Është bërë e modës që në luftrat e sotme lokale të përfshihen edhe mercenarë apo luftëtarë të huaj, të cilët në pamjen e parë dërgohen nga agjenci të pavarura private, kurse në fakt janë njësi apo kontigjente ushtarake në funksion të politikave dhe interesave të caktuara shtetërore.
Nuk mund të bënte përjashtim as konflikti i fundit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për Nagorni Karabakhun, ku doli në dritë edhe pjesëmarrja e çuditshme e mercenarëve grekë në atë konflikt në anën e forcave armene.
Aq problematike u bë kjo pjesëmarrje e mercenarëve grekë në luftime, sa që me udhëzim të qeverisë së vet Misioni i përhershëm i Azerbajxhanit në OKB në datën 18 nëntor 2020 i drejtoi një letër zyrtare Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres, ku paraqet ankesat për këtë çështje.
Portali grek “greekcitytimes.com”, i cili në datën 12 dhjetor 2020 publikon këtë letër, bën të ditur se Misioni i Përhershëm i Azerbajxhanit në OKB akuzon Armeninë se po rekruton një numur të madh luftëtarësh të huaj, përfshirë edhe grekët, në konfliktin e Nagorni Karabakhut.
Letra drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB i referohet mediave greke se kanë raportuar që rekrutimi armen përfshiu 500 deri 800 shtetas grekë, disa prej të cilëve me përvojë luftarake në misionet e NATO-s në Afganistan dhe në Kosovë. Më përpara, ndihmësi dhe shefi i politikës së jashtme për presidencën e Azerbajxhanit, Hikmet Hajiyev, deklaroi në 2 tetor se Armenia do të sillte mercenarë nga Greqia për të luftuar.
Pjesëmarrja e mercenarëve grekë në konfliktin e Nagorni Karabakhut paraqet një çeshtje me interes politik dhe diplomatik rajonal dhe ndërkombëtare për t’u shqyrtuar. Është e logjikshme të analizohet nga palët ndërluftuese në konfliktin që e mbylli presidenti rus në 10 nëntor, por edhe nga shtetet që janë në të njëjtën zonë nga shkojnë mercenarë, siç është Ballkani nga shkojnë mercenarët grekë.
Nuk përjashtohet që dërgimi i mercenarëve mund të jetë vullnet individual i atyre, që e kanë bërë luftën profesion personal fitimprurës. Por ka një dallim të madh kur pjesëmarrja e mercenarëve në konflikt përputhet me politikën, me diplomacinë dhe me interesat e shtetit nga vijnë mercenarët.
Nëse mercenarët rusë luftojnë në Libi në anën e forcave të gjeneralit separatist Haftari kundër qeverisë së ligjshme kombëtare të Tripolit të njohur nga OKB, kjo do të thotë se ka një përputhje me politikën zyrtare dhe me interesat shtetërore të Rusisë dërgimi i mercenarëve rusë atje. Nëse në konfliktin e armatosur të shkaktuar nga separatistët pro-rusë në Ukrainën Lindore marrin pjesë mercenarë serbë, kjo do të thotë se dërgimi i tyre përputhet me politikën dhe kursin pro-rus të qeverisë serbe për aneksimin e Ukrainës Lindore nga Rusia.
Kështu që edhe në rastin e pjesëmarrjes së mercenarëve grekë në konfliktin e Nagorni Karabakhut kemi një përputhje të dërgimit të mercenarëve grekë me kursin politik zyrtar të Greqisë. Në konfliktin e vjetër të Nagorni Karabakhut midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, që shpërtheu në luftë në muajin shtator, Greqia mori hapur anën e Armenisë, ndonëse Nagorni Karabakhu nga të gjitha rezolutat e OKB njihet si pjesë e sovranitetit dhe e integritetit territorial të Azerbajxhanit.
Gjatë periudhës gjashtë-javore të luftimeve midis Armenisë dhe Azerbajxhanit ka disa deklarata të ministrit të jashtëm grek, Nikos Dendias, në favor dhe në mbështetje të Armenisë. Greqia nuk ndoqi as formalisht vijën e neutralitetit, që mbajtën NATO dhe BE në këtë konflikt. Prania e mercenarëve grekë në luftimet e Nagorni Karabakhut përputhet me tërë kursin pro-armen, që ka ndjekur Greqia në konfliktin midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, duke u përpjekur ta fuqizojë edhe me mjete ushtarake.
Letra e Misionit të Përhershëm të Azerbajxhanit në OKB drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB e akuzon Greqinë edhe për transportimin ajror, që ajo u ka bërë militantëve të organizatës terroriste ”Partia Punëtore e Kurdistanit” për në Nagorni Karabakh pas trajnimit të tyre në Qipron greke.
Mediat botërore kanë njoftuar për kampet e stërvitjes të ngritura në Qipro për trajnimin e anëtarëve të kësaj organizate terroriste, të stërvitur nën drejtimin e gjeneralit qipriot grek Aposotolos Pervolarakis, ku mbi 300 mercenarë të PKK u dërguan në Armeni për të luftuar në Nagorni Karabakh përkrah forcave ushtarake të Armenisë.
Qysh përpara shpërthimit të konfliktit Greqia ka krijuar një mikroaleacë të habitshme trepalëshe midis saj, Armenisë dhe Qipros. Në qershor 2019 u zhvillua në Qipro takimi trepalësh i ministrave të jashtëm të Greqisë, Qipros dhe Armenisë, për të konturuar një bashkëpunim dhe aleancë të veçantë midis tre shteteve, që i bashkon vetëm ortodoksia. Në datën 28 shkurt 2020 ministrat e mbrojtjes të Greqisë, Armenisë dhe Qipros nënshkruan një marrëveshje trepalëshe të quajtur “Plani trepalësh i Veprimit”, ku planifikohet bashkëpunimi i ngushtë ushtarak dhe aktivitete stërvitjesh e trajnimi ushtarak.
Greqia ndërtonte një aleancë dhe bashkëpunim të ngushtë ushtarak me një shtet të largët si Armenia, e cila është anëtare e Aleancës ushtarake ruse “CSTO” dhe ka baza ushtarake dhe trupa ruse në vend. Kaq impresionues dhe i habitshëm ishte bashkëpunimi i shpejtuar ushtarak midis Greqisë dhe Armenisë, sa që presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Alyiev, në takimin për kredencialet me ambasadorin e ri grek në 2 shtator 2020, i kërkoi ambasadorit t’i shprehte qeverisë greke shqetësimin e tij për bashkëpunimin ushtarak greko-armen.
Nuk mund të mos shtyhesh të hulumtosh për arsyet e këtij angazhimi të veçantë të Greqisë në një rajon aq të largët gjeografik dhe arsyet e politikës së jashtme greke në krijimin e një aleance diplomatike dhe ushtarake me Armeninë. Këtë hulumtim e kanë të nevojshëm ta bëjnë edhe diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës, të cilat nuk duhet të harrojnë kurrë as përkrahjen e fuqishme, që Greqia i dha regjimit kriminal të Millosheviçit gjatë agresioneve serbe në ish-Jugosllavi, dhe as pjesëmarrjen e mercenarëve greke përkrah forcave ushtarako-policore serbe në luftrat në Bosnje dhe në Kosovë.
Së pari, duhet thënë se Greqia është shteti i parë i NATO-s nga i cili shkojnë mercenarë në një konflikt lokal dhe që pjesëmarrja e tyre përputhet me aleancën dhe bashkëpunimin midis shtetit të origjinës dhe një shteti palë në konflikt.
Së dyti, prania e mercenarëve grekë në konfliktin e Nagorni Karabakhut nën anën e forcave ushtarake të Armenisë është produkt i një politike të jashtme dhe diplomacie me prirjetë hapur fetare. Nuk është rastësi aleanca e tre shteteve ortodokse Greqi-Armeni-Qipro në fushën ushtarake dhe ndihma e madhe, që iu dha Armenisë prej dy shteteve greke gjatë luftës së fundit të Nagorni Karabakhut.
Nuk duhet harruar se mbi këtë bazë u mobilizuan, u dërguan dhe luftuan vullnetarët ortodoksë grekë bashkë me forcat ushtarake serbe kundër Bosnjes dhe kundër Kosovës në konfliktet në ish-Jugosllavi. Orientimi fetar ortodoks ka qenë dhe është një nga themelet e politikës së jashtme dhe të diplomacisë greke.
Kaq e brumosur fetarisht është politika e jashtme greke sa që Greqia, një shtet anëtar i NATO-s, në kohën e ministrit të jashtëm Kocias, i propozonte Rusisë një aleancë të përbashkët dypalëshe “për mbrojtjen e ortodoksëve nëpër bote”. Një shtet pothuajse teokratik, ku diplomacia i shërben kishës dhe kisha diplomacisë.
Së treti, prania e mercenarëve grekë në anën e Armenisë në konfliktin e Nagorni Karabakhut është produkt i një politike të jashtme dhe diplomacie dritëshkurtër, e cila apriori konsideron armik çdo shtet aleat të Turqisë. Meqë Azerbajxhani është shtet mik me Turqinë dhe ka një bashkëpunim të gjithanshëm me të, Greqia nuk e sheh me sy të mirë as Azerbajxhanin, për shkak të obsesionit të armiqësisë së saj ndaj Turqisë dhe ndërmerr një kurs jomiqësor edhe ndaj Azerbajxhanit.
Sipas logjikës bizantine të drejtuesve të politikës së jashtme greke, duhet që shtetet aleate dhe mike të Turqisë duhet të prishen me Turqinë për hatër të Greqisë. Është një qendrim dogmatik diplomatik nën presionin e vazhdueshëm të të cilit ndodhet edhe politika e jashtme dhe diplomacia e Shqipërisë, të cilave Athina u nxit pareshtur prishjen e marrëdhënieve me Turqinë.
Së katërti, prania e mercenarëve grekë në anën e Armenisë në konfliktin e Nagorni Karabakhut mund të konsiderohet si një goditje me qitje të largët kundër Azerbajxhanit në favor të interesave energjitike ruse. Dihet se Azerbajxhani është furnizuesi kryesor i gazit për “Korridorin Jugor të Gazit”,një projekt-strategjik i BE për të pakësuar varësinë energjitike të Europës nga gazi rus. Konkretizim i këtij projekti të BE janë gazsjellësi TANAP, që transmeton gazin nga Azerbajxhani në Turqi, dhe gazsjellësi TAP, që transmeton gazin nga Turqia nëpër Greqi dhe Shqipëri drejt Italisë.
Rusia dhe Gazpromi rus kanë qenë dhe janë kundërshtarë të projektit energjitik të BE “Korridori Jugor i Gazit”. Greqia, duke provokuar Azerbajxhanin në një fushë të ndjeshme të sovranitetit dhe të integritetit në lidhje me Nagorni Karabakhun, krijon hapësira për pengesa dhe bllokime të “Korridorit europian të gazit”.
Greqia, anëtare e BE dhe një shtet tranzitues i gazit të këtij Korridori me gazsjellësin TAP, krijon një klimë të pafavorshme të Azerbajxhanit ndaj shteteve, që iu kundërvunë atij në konfliktin e Nagorni Karabakhut dhe morën anën e Armenisë. Nuk duhet habitur nëse mund të shihen në javët dhe në muajt e ardhshëm rezerva apo pengesa të shtetit furnizues të gazit azerbajxhanas ndaj shtetit tranzitues të Greqisë, për të cilin paraqiti ankesa dhe akuza në OKB.
Në situata të tilla është me rëndësi që shtete fqinjë apo shtete tranzituese të gazit azerbajxhanas si Shqipëria të tregohen shumë të kujdesshme që të mos përfshihen në lojrat e gabuara gjeopolitike dhe energjitike, që Greqia po luan në Mesdheun Lindor dhe në Kaukaz.
Shqipëria duhet të tregohet tepër e vëmendshme ndaj rrymës alogjike të diplomacisë greke për të krijuar aleanca apo grupime shtetesh ortodokse rreth e qark trevave shqiptare në funksion të ambicjeve greke. Mendoj se ka qenë i gabuar bashkimi i Shqipërisë në aleancën katërpalëshe Greqi, Bullgari, Maqedoni, Shqipëri, të krijuar nga Athina në vitin 2016, kur nuk kishte asnjë bazë logjike krijimi i saj, pavarësisht se u propagandua nga diplomacia greke si nevojë bashkëpunimi e shteteve fqinjë.
Greqia mblodhi në 21-22 prill 2016 në Selanik ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Greqisë, Bullgarisë, Maqedonisë dhe të Shqipërisë, një format i habitshëm diplomatiko-ushtarak, që nuk ishte as i sugjeruar nga NATO, madje burime diplomatike bëjnë të ditur se Greqia as e kishte informuar NATO-n për këtë nisme diplomatike të ngushtë katërpalëshe të tre shteteve ortodokse dhe Shqipërisë.
Fakti që nga ky grupim diplomatiko-ushtarak i “shteteve fqinjë” u përjashtua Turqia, shteti më i rëndësishëm dhe më i fuqishëm ballkanik, anëtar i NATO-s, duhet ta kishte bërë Tiranën që të mendohej dy herë para se të pranonte ftesat e pasinqerta diplomatike greke për mikroaleanca.
Shqipëria dhe diplomacia e saj duhet të ndjekin me vëmendje jo vetëm marrëdhëniet e drejtpërdrejta dypalëshe me shtetet fqinjë, por edhe çdo lëvizje, nismë apo aleancë, që shtetet fqinj me Shqipërinë dhe me Kosovën ndërmarrin në rajonet e tjera,sepse të gjitha këto veprime në një formë apo tjetër kanë efekte dhe mund të dëmtojnë interesat e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Komentet