Arbër Papleka është autori i vrasjes së Pjerin Xhuvanit ditën e sotme në qytetin e Elbasanit, ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit mbetën edhe 4 të plagosur, mes tyre një efektive policie. Gazetari i ABC, Artan Hoxha rrëfeu të gjithë lëvizjen e Paplekës nga momenti i ekzekutimit të Xhuvanit dhe deri te largimi nga Elbasani për në zyrën e komandantit të RENEA-s në Tiranë duke u dorëzuar vetë. Gjithashtu Artan Hoxha zbuloi edhe karrierën e pasur të Paplekës nga Afganistani deri edhe pjesë e stafit të sigurisë së ambasadës amerikane në Tiranë, pak muaj më parë.
“Arbër Papleka ka qenë në Afganistan për të trajnuar policinë afgane. Papleka është nga policët më të mirë që mund të ketë pasur RENEA, 36 vjeç, baba i 4 fëmijëve, me origjinë nga Tropoja, ka qenë shef i njësisë së posaçme në policinë e shtetit në Tiranë, dy herë efektiv i RENEA. Përpara se të shkëputej ka qenë për më shumë se dy vite pjesë e grupit të sigurisë, ambasadës amerikane, në 2018 u largua nga RENEA, fitoi konkursin atje, ka pasur përgatitje shumë të mirë, prandaj u përzgjodh nga ambasada amerikane. 3 muaj më parë u largua nga stafi i ambasadës amerikane, ka shërbyer si shoqërues i një biznesmeni në Tiranë.
Para fushatës i është kërkuar të mbështesë këtë grup. Zoti Bardhi nuk ka trupëroja nga garda, por cdo kandidat zgjedh një grup njerëzish. Në Elbasan qarkullonte fjala se Bardhi është ministër i Brendshëm i ardhshëm. Në Elbasan shumica ka mbështetës shumë të fortë dhe ata morën masa, dhe morën këtë ish-pjesëtar policie dhe njerëz si Papleka, pasi janë me armë me leje.
Papleka nuk ka qenë në konfliktin e drejtpërdrejtë, ka pasur një distancë, pak të shkëputur, 1-2 meta, ai qëlloi kur konstatoi një rrezikshmëri të lartë për jetën dhe reagoi në atë formë dhe për shkak të zjarrit të hapur nga Papleka gjeti vdekjen Xhuvani. Në momentin që ka pasur përplasje, nuk rezulton që policia ka qëlluar. Papleka pasi ka qëlluar është larguar në këmbë, pasi e ka ndjekur një makinë edhe në distancë, ka vrapuar. Ai diku 700-800 metra ndaloi një mjet të rastit i drejtoi armën dhe iu mori makinën dhe u largua nga Elbasani.
Kur RENEA ka qenë duke shkuar nga Tirana në Elbasan, ai bënte rrugën e kundërt. Papleka ka ardhur nga Elbasani ka shkuar drejt te reparti RENEA ka kërkuar takim me komandantin, ndërkohë nuk dihej që ishte autori. Ka shkuar në zyrën e komandantit të RENEA-s, i ka shkuar në zyrë pa ditur gjë dhe i ka thënë ”unë jam filani, kam qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes, pash rrezikshmëri të lartë, pasi isha i rrezikuar dhe hapa zjarr.
Arma ime është kjo”. Ai dorëzoi armën pistoletë tip Glock. Armën e ka me leje, por autorizimi është që të qëndrojë në shtëpi. Kur deklaroi këtë dhe i dha disa sqarime, menjëherë komandanti njoftoi drejtorinë e policisë dhe i kërkoi të shkonte ta merrte dhe policia i ka thënë më mirë se ju nuk ka njeri që ta sjellë. I është marrë arma, është prangosur dhe është çuar me pranga në Tiranë. Pra autori nuk është arrestuar, por është dorëzuar” tregoi Artan Hoxha.
Sot në ngjarjen e rëndë në Elbasan katër nga gjashtë personat e përfshirë janë ose punonjës ose ish-oficerë policie. Artan Hoxha kishte një apel për efektivët. “Nuk duhet të pranojë të shkojnë mish për top për një klasë të tillë politike”.
Por si ndodhi ekzekutimi në Elbasan?
Mesditën e sotme rreth orës 14:00 në lagjen “5 Maji” përpara zyrës elektorale të PD-së në Elbasan ndodhi përplasja me armë me prapavijë politike. Në përfshirë ishin dy grupe, PS dhe PD. Nga grupi i PS-së, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit humbi jetën Pjerin Xhuvani dhe u plagos dhëndri i tij Eltjon Bodinaku.
Ndërkohë që nga grupi i PD-së u plagosën Emiljan Prenga 39 vjeç dhe Pavlo Vuksani 50 vjeç. Autori i vrasjes së Xhuvanit sipas policisë është Arbër Papleka, gjithashtu pjesë e PD-së në Elbasan. Konflikti mes palëve nisi pas denoncimit të grupit të PD-së se në zonën e “5 Majit” po lëvizte një makinë ku socialistët po shpërndanin lekë për zgjedhjet. Në kërkim për ngjarjen është shpallur Kelmend Xhaferri i njohur edhe si Kel Çami.
Komentet