103 LETRA NGA BURGJET KOMUNISTE
Letra nga burgu i Shkodrës (1951- 1953)
Letra nga burgu i Burrelit (1953- 1965)
E diel 29.01.1967, ende pa ague dita, e errësina ishte drejt largimit, kur s’u shifte njeri i gjallë në rrugë, trokita fort në derën e Kuvendit Françeskan, në lagjen “Arra e Madhe” të qytetit. Duel roja (apo portjeri).
– Kërkoj Padër Frano Kirin.
– Asht fjetë, – m’u përgjegj.
– Çojeni, due me e lajmue për vdekjen e nji miku e shoku!
Mbas pak kohe dera u rihap e u përballa me Padër Franon. Sapo më pa, i ndrroj fëtyra, sikur u mpi, u mendue mirë e s’foli për nji çast, e së fundi pa më ngushllue, më tha: “Bir, ju ka lanë të pasun!”. Rrugës me biçikletë për kthim në shtëpi, ku më priste nji mal me punë e probleme, fare pak mendova për fjalët që ndigjova. Ashtu shpejt e shpejt e pyeta vehten: Ç’pasuni na la? Na asht konfiskue pasunija e luejtshme dhe e paluejtshme, na u konfiskue…kishim mbetun vetëm na, familja e tij: halla, e motra, grueja me tre djelm e dy varza.
Trashigimni e mirë e e lakmueshme…, po mbi të gjitha na la emën të mirë: punë të lavdueshme në dobi të Atdheut, arsimit kombëtar, kulturës e fees islame. La vepra konkrete, shkrime të botueme, dorëshkrime… po, po, na la edhe letrat nga burgjet komuniste me atë shkrim të bukur, tue shprehë dashnin ndaj familjes në mënyrë të përkryeme artistikisht.
Këto 103 letra u ruejtën si gja e shtrejtë, si relike, si thesari ma i madh i lamun prej tij. Kur mbrrita në shtëpi, në lagjen Parrucë, isha i qetësuem e i gjallnuem. U mbusha plotë me energji për me përballue atë ditë mortore, që njiherit ishte edhe ditë fitoreje, sepse na: baba dhe familja, mbrritme me triumfue mbi 7000 ditë vuejtjesh me privim lirije, në kampe pune të detyrueshme e burgje, dhe për afro 500 ditë (mbas daljes gjallë nga burgu) bashkëjetuem shumë gëzueshëm në shtëpinë mbi 200 vjeçare të Mukejve, në Shkodër.
Në vitin 1997, prof. Vehbi Hoti, pedagog i Psikologjisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, letrat nga burgjet i ka përkufizue në këtë mënyrë: “Letër-këmbimi me familjen … janë shprehje e personalitetit të tij të gjithanshëm. Janë prozë me frymëzime poetike, shumë emocionuese dhe edukative. Me plot të drejtë ato mund të quhen si një “doracak” për edukimin në përgjithësi dhe edukatën familjare në veçanti. Përfaqësojnë një bashkëbisedim intim me familjen, veçanërisht me fëmijët e vet. I këshillon dhe i udhëzon, u kërkon dhe i nxit për të ecur gjithnjë përpara. “108 Letrat nga burgjet, janë nji prej mënyrave që i burgosuni kishte mundësi me komunikue kryesisht me familjen. Për me dalë në “liri” ato duhet të plotësonin kërkesat e rregullores: t’ishin të shkurtra, rreth 1 faqe letre fletoreje shkrimi, të shkruheshin qartë e të kuptueshme, për çështje që kishin të bajnë me shëndetin e nevojat e të burgosunit; 1 letër në muej lejohej. Letra mbasi u kontrollonte, fati i sajë për t’i shkue familjes ose jo mbetej në gjykimin e operativit… Shumë herë letrat s’kanë ardhë, sepse në situata të caktueme, sidomos kur të burgosunit ishin në kampet e punës, ose kur i burgosuni dënohej për “thymje të rregullores”, ndërpritej komunikimi dhe marrjet e letrave dhe ushqimeve. (Kjo ka ndodhë shpesh në burgun e Burrelit), prandaj dhe letrat s’janë rregullisht krye çdo muaji. Gjatë kohës që Sheuqet Muka ka vuejt dënimin në Shkodër, ka dërgue pak letra. kjo sepse bajshim takim mbas 1 palë hekurash të trashë në distancë 1 metër larg. Nga burgu i Shkodrës në këtë libër paraqiten 12 letrat e para (20.IX.1951- 15. III. 1953), ndërsa 91 letrat e tjera janë nga burgu i Burrelit (1953 – 1965).
Letërkëmbimi nga burgu i Burrelit, që ishte mbi 100 km larg Shkodrës, ka qenë më i shpeshtë. Për afër 19 vite burg, familja e tij ka muejt me ruejt 103 prej tyne. Mungesat si rrjedhim: s’janë lejue me u dërgue (janë ndalue) ose s’kanë muejt me u ruejt nga ana e jonë. Këto që janë ruejt, po botohen të gjitha, pa asnji ndryshim e nji pjesë e tyne (ato të lexueshmet, që s’janë shkrue me lapsë plumi), të skanueme. Qëllimi me kuptue disa aspekte të kushteve, po dhe me tregue si arritme me komunikue, pandërpremje, me babën në burgje, tue mbajtë të lidhun me ne, tue i dërgue në vitet e fundit të burgimit çdo javë (të hanen) nji letër dhe çdo mes muaji nji telegram me përgjigje. Komunikimi e mbajti gjallë dhe mirënjohja e këtij të burgosuni politik të ndërgjegjes, asht e pakufi, siç do të lexohet e përshkruhet me fjalë prekëse të bukura në këto letra. Këjo rregullsi me letra, telegrame komunikimi të thjeshtë familjar, u ba objekt vlerësimi nga komanda e burgut dhe i’u rekomandohej të burgosunve si shembull për t’u ndjekë.
Derg. Sheuqet Muka. Burgu i Anmiqve të Popullit, Shkodër
Dërg. nga Rep 321, Burrel
Letrat nga burgjet, që fillojnë në vitin 1951 dhe mbyllen me letrën 1 gusht 1965, janë të rralla në llojin e vet e ndoshta dhe të vetmet, që janë ruejt e po botohen. Vlerësimi i tyne i takon lexuesit.
ADNAN MUKA
Me zarfin derg. Sheuqet Muka. Burgu i Anmiqve të Popullit)
Shkodër me siglen në krye të çdo letre V.F.L.P. (Vdekje –Fashizmi, Liri-Populli). Dërgue nga Rep 321 Burrel (adresa e këtij burgu A.M.)
103 LETRA NGA BURGJET KOMUNISTE
Letra nga burgu i Shkodrës (1951- 1953)
Letra nga burgu i Burrelit (1953- 1965)
Letra nga burgu i Shkodrës
(1951- 1953)
Letra nr. 1
20. 09. 1951
V.F. L.P.
Të dashtunve të mi;
Jam faret mirë dhe Bajramin e kalova gëzueshëm. Ka ju pava juve se ishi të gjith me shëndet mirë. Falnderoj veçanarisht Myhsinin dhe Sabrijen, qi më kanë kujtue me rastin e Bajramit. Në se merrni letër prej Meserretit e Nazimit, pres qi t’i mi çoni edhe mue e po uroj qi t’i kemë mirë edhe ata të dy si juvet. Halla Xheva si të kam? Ty e Feten ju kam pa kesajë here má të lodhuna se Symen. Djelmët e varzat edhe Zijaja m’a banen qejfin ma tepër. Për mue mos u bani marak pse vetë veç merzis s’uej s’kam tjetër. Për Ragipin e nusen e tij edhe Sabahetin u gëzova tepër që kanë ba ma mirë. Axha Elezit selam e nderimet e mija, gjithashtu familjes së tij. Hakas e Zades me të tanë shka kanë, familjes Domnorit e kush te ju pvesë për mue.
Ju rroki me shumë mallë të gjithvet e sidomos Nexhatijen e Lirijen i puthi fort e fort.
Prej Zijas e Adnanit pres letër.
I jueji
20. IX. 1951
Sheuqet Muka
Letra nr. 2
20. 11. 1951
V.F. L.P.
Të dashtunve të mi e ty Adnan;
Kam marrë kartolinën t’ande, letrën e Meserretit e të Zijas, prej të fundit mora dje nji telegram. Jam gëzue qi ishi mirë. Edhe vetë gëzoj shëndet të plotë. Të më lajmoni menjiherë se si u përfundue puna e Uranit. Për Meserretin jam shendue fort. Në mojin qi shkoj, mendojshe me shkrue letër për t’i urue ditlindjen, mirpo m’u desht t’i baj Hakis e Perteves për Sabahetin qi m’asht dhimbtë mjaftë. Për deri sa të nisë takimi keni me më shkrue dy herë në muej tue më çue përnjiherë edhe letrat qi të merrni prej Meserretit e Uranit. Sa herë që të i u shkrueni, të më i u çoni e të i u sjellni të rrokunat e mija.
Të marrmen kopjen e vendimit, kam me ba konceptin me t’a çue tý. Në se ka mundësi në vend të kosit e djathit, më çoni pak ullij. Tashti qi po afrohet stina e dimnit, në rast të motit të lig, mund të m’a çoni gjellën krye dy ditësh, mbassi nuk asht frigë se prishet e në këtë mënyrë Nexhatijes nuk i takon me ardhë për ditë. Edhe Ali Vadejes, po pat mundësi me i a çue gjellën si përpara të zieme për krye dy ditësh. Djathë mos i çoni.
Kam nevojë të më çoni teshat e dimnit: pantallonat e trashë të vjetrit, donat, fandelën e bardhë, tue i shkrue sipër emnin, nji palë shputa (po qe e mundun prej kapeles së vjetër), nji palë ndalla pak të gjana (me gomë në take e në majë) qafat e çorapvet, bregët (pa ushkurë). Xhaketën e kam këtu. Edhe nji bohçe të bardhë e kam mbajt këtu pse më nevojitet për banjo. Faculeta kam mjaft.
Çarçaf jorganit tash per tash njiherë mos më çoni. Halla Xhevan si e kam? Po motrën Fete e Symen? Lirija e Nexhatija si shkojnë me mësime? Pres prej tyne nota të mira. Prej tejet pres rezultate edhe ma të mira se ndër vitet e tjerë, sado qi më shkruen se nuk je ai i maparshmi, unë pres prej tejet mâ shum!
Të gjithvet ju përqafoj me mallë veçanarisht Lirijen e Nexhatijen i rroku e i puthi fort e fort. Hakas me djelm e varza e dhandurë, nipa e mesa, axha Elezit e rrethit familjar, Zijas me çka ka e gjith tjervet qi pvesin për mue edhe Jakupit të fala shum.
Baba i yt,
20. XI. 1951
Sheuqet Muka
Krye mojit më çoni nga nji zarf letër me pullë poste e nga 2 brisqe rrojet. Tash mora edhe letrën e Uranit me letrën e djeshme të Zijas. U shendova shum. Fjalorin e kam marrë.
Letra nr. 3
19. 01. 1952
V.F. L.P.
Të dashtunve të mi e ty Adnani i jem;
Kam marrë 3 kartpostalet e Zijas, letren t’ande me të Meserretit si dhe kartpostalin e Kahremanit, të cilit i falem nderes për urimet qi më ban. Tashti qi po shkruej këtë letër mora edhe letrën e Uranit me d.13/I/1952. U shendova shum. Vetë jam faret mirë. Uroj qi edhe ju të gjith si jeni, të gëzoni shndet të plotë. Jam gëzue tepër për shndetin e Meserretit, për Uranin qi asht mirë e për Nazimin qi ju ka shkrue. Jam shendue fort edhe për Nurin qi ka le djalë. E pastë më jetë dhe Hakas i sjelli urimet. Kur të i u shkrueni djelmvet e nipit m’i përshndetni fort e fort e të më i u çoni të puthuna e të rrokuna edhe prej mejet. Uranin veçanarisht m’a porositni qi të takohet me Teufikun e Qirjakun e, ne se ka mundsi, të përpiqet me hi ne ndo’i kurs qi e shef të përshtatshëm për vedi. Si u ba axha Elezi? Më lajmoni për shndetin e tij e të m’i paraqitni nderimet dhe përshndetjet e mija si atij ashtu dhe familjes së tij. Edhe vllazenvet Domnori të fala prej mejet. Jam shendue për Jahin e Myzaferin qi janë ba mirë. Teshat qi më keni çue i kam marrë. Kam nevojë për nji çarçaf të kuq dyshekut. Zijas m’i thoni se numri i vendimit të dënimit t’em asht: 195 d.26/6/47 e jo: 218. Të m’a çojë kopjen e vertetimit qi asht lëshue për mue. Halla Xhevas, Fetes, Symes, Zijas, Vishos e gjithë të tjerve qi pvesin për mue i përshndes. Nexhatijen e puthi fort.
Baba i juej
Le ti drejtohet Zijaja shpis s’Artit e Kulturës e t’i thojë se jam gadi me bâ mbrenda nji kohe të shkurtë fjalorthin e fjalvet turkishte, qi kanë me hi në gjuhën t’onë, mjaft qi të më çohet prej sajë vetëm letër e diksjoneri turkisht i Sami Frashërit.
Sh.M.
Letra nr. 4
30. 05. 1952
V.F. L.P.
I dashtuni vëlla Zija;
Gjatë 15 ditëshit të këtij moji, veç letërs s’Uranit, s’kam pasë tjetër as prej tejet as prej Adnanit. Qofshi mirë! Urani më shkruente për vedi se ishte qenë shtrue në spital për 10 dit prej dhimës së barkut edhe për Meserretin se kishte qenë i smuet 4 dit nga malarja e se tash ishin ba mirë; tjetër letër s’kam marrë mâ prej tij as prej Meserretit. Le të shpresoj të jenë bâ mirë! Ti vetë si u bâne? A ke mujtë m’u përmirësue si duhet?
Nëse jo, mbrenda mundësivet, kuravet mos u ndajë, pse tue i vazhdue, s’ka dyshim se ké për t’u bâ krejt mirë. Po nanën e motrat si i ke? Të gjithavet të fala prej mejet ashtu edhe dy dhanduerve. E me axha Elezin a po rrin? Edhe për të më ka marrë malli mjaft, m’i siellni nderimet e mija ashtu edhe familjes së tij e Hamidit shndet e të mira. Në takimin që kaloj, u kënaqa qi ju pava mirë të gjithvet, veçan për Brahimin qi ishte rritë e bâ si kokrra e mollës, u gëzova tepër; vetëm për halla Xhevan e Adnanin, jam në marak të tyne, kah s’i pava. Po përfundoj tue t’urue shndet të plotë e tue të rrokë fort e fort e, Xhevas, Fetes, Symes, Sabrijes, Hakas, djelmve të mi e kush të pvesë për mue, shumë të fala. Sa për Lirijen e Nexhatijen, këtyne po u puthi faqet.
Vëllau i yt:
30. V. 1952
Sheuqet Muka
Letra nr. 5
15. 06. 1952
V.F. L.P.
Halla Xheva, motër Fete e tý Syme:
Plot 18 bajrama larg jush e larg erës së fëmijvet të mi, sa s’më bahet m’e besue, porse kjo asht nji e vërtetë. Nji e gjashta e ma e jetës s’eme më kaloj n’arrati, burgje e internime e nëpër sebeb t’emin u takoj edhe juve me vuejt e me hjekë keq e kjo gja asht qi më ka lodhë ma tepër se vetja. Më ka lodhë, pse i kam të gjalla ende shiset e s’jam ba gurë qi mos me ndie e mos me dijtë, por qofshin të kalueme për ju e ky asht urimi i jem qi po ju sjelli për këtë Bajram e, ky urim qi po ju drejtoj, asht plotë me vend, pse shyqyr edhe djalit të dytë Uranit, po I afrohet koha m’e krye me plot lavd e nderë shërbimin ushtarak, dhe Adnani po i a del me marrë diftesën e maturës, kështu qi për ju, po agon prap nji diell sihariq dhanës, pse për rreth vedit keni me pasë tre djelm të rritun e të edukuem mirë, t’aftë e të shkathtë për punë qi kanë me i a dalë me plotsue nevojët qi keni. Sikur të ju kem mirë edhe për kah shndeti ashtu si kam fëmit, për mue ma s’më mbetet asnji kasavet e vetëm këjo pikë asht qi me shqetson tejet. Ju shof se që të trija jeni të lodhuna e përpiqeni mos m’u diftue të dhanuna përpara meje ndër ditët e takimit. Sidomos ti Syme, s’erdhe m’u takue kësajë here dhe në takimin tjetër të pava se ishe e smuet. E dij se edhe përpara se të bijshe në burg ke qenë e ligë e mos të dukunit t’and në takimin e djeshëm më shtynë me kujtue se je sakt e smuet e me këtë marak kamë me më kalue këto 2 javë, qi të vijë dita e takimit tjetër. Bashkë me këtë, prap më kande me besue se je mirë, ashtu siç m’u përgjigjen kur pveta për ty. Lajmi qi më dhatë për Uranin se ka marrë 1000 lekë shpërblim, më gëzoj sa s’ka, pse për mâ tepër, më solli bindjen ma të madhe qi ka dijtë me u sjellë ma së miri në të përmbushunit të detyrës me përpikmëni, e mu për këtë gja le të m’i sillni kënaqësin t’ime e urimet e mija.
Urime, selam e falnderime gjith atyne qi më kanë kujtue, të përshëndetuna edhe gjith tjerve qi pvesin për mue, veçanarisht Elezit, Zijas, Ragipit, Vishas, Shuajbit e gjith rrethit familjar të tyne.
Në radhën tjetër do t’i i u shkruaj dy varzavet të mija qi m’uruen Bajramin para gjith ju tjervet e po ju uroj qi edhe Nexhatija e bukur të më rritet e të më bahet e urtë, e mirë e e madhe si Lirija. Po ju ngarkoj ju trijavet e Hakan, qi të më i u puthni faqet prej mejet.
Me shumë mallë
Po pat mundësi pak voj.
Prej Uranit mora letër.
Letra nr. 6
15. 06. 1952
V.F L. P
Fort të dashtuna Halla Xheva e juvet motra Fete e shoqja Syme;
Së parit uroj të jeni mirë me shëndet e së dytit po ju uroj edhe Bajramin, si juvet, Zijas, djelmvet e dy varzave e gjithë atyne qi te ju pvesin për mue. Për ty, o halla Xheve, kam shum detyrime e mjaft kujtime të paharrueshme. Ti qé ajo qi më rrite e më dhe edukatën e parë. Sa kjeç fëmi, të gjitha nevojat e mija ti qe ajo qi m’i plotsove. Deri sa vinte koha me shkue në shkollë, ti s’baje gja tjetër në shpi, veç se u merrshe me më rehatue. E mbajë mirë në mend se ti më pate ndihmue n’e parë edhe ndër mësime. E unë at-herë, nonse në moshë të vogël, shërbimin e mundin t’and, u mundojshe me e shpërblye me dashni qi kishe për ty, ofshe!
Në takimin qi patëm ne javën e kalueme, m’a prishe qefin, pse m’u duke tepër e lodhun prej gripit qi të kish pasë prekë. Shpresoj se përsëri s’vononi m’u forcue e me ju pa prep ashtu si më dishron zemra.
Për djelm jam në marak. As prej Meserretit as prej Uranit, po bahet nji kohë e gjatë që s’kam marrë letër, pra më patën premtue se do të më shkruejshin. Asnjeni s’m’u janë përgjegjë letrave qi u kam çue, i shqetsuem për ta, pse që të dy, ca kohë ma parë patën qenë të smuet.
Gjithë të mivet qi më kanë kujtue, u falem nderes veçanarisht familjes Domnori, Kotrrijvet, Elez Barbullushit e gjith tjervet të fala të përzemërta.
I jueji
Letra nr. 7
30. 06. 1952
“Për hajr martesa!”
Kësaj të dielle jemi përpara ditës së martesës s’ate. Po t’a uroj me gjith shpirtë si tý, si të fejuemes s’ate, qi të dalë e të jetë fatbardhe për jetën e jetës; gëzofshi shoqi-sho’in, jeta u shkoftë n’armoni, lulzofshi e u trashigofshi! Kurr s’më qe përshkrue nëpër mend se un, tue qenë gjallë, s’do të kishe rastin e bukur me qenë pranë jush as ditën e fejesës as n’atë të martesës. Sa për vedi hajde dè, por më vjen disi keq, qi s’po kanë fatin me ndodhë këtu e me marrë pjesë në darsmën e dajës së tyne, as nipat e dashtun Meserreti e Urani, të cilët këtë ditë gëzimi, e pritshin me aq qejfë e padurim prej kaq kohe e, për ma tepër më vjen keq edhe për Symen kah s’asht në gjendje m’e pritë e m’e shijue darsmën t’ande, darsmën e vllaut të vet, me at shpirt hareje si i don zemra, të cilin un e marr me mend se i mungon!
Me këto bashkë, as kurrgja e as nji mungesë, s’duhet të lehet me ndërhye në këtë mes, që të prishë a të turbullojë sado pak hijeshin, bukurin, madhnin e shejtnin e kësaj dite e prandej, ma së parit mue po ma k’ande m’e thye e m’e flakue me ane të kësaj letre urimi, nji melankoli e këso doret, të cilën sentimenti kishte me dashtë me na imponue tue na i sjellë nëpër mend e tue na i parashtrue gjithsa rreshtuem këtu ma sipër. E sod, nonse me trup s’baj pjesë në mes tuej, anima, të jeni ma se të sigurtë se shpirtnisht gjindem në darsëm pranë jush: Hakas të dashtun e të gjith’ rrethit e far’ e fisit t’uej, kështu qi këtë letër, lutem të mâ merrni përnjiheri dhe si një valle qi po marr në çardak bashkë me të tjerët që u rrethojnë, kuer nusja shoqja e jetës do të bajë kambë me shkelë për me hi në prakun e derës së shpís.
Edhe nji herë pra, urimet e mija mâ të përzemërta nga fundi i loçkës së zemrës e kjo letër e thjeshtë me dy lulet ngjyrë kuqe e qielli, të nxajë vendin e nji dhurate modeste martese, çue prej meje.
Miku i Juej
Shkodër, 30. VI. 1952
Sheuqet Muka
Letra nr. 8
30. 10. 1952
V.F. L.P.
I dashtuni Uran;
Gjatë këtij moji kam marrë dy letrat e dashtuna të tua, shkrueme më 28.IX e 14. X.52. U gëzova shum që je mirë e uroj të jesh gjithnji mirë e ma mirë. Edhe vetë jam rahat e mirë. Në takimin qi kaloj kjeVishja me nuse e më panë. Edhe te Hakja pra janë të gjith mirë. Prej Meserretit s’kam pasë letër. Si mora vesht
prej shpis, lirimi i tij nga shërbimi âsht shty për mbas festës. Adnanit i kam shkrue nji letër herën tjetër, besoj se ka me t’a çue ta lexojsh edhe ti. Më vjen shum mirë qi po i a del m’e krye licen. Do të i a kërkoj kopjen e hartimit qi ka me ba me rastin qi ep maturën. M’ep shpresë se ka për të dalë nder të parë të klasës. Sa herë që t’i shkruejsh daja Samis, m’i ço të falat e mija. Edhe zotni Maliq Kacurrit i sjelli të falat e mija dhe falnderimet, ashtu edhe djemve të tij e kush të pvesë për mue.
Po mbylli letrën me mallë t’andin e po uroj qi gjithë jeta e jote kaloftë e amël, e qetë e e mirë.
Baba i yt
Letra nr. 9
30. 12. 1952
V.F. L.P.
Urani i jem;
Bashkë me urimet e lirimit të vllaut t’and Meserretit, po t’uroj edhe Vitin e Ri. Sod nji vjetë edhe ti, porsi vera pranë shpís, me motra e vllazën, me nanë e halla e pritsh gjith si të dashtë zemra!
Në jetën t’eme s’kam parë ndo’i herë ma gëzim se sa në ditën me 14 t.k.m. ka pava Meserretin rritë për bukuri e shndosh si kokrra e mollës. Nji gëzim të tillë, qi përshkon krejt trupin, pa lanë kund skaj pa prekë e prodhu ku dashnija atnore, e cila s’ka si spjegohet e të provohet për pa u shijue. Sihariqin e
lirimit të tij m’a dha edhe letra e jote, të cilën ti kishe shpejtue me m’a shkrue. Le t’urojmë edhe Meserreti të m’a apë ma i’pari sihariqin e lirimit t’and, porsa edhe ti t’a plotsojsh me nder detyrën e ushtarllekut ashtu sikur dijti t’a kryej yt vëlla me fletë lavdimi!
Në letrën që më çoi Meserreti, më diftonte se me 8 t’udhzuesit, n’orën 2 e 20 të nadjes, kish mrrijtë në shpí. Oh sa do të jenë shendue kur e kanë ndi zanin e tij e t’a ken pa me sy! Sigurisht do të jenë shkri tue bisedue deri në të zbardhun të dritës. Ndokush mund të mendojë se unë e ti veç, s’kemi pasë fatin me përfitue nga nji orë gazmore kësodoret. Por kishte me gabue, sepse edhe na të dy, jemi të kënaqun e të gëzuem, kur knaqen e gëzojnë ata qi s’na ndan gja prej tyne, ky gëzim ka me gjetë kulmin, në ditën kur edhe ti të lulzojsh në mes tyne e, tue plotësue vendin e shprazët qi sod ka në gjinin e familjes s’onë.
Në takimin qi patëm pardje, Meserreti erdh me halla Xhevan, Symen, Zihnijen, Vishon me 2 motrat. Fetja me Zijan e Adnanin munguen, sepse u a kishin falë rradhën Zihnijes e dajës. Ishin qenë mirë. Zihnija më përmalloj e ma çoi zemrën peshë. Po bahen 2-3 herë që vjen e më shef! Prej habis s’dijta me folë as me Vishon që s’më harron. Edhe te Hakja i kishe mirë të gjithë.
Deri sa të mbaroj letrën e gjatë që kam nisë m’I çue me ndërpremje Meserretit, s’kam me muejtë me të shkrue njiherë përnjiherë rregullisht, porse ti s’ke me mungue. Meserreti me Zijan e Adnanin kanë me të shkrue e kësajë herë po e mbylli letrën edhe me erën t’ande.
Baba i yt
30. XII. 1952
Sheuqet Muka
p.sh.
Asnjë minutë mos me shkue kot, por m’u përpjekë me shfrytëzue kohën deri në palc, ka me qenë një prej pikavet qi do t’i shënoj Meserretit nji letër prej të cilit tashti mora përgjigjen. /Memorie.al
Vijon
Komentet