Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur procesin e votimit për zgjedhjen e presidentit të ri. Në dy raundet e para, asnjëri nga kandidatët për president, Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta, nuk arritën të marrë 80 votat e nevojshme.
Në raundin e tretë, që njëri nga kandidatët të zgjidhet president, duhet të sigurojë të paktën 61 vota.
Në raundin e tretë të votimit mori pjesë edhe Adelina Grainca, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës. Ajo është e vetmja deputete nga kjo parti e pranishme në sallë. Gjatë seancës, ajo u ulë në pjesën ku ulen deputetët e LVV-së.
PDK-ja njoftoi se ka shkarkuar Graincën nga të gjitha funksionet partiake, pasi sipas kësaj partie opozitare, ajo “tradhëtoi votën e eletoratit të PDK-së dhe e shiti votën e saj për ta votuar Vjosa Osmanin për presidente”.
Ndërkaq, në raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit morën pjesë 82 deputetë. Vjosa Osmani mori 67 deputetë dhe kundërkandidati i saj Nasuf Bejta fitoi katër vota. Njëmbëdhjetë vota ishin të pavlefshme.
Ndërkaq, në raundin e parë Osmani fitoi 69 vota, 12 vota ishin të pavlefshme.
Në sallë janë të pranishëm 84 deputetë.
Në këtë seancë po merr pjesë deputeti goran, Adem Hoxha dhe ai nga komuniteti rom, Fadil Gashi, të cilët në seancën e së shtunës munguan.
Ndërkaq, sërish e pranishme është deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, pavarësisht se bashkëpartiakët e saj po e bojkotojnë seancën. Po ashtu nuk po marrin pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Listës Serbe.
LDK-ja akuzon LVV-në për “presion dhe shantazh”
Para nisjes së seancës, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi denoncoi, ato që i cilësoi si “presione, shantazhe dhe kërcënime” nga Mimoza Kusari-Lila, ndaj tre deputetëve të kësaj partie që nuk morën pjesë në votim, gjatë ditës së shtunë.
“Ne do të marrim pjesë në seancë, por nëse ky proces vazhdon ne do ta rikonsiderojmë qëndrimin tonë”, tha Gashi.
Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Kusari-Lila, pas mbarimit të seancës të shtunën, deklaroi se vendi mund të shkojë në zgjedhje dhe për këtë fajtorë, sipas saj, do të ishin tre deputetët e LDK-së: Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, që nuk votuan për presidentin.
Ndërkaq, më herët gjatë së dielës, Kusari-Lila tha se kanë siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të vendit.
“Do të jenë 80 apo 81 vota që do të numërohen për president të Kosovës”, tha Kusari-Lila.
Ajo shtoi se dy deputetë të komuniteteve joserbe do të jenë të pranishëm në sallë, duke aluduar në deputetin goran Adem Hoxhën dhe atë rom, Fadil Gashin.
Deputeti Haxhi Abdyli, i cili është deputet në kuadër të Listës së Osmanit, që garoi në listën e përbashkët me LVV-në foli për disa raportime se në këmbim të votës për president nga deputetët e komunitetet joserbe, i janë dhënë poste.
Por, ai tha se ka pasur keqkuptime të ndryshme që kanë ndodhur me disa deputetë, e që sipas tij janë zgjidhur, duke shtuar se kjo nuk ka të bëjë me ndonjë përfitim, por me mosinformim dhe “gjëra tjera”.
“Besoj se do të jetë një seancë e suksesshme është një ditë e mirë për demokracinë në Kosovë”, tha Abdyli para nisjes së seancës.
Mungesa e kuorumit
Të shtunën, për shkak të mungesës së kuorumit në votim, kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e vendit.
Në garë për president, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmani- Sadriu. Ndërkaq, kundërkandidati i saj është Nasuf Bejta.
Gjatë së shtunës, raundi i parë i votimit u përsërit dy herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit.
Në këto dy votime morën pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë.
Sipas Kushtetutës, në rrethin e parë të votimit duhet që të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim, në të kundërtën votimi përsëritet.
I njëjti rregull për pjesëmarrjen e 80 deputetëve vlen edhe për raundin e dytë të votimit.
Të pranishëm në sallë në seancën e së shtunës ishin 82 deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe. Po ashtu e pranishme në seancë ishte edhe Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Deputetët e tjerë të AAK-së, të PDK-së dhe të Listës Serbe, i bojkotuan punimet e kësaj seance.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), kërkon nga subjektet politike që të përfshihen në konsultat e nevojshme, në funksion të arritjes së konsensusit për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit të vendit.
”Në një situatë të tillë pandemike, me probleme të shumta me të cilat ballafaqohen qytetarët, zgjedhjet nuk duhet të shihen si opsion nga asnjë prej subjekteve politike”, thuhet në një njfotim publik të KDI-së.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë që monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se me procesin i cili po ndodh në votimin e zgjedhjes së presidentit të vendit, Kosova po hyn në një krizë të panjohur kushtetuese.
“Pas datës 5 maj Kuvendi i Kosovës, nuk mund të mblidhet dhe më pas të njëjtit do t’i skadojë në një formë mandati kushtetues, pasi që do të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nëse deri më 5 maj nuk zgjidhet presidenti, atëherë do të futemi në një terr kushtetues për shkak se nuk do të kemi institucion që do t’i thërrasë këto zgjedhje”, thotë Cakolli.
Sipas tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nuk mund të ushtrojë më detyrën e ushtruesit të presidentit, ndërkaq kuvendi dhe qeveria nuk kanë të drejtë kushtetuese për t’i shpalluar zgjedhjet duke u ftuar në një krizë më të panjohur kushtetuese.
“Mbi të gjitha nuk do të kemi institucione që mund të sfidojë këtë çështje në Gjykatën Kushtuese për shkak se Kuvendi do të mbetet pa mandat. President nuk do të kemi ndërsa qeveria nuk ka të drejtë të sfidojë çështjen në Gjykatë Kushtetuese lidhur me kompetencat e institucioneve tjera”, thotë Cakolli.
Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Excellent! Well done ❤️