TIRANË
Në emisionin e sotëm “Pikat mbi i”, në News24, ishte sërish temë diskutimi 25 prilli, ku PS fitoi me 74 mandate, ndërsa PD siguroi 59 mandate, duke mbetur sërish në opozitë.
Analisti Artur Zheji analizoi qëndrimet e Lulzim Bashës pas humbjes, duke thënë se i mbështet ato, por sipas tij, opozita nuk duhet të dalë sërish nga Parlamenti.
Nga ana tjetër, gazetarja Klodiana Lala bëri një deklaratë të fortë, teksa tha se për fat të keq në vendin tonë balancat politike i vendos krimi i organizuar.
Sipas gazetares Lala, një gjë të tillë e kanë dëshmuar tri vrasje të bujshme, që ndodhën në vend para dhe gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit, si ajo e Edmond Çekiçit në Durrës, e Bardhok Pllanajt në Shkodër dhe e Pjerin Xhuvanit në Elbasan.
Pjesë nga diskutimet:
Artur Zheji: Situata nuk është e mirë për një arsye kryesore, ne do vazhdojmë të qeverisemi nga një mazhorancë, e cila nuk përfaqëson më shumicën e vullnetit të qytetarëve. Nëse marrim parasysh pjesën e shqiptarëve që nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje, votat e pavlefshme, kontestimet e mëdha të opozitës, nga të cilat lëvizin 5-6 deputete, na përforcohet bindja se do të qeverisemi nga një pakicë. Kemi një lloj paqartësie shumë të madhe. Rregullat dhe pikësimet, apo semaforët, e demokracisë në këtë vend duket se janë jo shumë funksionalë. Duket se opozita ka prova të qarta sa i përket mosrespektimit të rregullave të lojës. Pra, këtu problemi është se kush është shumica. Mendoj që patjetër që rruga e Bashës për protesta është e duhura. Dy gjëra duhet të bëjë PD, duhet të mbajë institucionet fort, jo të dalë nga institucioni i Parlamentit, sepse populli e besoi dhe e ndoqi, i dha 59 mandate, që nuk janë pak. U pa që cdo betejë jashtë institucionale shton humbjen.
Klod Lala: Nuk mund të bëj dot një analizë politike. Zyrtarisht janë depozituar në SPAK 91 kallëzime apo denoncime nga subjekte të ndryshme politike, kryesisht nga PD, që nga momenti i nisjes së fushatës deri më 25 prill. SPAK ka regjistruar 33 kallëzime penale nën dyshimet për korrupsion. SPAK duhet të jetë e vëmendshme të hetojë me seriozitet, pasi është në interes që krimet zgjedhore të zbardhen. Çështje tjetër është edhe ajo e patronazhistëve, nxjerrja e të dhënave personale. Ka dhe një padi të PD për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë, që sipas kësaj force politike, zyrtarët i kanë shpërndarë këto të dhëna për 25 prillin. SPAK zyrtarisht ka nisur hetimet për këtë çështje.
Zheji: Unë nuk besoj te SPAK. Kë ka marrë të pyesë për çështjen e patronazhimit, që ta dimë.
Lala: SPAK ka shqyrtuar dy dosjet e shit-blerjes së votave, atë 339 dhe 184, por që deri më tani nuk kemi asnjë zyrtar të hetuar. Por unë nuk mund ta paragjykoj punën e SPAK, që mund të kenë në duar prova e fakte që më rrëzojnë diskutimin. Rasti i Elbasanit dëshmon që eksponentë të caktuar kanë depërtuar në fushatë. Deputeti Ndrazhi është votuar sërish në parlamentin e ri, edhe pse ka qenë mes emrave që dilte në përgjimet e mëparshme. Unë jam duke e pritur Prokurorinë. Unë pretendoj që SPAK, një institucion ku janë investuar miliona, të na japë përgjigje nëse ka pasur shit-blerje të votës, nëse eksponentë të krimit të organizuar janë përfshirë në fushatë. Edhe unë jam skeptike në momente të caktuara, por mendoj që SPAK, për shkak të presionit nga media, eksponentë politikë dhe partnerët ndërkombëtarë, do jenë të detyruar të japin përgjigje. Ka pasur raste të tentativës për shit-blerje votash, ka pasur denoncime për dhënie legalizimesh, etj, por që unë duhet të pres të flasë SPAK, për të parë deri në ç’nivel është ndërhyrë në zgjedhjet e 25 prillit. A duhet të krijojë edhe PD bandat e veta, që të fitojë zgjedhjet?
Zheji: Basha tani është një kryetar partie më i guximshëm dhe më serioz, që po denoncon me emra. Këta personazhe i sigurojnë PS atë diferencën e votave, që i duhet për të ardhur në pushtet. Nëse edhe PD merr banda, do të vriten ca, do ketë një luftë guerrile, vjen në pushtet, shihet pastaj kush ka bandat më të forta. Kjo është dramë. Ne jemi një popull i lodhur në prag të pushimeve, njerëzit thonë më mirë një fund i tmerrshëm, se një tmerr pa fund. Shumica e shqiptarëve nuk e duan më këtë luftën për jetë a vdekje politike. Për fat të keq, ka një dorëzim të njerëzve.
Lala: Ish-ministri Fatmir Xhafaj tha se në Shqipëri janë 41 banda kriminale dhe 4 familje mafioze. Por unë nuk kam parë që nga koha e z. Xhafaj që të jetë goditur ndonjë grup kriminal. Fushatës elektorale apo zgjedhjeve të 25 prillit iu paraprijnë tri ngjarje të rënda kriminale. E para, në Durrës, vrasja e Edmond Çekiçi, ishte ngjarja e Shkodrës, ku u ekzekutua Bardhok Pllanaj, dhe ngjarja e tretë edhe më e rëndë, ajo e Elbasanit, ku u vra Pjerin Xhuvani. Nisur nga këto tre ngjarje kuptohet se balancat politike i vendos për fat të keq krimi i organizuar. Ky është fakt, se e ka thënë vetë ish-ministri i Brendshëm, që sot ka thyer herësin.
Unë dua të di si erdhi në pushtet djali i Aqif Rakipit, që iku nga Parlamenti nga ligji i dekriminalizimit. Cili është kontributi i një djali që thyen herësin dhe lë jashtë emra të njohur dhe me kontribut? Të tre ngjarjet që përmenda do duhet të kenë përgjigje nga Prokuroria. Krimi i organizuar nuhat pushtetin dhe është i predispozuar të lidhet me të, sepse aty është “torta” më e madhe.
Zheji: Krimi i organizuar është GDP e Shqipërisë, sepse sjellin pallate luksoze, zhvillim, janë shumë para të investuar, që ne po i shohim.
Komentet