Më kujtohet kur isha një nxënës në tetëvjeçare, mbi pesëdhjetë vite të shkuara, kur një të diel në mëngjes, i shoqëruar nga vëllai im i madh, u regjistrova në bibliotekën e qytetit. Atëherë banonim në Peqin. Libri i parë që kam marrë, e mbaj mend si tani, ishte Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Siç duket, titulli pati ngacmuar fantazinë time dhe e mbarova librin me një frymë. Të nesërmen, ditë e hënë, që në mëngjes shkova ta dorëzoja në bibliotekë, por e gjeta mbyllur. S’dihet sa kisha pritur te dera, kur pashë tabelën e orarit: E hënë, pushim!
Ngjarja tjetër duhet të ketë lidhje me një konkurs kombëtar të vitit 1969, ndërsa ndiqja shpalljen e fituesve në gazetën Drita. Më sheh im vëlla, i cili ishte atëherë student në Institutin e Arteve, dhe më pyet pse isha mërzitur. “Kadareja nuk e mori çmimin e parë”, – i thashë, thua e kisha humbur unë çmimin. – “Ja, e mori Dritëroi çmimin e parë, kurse Kadareja u afrua gjithë arrogancë të tërhiqte çmimin e tij te juria”. S’di pse kjo fjalë më ngushëlloi. (Arroganca më ka mbrojtur nga sulmet e mediokërve, do të dëgjoja shumë vjet më vonë nga Kadareja.)
Ishte një rast kur mund ta takoja për herë të parë. E mbaj mend datën: 28 nëntor 1980. Kadareja me zonjën e tij po ktheheshin nga vizita në Prishtinë, ku ishte botuar kompleti i parë i veprave të tij. Në kufi kishte dalë për t’i pritur im vëlla, Feridi, atëherë redaktor në gazetën Drita. Ishin kthyer në shtëpinë tonë, por unë isha ushtar, ndaj nuk munda t’i takoja. Edhe sot e mbaj mend që zonja Kadare kishte sjellë një tufë karafila të kuq nga të Kosovës.
Do ta takoja shumë vjet më vonë Kadarenë, pasi kisha themeluar dy gazeta të pavarura, Fjala e lirë (16 shtator 1991-14 shtator 1992) dhe Ku vemi (tetor 1992-janar 1993), dhe shtëpinë botuese Onufri. Po ashtu, kisha instaluar një shtypshkronjë me ndihmën e një kredie të programit “Phare” të Komunitetit Europian. Mund të jetë e para shtypshkronjë në vend që përdori kompjuterin në procesin e shtypit dhe kjo na dha mundësi të konkurrojmë të gjitha shtypshkronjat shtetërore të cilat edhe disa vjet më pas do të përdornin germat prej plumbi.
Pas nja dy vjetësh Onufri kishte edhe një godinë ndër më të bukurat e qytetit. Ishte projektuar nga arkitekti i shquar shqiptar, Qemal Butka, i cili më vonë ka projektuar grataçela në Nju-Jork. Mbaj mend se, kur po bënim pagesën e këstit të parë, ishin mbledhur pasardhësit dhe njëri prej tyre më tha që, të kishte qenë gjallë babai, nuk do ta kishte shitur kurrë këtë godinë. Pasi pushuan diskutimet, më i madhi prej tyre u drejtua: të ishte gjallë babai, do t’ia kishte falur këtij djali për atë që po bën për kulturën! Nuk i harroj kurrë këto fjalë të cilat, mbase, do ta profilonin edhe më qartë rrugën që do të ndiqja në jetë. Po për këtë do të flasim më vonë.
Takimi i parë me Kadarenë
Isha bërë një botues i njohur tashmë. Mendoj se arsyeja kryesore ishte drejtimi që kisha marrë për botimet e autorëve shqiptarë, duke filluar me librin e parë Abeli të Haxhiademit, ndërkohë që pothuaj të gjithë kolegët e mi kryesorë botonin vetëm letërsi të huaj. Mbase po shtroja rrugën qetësisht drejt Kadaresë, i cili tani për herë të parë botohej nga një botues privat. Ishte shtëpia botuese Çabej, e Brikena Çabejt, vajza e profesorit të famshëm, ish-redaktore e Naim Frashërit. Dhe librat që ajo kishte nisur të botonte ishin modeli europian që kurrë nuk ishte parë në libraritë tona. Edhe sot janë model! Ndaj lidhja me Kadarenë më dukej edhe më e largët, aq më tepër që të dy jetonin në Paris, mund të kontaktonin shumë kollaj. Ndërkohë Kadareja po vinte më shpesh në Shqipëri dhe normalisht që botuesi duhej të ishte në Shqipëri për botimin dhe shpërndarjen e librave të tij.
Ka qenë qershori i vitit 1995 kur mund të takoheshim, por nuk e mbaj se ç’ngatërresë ndodhi dhe u la për në vjeshtë. Përsëri një ngatërresë me orarin. Kadareja na priste në orën 14.00 në shtëpinë e tij dhe mbase kam menduar që e kisha dëgjuar gabim, sepse ishte vakt dreke. (Më vonë do të mësoja se pikërisht kjo ishte ora më e rëndësishme për të pritur vizitorët në shtëpinë e tij.) Edhe këtë herë gjithë sherrin e përballoi im vëlla, Feridi, që kishte mundur t’i mbushte mendjen të takoheshim në orën 18.00.
Por nuk qe e thënë. Përsëri u vonuam, sepse ngatërruam katin dhe u përballëm me derën e apartamentit të Dritëroit. Doli duke qeshur Sadija dhe tha se nuk është hera e parë që na ngatërrojnë me Ismailin. Zbritëm dhe hymë në dhomën e ndenjjes, një dhomë shumë e madhe, pak e ndriçuar nga dielli i pasdites. Disa minuta zgjati debati me tim vëlla, jo pse nuk janë korrekt njerëzit në këtë vend, a është i rëndësishëm ky takim për ju, pse neglizhoni etj.
Më erdhi radha mua të flisja. Pasi më pyeti se ç’botoja, i thashë se kisha vepruar si në një kampionat boksi derisa të arrija te sfidanti i duhur. “Mirë, mirë, por lëri këto tani”, – dhe për herë të parë pashë se një buzëqeshje u përhap në gjithë fytyrën, kur ai ndezi një nga abazhurët. Në këtë moment im vëlla i tha: “Jepi një libër Bujarit për botim.” Ai u ngrit energjikisht nga kolltuku i thellë ngjyrë bezhë, shkoi në studio dhe u kthye që andej me një libër në dorë, në frëngjisht. E vuri në tavolinë në krahun tim dhe tha me seriozitet: “Ja, ta provojmë me këtë libër.” Ndërkohë Feridi nxori një stilolaps dhe ia zgjati duke thënë: “Shkruaji diçka Bujarit, ndryshe e gjitha kjo do t’i duket si një ëndërr.” Ai zuri vend në kolltuk dhe qetësisht, pa e zgjatur, shkroi autografin e parë dhe të fundit për mua: “Zotit Bujar Hudhri, duke i uruar suksese në punën e tij fisnike dhe si një fillim i bashkëpunimit tonë. Ismail Kadare. 14 nëntor 1995.” Nuk kam asnjë foto nga ai takim!
Vizita tek Onufri në Elbasan
Kaluan gjashtë muaj dhe Kadareja u kthye përsëri në Tiranë. Ndërkohë, unë kisha botuar librin e parë Dialog me Alain Bosquet. Edhe pse kisha vetë shtypshkronjë, për të pasur një libër cilësor e shtypa në Itali. Cilësia e lartë, çmimi i shitjes shumë i arsyeshëm. Kështu e kam nisur dhe kam vazhduar deri më sot me të gjithë librat e Kadaresë. Shpesh kolegët më kanë tërhequr vëmendjen për këtë paradoks, por kurrë nuk kam ndryshuar dhe këtë e kam bërë për lexuesin shqiptar dhe vetë Kadarenë.
Ardhja e Kadaresë nuk ra edhe aq në sy, sepse Shqipëria ishte përfshirë nga ethet e zgjedhjeve të majit 1996. Morëm një kameraman dhe një fotograf amator për të fiksuar diçka nga kjo vizitë e papërsëritshme. Sapo u ulëm në zyrë, m’u drejtua seriozisht: “Shumë e bukur kjo godinë, por shite urgjent dhe eja në Tiranë!” Nuk po u besoja veshëve, ndërsa vazhdoi: “Po, po, mos e zgjat.” Por nuk ishte sikur të ndërroje hotel, ndaj na u deshën tri vite të mira derisa u shpërngulëm në Tiranë. E shpejtoi këtë viti i mbrapshtë ’97. Sipas mendimit tim, ky vit ndau njëherë e përgjithmonë kryeqytetin nga çdo qytet tjetër në Shqipëri. E ndieja këtë duke ardhur çdo ditë nga Elbasani në Tiranë, dhe kthim. Për tetë vjet radhazi. Por tani kisha edhe një pengesë shumë më të madhe, sepse autori im i rëndësishëm banonte në Paris, unë në Elbasan dhe duhej të komunikonim gjithmonë e më shpesh. Kur kujtoj sot ato vështirësi, humbjen e valëve të celularit pas kthesave të panumërta dhe zërin e nervozuar përtej: “Po ku je? Ç’u bëre, nga u zhduke?” Sa herë u paraqitën këto situata, të cilat e bënin të pashmangshme shpërnguljen drejt Tiranës.
Erdhi një episod që i vuri vulën gjithçkaje. Duhet të ketë qenë nëntori i vitit 1998. Kadareja kishte ardhur vetëm në Tiranë, sepse Televizioni Francez do të bënte një film për jetën e tij në kooperativën “Agimi”, në Ndërnënës, Fier. Meqenëse ishte ftohtë, ai u akomodua në Hotel Tirana. E kishim lënë të takoheshim në orën 15.00. Me sytë nga dera e hotelit se mos po vinte nga çasti në çast, mendova të pyes te recepsioni mos ndoshta kishte ardhur. Jo, nuk është brenda, m’u përgjigjën. Prita deri në orën 18.00, pyeta edhe një herë. Nuk ishte. Dhe u nisa për në Elbasan. Mbaj mend, kur mbërrita në majë të Qafë Krrabës dhe kishin nisur fjollat e para të dëborës, më merr im vëlla në celular. Ishte me Kadarenë. “Pse nuk ndenje?” – më tha im vëlla. – “A kishe lënë takim?” Mezi kam mbërritur atë natë në Elbasan dhe mora vendimin e vështirë, por jetik. Po ç’kishte ndodhur me Kadarenë? Kur u takuam në mëngjes, më tha që kishte qenë brenda dhe i kishte porositur te recepsioni të mos e shqetësonin deri në orën 18.00.
Pas tre muajsh, në mars 1999, u shpërngulëm në Tiranë dhe ky ka qenë viti më i vështirë në jetën e familjes dhe biznesit tim: fëmijët e vegjël, shtypshkronja pothuaj një vit e painstaluar në Tiranë. Por me sakrifica i tejkaluam të gjitha dhe ai vit u kthye në suksese, sidomos në Panairin e Prishtinës, në dhjetor 1999, ku Kadareja vinte pas gati njëzet vjetësh. Megjithatë, me vitet që po kalonin vija re se ardhja në Tiranë nuk ishte ndonjë ndryshim kushedi, sepse largësia bënte të vetën.
Dua të përmend një rast që nuk e kam bërë të ditur asnjëherë. Kadareja kishte ikur në Paris. Pasi kisha nënshkruar dhe parapaguar disa kontrata, duhej të nxirrnim romanin e tij të ri Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut. Më vuri kushtin që çmimi të ishte 500 lekë. Ishte sikur ta falje! E shtypëm me atë çmim në kopertinë dhe një të enjte dolëm bashkë Gimin, ish-shokun tim të bankës në gjimnaz, i cili atë kohë, pasi ishte kthyer nga Greqia, bënte shpërndarësin e librave të Onufrit. U ktheva në zyrë dhe i rashë numrit të telefonit të Kadaresë, por nuk u përgjigj. I lashë një mesazh telefonik në sekretari: “Zoti Kadare, megjithëse binte shi, bashkë me Gimin i shpërndamë librat në gjithë Tiranën. Nesër nëpër rrethe.” Më merr në telefon të nesërmen zonja Kadare: “Bujar, veç ta shikoje Ismailin, ulur në kolltuk, e dëgjonte disa herë mesazhin tënd i lumtur.” I harrova edhe debatet për çmimin, megjithëse po regjistronim një tjetër humbje të radhës. S’kaluan veç 24 orë, kur në një darkë me disa të huaj bie celulari. Ishte Kadareja. Nuk e hapa se ishim në bisedë e sipër. Celulari nuk pushonte. “Më merr në telefon”, – më tha dhe e mbylli. Nuk e mora, thashë ta lë për më vonë, sepse nuk më pëlqeu zëri i tij. Nuk po kuptoja asgjë. Kur telefonoi përsëri. U ngrita dhe e pyeta se ç’kishte ndodhur. “More, pse nuk ka libra në librari? Një shoqes së Helenës i kishin premtuar të hënën një kopje!” M’u duk sikur kjo telefonatë më ndau kokën më dysh. “Çfarë, – i ngrita zërin, – ma jep këtu Helenën, kush është ajo?” Nuk dija ç’flisja nga nervozizmi dhe e ndjeva që ai u praps dhe më tha: “Jo, nuk ta jap Helenën në telefon me këto nerva.”
Ishte viti 2002. Ato ditë niste panairi i librit dhe koincidonte me ardhjen e tij, por nuk doja t’ia dija më për të. Mora një vendim të prerë: të ndaheshim njëherë e mirë! Boll më! Nuk komunikuam fare deri ditën kur u pamë rastësisht në Rinas. Unë me time shoqe, Zanën, kishim dalë për të përcjellë një grup norvegjezësh, kur shoh që Kadareja dhe zonja e tij kishin hipur në një xhip. Ishte hera e parë që i shihja si gjithë të tjerët, sikur s’kisha asnjë lidhje me ta. I përshëndetëm me dorë dhe u nisëm pas makinës së tij. Ndërkohë u ktheva në zyrë dhe nisa të shkruaja letrën e ndarjes. Ime shoqe me lotët që nuk i pushonin dhe unë i vendosur si asnjëherë. E futa në një zarf A4 që të mos e thyeja dhe drejt e te shtëpia e tij e re te Sky Tower. Pas 5 minutash, bie citofoni. Ishte regjisori Gëzim Kame që kishte vënë në skenë Stinë e mërzitshme në Olymp. U ngritëm menjëherë, s’kishim ç’të bisedonim, ardhja e regjisorit sikur e shtoi dramaticitetin. “Ke një letër këtu”, – i thashë. E parandjeu. “Ç’është kjo letër?” – më tha. “Lexojeni, flasim”. Dolëm, hymë në ashensor dhe drejt e në rrugë, ku kishte nisur një rrebesh shiu. Nuk kaluan pesë minuta, kur celulari: “O Bujar, kthehu, ç’janë këto? Eja flasim, ke luajtur mendsh më duket.” Shpesh linja ndërpritej, shiu nuk po pushonte, gjëmime herë pas here. Vetëm ime shoqe e heshtur gëlltiste lotët mbështetur te xhami i makinës. Nuk kthehem më, i thashë. Vazhduan edhe disa biseda që ndërpriteshin mbase nga koha e keqe. Lagje të tëra pa drita, rrugët po ashtu. Nuk më hiqet nga mendja edhe sot e kësaj dite, por s’ishte ky problemi i vetëm.
Ishte planifikuar një pjesëmarrje e Kadaresë në Tetovë, por unë vazhdova me këmbënguljen time dhe nuk shkova. Dhe nuk do të shkoja, por mikesha jonë e përbashkët, Mira Meksi, me një durim e këmbëngulje të pashoqe ma mbushi mendjen. Kur mbërrita në sheshin para Pallatit të Kulturës në Tetovë, në mes të grumbullit të njerëzve shoh Kadarenë që gjithë gëzim po më thërriste. Nuk ishim përqafuar kurrë ndonjëherë dhe me siguri ka shkaktuar habi tek të tjerët, thua se po takoheshim pas disa vjetësh. Të nesërmen ndenjëm në Strugë, dolëm buzë liqenit deri në mesnatë dhe në mëngjes u nisëm për në Tiranë. Rrugës, bashkë me menaxherin tim Fatosin, i dhashë një drekë me rastin e 10-vjetorit të themelimit të Onufrit, që ishte atë ditë. Ndërsa Kadareja me rastin e festës së Onufrit më dhuroi përgjithmonë librin tim të preferuar Autobiografia e popullit në vargje. Kështu nisi një periudhë e qetë, deri në stuhinë e radhës.
Ishte kompleti i plotë i veprës që na e komplikoi bashkëpunimin për vite të tëra. Pikërisht kurorëzimi i një bashkëpunimi që duhej të ishte krejt i natyrshëm, solli shpesh situata jonormale. Siç duket, i ndikuar nga të tjerë, shpesh hezitonte. Do të kujtoja vetëm dy javët e fundit kur do të fillonte botimi i dy vëllimeve të para. Acarime pa ndonjë shkak të dukshëm. Nervozizëm. Ditët kalonin. Ai donte të shihte letrën e kapakut të fortë, si do të ishte produkti final. Ishte një enigmë për të gjithë. Por nuk kisha qetësinë e nevojshme. Nuk e dija se ndërkohë një botues tjetër, me miratimin e njerëzve të afërm të autorit, priste që të dështonte ky bashkëpunim. Afati ishte dhënë: nëse nuk dilte vepra në panair, çdo gjë ndërpritej. Kadareja ishte i ftuar për tri ditë në Gjermani. E përcolla deri në Rinas. Nuk e di pse u tregua i dhembshur, gjë që nuk i shkonte aspak në marrëdhënien me mua, dhe më porositi që vepra të dilte sa më mirë. Që të nesërmen u nisa për në Shkup, sepse në Tiranë nuk mund të gjendej një material i tillë. U ktheva, po ashtu edhe Kadareja, i cili donte të shihte si do të dilte libri. Por si, qysh t’ia tregonim? Duhej ende punë. Dhe ja, filloi java finale. Ika në Shkup të dielën së bashku me Bledin, shoferin, që të merrnim paperkotin. Ishte ora tetë e mëngjesit, në qendër të Shkupit. Ku je, u dëgjua zëri i Kadaresë. As si je, as mirëmëngjes. Po ç’bën atje? Po ç’punë keni ju se ç’bëj unë etj. U kthyem të martën në mesnatë, përmes borës, drejt e në shtypshkronjë, ku të gjithë punonjësit po merreshin me veprën e plotë. Në orën 17.30 u bënë gati dy vëllimet e para pas shumë peripecish. Binte shi, trafiku ishte i rënduar si asnjëherë, ndaj nisëm një shpërndarës drejt e te shtëpia e Kadaresë. Aty ishte vetëm e motra, Kakuja. Gjithë zemërim i kishte thënë se Kadarenë e kishte marrë me makinë botuesi në pritje. Ndërkohë, në stendë, disa persona po fërkonin duart, të sigurt që Onufri do të dështonte. Kur në orën 18.00 librat, si në një magji, ishin në stendë. Ndërsa unë nuk munda të isha i pranishëm në momentin më të rëndësishëm për një botues. Dy net i pagjumë, i parruar, i stërlodhur, ndenja në shtypshkronjë. Kur rreth orës 20.00 më mori Kadareja. Pse nuk erdhe? më tha. Nuk munda, pastaj, kishim tri ditë pa u parë dhe do të takoheshim përpara kamerave sikur po bënim teatër. “Dëgjo këtu, – më tha shumë serioz, – bravo! S’ka libra më të bukur. Veç të jesh i lig e të mos i pëlqesh. Të lumtë!” I lodhur siç isha, e ndjeva që më rrodhi një lot dhe befas sikur u çlirova nga një barrë e madhe e një makth që s’më linte të merrja frymë.
Të nesërmen na ftoi për drekë së bashku me Zanën. Kur u afruam tek tavolina e vogël, pashë që kishte vënë dy librat dhe i shihte me një fytyrë të mrekulluar. Helena i mori pa kujdes që të shtronte pjatat, kur Kadareja i foli prerë: “Lëri aty!” Pastaj pyeti të motrën, Kakunë: “Hë, si të duken?” “Ku di unë, s’marr vesh unë”, – u përgjigj ajo mbyturazi. Pastaj m’u kthye mua: “Dëgjo, Bujar. Unë jam rritur mes librave të bukur, gjithë jetën. Po s’ka libra më të bukur se këta!”
* * *
Jemi të dy në Bar Juvenilja. E martë, 4 maj 2021. Që të sigurohem marr nga tavolina faturën, ku lexoj edhe datën dhe orën e saktë – 04.05.2021; 12.45. I them se fiks në këtë orë, 25 vjet më parë, kemi nënshkruar kontratën e bashkëpunimit. Shoh që buzëqesh, është krejt i qetë dhe pret që të vazhdoj.
“Ishte një terren i vështirë dhe vazhdimisht binin rrufe!” – i them.
“Po, sigurisht, çfarë prisje tjetër? Nga Olimpi vijnë vetëm rrufe!” – ma kthen aty për aty.
Nuk folëm për një kohë dhe s’di pse m’u kujtua vetja, ai fëmija dhjetëvjeçar me librin Gjenerali i ushtrisë së vdekur, përpara derës së mbyllur të bibliotekës. Befas, ajo derë m’u bë sikur të isha para Olimpit dhe atje në majë shihja siluetën e Kadaresë. E di shumë mirë se kurrë nuk do të mbërrij të ngjitem atje, sado të jetoj. Sepse atje është arti i madh, janë zotat dhe ne jemi shumë të vegjël para tyre. Doja t’i shprehja mirënjohjen për të gjithë këtë rrugëtim, por, i bindur se nuk do t’i shkonte ky happy end një shkrimtari si ai, nuk ia thashë.
Forcat e armatosura të Britanisë do të ishin gati të luftonin Rusinë që sonte.
Një zyrtar i lartë ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar se në rast se Moska vendos të sulmojë një vend të Europës Lindore, është evidente që në fushëbetejë do të jenë edhe forcat britanike.
“Nëse ushtrisë britanike i kërkohej të luftonte sonte, ajo do të luftonte sonte. Dhe nuk mendoj se askush në këtë dhomë duhet të ketë ndonjë iluzion se nëse rusët pushtojnë Evropën Lindore sonte, ne nuk do të jemi në fushëbetejë”, tha Rob Magowan, zëvendës shefi i shtabit të mbrojtjes britanike, në një komision parlamentar të mbrojtjes. të enjten.
Kujtojmë se komentet e Magowan erdhën menjëherë pas raporteve se Rusia kishte lëshuar një raketë balistike me aftësi bërthamore gjatë një sulmi të mëngjesit të së enjtes në Dnipro, Ukrainë.
Më vonë gjatë ditës, Putin tha në një deklaratë televizive se raketa ishte një raketë e re balistike jo-bërthamore me rreze të mesme. bw
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka përshëndetur vendimin e Parlamentit të Kosovës, për ndarjen e 4 milionë eurove për Luginën e Preshevës.
“Pas aprovimit në Qeveri e tashmë miratimi në lexim të dytë të Parlamentit për këtë fond nuk është thjesht një numër në letër. Është një mesazh i qartë dhe i fortë nga Kosova se shqiptarët e Luginës nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë vetëm! “
“Këto mjete do të shkojnë aty ku preken përditë zemrat e njerëzve: në arsim, për t’i dhënë fëmijëve tanë një dritare më të gjerë drejt së ardhmes; në kulturë, për të ruajtur dhe promovuar vlerat tona kombëtare; në sport, për të rritur shpresën dhe energjinë pozitive të rinisë; dhe në sektorë kyç që përmirësojnë jetesën e përditshme”.
Kamberi shkruan në Facebook se ky është një hap i cili sipas tij shkon përtej politikës, e fjalëve, transmeton Klankosova.tv.
“Lugina është krenaria jonë e përbashkët, edhe më fuqishëm me Kosovën që po qëndron pranë nesh në këtë situatë të rëndë që po na imponohet nga diskriminimi shtetërorë”.
“22 Nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve që janë shpërndarë pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit, janë të përfaqësuara në të gjitha fetë monoteiste, por ajo që i ka bashkuar dhe vazhdon t’i bashkojë është gjuha dhe fakti që në Kongresin e Manastirit zgjodhën të shkruajnë dhe të identifikohen në këtë gjuhë të bukur dhe të shenjtë me alfabetin latin”, tha Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme në fillim të vitit 2024, kur u propozua që kjo datë të bëhej festë zyrtare.
116 vite pas Kongresit të Alfabetit, që ishte një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, që sot njihet si “Kongresi i Manastirit”, Shqipëria po bën hapa pas, duke rrezikuar rritjen e analfabetizimit në vend.
Të dhënat e Bankës Botërore, tregojnë se jo vetëm që numri i të regjistruarve në shkollat fillore po bie ndjeshëm, por ai është dhe ndër më të ulëtit në Europë.
Në vitin 2023, Norma bruto e regjistrimit në shkollën fillore në Shqipëri zbriti në 93.7%, nga 105.4% që kishte qenë në vitin 2017, duke shënuar një rënie të fortë pas pandemisë.
Kjo do të thotë që të regjistruarit në shkollë fillore (pavarësisht moshës) ishin sa gati 94% e popullsisë 6-12 vjeç. Ky është niveli më i ulët rekord, që nga viti 1976, kur banka Botërore raporton të dhënat./Monitor/
Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka simbolikë të veçantë dhe specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, në përkujtim të Kongresit të Manastirit, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908.
Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për një ndryshim për ligjin për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore, duke i propozuar Kuvendit të Shqipërisë shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare. Dita e Alfabetit Shqip u miratua nga Kuvendi në shkurt të këtij viti dhe kjo është hera e parë që kremtohet si festë zyrtare. Iniciativa u mor edhe pas diskutimeve në samitin e diasporës.
Në Kongresin e Manastirit morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe. Në Manastir morën pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet. Kryetar i kongresit u zgjodh Mid’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi ishte gruaja e vetme në këtë kongres.
Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.
Edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kjo ditë është festë kombëtare. Në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër. bw
Njoftohet se Ukraina ka përdorur për herë të parë raketa britanike të tipit “Storm Shadow” me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva brenda Rusisë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Londra, sulmi ukrainas vjen pas njoftimeve se Presidenti Joe Bien vendosi në fillim të javës që ta lejojë Kievin të përdor raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva në brendësi të Rusisë.
Mediat britanike njoftuan të mërkurën se Ukraina kishte përdorur për herë të parë raketa të tipit “Storm Shadow”, të furnizuara nga Britania, për të goditur objektiva brenda territorit rus. Raketa të tilla janë përdorur në të kaluarën kundër forcave ruse në territoret e pushtuara të Ukrainës, si vitin e kaluar, kur u godit shtabi i flotës ruse të Detit të Zi në Krime.
Londra dhe Kievi nuk e kanë konfirmuar sulmin e djeshëm.
Në fillim të kësaj jave, ushtria ukrainase përdori raketa me rreze të gjatë veprimi, të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara, për të goditur në thellësi të territorit rus, pas miratimit nga Uashingtoni.
Franca gjithashtu e ka furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi. Por raketat evropiane dallojnë nga ato amerikane, thotë për Zërin e Amerikës analisti Patrick Bury nga Universiteti Bath.
“Ato janë raketa që lëshohen nga ajri dhe kanë një rreze veprimi prej 250 kilometrash. Raketat amerikane kanë një rreze më të gjatë veprimi dhe nuk lëshohen nga ajri, ndaj janë më të vështira që të eliminohen, të paktën në teori”.
Dy sistemet e raketave ofrojnë mundësi për objektiva të reja.
“Rrezja e veprimit të dy llojeve të raketave është e mjaftueshme për të depërtuar brenda territorit dhe goditur infrastrukturën ruse, duke ndërprerë furnizimet për frontin e luftës. Rrezja e veprimit nuk është aq e rëndësishme sa fakti që Ukraina ka nevojë për sasi të mëdha raketash dhe sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë për Zërin e Amerikës, James Nixey, i cili drejton programin Ruso-Euroaziatik në Institutin Mbretëror për Çështjet Ndërkombëtare që njihet edhe si Chatham House.
Ukraina duhet të zgjedhë me kujdes objektivat e saj, thotë analisti Bury.
“A do të lejohen ata (Ukraina) që ta shtojnë trysninë dhe të godasin infrastrukturën energjetike, ushtarake, rafineritë e naftës, objektiva që do të fillonin me të vërtetë të dëmtonin ekonominë ruse? Kjo është pyetja.”
Por Gjermania, furnizuesi i dytë më i madh i Ukrainës me armë, e përjashtoi këtë javë mundësinë që t’i ofronte Kievit raketa me rreze të gjatë veprimi. Berlini druhet se mund të përfshihet në luftë.
“Asgjë nuk ka ndryshuar për ne, situata dhe rrethanat janë të njëjta. Raketat gjermane nuk janë si ato amerikane apo britanike. Këndvështrimi ynë për këtë çështje është i njëjtë”, tha shefi i mbrojtjes gjermane, Boris Pistorius.
E ardhmja e ndihmës ushtarake perëndimore për Kievin mbetet e pasigurt. Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, është zotuar t’i japë fund luftës në ditën e parë që merr detyrën. Kievi i druhet tërheqjes së mbështetjes amerikane. Analisti Bury thotë se Britania dhe Franca mund të vendosin që të vazhdojnë furnizimin e Ukrainës me raketa.
“Dy vendet kanë armë bërthamore dhe mund të rrezikojnë nëse duan. Mund të gjenden dallime mes NATO-s evropiane dhe asaj amerikane për disa çështje politike lidhur me Ukrainën”.
Pas vendimit të Uashingtonit për ta lejuar Ukrainën që të godasë territorin rus me raketa amerikane, Moska uli kufizimet për përdorimin e armëve bërthamore.
Prindërit dhe nxënësit kanë hedhur bojë në asfaltin para Ministrisë së Arsimit te Rruga e Durrës në shenjë proteste pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani.
Me pankarta të shumta në duar, me mesazhe për institucionet, shoqërinë, por edhe për 14-vjeçarin e vrarë, qytetarët kanë kërkuar drejtësi dhe siguri.BW
Qindra qytetarë kanë mbushur sot rrugët e Tiranës në shenjë protestë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani duke kërkuar siguri.
Prindërit janë mbledhur fillimisht te shkollë “Fan Noli” dhe më pas kanë marshuar drejt sheshit “Skënderbej” me një pankartë gjigande në krye “Institucionet e papërgjegjshme vrasin” dhe bënë apel për marrjen e masave.
“Nuk ka dhimbje më të madhe. Ai ishte si djali im se ishte shoku i djalit tim. Nuk di çfarë të them, jam shumë i prekur. Ai i ka fut thikën të gjithëve”, tha një prind.
“Apel shtetit shqiptar të mos flejë gjumë, mjaft më. Nuk durohet”, tha një prind tjetër. BW
Qytetarë të shumtë kanë dalë sot në protestë për vrasjen e 14-vjeçarit pak ditë më parë në dyert e shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Teksa fajësojnë institucionet për vdekjen e Martin Canit, prindërit janë të ndarë për mbylljen e rrjeteve sociale, një propozim i hedhur dje në diskutim nga kryeministri Edi Rama. Ata kërkuan dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe marrjen e masave urgjente nga qeveria.
“Jetojmë të pasigurt, jetojmë me frikë. Ministrja e Arsimit duhet të japë dorëheqjen urgjentisht deri te oficerja e sigurisë që nuk ka bërë gjë.
Bullizimi në rrjetet sociale është një gjë që i shqetëson shumë të rinjtë sot. Ne këtu duam të vëmë theksin te Ministria e Arsimit, është inekzistente. E keni parë si i është mbyllur goja elitës intelektuale.
Unë i kërkoj qeverisë, ministres së Arsimit të japë dorëheqjen. Ndihemi të pasigurt. Unë kam dy vajza, vajza ime shkon në një shkollë ku rreth e qark shitet drogë. Ne duam siguri publike. Sot shoqëria shqiptare po pëson një krizë të vlerave. Është rritur mosha e minorenëve që kryejnë krime”, tha një prind.
Një vajzë 10-vjeçare që iu bashkua protestës tha se ndihet e tmerruar kur del nga shkolla.
“Të rriten masat e sigurisë në shkolla. Të kontrollohen çantat. Rrjetet sociale i shkatërruan. Celularin në dorë. T’i mbyllin rrjetet sociale. Do ishte zgjedhje. Nuk kontrollohet ajo. Në Kinë ta kontrollosh TikTokun. Duhen mbyllur dhe bashkëpunim me prindërit. Djali do ishte gjallë po të ishin bërë bashkë drejtoresha e shkollës, mësuesit, prindërit. Këtu ka dhe një problem se bëjnë dhe të tjerët, mirë ia bëri ai thonë. Ka efekt zinxhir”, tha një tjetër prind.
Një nënë u shpreh se prindërit duhet t’i kontrollojnë fëmijët.
“Nuk jam për mbylljen e rrjeteve sociale, prindërit e bëjnë zgjidhjen. Ata duhet t’i kontrollojnë”, tha ajo.
“Çfarë të them, a ka më keq?! Unë jam gjysh, a ka më keq për një gjyq. Mendoj se faji është tek Arsimi. Ministrja e Arsimit duhet të kishte dhënë dorëheqjen vetë në mënyrë urgjente në shenjë respekti”, u shpreh një i moshuar.BW
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë gjatë një fjalimi vjetor në Parlamentin e vendit se rrezikimi dhe cenimi i marrëdhënieve me shtetet aleate cenon vetë Kosovën dhe është gabim strategjik.
“Të punosh me ata që na kanë ndihmuar ta kemi lirinë e shtetit, asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim. Besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në aleancat tona”, tha Osmani të enjten në Kuvendin e Kosovës.
Duke folur në një seancë të bojkotuar nga dy prej tri partive më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës, presidentja e vendit tha se “aleanca e Kosovës me vendet e tjera është më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.
Ajo bëri thirrje që Kosova t’i ruajë aleancat e saj, sepse ato, sipas saj, janë “gur themel i sukseseve tona dhe investim në të ardhmen tonë, ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komitetin euroatlantik të kombeve të lira”.
“Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtën e republikës sonë”, tha ajo.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, është kritikuar dhe akuzuar gjatë këtij viti nga Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i vendit, si dhe nga Bashkimi Evropian, për veprime të “njëanshme dhe të pakoordinuara” në veriun e banuar me shumicë serbe.
Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë hapash për ta shtrirë autoritetin në veriun e banuar me shumicë serbe, duke mbyllur institucionet paralele serbe.
Kurti vazhdimisht këmbëngul se veprimet e Qeverisë së tij nuk janë të drejtuara kundër askujt, se ndjek Kushtetutën dhe ligjet e Kosovësdhe se marrëdhëniet me SHBA-në janë të mira, përkundër mospajtimeve për disa çështje.
Osmani tha gjatë adresimit të saj se “asnjëherë nuk i kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës”.
Tutje, Osmani i bëri thirrje spektrit politik të këtë angazhim të madh vitin e ardhshëm për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.
“Ka disa gjëra që kërkojnë vëmendje dhe angazhimin e të gjithëve gjatë vitit 2025. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, avancimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, si dhe fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO duhet të jenë suksese të vitit 2025”, tha ajo.
Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por ende nuk e ka statusin e vendit kandidat. Ndërkaq, aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk pati sukses për shkak se u kushtëzua me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Osmani kërkon reflektim rreth qasjes në dialog
Presidentja Osmani tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian prej vitit 2011, ka qenë “fatkeqësisht i pabalansuar” dhe bëri thirrje për reflektim.
Ajo tha se Kosova “është trajtuar padrejtësisht” ndërsa, Serbia është “akomoduar vazhdimisht”.
“Fakti që në tavolinën e dialogut sot, shteti që kreu agresion ndaj Kosovës nuk është nën masa, kurse viktima e këtij agresioni, Kosova, është nën masa, është dëshmia më e qartë e kësaj. Prandaj, është e domosdoshme që të ketë reflektim rreth kësaj qasjeje, nga të gjithë ata që vërtetë duan paqe e stabilitet afatgjatë në rajonin tonë”, tha ajo.
“Por, kjo nuk do të thotë se edhe ne nuk duhet të vetëreflektojmë për rrugën e deritanishme dhe si mund t’i bëjmë gjërat më mirë”, tha ajo.
BE-ja vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës vitin e kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Sipas burimeve diplomatike të BE-së, në diskutimet e fundit për këtë temë, shumica e shteteve anëtare kanë qenë në favor të heqjes së masave, askush nuk ka qenë në mënyrë të prerë kundër heqjes së tyre, por ka pasur dallime rreth asaj se si dhe kur do të bëhet një gjë e tillë.
Ajo tha se këshillat e saj për përmirësimin e procesit të dialogut kanë qenë në shënjestër të “sulmeve të ulëta dhe dezinformatave që s’i kanë hije askujt në Kosovë”.
“Për të qenë edhe më e qartë, kur unë kam propozuar që drafti i asociacionit të fillohet të diskutohet me SHBA-të, në mënyrë që kjo çështje mos t’i lihet as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar që unë po kërkoj themelim të asociacionit, por ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetvetes sonë dhe Amerikës, sesa disa burokratëve nga shtetet jonjohëse”, th ajo.
Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është ndër pikat kryesore të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Osmani tha se është akuzuar padrejtësisht dhe me “lloj-lloj shpifjes të ulëta” se ajo ka kërkuar nënshkrimin e njëanshëm të marrëveshjes.
Kurti ka thënë se është i gatshëm ta zbatojë Marrëveshjen Bazë dhe aneksin për zbatimin e saj, për çka Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023, vetëm nëse Serbia e nënshkruan dokumentin.
Ajo tha se kishte theksuar se zbatimi i marrëveshjes ka kuptim vetëm nëse zbatohet nga të dyja palët, dhe se, si alternativë, ajo kishte kërkuar që Kosova, nëse e sheh që Serbia nuk po e zbaton pjesën e saj, të diskutojë me aleatët e vet për zbatimin e përgjegjësive të saj në marrëveshje, nëse merr garanci për sigurinë nga SHBA-ja, përfshirë anëtarësim në NATO.
“Thënë troç, për mua, më shumë sesa nënshkrimi i presidentit të Serbisë ka rëndësi nënshkrimi i Presidentit të Amerikës. Shpresoj që jam mjaftueshëm e qartë”, tha Osmani. REL
Kuvendi i Kosovës ditën e sotme do të mbajë seancë plenare. Presidentja e Republikës së Kosovës do t’i drejtohet deputetëve në Kuvend në ora 09:30.
Me aktin më të lartë juridik të shtetit është e përcaktuar që sё paku një herë në vit kreu i shtetit t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës përkitazi me fushëveprimtarinë e tij/saj.
Pas adresimit të Osmanit, do të nis seanca plenare me fillim nga ora 10:00 me vetëm një pikë të rendit të ditës.
Në rend dite do të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2025. sn
Sa tragjike mbetet ngjarja e humbjes së jetës së një djaloshi 14 vjeçar në nga një përfshirje konflikti me thika mes tre adoleshentëve në afërsi të një shkolle ku ata ishin bashkënxënës?
Njëri humbi jetën, një tjetër në luftë për jetën dhe një tjetër në arrest për të pritur gjykimin.
A reflektoi shoqëria shqiptare për t’u tërhequr dhe bërë një pauzë heshtje për të treguar reagimin qytetar ndaj dhunës verbale, vrasjeve gjaknxehta dhe krimeve që ndodhin rëndom gjatë çdo dite?
Për të gjetur arsyet dhe shpjegimet duhet gjakftohtësi gjatë çdo pyetje që ngrihet për çështjen nga shoqëria shqiptare për t’ju drejtuar çdo institucioni, prej familjes, shkollës, rendit dhe sigurisë, të mediave që bëjnë krye-lajm ngjarjet tragjike, e përtej qeverisë dhe presidentit për të arritur në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Përse do të ndaleshim këtu?
Sepse ngjarja e përsëritur nuk mban më.
Pavarësisht buxhetit 2025 ku prej dy ditësh u dëgjuan shifra dhe “përkujdesje” për çdo grupmoshë dhe si për çdo veprimtari të jetës shoqërore dhe ekonomike drejt BE-së 2030, në një kohë kur kriza dhe korrupsioni po e gërryejnë shoqërinë shqiptare nga keq qeverisja.
Është e kotë të bësh propagandë dhe të spekulosh mbi ngjarjen tragjike që përsëritet.
Vetëm dje në qoftë se do të ekzistonte fryma e njerëzishme e pajtimit, e kthimit për të reflektuar mbi humbjen e jetës kur në një konflikt përfshihen të rinjtë, kryetarja e Kuvendit* mund të mblidhte kryetarët e grupeve parlamentare dhe në mënyrë solemne të mbanin heshtje dhe ta pezullonin debatin e buxhetit 2025 për një ditë më të qetë. Por kjo nuk ndodhi, “portat e ferrit” mbetën hapur dhe breshëritë e replikave të politikës vazhduan gjatë. Çuditërisht gjatë sa na befasuan të gjithëve se si ky buxhet e vazhdon maratonën në një kohë kur ai i një viti më parë u mbyll për 7 minuta me fuqinë e kartonit të mazhorancës dhe protestave të opozitës.
Kanë ndryshuar vetëm kryetaret e Kuvendit, kanë ndryshuar shifrat dhe premtimet në rritje, por cilësia dhe siguria e jetës është përkeqësuar dhe vendi po shkon drejt zgjedhjeve të përgjithshme.
Është koha që që të gjithë të reflektojmë. Çdo deklaratë dhe qendrim duhet të jetë i matur para dhimbjes dhe zisë që shkakton dhe këto fatkeqësisht janë bërë të shpeshta dhe njerëzit po ashtu edhe të shkujdesur.
Nga një përfshirëje konflikti me thika mes tre adoleshentëve gjen tre histori dhimbjeje.
Një jetë që ndërpritet…
Një jetë që përpiqet…
…dhe një jetë që do të marrë dënimin.
Këto tre trauma psikike dhe emocionale në luftë për jetën shoqëria shqiptare ka nevojë të reflektojë dhe të gjejë shërimin. Një jetë nën dhè dhe jetët tona mbi dhè i shëron vetëm paqja, dashuria, ai popull dhe ajo politikë qeverisjeje që e kanë vullnetin për t’ja mbyllur shtigjet krimit dhe korrupsionit.
______
* Sipas ATSH- Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali u shpreh se “kjo është ngjarje shumë e rëndë dhe shumë tragjike për t’u trajtuar me këtë lehtësi në këtë kërkesë për procedurë. Duhet të bisedojmë në rast se vendoset për një kohë të përshtatshme dhe për diskutime shumë më të thella për këtë çështje si për procedurë edhe për arsyet e shkaqet”.Spiropali theksoi se “deputetët nuk janë të gjithë dhe do të ishte mungesë ekstreme respekti së pari për viktimën dhe familjen e tij, mos ta përdorim për politikë të ditës të gjejmë një kohë të përshtatshme”.Pavarësisht kësaj deputetët e PD-së janë ngritur më këmbë dhe kanë mbajtur një minutë heshtje për 14 vjeçarin.
20 Nëntor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Kombet evropiane po përgatiten për një luftë të gjithanshme në kontinent pasi Ukraina lëshoi raketa të prodhuara nga SHBA në Rusi për herë të parë duke përbërë një kërcënim real për një luftë të gjithanshme. Sipas një dokumenti prej 1000 faqesh të titulluar ‘Plani Operacional Gjerman’, të bërë publik nga media gjermane “Frankfurter Allemagne Zeitung”, thuhet se Gjermania do të presë qindra mijëra trupa nga vendet e NATO-s dhe do të shërbejë si qendër logjistike për dërgimin e sasive të mëdha të pajisjeve ushtarake, ushqimeve dhe ilaçeve drejt frontit.
Ushtria gjermane po udhëzon gjithashtu kompanitë dhe civilët se si të mbrojnë infrastrukturën kryesore dhe të mobilizohen për mbrojtjen kombëtare, duke parashikuar një situatë në të cilën Rusia zgjeron fluturimet me dron, operacionet e spiunazhit dhe sulmet sabotuese në të gjithë Evropën.
Po ashtu, bizneset janë këshilluar të krijojnë plane krize të cilat detajojnë përgjegjësitë e punonjësve gjatë emergjencave dhe do të udhëzohen të pajisen me gjeneratorë me naftë ose të instalojnë turbina me erë për të siguruar pavarësinë energjetike, shkruan A2 CNN. Përgatitja e Gjermanisë ndjek shembujt e vendosur nga vendet nordike, ku broshurat dhe emailet tashmë janë dërguar në miliona shtëpi me këshilla për kërkimin e strehimit, grumbullimin e furnizimeve dhe stërvitjen rudimentare ushtarake.
Nënkoloneli gjerman dhe kreu i Komandës së Shtetit të Hamburgut, Jörn Plischke, është një avokat i vendosur i nevojës për t’u përgatitur për një luftë të mundshme në Evropë dhe ka nisur një përpjekje për të fuqizuar sektorët industrialë dhe bujqësor të Gjermanisë. Pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, një luftë konvencionale në Evropë do të ishte e mundur përsëri në pesë vitet e ardhshme”, tha gjenerali gjerman nga Hamburgu, aty ku ushtria gjermane po kryen një stërvitje ushtarake. sn
Komentet