Në Shqipëri kanë mbërritur 10 mijë doza të vaksinës ruse “Sputnik V” kundër sëmundjes COVID-19. Këto vaksina janë dhuratë nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se në ditët në vijim priten të arrijnë edhe sasi të vaksinave tjera.
“Së shpejti shuma të konsiderueshme vaksinash të tjera do të pasojnë, duke na krijuar mundësinë të rrisim fuqishëm numrat e vaksinimeve ditore, për të dalë së shpejti nga tuneli i gjatë i kësaj lufte të egër”, ka shkruar Rama.
Ndryshe, nga deklaratat fillestare, kur Rama tha se Shqipëria nuk do të pranojë vaksina ruse dhe kineze, disa ditë më parë, qeveria i hapi rrugë marrjes së vaksinave nga Rusia dhe Kina.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shpreh nga aeroporti i Rinasit se në ditët në vijim do të mbërrijnë në vend vaksina të tjera, për të nisur një vaksinim masiv të popullatës për të lehtësuar dhe sezonin turistik.
“Do të vijojmë për të siguruar vaksina që të nisim vaksinimin masiv të popullatës që të kemi dhe një lehtësim të sezonit turistik. Komiteti i imunizimit dhe institucionet e tjera e ka dhënë garancinë për vaksinat që kemi prova të mjaftueshme që janë efektive dhe që ofrojnë siguri”, tha mes të tjerash Manastirliu.
Shqipëria ka filluar procesin e vaksinimit që nga fillimi i muajit janar. Deri tani në vend janë vaksinuar stafi mjekësor, grupet që konsiderohen më të rrezikuara, dhe personat mbi moshën 80 vjeç.
Ky shtet ka kontratë me kompaninë amerikane Pfizer, për sigurimin e mbi 500.000 dozave të vaksinës. Aktualisht, Tirana zyrtare po ashtu ka siguruar afër 40.000 doza të vaksinës së AstraZenecas.
Prej paraqitjes së rastit të parë me COVID-19 në Shqipëri në muajin mars të vitit 2020, rreth 120.000 persona janë infektuar me koronavirusin e ri, prej të cilëve 2.137 pacientë kanë vdekur.
Në Kukës më 20 dhe 21 mars u vaksinuan mjekët nga Kosova.
Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë që nuk ka siguruar asnjë vaksinë kundër koronavirusit.
Komentet