese në konkurse të ndryshme kombëtare. Poezitë e tij përfshihen në antologjitë dhe tekstet shkollore të kohës dhe në botimet e poezisë shqipe në gjuhë të huaja.
Vëllimin e fundit, “Mirëmëngjes, Shqipëri – Lirika të një tetëdhjetëvjeçari”, i cili u botua pas vdekjes, poeti Vehbi Skënderi e përfundoi në fillim të vitit 2009.
Persekutimet
Përplasjet e tij me regjimin e kohës dolën hapur në vitin 1966-67, kur shkruan fejtonin Klubi i të qetëve ose Klubi i të lumturve” për Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve. Një sekretar partie për ideologjinë u shpreh atëherë se ky fejton përmban helm më shumë se romani më antiparti i kohës. Po atë vit, me një grup të shquar intelektualësh – Profesor Selman Riza, Profesor Ligor Mile, Profesor Dhimitër Pilika, Kolonel Dilaver Radeshi, historiani i mirënjohur Zija Shkodra, majori Bektash Bedo etj. – ai përgatiti një “Brigadë shtypi” dhe e dorëzon për botim në Zërin e Popullit. Në këtë pamflet kritikoheshin rëndë Instituti i Historisë dhe Instituti i Gjuhësisë: Instituti i Historisë, në vend që të merrej me figura e epoka madhore të historisë kombëtare, merrej vetëm me Haxhi Qamilin, duke mos bërë asnjë monografi për Pirron e Epirit, Teutën e Ilirisë, Skënderbeun, Ali Pashë Tepelenën, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin e Fan Nolin, duke mos bërë asnjë studim për Lashtësinë, Mesjetën, Rilindjen Kombëtare, duke mos bërë asnjë studim për Kosovën. Instituti i Gjuhësisë nuk kishte përgatitur ende Fjalorin e Gjuhës Shqipe. Pamfleti nuk botohet. Kryeredaktori i Zërit të Popullit Todi Lubonja ia dorëzon dorëshkrimin sekretari të parë të Tiranës dhe me të merret Byroja Politike, duke e cilësuar veprimtari armiqësore të njëjtë me Konferencën e Partisë së Tiranës.
Në Komitetin Qendror gjatë seancash të terrorit të gjyqit politik e akuzonin për veprimtari antiparti sepse sipas tyre sulmonte institucionet e superstrukturës të diktaturës dhe nacionalist meqë u deklarua se Kosovën e shihte si pjesë të Shqipërisë. Gjyqi ishte kaq i tmerrshëm sa njëri prej pjesëtarëve, i ndjeri Bektash Bedo, vrau veten.
Nga ky grupi intelektualësh në vitet e tranzicionit është vlerësuar me të drejtë me nderime të larta, midis tyre vetëm Profesor Selman Riza, ndërsa për autorin e këtij shkrimi, Vehbi Skënderin, ka vazhduar gjatë këtyre njëzet viteve heshtja. I ndjeri Profesor Zija Shkodra, pas rrëzimit të diktaturës moniste, në një shkrim të gjatë ka hedhur dritë të plotë rreth rolit kyç të Vehbi Skënderit.
Më 1967, për pesë vjet rresht Vehbi Skënderi, tashmë autor i ndaluar, dërgohet në Vaun e Dejës i dënuar me punë korektuese. Një vit më vonë, në Kantjerin e Zadejës, dërgohet me punë fizike zëvendësdrejtori i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës. Ai i kërkon Vehbi Skënderit të bëhet agjent i Sigurimit, çka shkrimtari e refuzon kategorikisht. Punonjësi i Sigurimit i betohet shkrimtarit se do të pendohet për këtë refuzim. I transferuar si zëvendësdrejtor i Degës së Punëve të Brendshme Tiranë ai ia përsërit kërcënimin shkrimtarit edhe vite më vonë. Më 1974 Sigurimi, nën udhëzimet e Sekretari të Parë të Tiranës, sajon të tjera reprazalje kundër Vehbi Skënderit, i cili përjashtohet nga partia, nga Lidhja e Shkrimtarëve, nga puna, i digjen librat dhe i ndalohet botimi.
Më 1975 internohet në Shkodër, por organet e rrethit të Shkodrës nuk e pranojnë sepse mungon vendimi me shkrim. Më 1976 internohet familjarisht në Zall-Mner të Tiranës. Pas katër vitesh pa punë, caktohet me si punëtor transporti në Kombinatin Poligrafik në repartin e presimit dhe në magazinën e hedhjes së mbeturinave. Pas rreth dhjetë vitesh i rikthehet e drejta e botimit. Por në Lidhjen e Shkrimtarëve i deklarojnë se rehabilitimi i tij i plotë si autor do të bëhet vetëm diku nga vitet 2030-2040. Del në pension në vitin 1987 duke qenë korektor në repartin e dispensave në Kombinatin Poligrafik.
Prej 15 qershorit të vitit 1996 Vehbi Skënderi jetoi dhe krijoi në Zvicër me familjen e tij të dashur, me gruan, dy nipat e tij, dhëndërin Skënder Buçpapaj dhe vajzën e tij të vetme Elida Buçpapaj, të cilët e rrethuan me dashuri dhe përkujdesje shembullore deri në fund të jetës së tij.
Më 13.06.2011, në orën 04:30, në spitalin kantonal të Bazel Landit, Bruderholzspital, ku u shtrua në mëngjesin e datës 11.09.2011, pushoi së rrahuri zemra e Vehbi Skënderit, poetit të paepur në përballjen me përndjekjet dhe ndalimet që përjetoi nga diktatura e egër komuniste dhe drejtpërdrejt nga Sigurimi i Shtetit.
KANË THËNË PËR VEHBI SKËNDERIN
SHKRIMTARI NAUM PRIFTI:
Me Vehbiun pata fatin e mire te punoja te revista e ilustruar YLLI gjashte vjet, nga 1960 deri me 1967, kur me derguan per riedukim ne Divjake ne mars 1967. Ylli ishte e para reviste e ilustruar me tre redaktore t\ afte e me pervoje, Vehbiu, une dhe Pipi Naçe. Kryeredaktor kishim Qamil Buxhelin. Ne redaktoret kemi shkuar shume mire me njeri tjetrin, bashkepunonim, konsultoheshim dhe kurdohere mirekuptoheshim per te miren tone dhe te revistes. Vehbiu ishte shembulli i pastertise shpirterore, i njeriut me zemer te hapur e te sinqerte.
Me vone mora vesh vuajtjet e tij te medha, shkarkim nga detyra e gazetarit, punetor ngarkim shkarkimi ne Vaun e Dejes, poeti i kthyer hamall, por ai qendroi i forte, nuk u epua, nuk u dorezua dhe fitoi mbi poshtersite dhe intrigat e pasosura te partiakeve mendjeshkurter.
Jam i sigurt se krijimtaria e tij poetike do te çmohet gjithmone e me shume, sepse ka lene pas krijime artistike, te bukura, te sinqerta e plot ndjenja frymezuese.
Emri i tij do te kujtohet me respekt nga brezat e ardhshem. Nuk e çmuan sa ishte gjalle, por ja keshtu qenka jeta.
SHKRIMTARI DHE KRITIKU AGIM VINCA:
Poetit atdhetar iu plotësua një dëshirë e madhe: arriti ta shihte të lirë Kosovën, të cilën e deshi aq shumë dhe për të cilën këndoi me aq frymëzim, ashtu sikurse edhe për Shqipërinë, madje edhe nga Zvicra, ku i ngrysi vitet e fundit të jetës.
Janë të rrallë poetët që kanë kënduar aq bukur e me aq pasion për jetën, lirinë, atdheun, natyrën, dashurinë dhe çdo gjë tjetër të bukur në këtë botë.
Poeti Skënderi është një autor ku nuk pranon vdekjen, “por e flak atë” deri sa ta shikonte për së gjalli Kosovën e lirë.Vullnetin dhe përkushtimin e tij ndaj Atdheut, ndaj hapsirës shqiptare në përgjithësi, dhe ndaj dëshirës për lirinë e Kosovës në veçanti, për ta parë të lirë dhe të pavarur. Këtë dëshirë të përkushtuar të V.Skënderit kritiku Vinca e ka quajtur si „kontratë” me vdekjen, që poeti nuk e dëshirronte në asnjë mënyrë pa e shijuar ndryshimin e statusit të Kosovës. Ky mendim nuk është i rastësishëm, por vjen në saje të vlerësimit të vargut artistik dhe lirik të poetit Skënderi, që i bëhet nga kritiku letrar A.Vinca, i cili shquhet për kërkimet krijuese të të gjithë krijuesve shqiptarë, veçanërisht poetëve në gjithë hapsirat shqiptare.
Pastaj, për poetin Skënderi hapsira shqiptare nuk është e kufizuar. Struga, Dibra, Presheva, Ulqini janë një truall i përbashkët, ku flitet një gjuhë, dhe ku jeton një popull. Këtë dukuri të moskufizimit për hapsirën shqiptare e vërejmë në botimet e mëparshme me poezitë:”Kosovë,”Në këtë vend…”,”Vrasja e Shotë Galicës”, “Flijimi”,(kushtuar vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës)dhe shumë poezi të tjera. Autori te tëra këto poezi prekë jo vetëm elementin e historisë së hidhur të shqiptarëve, që po përjetonin me vitet të tëra,por edhe elementin e pjekurisë kombëtare, e cila pjekuri po fillonte nga individi dhe ngadalë po vazhdonte në tërë shoqërinë. Prandaj, elementin e sakrificës për lirinë e vendit e trajton shumë qartë, me moralin e mirëfilltë njerëzor, në vargjet kushtuar vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, të cilët ishin nisur në rrugën më sublime, që çonte në lirinë e Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve.
Një poet që ka një varg të përkushtuar për lirinë e njerzimit, pa marrë parasysh hapsirat gjegrafike të rruzullit, që nuk shikon racë, as fe, por në prioritet vënë lirinë e njerëzve të botës mbarë. Ky element është shumë i pranishëm me shembuj nga më të ndryshëm artistik në krijimet e tij të realizuara në vëllimin e fundit : “Zvicra Shqipëria ime”
Një poet që dashurinë ndaj femrës e respekton me përkushtim, dhe termin „Grua” e vë në shtyllë të shtëpisë, të cilën e lidhë ngusht me tiparet e Atdheut. Ndonëse motivi i dashurisë për poetin mbetët vazhdimësi nga botimet e mëhershme, për dashurinë personazhi i femrës së bukur na paraqitet edhe fermra e huaj (joshqiptare), e largët nga ambienti ynë kulturor shqiptar. Zezakja te vargu i poetit përfaqson tiparet e bukurisë,të elegancës, të tërheqjes së vëmendjes. Me këtë rast kemi një avancim të poetit, sepse në botimet e mëhershme graja, ose bukuria e femrës, personifikohej më shumë me elementin e jetës sociale shqiptare, ndërkaq, duke krijuar në Zvicër, ai këtë element nuk e kufizon, ose nuk i përmbahet me fanatizëm kësaj linje, por përkrah në sfond të gjitha femrat e bukura,pra edhe kur ato janë të „zeza si kafja e pjekur”.
Vehbi Skënderi në poezi këndon dhe vargu lirik i tij ka shumë muzikalitet dhe ritëm, por ai edhe shkruan, dhe mendimi mbetët gjithmonë i freskët. E veçanta e këtij frymzimi artistik mbetët te vlera e elementit të komunikimit. Nga shprehjet artistike mësojmë se autori është i lehtë në komunikim,e pranon këdo në bisedë, dhe kur fillon të flas, ai tregon gjërat që i di, me gjuhë shumë të qartë, dhe kështu ky komunikim në vargun e Skënderit merrë melodinë artistike prkrah elementit komunikativ në jetën e përditshme.
KRYEMINISTRI SALI BERISHA:
Vehbiu mbetet në lëminë e letrave dhe poezisë shqipe një nga emrat më të shquar të tyre, krijuesit e mëdhenj, por Vehbi Skënderi i përket atyre intelektualëve shqiptarë që për mbrojtjen e vlerave, të ideve dhe pikëpamjeve që besonte qëndroi me burrëri dhe kurajo të madhe, sakrifikoi, por nuk u mposht.
PRESIDENTI BAMIR TOPI:
Vehbi Skënderi ishte përfaqësues i denjë i asaj plejade letrarësh dhe personalitetesh, të cilët asnjëherë nuk i tradhëtuan idealet e tyre, nuk e humbën shpirtin e lirë prej poeti, mendimet e qashtra, pasionin dhe dëshirën për jetën, por mbi të gjitha dashurinë për atdheun. Koha u tregua e ashpër me ta, por në kujtesën e kombit, ata do të mbeten gjithnjë në piedestalin e vlerave njerëzore dhe kombëtare falë trashëgimisë së paçmuar që u kanë lënë brezave të ardhshëm.
SHKRIMTARI MOIKOM ZEQO:
Emri i lirikut gjenuin, të çuditshëm Vehbi Skënderi nuk do të harrohet asnjëherë.
Për këtë jam i bindur.
SHKRIMTARI VISAR ZHITI
E kam njohur, na donte kur nuk na donin, e donim dhe kur Ai ishte i ndaluar nga diktatura bashkë me të papërkulurit e tjerë.
Zëri i Tij i dashur, antalogjik tashmë, rikthehet, duke sjellë jetën e Tij, jetë poeti dhe si e tillë ajo është e pambarimtë.
KRITIKJA KLARA KODRA:
Në fazën e parë të krijimtarisë së Vehbi Skënderit, tema e parapëlqyer e poezisë së tij ka qenë jeta dhe psikologjia e njerëzve të punës, e trajtuar me një lirizëm që shkrihet në një konkretësi detajesh.
Pas vitit 1990, Vehbi Skënderi nisi të trajtojë temat ekzistenciale, duke e përtërirë krijimtarinë e tij me një përmasë universale filozofike dhe me thellësi psikologjike.”
Vehbi Skënderi është një poet me frymëzim spontan dhe me një gjuhë poetike shprehëse e të vetvetishme.
SHKRIMTARI DHE KRITIKU XHAHID BUSHATI:
I kam lexuar ato libra me kujdes. I lexoj përsëri… Mbushem shpirtërisht dhe kujtoj me mall e nderim mikun tim poetin e shquar Vehbi Skënderi, njëri nga elitarët e poetikës shqiptare. I lexoj ato poezi magjiplote, sepse dua të respektoj ato vlera si amanete që la poeti, me të cilin, edhe në prani të Bahriut, në mjediset e ndryshme të kantjerit të Zadejës, pata rastin të pi disa herë kafe. Çdo bisedë me të ishte një leksion diturie për mua. E shprehte mendimin bukur, e thoshte fjalën bukur e plot ngjyra. Një fjalë e shprehje plot ëndërra dhe dashuri jete. Dhe unë sa herë që largohesha nga ajo bisedë, sepse mbaronte takimi që nuk e dëshiroja, kisha dëshirë të kthehesha përsëri…
Po i kthehem librave poetikë. Pata rastin t’i njoh ato peizazhe punëtore. Pata rastin t’i njoh edhe nga turni i tretë. Çdo varg i poezisë së poetit u bë i dashur për mua. U bë i vërtetë. Edhe në atë mjedis shpesh gri e të egër, ai me mjeshtëri gjente të bukurën, të mahnitshmen,të mrekullishmen. Gjente bukurinë shpirtërore të njeriut, shpirtin e bukur të tij. Gjente dëshirën për të jetuar… Ndaj, ato libra u bënë të dashur për mua dhe kanë vendin e nderit në bibliotekën time.
Unë për vete, dhe këtë e them me bindje, nuk kam parë asnjë poet t’i ketë kënduar aq bukur eplot pathos Drinit plak, apo siç thonte Vehbiu në një varg brilant të tij: “… këtu janë zajet e rinisë së përjetshme”. Ndaj, në çdo kreshtë vale, gërxhe të thepisura, në llamburitjen e dritave që ngjanin si yje, rrugëve të përbaltura të kantjerit, në të qeshurat, romuzet… është dhe kënga poetike dhe e pandalshme e poetit të shquar Vehbi Skënderi, që i ngjan udhëtimit të Drinit plak që nuk ka të sosur. Nderim!
SHKRIMTARI SHEFQET DIBRANI:
Libri poetik „BËJMË SIKUR…“ i Vehbi Skënderit, kap çështje më të shqetësuara që mund t’i përkasin individualitetit krijues e artistik të një poeti. Ndonëse përmbajtja e këtij libri është e përbërë kryesisht nga lirikat, ai arrin me sukses të ofrojë një botë të tërë ndjenjash e shqetësimesh, por duke mos lënduar shpirtin e askujt. Bile, arrin ta përvetësojë lexuesin duke e futur edhe atë në botën e lezetshme të meditimit lirik.
Poezia lirike është një zhanër specifik i krijimtarisë letrare, andaj, poezia e Vehbi Skënderit, që përfshihet në këtë libër mund të trajtohet si poezi e ekzistencializmit lirik, si poezi e mirëfilltë dhe e angazhuar. Format e kësaj poezie janë të gërshetuara brenda këtij libri të lidhura mes veti me një konfiguracion idesh e mendimesh prej më të bukurave dhe me mesazhe të qarta ku vë në spikamë fatin e individit si pjesë kolektivitetit në përditshmërinë tonë, ose ndryshe, përshkruan me emocione ndryshimet e mëdha që ndodhën në shoqërinë shqiptare gjatë viteve të nëntëdhjeta.
Po unë e di sikur ky,POETI VEHI SKËNDERI sikur e ka mbimemrin SHEQERI apo kam lajthitur unë? SHEQERI e ka,pa dyshim,se ka patur një ëmbëlsi në shkrime dhe.mbi të gjitha,në shoqëri nuk ka patur më të ëmbël dhe me një çiltëris që vetëm fëmijët e kanë. Është i paharruar se rron përmjet veprave që ka lënë.