“Sundimi i dobët i ligjit, korrupsioni dhe një shkallë e lartë e papunësisë janë faktorët kryesorë të problemit të kontrollit të drogës në Shqipëri. Grupet shqiptare të krimit të organizuar vazhdojnë të pastrojnë të ardhurat në Shqipëri dhe të kontribuojnë në korrupsionin në vend”, vlerëson Raporti vjetor i Strategjisë ndërkombëtare të kontrollit të drogave, i publikuar nga Departameti amerikan i Shtetit.
Në raport Shqipëria konsiderohet ende si “një vendburim i kanabisit dhe një bazë për grupet e krimit të organizuar që lëvizin lëndët narkotike nga vendet e burimit në tregjet evropiane. Shtetasit shqiptarë janë shumë të përfshirë në trafikimin e lënëdëve narkotike në të gjithë Evropën”. Kështu sipas raportit, vlerësohet se “kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi dhe shkëmbehet me heroinë dhe kokainë, të cilat kontrabandohen nëpër Evropë nga trafikantët shqiptarë. Organizatat e trafikut të drogës të drejtuara nga shtetas shqiptarë ose kryesisht të përbëra nga shtetas shqiptarë, janë aktive në nivel ndërkombëtar dhe fitimet e tyre të paligjshme pastrohen në Shqipëri”.
Në Raport vlerësohet se “autoritetet shqiptare kanë rritur përpjekjet për çrrënjosjen e kanabisit, duke i detyruar trafikantët të spostojnë operacionet e tyre të paligjshme në vendet fqinje, kryesisht në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut. Këto organizata po zgjerojnë gjurmët e tyre globalisht”, theksohet në dokument ndërsa vihet në dukje se “ka patur një rritje të konfiskimeve të kokainës në Evropën Perëndimore të lidhura me shtetas shqiptarë që trafikojnë kokainë dhe heroinë në tregjet evropiane direkt nga Turqia dhe vendet në Amerikën e Jugut dhe Azinë”. Sipas Raportit “hetimet e SHBA-ve kanë çuar në shpërbërjen e organizatave të trafikut të drogës të përbërë nga shtetas shqiptarë në të gjithë Ballkanin, Evropën Perëndimore, Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Qendrore dhe Jugore. Autoritetet greke vazhdojnë të arrestojnë shumë shtetas shqiptarë të angazhuar në kultivimin dhe shpërndarjen e kanabisit në Greqi”.
Raporti vë në dukje gjithashtu dhe ngritjen në fillim të vitit të kaluar të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) si dhe të gjykatës speciale.”SPAK shënoi disa suksese të menjëhershme, përfshirë dënimin e Arbër Çekajt për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë dhe sekuestrimin e pasurive me vlerë afërsisht 2 milion Euro të Klement Balilit, i quajtur “Escobar i Ballkanit”. Balili është i burgosur në Shqipëri për trafik ndërkombëtar droge pas dënimit të tij në 2019”.
Raporti thekson se “reformat e drejtësisë penale në Shqipëri synojnë të ndjekin penalisht dhe të dënojnë kriminelët e përfshirë në trafikun e drogës. Tani prokurorët ndërthurin akuzat e lidhura me drogën me akuzat për krim të organizuar. Shqipëria – nënvizohet më tejë – duhet të vazhdojë përpjekjet e reformës në drejtësi dhe të punojë për të gërryer ndikimin e krimit të organizuar”.
Pastrimi i parave
“Qeveria e Shqipërisë nuk bëri asnjë përparim të dukshëm për të penguar pastrimin e parave dhe krimet financiare në vitin 2020”, thekson Raporti në kapitullin kushtuar luftës ndaj pastrimit të parave. “Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare. Vendi ka një ekonomi të madhe të parasë në cash dhe sektor informal të gjerë, me flukse të konsiderueshme parash nga jashtë në formën e kontributeve nga emigrantët dhe investimeve të ndryshme”. Trafiku i drogës, evazioni fiskal dhe kontrabanda konsiderohen si aktivitetet e paligjshme që krijojnë më shumë të ardhura
Shqipëria, sipas Raportit, regjistroi disa përparime duke vënë në zbatim ligjin Antimafia, për konfiskimin e 40 përqind të pasurive që i përkisnin mbretit famëkeq të drogës Klement Balili, i quajtur “Escobar i Ballkanit” dhe sekuestrimin e bizneseve të shumta të Ylli Ndroqit, përfshirë Ora News Media. Ndroqi, i cili ka lidhje të forta politike në Shqipëri, dyshohet për organizim të një trafiku narkotikësh në Turqi dhe Itali.
Raporti vë në dukje se “në Janar 2020, parlamenti miratoi një ligj kundër pasurimit të paligjshëm që i jep SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit Shqiptar, aftësinë për të shënjestruar pasuritë e paligjshme përmes sekuestrimit dhe konfiskimit, si dhe kufizon veprimtarinë ekonomike dhe lëvizjen e lirë të kriminelëve. Ndërsa është efektiv në sekuestrimin fillestar të pasurisë, sigurimi i provave për sekuestrimin përfundimtar të aseteve mbetet sfidues”, nënvizon Raporti duke shtuar se “ndryshimet e fundit ligjore dhe të politikave kanë përmirësuar aftësinë e Shqipërisë për të luftuar pastrimin e parave dhe krimet financiare, megjithëse zbatimi ka qenë i paqëndrueshëm”.
Sipas dokumentit “reformat e vazhdueshme gjyqësore, duke përfshirë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të çrrënjosur korrupsionin nga sektori i drejtësisë dhe krijimin e njësive të shumta policore të specializuara që synojnë krimet financiare dhe ekonomike, kanë përmirësuar perspektivat e Shqipërisë për të trajtuar çështjen e pastrimit të parave. Sidoqoftë, këto përpjekje – thekson Raporti – pengohen nga sfidat që lidhen me kapacitetet e institucionet të drejtësisë të krijuara së fundmi dhe korrupsioni i përhapur që minon sundimin e ligjit”.
“Shqipëria – vlerësohet më tej – duhet të zbatojë në mënyrë efektive ligjet ekzistuese dhe të vazhdojë të zhvillojë kapacitetin e policisë dhe prokurorëve të saj për t’u përqëndruar në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimeve ekonomike. Personeli i Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili është krahu hetimor i SPAK, ka patur vonesa, por po vazhdon. Reformat thelbësore të kodit penal në 2016 dhe 2017 kishin për qëllim të ndërtonin një sistem më efektiv, por zbatimi i këtyre reformave është ende një sfidë”, thuhet në Raport.
Komentet