Festivali i 25-të i ngjyrave etnografike, këngëve e valleve të gurrës burimore popullore mbarëshqiptare
LEHMAN COLLEGE. Sot jemi në Lehman Center for the Performing Arts, Bronx, NY. Si çdo vit, java e parë e muajit nëntor 2015, ka filluar në New York me temperatura të ulëta, por jo që të pengojë lëvizjen lirshëm të makinave drejt qytetit, ku jetojnë bashkëatdhetarët tanë. Këtu gjendet Kisha dhe Qendra Kulturore, ku mblidhen rregullisht bashkatdhetarët shqiptarë nga tre shtetet: New York, New Jersey dhe Connecticut.Në ambientet komode të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, pranë Qendrës Kulturore “Nënë Tereza”, prej disa muajsh me radhë mbledheshin admiruesit e artit dhe kulturës tradicionale, bashkëatdhetarët shqiptaro-amerikanë, për të diskutuar rreth përgatitjeve jubilare të Festivalit 25-të të Muzikës dhe Valleve Popullore Shqiptare. Historia e festivaleve, thotë ideatori e drejtuesi kryesor i tyre për shumë vite me radhë Mark K. Shkreli, zë fill në fillim të viteve ’90, atëherë kur komuniteti ynë u shtua me shqiptarë të tjerë, të ardhur si emigrantë ekonomikë nga shteti amë e trojet e tjera etnike dhe filluan të vendoseshin në New York. Me artistët dhe intelektualët, vijon bashkëbiseduesi z. Shkreli, vendosëm kontaktet e para dhe krijuam ura lidhje e bashkëpunimi, që vijojnë me sukses edhe sot. Në festivalet e përvitshme, kanë marrë pjesë me interpretimet e tyre të bukura shumë këngëtarë e vallëtarë të njohur nga shumë shtete të Amerikës dhe vendlindja: Shqipëria, Mali i Zi, Kosova etj.Me një thjeshtësi e ndjesi të thellë zemre bashkatdhetarët, me mendimet e tyre kërkonin, që të sillnin pjesë nga toka e maleve mbuluar me borë, xhubletën e hershme dhe të lashtë në historinë e Europës, puset e ujit të ftohtë, që burojnë nga bjeshkët kreshnike, vallet e lashta sa vetë historia e Ilirëve në trojet autoktone, Shqipërinë, Kalabrinë, Kosovën, Malësinë e Dedë Gjon Lulit, simbolet e krenarisë nacionale, në veshjet popullore, në ambientet Lehman Center For The Performing Art Bronx, New York, ku sërisht u bashkuan shqiptarët, me buqetën e këngëve, valleve, që hijeshojnë interpretimet e tyre veshur me kostumet e bukura popullore…
Si gjithnjë më aktivi e i kujdesshmi deri në detajet më të imta të përgatitjes së Festivali ishte i kudondodhuri drejtori i Festivalit Simon Vukel. Ai, me stafin që drejton, ka bërë përzgjedhjen e këngëtarëve dhe të grupeve foklorike pjesëmarrëse nga tërë hapësirat etnografike.
Eshtë e vështirë të bësh një ndarje me thikë të kontributit të përvitshëm, që organizatorët e përhershëm kanë bërë, për paraqitjen sa më dinjitoze të grupeve artistike të New York-ut, Detroitit, New Jersej etj. Ata japin mendime e marrin shënime. Të tillë janë aktivistët e palodhur: Ludvig Çotaj (Drejtor Artistik dhe Regjia), Fran Çotaj (Drejtor Organizativ), konferencierët: Nicole Zagreda & Dritan Dragu dhe Orkestra “Alba” e drejtuar nga Edmond Xhani etj.
Asnjëri nuk ka shumë kohë, të flas me gazetarë dhe korrespondentë shqiptarë, që shkruajnë për gazetat, revista në trojet etnike shqiptare dhe faqet e internetit në anglisht e shqip. Impenjimi i gjithë stafit organizativ, është serioz dhe shpesh ndihen të lodhur, mbasi secili prej tyre ka punuar paradite në kompani, zyra, apo bisnese private.
Me buzëqeshje dhe pak graniturë humori, që tregon shprese dhe besim, se me ndihmë të Zotit do të dalin faqebardhë, ishin antarët e tjerë të Komisionit Organizativ të Fest 25 në New York.
New York-u, i ngjasonte sot qytetit të lashtë të Gjirokastrës, ku sipas traditës në Shqipëri vijojnë të mbahen festivalet tradicionale foklorike të këngeve dhe valleve të bukura popullore.
Broshurat me ngjyra të Fest 25, të shtypur në New York nën përkujdesin e Art Design z. Ismer Mjeku dhe Enti Botues “Albanian Yellow Pages, Inc” Bronx New York, është një dokument dhe dëshmi e vijimsisë së traditës së hershme ndër shqiptarë, që ka pasur Kisha Katolike, duke ruajtur e pasuruar më tej (edhe pse në emigracion) traditën e pararendësve të ndritur të prelatëve katolikë, që me pend e përkushtim, bënë ndërgjegjësimin ndër shekuj të vetëdijës së popullit të Arbërit. Aktivisti veteran ish Kryetari i Këshillit të Kishës zoti Tonin Mirakaj, në shkrimin e tij me titull: “Festivalet shqiptare – një histori e lavdishme”, bën në esencë një historik të shkurtër të Festivalit Shqiptar në New York. Edhe editori i revistës kulturore “Jeta Katolike” zoti Mark K. Shkreli, për vitin jubilar të Fest 25 përmes një shkrimi bën një panoramë mbi historikun e festivaleve shqiptare në shtetin e New York-ut, e cila shoqërohet me një fotoreportazh historik midis viteve 1990-2015.
Në hyrje të ambienteve në Lehman Collge, gjenden në tregti të lirë simbolet nacionale, të kthyer në bluza sportive verore e dimërore, shalla, portretet legjendare të Heroit Kombetar Gjergj Kastrioti, E Lumja Nënë Tereza, Kështjella e Krujës, “Rozafa” e Shkodrës, të gdhendur në dru e derdhur në bronx, kaseta me këngë etj. Në vitrinën e sendeve shqiptare gjenden edhe kaseta, çeleshe të bardha me shqiponjën, DVD and CD të këngëtarëve shqiptar të komunitetit dhe vendlindjes.
Me një modesti, por dhe krenari se jemi shqiptar, në hyrje të broshurës, është shkruar në dy gjuhë anglisht shqip “Misioni i Festivalit”, e cila “… përpiqet të identifikojë dhe paraqes artistë të folklorit nga komuniteti shqiptar dhe njëkohsisht të mbajë të bashkuar komunitetin tonë pa dallim feje apo krahine. Ai, ruan dhe përkrah traditat muzikore dhe folklorike autoktone, si dhe siguron që ato do të vazhdojnë të ekzistojnë dhe të kenë domethënie për brezat e ardhshme…” (Fq.3).
Natyra kreshnike e Alpeve të bukura shqiptare
e ulur këmbëkryq në New York
Zbehja e dritave të sallës së shfaqjes dhe ndezja e një fluksi drite prozhektori shumëngjyrësh shënoi hapjen e siparit, që u shoqërua nga qindra duartroktitje të pjesëmarrësve në Festivalin Shqiptar, ku grupet artistike shqiptaro-amerikane paraqesin çdo vit këngët e moçme, nektarin e kulluar të kulturës, vallet kreshnike dhe kostumet me ornamente tradicionale e origjinale me hijeshi të bukura popullore.
Këngët e vallet u përpoqën të shuajnë mallin e ngulitur shumë thellë në zemrat e artdashësve, me mënyra e shprehje të ndryshme artistike nga artistët popullorë etnik dhe deri tek brezi më i ri i lindur e rritur në Amerikë. Me duartrokitje nga salla, u shoqëruan dy konferencierët: Nicole Zagreda në anglisht dhe Dr. Dritan Dragu me një diksion të kulluar në gjuhën shqipe, të cilët u uruan mirëseardhjen spektatorëve, të ardhur me qindra milje larg, për të ndjekur paradën e këngëve e valleve nacionale popullore.
Malet me borë, udha e këmbësorëve, një sofër karakteristike bujare shqiptare, mbushur me vajza si zana dhe gra, të veshura me kostume popullore të maleve të Veriut, përgatisin bukën për miqët bujtës. Më tutje në sfond, shquhet një vajzë duke tjerr leshin për të bërë rroba dimri.., pusi me kovën, ku mbushin ujë vajzat e katundit…, një lahutar, që këndon këngë kreshnike i ulur mbi një shkëmb mali…, çiftelia, veglat e punës…, E gjithë natyra e bjeshkëve tashmë gjendet përpara skeptatorëve jo në celeluid, por në realitetin, që shihet drejtpërdrejt me sy të lirë. Syri prehet në qetësi, tek sheh jetën shqiptare, që si kompleks shoqëron peisazhin skenik, përpara spektatorëve shqiptarë e miqve amerikanë…
Në hapjen e spektaklit u paraqiten dy veteranë pjesëmarrës në shumë festivale: muzikanti Fran Shala dhe këngëtari Shaban Lajçi. Qysh në fillim si suprizë e këndshme paraqitet vogëlushja 4-vjeçare Valentina Ivezaj, e cila këndoi në shqip “Jam malësore, jam shqiptare”, e shoqëruar gjatë gjithë kohës nga spektatorët e entuziazmuar.
Në skenë ftohet Don Pjetër Popaj, për të bërë hapjen e Festivalit tradicional shqiptar në New York. Pasi falënderon në gjuhën angleze dhe shqip vijon: “Kam nderin të ju përshëndes Gëzuar Festivalin e 25-të Shqiptar, organizuar çdo vit nga Kisha e jonë shqiptare, Zoja e Shkodrës. Para 25 vitesh, pikërisht më 30 tetor 1991, Dita e Shqiptarëve në Bronx, ka filluar Festivali Shqiptar, që tashmë është bërë një traditë e bukur në Amerikë. Për çdo vit Festivali pasurohet dhe gjallërohet me grupe të reja folklorike shqiptare nga SHBA, Kanada si edhe nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Çamëria. Qëllimi i Festivalit është ruajtja e folklorit, gjuhës, kulturës e traditave të lashta shqiptare që shfaqen në skenë, si dhe bashkimi me njrei tjetrin, për të kaluar disa orë të këndshme së bashku.”
Në mbyllje të përshëndetjes së tij, organizatori i tubimit kulturor etnik Don Pjetër Popaj, në shenjë respekti, shprese dhe besimi për bashkëatdhetarët shqiptarë shtoi se: “Festivali nxitë edhe më shumë grupe valltarësh të rinj e të reja, që kanë lindur këtu, por që e ndjejnë dhe e vlerësojnë shumë kulturën tonë. Nëpërmjet artit, talentit, programit të pasur ruajmë traditën dhe njikohsisht ndihmojmë të rinjtë në identitetin e tyre shqiptar!”
Këtë vit Fest 25 si jubilar i mbajtjes së tij në New York, është konceptuar një buqetë përshëndetëse, me pjesë të bukura popullore etnike se sa një garë çmimesh, në ndryshim nga manifestimi i vitit të kaluar. Edhe kësaj radhe mbi 90 përqind e pjesëmarrësve ishin të rinj dhe të reja të lindur e rritur në Amerikë, që më shumë flasin se sa lexojnë e shkruajnë në gjuhën shqipe.
Spektakli, ishte konceptuar në katër pjesë me këngë, valle, melodi instrumentale, humor shkodran etj. Në pjesën e parë të shfaqjes artistike, tetë ishin interpretimet e para, në të cilat ishin gërshetuar të gjitha zhanret e ansamblit burimor të gurrës së foklorit shumëshekullor autokton arbëror. Kështu u paraqit me program të pasur Shoqëria Kulturore “Kelmendi” me koreografi nga Sokol Smajlaj, dhe më pas “Zani i bjeshkëve”, fyell, lahutë, vargje poetike, muzikë instrumentale. Artistët motër e vëlla Bujaj kënduan “Rritemi me këngë shqiptare”. Një krijim i ri muzikor iu kushtua Fest 25, të kënduar me çifteli nga Luigj Tinaj, Ylli Sufaj dhe Pëllumb Naçaj. Nga Bostoni Grupi “Bashkimi” u paraqit me koreografinë “Vallja e Shupalit” me koreografi nga mjeshteri Bashkim Braho. Edhe në pjesën e dytë Grupi “Rozafat” të veshur me kostume popullore interpretoi valle të ndryshme. Pjesë me Potpuri e Shqipërisë së Mesme u intepretua nga Besjana Kertusha, ndersa këngët ulqinake u kënduan nga Sead Asllani. Me shumë interes u ndoq pjesa me potpuri këngsh shqiptare, të interpretuar nga grupi Stete University Montclair, New Jersey, Katedra e artistëve Prof. Raif Hysenit dhe këngetares së mirënjohur Merita Halili.
Zbukurimet e veshjeve popullore janë një larushi tipike orogjinale amtare. Gjatë rrjedhjave të historisë, kostumet me ornamente origjinale autoktone, përherë kanë shtuar kureshtjen e interesimin e të huajve, mbasi veshjet, nuk janë parë thjesht si element zbukurimi nga bartësit vendas. Ata, shprehin botën e pasur dhe me tradita të hershme, që shqiptarët kanë mundur të ruajnë brez pas brezi, si pjesë organike e artit etnografik. Veshjet, mbetën paraqitja më e ndjeshme e kulturës, duke zgjuar vëmendjen e studiuesve dhe koleksionuesve pasionantë europianë e amerikanë.
Xhubleta, e cila ra në sy tek të huajt amerikanë, u ruajt me fanatizëm nga malësorët kreshnikë shqiptarë për 5000 vjet. Ajo është veshja kryesore, e cila arrin deri në 15 kilogram, çka tregon zhvillimin e madh të konstruktit të malësorëve, për të përballuar një peshë të madhe në veshje. Xhubleta e punuar prej rripash shajaku e shpiku të zi, të kombinuar me 8 vija të zhgunit të bardhë, shquhet për zbukurime të imta gjeometrike. Këtu bijnë në sy shkëlqimet, që reflektojnë zbukurimet me punime delikatese prej ari. Mbi xhubletë, dallohen boçet e kuqe me vija ngjyrë të bardhë, të shoqëruar me një përshtjellak me ngjyrë blu të thellë. Gjatësia, është specifika që e dallon brezin në rrafshin e madhësisë, në të cilat janë shprehur frymëzimi i hollë me shije elegante, ku fija e leshit shoqërohet me fije ari.
Sipas traditës shqiptare në vendlindje, gratë malësore, kanë përdorur gjerësisht brezin prej lëkure me stolisje të imëta metali dhe dy pafta dekorative. Kostumi i periudhës së vjetër shqiptare është me origjinë mesdhetare. Ai është përcjellë natyrshëm nga qyterimi ilir e deri në ditët tona, ku gratë e cucat (çikat, vashat) malësore dalin në festivalet etnografike në vendlindje e Amerikë.
Shpesh shikuesit fiksonin në aparatet fotografik e kamera të vogla elektronike etnovlerat, si veshjet tekstile, fustanellat, tirqet e bardhë me jatagana të zi rreth xhepave dhe shqekeve, si dhe zbukurimet ose stolitë në ar, argjend e serm rreth qafes. Sfondi tipik malësor i skenës me male, pemë e shtëpi tipike kullash alpine, gërshetohen mrekullueshëm me veshjet origjinale etnografike të vajzave amerikane, që kanë një dashuri e respekt për veshjet e të parëve etnik arbëror. Ata hedhin valle, njësoj sikur të ishin në logun e vashave mes bjeshkëve të bukura Alpeve Shqiptare, tek hijeshojnë si lisat e harlisur në skenën moderne amerikane…
Përgëzime organizatorëve, që ia arritën qëllimit, për të sjellë para publikut amerikano-shqiptar Fest 25-të, përmes koloritit të pasur të veshjeve popullore, vallet burimore etnike, këngët e luftrave me heronj, mallit dhe dashurisë, lirizimin e interpretimit të shumë të rinj shqiptaro-amerikanë duke reflektuar begatinë e vlerat të larta të foklorit të shumëllojshëm brenda arealeve të mozaikut të pasur burimor me elementë të theksuar etnik.
Komentet