Sulmet terroriste të së premtes në Paris kanë ngritur në këmbë Policinë dhe shërbimet e inteligjencës në Shqipëri.
Përveç Shërbimit Informativ Shtetëror, edhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë është përfshirë në planin e masave antiterror në Shqipëri. Nisur nga informacionet që SHISH dhe SHIU kanë mbledhur prej më shumë se dy vitesh për grupime ekstremistësh, që dyshohet se mund të kenë qenë pjesë e ISIS në Siri dhe tashmë janë kthyer, është hartuar një listë me zonat që po mbahen nën vëzhgim pa ndërprerje.
Oficerë civilë dhe agjentë të kamufluar mbajnë nën vëzhgim 24 orë disa lagje në qytetet të ndryshme të vendit, ku ka të dhëna se mund të ketë persona me prirje radikale terroriste.
Mësohet se vëmendja e Policisë dhe e shërbimeve të inteligjencës është përqendruar kryesisht në disa zona të Tiranës, kryesisht pranë disa xhamive, ku edhe më parë janë konstatuar, madje edhe arrestuar persona që kanë rekrutuar të rinj për luftën në Siri, apo kanë qenë edhe vetë atje duke luftuar.
Gjithashtu, të njëjtat masa janë marrë edhe në disa lagje e fshatra të Kavajës, Pogradecit, Librazhdit, Vlorës dhe Kukësit, ku ka pasur disa persona nën hetim e të skeduar për veprime terroriste. Ndërsa shërbimet që janë pjesë e këtij plani masash, kanë në dorë edhe një listë me emra konkretë personash, që konsiderohen të rrezikshëm për policinë.
MASAT NE KUFI
Prej dy ditësh, Policia e Shtetit ka lajmëruar se pas ngjarjeve tragjike të ndodhura në Francë, që prej mesnatës së të premtes duke gdhirë e shtuna, shërbimet kanë kaluar në gatishmëri të përforcuar. Shërbime shtesë policore u vendosën në objekte që konsiderohen me risk, siç janë ambientet publike me frekuentim të lartë, pranë ambasadave apo rezidencave, akset kryesore rrugore etj.“Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar për evidentimin dhe mbikëqyrjen e të gjithë elementëve të dyshuar që mund të kenë tendenca për akte terrori”, tha policia. Në të gjitha pikat e kalimit kufitar po verifikohen me kujdes të veçantë çdo person që hyn në territorin shqiptar apo del prej tij. Masa të rrepta sigurie janë vendosur në të gjitha portet, në Aeroportin “Nënë Tereza” dhe në pikat e kalimit kufitar me Kosovën dhe Maqedoninë.
Në pikat e kalimit kufitar në të gjithë vendit, verifikimi i dokumenteve të identifikimit dhe të udhëtimit është më i rreptë. Gjithashtu, janë shtuar masat e kontrollit me detektorë dhe qenë kufitarë të stërvitur nga Shkolla e Qenve të Policisë.
Gjithashtu, Policia e Shtetit ka rritur intensitetin e shkëmbimit të informacionit me partnerët ndërkombëtarë, për persona të caktuar që mund të shfaqin tendenca të akteve terroriste.Etleva Delia
Komentet