Në Tiranë, Ushtruesja e Detyrës – Presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, mbajti sot një fjalim në Parlamentin e Shqipërisë, ku bëri thirrje për bashkëpunim të ngushtë mes dy vendeve.
Ndërsa në sallë mungonte kryeministri Edi Rama dhe një pjesë e qeverisë së tij, zonja Osmani tha para ligjvënësve të Shqipërisë se Serbia nuk ka ndryshuar aspak, dhe se gjenocidi i saj kundër popullit të Kosovës është një e vërtetë e pandryshueshme.
Ushtruesja e detyrës Presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon një vizitë treditore, ku po thekson nevojën dhe hapësirat e gjera të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Zonja Osmani tha para deputetëve të Shqipërisë se Serbia nuk ka ndryshuar dhe se Tirana e Prishtina duhet të ndalin gjuhën e urrejtjes antishqiptare dhe përpjekjet e Beogradit për të fshehur krimet.
“Ekziston vetëm një e vërtetë, që ka ndodhur përpara syve të të gjithë botës: Serbia kreu genocide në Kosovë, ndërsa Kosova e mbrojti pragun e shtëpisë së saj. Ndërkohë rinia briliante shqiptare në Kosovë, Shqipëri e kudo tjetër, edhe mërgata jonë e jashtëzakonshme janë potenciali ynë më i madh. Detyra jonë është të punojmë që ata ta shohin vendin e tyre si një vend që nuk e meriton braktisjen”- tha zonja Osmani.
Ushtruesja e detyrës si Presidente e Kosovës Vjosa Osmani, tha se bashkëpunimi mes dy vendeve në ekonomi e diplomaci është i domosdoshëm dhe mëse i dobishëm për popullin shqiptar, gjë që nuk e pengon dot rregulli formal i kufijve; bashkëjtesa do të arihet si deshën të parët tanë, si deshëm ne e ashtu si duan fëmijët në Kosovë dhe në Shqipëri, tha zonja Osmani.
“Duhet të punojmë bashkë të gjithë si dy shtete sovrane me dy flamuj por me një shpirt që kurrë nuk ka mundur askush ta mposhtë, si populli më paqedashës, më proevropian, më proamerikan. T’i tregojmë botës mbarë se ne mund dhe do tja dalim t’i kthejmë dallimet tona në forcë për t’i shtyrë shtetet tona përpara. Kosova nuk ka nevojë për trat ë vendosur nga Shqipëria. Në kohën e integrimit europian vendosja e barrierave në komunikimin në mes të dy vendeve tona është kundër frymës së lëvizjes së lirë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore”- tha zonja Osmani.
Zonja Osmani ftoi deputetët e Shqipërisë të japin ndihmesën e tyre që flamuri i Kosovës të renditet midis flamujve të shteteve të tjera në NATO dhe në BE.
Ajo kujtoi se si familjarë të saj kishin ndërruar jetë edhe në burgjet e Serbisë edhe në burgjet e Shqipërisë pas vendosjes së kufijve midis shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore, gjë që u ka ndodhur edhe qindra e mijëra familjeve shqiptare.
“Kjo histori e dhmbshme e ndarjes së familjeve edhe e vuajtjeve në të dyja anët e kufirit është historia e qindra e mijëra familjeve shqiptare. Le të jetë guximi i tyre, guximi i secilit shqiptar, për t’i thënë jo regjimeve të dhunshme, regjimeve shtypëse, edhe udhërrëfyes për secilin prej nesh në rrugën tonë drejt demokracisë së konsoliduar e drejt një Kosove e një Shqipërie, kur rinia jonë krenohet me vendimet që i marrim ne si përfaqësues të tyre të zgjedhur” – tha zonja Osmani.
Ajo pati sot një takim me kryeministrin Edi Rama, edhe nesër pritet të takojë politikanë të tjerë të Shqipërisë.
Zonja Osmani takoi një ditë më parë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ku gjatë një konferencë të përbashkët, zonja Osmani kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një rezolutë, që dënon genocidin serb në Kosovë.
Të dy krerët shtetërorë diskutuan për integrimin e Kosovës në NATO dhe BE, si dhe liberalizimin e vizave për shtetasit e saj.
Komentet