AGIM SULAJ
Në Republikën e Kosovës sonte përfundon fushata zgjedhore për zgjedhjet e pesta të parakohshme për Kuvendin e Kosovës apo zgjedhjet parlamentare, të cilat do të zhvillohen të dielën, më 14 shkurt, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas luftës së fundit të vitit 1999 në Kosovë, në vend deri më tani janë mbajtur shtatë zgjedhje të përgjithshme, nga të cilat tre të rregullta deri në vitin 2007 dhe katër të parakohshme, të gjitha që nga viti 2010 e këndej.
Zgjedhjet e para u mbajtën në vitin 2001 të cilat shënuan numër rekord të pjesëmarrjes në votime apo mbi 64 për qind të votuesve të regjistruar.
Zgjedhje të parakohshme, për arsye të antikushtetueshmërisë së një vote
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit vijnë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar e shpalli si jo kushtetuese votën “pro” të deputetit nga radhët e minoriteteve në Kuvendin e Kosovës, Ethem Arifi.
Ethem Arifi ishte njëri nga 61 deputetët të cilët votuan për formimin e Qeverisë së Kosovës me në krye kryeministrin Avdullah Hoti më 3 qershor 2020, por Kushtetuesja konsideroi se deputeti Arifi nuk kishte të drejtë të ishte pjesë e Kuvendit të Kosovës ngaqë mbi të kishte një dënim për vepër penale me vendim të gjyqësorit, duke bërë që Qeveria të mbetet pa shumicën e nevojshme në parlament.
Kushtetuesja i kërkoi ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani që pasi ky vendim të publikohet i plotë, t’i shpallë zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare brenda një afati prej 40 ditësh.
Ndërkaq, më 6 janar, pas publikimit të plotë të vendimit të Kushtetueses, u.d. presidentja Osmani shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 shkurt dhe shpërndau parlamentin, duke bërë që Hoti të qëndronte si kryeministër vetëm për rreth 200 ditë.
Fushatë zgjedhore në kohë pandemie
Situata me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), nuk i ka bindur partitë politike për kujdes të shtuar ndaj tubimeve të tyre paraelektorale.
Pothuajse nga të gjitha partitë e mëdha kanë qarkulluar fotografi gjatë ditëve të fundit në rrjete sociale, ku liderë partiakë bashkë me mbështetës të partisë së tyre shfaqen duke thyer rregullat e rekomanduara nga institucionet shëndetësore të vendit dhe Ligji për Pandeminë. Madje, në më shumë se pesë raste, Inspektorati i Komunës së Prishtinës, ka shqiptuar dënime në drejtim të partive politike kur kanë hasur në shkelje të tilla.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka kërkuar ndalimin e tubimeve të partive politike, sidomos tani që në Kosovë janë paraqitur edhe 3 raste të reja të infektimeve me versionin e ri të COVID-19 (i cili u paraqit për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar).
“Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është në mesin tonë. Apelojmë tek institucionet përgjegjësie, përkatësisht Policia dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve në fuqi”, ka apeluar IKSHPK.
Fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare filloi nga 3 shkurti ndërsa përfundon sonte në mesnatë.
28 subjekte politike në garë zgjedhore
Për një numër sa më të madh të deputetëve në Kuvendin e Kosovës do të garojnë 28 subjekte politike në vend, të cilat gjatë kohës së fushatës do të kenë mundësi t’i bindin qytetarët se përse duhet t’i votojnë ata.
Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë të zgjedhur me votë. 20 prej tyre janë vende të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet e tjera: turk, boshnjak, rom, ashkali, goran dhe egjiptian.
Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje garon me sloganin “Krejt dhe drejt”. Kreu i kësaj partie njëherësh kandidat për kryeministër, Albin Kurti, i cili nuk do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë për shkak të vendimit të organeve të drejtësisë i cili përjashtoi të gjithë ata që kishin probleme me ligjin nga listat, tha se plani i parë i qeverisjes së tij është vaksinimi i së paku 60 për qind të popullsisë, ndërsa pas saj një ekonomi stabile.
Më herët, ai ka thënë se qeverisjen do ta mbështesin në katër shërbime kryesore: punë, arsim, drejtësi dhe shëndetësi. Me kandidatë të veçantë brenda kësaj liste, për herë të parë garon edhe ish-deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila sipas marrëveshjes së saj me Vetëvendosjen do ta ketë mbështetjen për t’u zgjedhur presidente e vendit.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) garon me sloganin “Shteti. Shtet”, ndërsa sa i përket prioriteteve të qeverisjes me këtë parti, kandidati për kryeministër i kësaj partie, Avdullah Hoti theksoi se ato janë stabilitet, normalitet dhe zhvillim. Partia që udhëheqë Behgjet Pacolli, Aleanca Kosova e Re (AKR), garon në një listë me LDK-në në këto zgjedhje.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila kandidon për pozitën e kryeministrit me kandidatin Enver Hoxhaj garon me sloganin “Rimëkëmbje” duke iu referuar një sërë sektorësh duke filluar nga shëndetësia, ekonomia si rezultat i pandemisë, mungesa e stabilitetit (edhe nga zgjedhjet e shpeshta nacionale) si dhe izolimi ndërkombëtar.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila këto zgjedhje është vendosur të garojë pa kandidat për kryeministër por me emrin e kreut të saj Ramush Haradinaj si kandidat i ardhshëm për president, garon me sloganin “Forca e Kosovës”. AAK ka premtuar krijimin e një fondi për ringjallje të ekonomisë me 1 miliard euro, i cili sipas tyre garanton daljen nga kriza. Për herë të parë në një fushatë zgjedhore, kjo parti ka përmendur edhe mundësinë e bërjes së një referendumi për bashkim me Shqipërinë, gjë e cila shkaktoi reagime tek pala serbe.
Nisma për Kosovën, garon me sloganin “Me Çlirimtarët”, si bartës i listës kryetari Fatmir Limaj në këto zgjedhje.
Dy parti nga minoriteti turk janë në garë në kuadër të këtyre zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) e udhëhequr nga Fikrim Damka si dhe Partia Turke e Lëvizjes Novatore (YTHP) e udhëhequr nga Ertan Simitçi.
143.006 votues më pak se në zgjedhjet e vitit 2019
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës ndërsa sipas kësaj liste numri i votuesve brenda Kosovës është 1.794.862 votues, apo 143.006 votues më pak se në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2019.
Kjo për shkak se në këto zgjedhje, KQZ ka vendosur t’i largojë nga lista votuese 122.421 persona të cilët posedojnë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuar nga Misioni i Bashkimit Evropian (BE)-së për sundim të ligjit “UNMIK”. Sipas KQZ-së, dokumentet e UNMIK-ut nuk shërbejnë për t’u identifikuar në vendvotim në ditën e zgjedhjeve.
Po kështu KQZ ka larguar edhe 11.086 persona të cilët janë konfirmuar se janë larguar nga skema pensionale për shkak se kanë vdekur.
Ndërkaq, sipas të dhënave të KQZ-së numri i personave që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës është 102.100 votues.
Numri i qendrave të votimit në të gjithë Kosovën është 888, me gjithsej 2.382 vendvotime.
Komentet