Përfaqësues të komuniteteve joserbe gjatë protestës në Prishtinë, më 2 mars, 2021.
Nën moton “Demokracia ka dështuar”, përfaqësuesit e komuniteteve joserbe në Kosovë kanë marshuar të martën në qendër të Prishtinës, për të kundërshtuar, siç kanë thënë, “uzurpimin e vendeve të garantuara” në Kuvendin e Kosovës.
Kjo protestë është thirrur nga ‘Nasha Iniciativa’ (Iniciativa jonë), parti e komunitetit boshnjak, e cila ka garuar në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Osman Xhuxheviq, zëdhënës i kësaj iniciative, ka thënë se uzurpimi i vendeve të garantuara vjen si pasojë e një “procesi të mashtrimit elektoral”, që, sipas tij, e pamundëson “përfaqësimin efektiv të komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
“Komunitetet joshumicë kanë marrë pjesë në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës dhe shoqërisë së lirë të Kosovës. Për këtë arsye, Kushtetuta e Kosovës u siguron të drejta atyre për t’ua mbrojtur identitetin dhe për t’ua garantuar mbijetesën, me qëllim të ruajtjes së diversitetit dhe multietnicitetit. Ajo që po ndodh tani, është një shkelje e dukshme e këtyre parimeve, ku të drejtat kushtetuese të komuniteteve joshumicë sfidohen drejtpërdrejt dhe mbijetesa e tyre vihet në pikëpyetje”, ka thënë Xhuxheviq.
Ai ka paralajmëruar se komunitetet joshumicë do t’i përdorin të gjithë mekanizmat ligjorë për ta adresuar këtë çështje, por ka kërkuar që edhe institucionet e Kosovës t’iu ndihmojnë.
“Ftojmë institucionet relevante dhe komunitetin ndërkombëtar të reagojnë dhe të përkujdesen që parimet dhe fryma kushtetuese të mirëmbahen dhe të respektohen”, ka thënë Xhuxheviq.
Partitë boshnjake në Kosovë që kanë garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit – por shumica prej tyre kanë mbetur jashtë Kuvendit – kanë thënë se në zgjedhje, dy parti të reja, një nga komuniteti boshnjak dhe një nga rom, kanë fituar vota me ndihmën e Listës Serbe, përkatësisht të votuesve në komunat me shumicë serbe.
Sipas tyre, partia Komuniteti i Bashkuar i Adrijana Hoxhiqit, nga komuniteti boshnjak, dhe Iniciativa Rome e Gazmend Salijeviqit kanë fituar vota në vende ku nuk ka banorë të këtyre komuniteteve.
Partitë boshnjake kanë paralajmëruar se për këtë çështje, pasi të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, do t’i drejtohen Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, por edhe Gjykatës Supreme të Kosovës.
Nëse këto dy nivele nuk e adresojnë këtë çështje, ato kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, komuniteti boshnjak i ka të garantuara tri ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Ende nuk dihet nëse Hoxhiq ka fituar një apo dy nga këto ulëse, pasi numërimi i votave nga zgjedhjet e 14 shkurtit po vazhdon.
Komuniteti rom, ndërkaq, e ka të garantuar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Hoxhiq, ndonëse ka pranuar se ka marrë vota nga mjediset me shumicë serbe, ka hedhur poshtë akuzat se ato i janë siguruar nga Lista Serbe.
Komentet