Namik Namazi, avatar i fundit i Nolit
Pas luftës së dytë botërore, Fan Noli, në fushën e letërsisë shqipe, ka heshtur gjer në 1961, kur shohim të botuar në Diellin, 11 Janar 1961 dhe 31 Maj 1961, dy vjersha të Victor Hugo-it përkthyer nga Namik Namazi, pseudonim i pestë i Nolit pas Theofan Mavromati, Ali Baba Qyteza, Rushit Bilbil Gramshi dhe Bajram Domosdova.
Po tregoj shkurtazi si lindën këto dy përkthime. Në Seminarin e parë t’organizuar nga “Vatra” në Boston gjatë javës së dytë të Gushtit 1960, Fan Noli mbajti një konferencë rreth datëlindjes së Skënderbeut dhe foli ndër të tjera mbi historianin Biemmi dhe s’pranoi që ky të ketë trilluar faktet që tregon, sikurse pretendon Prof. Babinger. Me zë të ulët, në mënyrë që të më dëgjonte pa ndërprerë fjalën, i thash se i mendimit të Gjermanit ishte edhe Profesori rumun Marinesco. Pas konferencës, Noli më tërhoqi mënjanë dhe më pyeti si e dija që edhe Marinesco mendonte si Babinger-i. I thash se kisha kënduar një artikull të Prof. A. Gegajt në gazetën Shqipëria të Romës.
Fjalë pas fjale, pastaj, erdhëm e folëm për prodhimin e tij letrar dhe për përkthimet e tija, sidomos të dy vjershave të vetme që kishte zgjedhur nga frëngjishtja, njëra e Baudelaire-it dhe tjetra e Verlaine-it, dhe shpreha çudinë t’ime pse nuk kishte përkthyer ndonjë vjershë të Victor Hugo-it.
__ Po, Victor Hugo, ky “premier prix de rhétorique”, tha, dhe shtoi: Nofta Waterloo, Booz endormi, Aymerillot, A la Colonne, La Conscience…
__ Hirësi, ka diçka tjetër Victor Hugo-i, perveç retorikës… Di, për shëmbëll, vjershen A Villequier përkthimin e të cilës e kanë lënë përgjysëm shumë të huaj, si në spanishte J. Calcaño e J. Soffia, si n’italishte Cannizaro dhe Pascoli,14 të cilët kanë përkthyer shumë vjersha të Victor Hugo-it, por jo vjershën A Villequier. Pse s’i vihe Zotrote atij përkthimi?… Letërsia shqipe është aq e vobektë!
Pas një heshtje të shkurtë, më tha se nuk e kishte librin ku ndodhej ajo vjershë dhe më kërkoi t’i a dërgoja. Ashtu bëra. Disa ditë më vonë, me një letër falenderimi më njoftonte se i qe vënë punës porse, me sa shihte, vjersha A Villequier ishte “e zorshime.” Vjershën tjetër që fillon në frengjishte Demain dès l’aube e kishte përkthyer me titullin Lule mi varr. Dielli e botoi më 11 Janar 1961:
Menatë, nesër kur të zbardhet fush’e shkretë,
Do nisem. Se më pret, e di që jam vonuar;
Do shkonj nga pylli dhe nga mali i përpjetë;
Më tepër s’munt të pres lark teje i mërguar.
Do të bares me sytë në kujtimet kridhur,
Pa par’ asgjë, pa ndjer’ asnjë shamatë;
I vetëm, i panjohur, krusur, duar-lidhur,
Vrerosur, edhe dita do më bëhet natë.
S’kam për të par’ as perëndimin ar e zjarr,
As lundrat me pëlhura tutje në luginë,
Dhe kur t’arrinj, më gjunjë do të vë mi varr
Një tufë lule bozilok e trëndëlinë.
Vargun e dytë të strofës së fundit, Noli ma ka dërguar, kur i kërkova t’a korigjonte vjershën për t’a ribotuar në Shqiptari i Lirë, të ndërruar kështu:
“As lundrat me pëlhura tej në hapësinë.”
POETI VICTOR HUGO
Victor Hugo (1802-1885), në fushën letrare, mbush pothuaj gjithë shekullin e tij, jo vetëm në Francë, por, si romantik, në gjithë Evropën. Armiqt janë aq të shumtë sa dhe miqt. Në mes të polemikave dhe kritikave, Hugo-i del gjithnjë më i madh, përmbytës i çdo shkolle dhe i çdo “cénacle”-i letrar. Vepra e tij përfshin të gjitha gjinitë e letërsisë, nga epika në lirikë, nga theatri në roman, nga trajtimi filozofik, qoftë i thellë qoftë i lartë, në trajtimin dhe në përshkrimin e sendeve dhe të jetës më të purvujtë, në satirën më therëse. Leksiku freng ka pranuar si emër të përgjithshëm të vetmen fjalë të krijuar nga një emër poeti: “hugolâtre”, ai që adhuron Hugo-në.
Ky poet i gjithanëshëm, me gjithë nderimet dhe lartësimet që i janë bërë, mund të thomi se nuk ka qenë i qetë në jetë. E gjithë vepra e tij, në vjershë e në prozë, e dëshmon. Është, ajo, një pasqyrë e një shpirti njerëzor gjithnjë në kërkim të një të vërtete të ëndërruar dhe kurrë të realizuar. Ne të vërtetë, poeti nuk eshtë kurrë i lumtur. Shpirti i tij herë struket dhe herë hapet sa përqafon gjithësinë, mendja e tij bashkë me shpirtin e me zemrën, bashkë me shqiset dhe penjzat, janë përherë në një dridhëzim plot vuajtje gjersa nuk shpërthen apoteoza. Ne përpjekjen (më vjen të thom, në përpëlitjen) e tij dramatike për çlirim, një poet krijon; por siç thonë “Xixat”, “Çdo gjinikim shkakton vuejtje. Kur nji shprehje buron e lume, xixilluese, nga zêmra dhe nga shqisja, ajo shkëlqimin e vet e ka nxjerrë nga nji torturë shpirtnore tronditëse që lên vrragë të thella mbrênda shkrimtarit.”15
LES CONTEMPLATIONS”
Në 1856 Victor Hugo boton dy vëllime vjershash me titull Les Contemplations. Eshtë kryevepra e tij lirike. Titujt e vëllimeve janë përkatësisht Autrefois dhe Aujourd’hui (Dikur dhe Sot). Secili vëllim përmbledh një kohë 12 vjeçare. I ndan një humnerë: varri i vajzës së tij Léopoldine që, bashkë me të shoqin u mbyt në lumin Seine, në 1843. poeti, në parathënien, veprën e tij e quan “Mémoires d’une âme” (Kujtime të një shpirti). Thotë shkrimtari André Maurois: “C’est lui-même qui bien tôt tombera dans le guoffre sans fond de la souffrance morale, mais qui, par la souffrance, connaîtra ce repli sombre dont il avait besoin pour devenir le plus grand poète français.”16 (Është ai vetë që për së shpejti do të bjerë në humnerën pa fund të vuajtjes morale, por që, për shkak të vuajtjes, ka për të njohur atë strukje të errët për të cilën kishte nevojë që të bëhej poeti më i madh freng.)
Në vëllimin e dytë, Aujourd’hui, ndodhet Elegjia e tij e shkruar për vdekjen e Loepoldinës. Titulli i saj është A Villequier.
Vjersha “A Villequier”
Vdekja e Leopoldinës e godit rëndë poetin. Gjatë një viti, Victor Hugo mbetet i hutuar dhe s’prodhon gjë. Pas një viti, shkruan një vjershë që është një elegji një vajtim. E botuar me disa vargje të shtuara pas një motmoti, poema bëhet objekt diskutimesh dhe komentesh admiruese.
Kjo vjershë lirike që e kanë quajtur “Elegjia e elegjive”, i shpëton kritikës së rreptë të kohës. Shkrimtari katolik Louis Veuillot, armik i Hugo-it, shkruan se, përpara një vjershe të tillë, “duhet të heshtim”, dhe, për të parën herë, poetët, shkrimtarët, kritikët, mbeten dakord se kanë të bëjnë me një “vjershë zemre” esenca e së cilës s’mund as të përkufizohet as të përcaktohet dhe vjersha vetë s’mund të merret e të gjykohet nga përsëritjet e tepërta që përmban, nga trajtimi i saj aty këtu i çthurur, sepse ajo është e mbështjellur nga një dritë që s’është e kësaj bote; me pak fjalë, çdo përpjekje, orvatje, për t’a analizuar, qoftë nga pikëpamja estetike, qoftë nga pikëpamja letrare, qoftë nga ana e prozodisë, është e destinuar të mos kënaqë njeri. A Villequier i shpëton çdo analize si ujt e kulluar i shpëton mëndafshit të sitës, sado i dendur të jetë.
Lirika është ekskluzivisht shprehje ndjenjash dhe kryesisht sentimentale, shpirtërore, prandaj është edhe më zor të përkthehet në një gjuhë tjetër. Poemat lirike janë shkruar nga poetët për të evokuar (më falni përdorimin e kësaj fjale barbare por të bukur) një gjendje emocionale të një shpirti të ndërë, dhe jo për të përcaktuar një send, për të zhvilluar një argument logjik, ose për të përshkruar një ide.
Në letërsinë frenge kemi tri poezi klasike të gjinisë elegjiake: Consolation à M. du Pèrier e François de Malherbe (1555-1628), L’isolement e Alphonse de Lamartine, bashkohas i Hugo-it (1790-1869), dhe A Villequier. Në këtë vjershë të tij Victor Hugo ka përdorur strofën e Malherbe-it dhe atë të Lamartine-it, duke i alternuar. Një gërshetim i tillë është një shembëll unike në poezinë frenge dhe aq i qëlluar sa që “La douleur humaine n’a jamais suscité une musique plus expressive, ni plus riche.”17 (Dhëmja njerëzore nuk ka shkaktuar [krujuar] një muzikë më shprehëse, as më të pasur.)
Përkthimi i Nolit: “Vajtim për të bijën”
Me përjashtim të një rime të dobët, anë, shkaknë në strofën 11, dhe në 13, në të cilën vargjet në vend të kenë rimën ABAB, e kanë ABBC, përkthimi i Nolit është teknikisht aq i përsosur sadhe vjersha e Hugo-it. Noli më ka shkruar tri letra q’i përkasin përkthimit të tij. Më 29 Dhjetor 1960, më shkruan ndër të tjera: <<Të parën me tri strofa pothua e kam përkthyer çat pat me mënt. Së dytës, “A Villequier”, e cila ësht ‘edhe e gjat’ edhe e zorshime, i vinj rrotull, po nukë di a do ta katranós.>> Pas tre muaj, më 1 Prill 1961, më shkruan këtë letër tjetër:
<<I dashur vëlla: Vjersha e dëgjuar e Victor Hugo-jt, e titulluar Frengjisht “A Villequier”, edhe shqip “Vajtim Përmi Varrin” (këtë titull Noli e ktheu në “Vajtim për Bijën” kur i a dha Diellit për botim), u-mbarua prej kohe as mirë as keq, po çat pat. Miku jo nga dashuria, po nga kabadaillëku. Tani, sikundër e ka zakon, e ka lënë të flerë ca kohë, pastaj do t’i heqë një përdah të funtme, dhe do tja dorëzonjë “Diellit” për botim nofta pas Pashkës. Radhitësi ka liri të plotë t’a ndryshonjë sipas qefit. Këndonjësi duhet të ketë mirësinë t’a ndreqë dhe t’a kupëtonjë sipas takatit. Ju, për shëmbëll, e muartë me mënt fjalën Vrerosur, siç e kisha në përkthimin tim. (Në Diellin ishte shkruar gabimisht “Verosur”) Rradhitësi bëri një tjatër lajthim dhe sakatosi një vark. Unë vetë bëra nja tri lajthime. Perëndia më ndjeftë, se do t’i ndreqim të gjitha, po të jemi gjallë…>>
Atë ditë që mora këtë letër ndodhesha me mikun dhe ish kolegun t’im të vjetër të Lyceut të Shtetit të Tiranës, Prof. Perikli Mbroja, letrar i hollë dhe me kulturë frenge. Qeshi me mua duke qenë i mendjes së kritikëve që thonë se vjersha del e shkëlqyer nëqoftëse është e ndjerë, është e lidhur me gazet, me hallet, me jetën e poetit ose të rrethit në të cilin rron poeti. Shtoi: “Me gjithë zotësinë e Nolit, unë nuk besoj se do të ketë dalë ndonjë kryevepër, me të cilën të quhet e pasuruar letërsia shqipe, sikurse pretendon ti.” Nuk ishte një pretendim ky i imi, por një ëndërr; përkëdhelja një ëndërr realizimin e një dëshire personale dhe kombëtare njëkohësisht. Personale, sepse natyra e ime ka në themel një prirje nga shkrimet shpirtërore, mistike mund të thom, dhe çdo elegji i përket ndenjës së shpirtit; kombëtare, sepse vetëm ata që janë marrë me letërsinë shqipe, dinë se sa e vobektë eshtë kjo e jona në krahasim me letërsitë e tjera, dhe se sa u djeg shpirtin gjakimi t’a shohin sa do pak të pasuruar.
Dua të shquaj se mikun P. Mbroja e marr këtu si element ekstrem kundërshtar të thezës s’ime. Nuk mund të mësheh se arsyetimi që ai më shfaqi, do me thënë që Noli do të dështonte në përkthimin e elegjisë hugoliane sepse, jo vetëm që poezitë personale janë më të vështira për të përkthyer por, dhe aq më tepër sepse Noli, duke mos patur fëmijë, nuk mund të ndjente një dhëmbje shpirtërore si atë të Hugo-it, më mbeti si një gozhdë e ngulur në mendje dhe një peng në zemër. Por gjeja një ngushullim që më xixëllonte në shpirt, n’atë frazë të Nolit: “Miku ynë Namik Namazi e bëri këtë përkthim Herkulian…”. Herkulian! , do me thënë se është munduar dhe mundimi i Nolit, mendoja, si mund të jetë dështim?
A Villequier u botua më në fund në faqen 4 të Diellit, 31 Maj ’61. E kopjova gërmë për gërmë me të gjitha gabimet e shtypit dhe ia nisa Nolit q’atë ditë për t’a korigjuar. Me korigjimet e duhura të bëra nga dor’e tij, A Villequier u ribotua në Shqiptarin e Lirë, 30 Qershor 1961. Ndërsa Noli i kishte bërë vjershës këtë shënim të shkurtë dhe të thatë: “Shkruar më 1844 dhe titulluar në origjinal “A Villequier”, ku ishte varrosur tok me të shoqin e bija e vjershëtorit pas (një) aksidenti në lumin Sein”, në Shqiptarin e Lirë unë i bëra këtë
“PARAQITJE”
“Më 4 Shtator 1843, në Villequier, katund afër Le Havre-it, vajza m’e dashura dhe m’e përkëdhelura e Poetit Victor Hugo, 19 vjeçarja Léopoldine, mbytet në lumin Seine bashkë me të shoqin, Carles Vacquerie, në një aksident barke. Dy të rinjtë s’kishin mbushur ende shtatë muaj martesë. Ata që asistuan në zhvillimin e tragjedisë, pa patur mundësi t’u shkonin në ndihmë dëshmojnë se Carles Vacquerie, fizikisht i fortë e notar i mirë, kur pas shumë mundimesh, pa se s’mund t’a shpëtonte dot të shoqen, s’deshi të shpëtonte as ai vetë, por e përqafoi fortë atë dhe të dy bashkë shkajtën lehte në fund të ujrave të thella. Kjo ngjarje preku dhe mallëngjeu tepër vendësit, të cilët, në shenjë nderimi dhe adhurimi ndaj një dashurie të tillë tej vdekjeje, i varrosën trupat e dy fatkëqinjve, të shtrirë njëri pranë tjetrit në të njëjtin arkivol.
“Më 4 Shtator 1844, ditë e përvjetorit të parë t’asaj ngjarje të hatashme Victor Hugo, << kallm i shembur i kënetës >>, merr pendën dhe, me << zëmrën plotërisht të thyer >>, end e qindis këtë Vajtim për bijën që është një nga xhevahirët më të çmueshëm të thesarit poetik botëror. Eshtë Jobi që ringjallet në Victor Hugo-në që, duke qarë dhe u qarë na këput shpirtin. Vajtimi dhe ankimet e poetit shprehin një pohim besimi dhe nënështrim ndaj Zotit << Perëndi i Jetës >>, si ai i Patriarkut biblik.
“Shqipërimi i kësaj vjershe të famëshme frenge është një dhuratë e shtrenjtë që Namik Namazi i bën letërsisë s’onë të përkthimit. Nëse penda mjeshtri e Fan Nolit e ka pasuruar atë letërsi me përkthimin e vjershës magjepse të Korbit të Poe-s, sot Namik Namazi, avatar i Nolit, duke përdorur pendën me një mjeshtëri jo më të ulët, e shton atë pasuri me përkthimin A Villequier, vjershë zemre që na shkrin në ngashërim. Është me të vërtetë një faqe e bukur që praron me një hijeshi të rradhë antologjinë poetike shqipe”.
Miku Mbroja s’e kishte parë akoma dhe e thirra t’i a tregoja. U ul në tryezën t’ime dhe i a recitova. Kur erdha te strofa e fundit.
Vazhdoj me vjete si i vetmi gëzim
Që munda t’ ëndërronj;
Tani, o Zot i math, kuptom se ç’hidhërim,
Po ndjenj që s’e shikonj! ,
pa dashur, më shpëtoi një përsëritje dhe e lexova kështu:
Tani, o Zot i math, kuptom se ç’hidhërim,
Oh, se ç’hidhërim!,
Po ndenj që s’e shikonj!
I kisha sytë të njomur, por edhe miku im ndodhej në një gjendje të heshtur që m’ipte të kuptoja se ishte prekur. Pas pak, sikur u zgjua, dhe më tha: “Më gënjeve. Zëri t’ënd patetik më bëri të mallëngjehem. Pa nema t’a shoh vetë.” Dhe filloi, më parë pa zë, pastaj me zë të ulët, sikur fjalosej me vete, t’a recitonte. “Ngreje pak zërin, të lutem,” i thash, dhe ai ashtu bëri. Nuk u ndal as te strofa e 13-të, e gabuar. Por çudia ka qenë se, kur erdhi te strofa
Nuk e harroj gjer sa të vdes çastin e zi;
Ç’të qava, o çast, më kot!
Bërtita: O Zot, qëparthi e kisha dhe tani
S’e kam! dhe qanj me lot.,
pa dashur, edhe atij i shpëtoi një përsëritje, po ashtu patetike siç më shpëtoi dhe mua. Recitoi kështu:
Nuk e harroj gjer sa të vdes çastin e zi;
Ç’të qava, oh ç’të qava, o çast, më kot!…
Nuk i thash gjë por i a vrejta kur mbaroi. Nuk e besonte, por në një provë të dytë, duke filluar nga
Më ler t’i unjem mbrëmane mi varr t’i flas
Kur bota rreth pushon,
Se nofta ëngjëlli në qiell, kur të bërtas,
Çel sytë e më dëgjon…,
kur erdhi tek ai varg i përvajshëm, përsëri recitoi:
Ç’të qava, oh ç’të qa…
dhe u ndal me një “Oj !”, krejt i habitur.
Mbeti me sy ngulur mbi atë strofë, miku im, letrari, kritiku, profesori i filozofisë, “racionalisti” (i kësaj shkolle është), i heshtur. M’erdhën në mend fjalët e katolikut Veuillot: “Duhet të heshtim.”
FAN NOLI SI POET RIKRIJUES
Më kanë tërhequr vrejtjen kotë fjalë të drejta të Prof. Namik Ressulit kur flet për Naimin t’onë :
“Se kur ishte i vërtetë binomi i gabuar sentiment-poezi, mbi të cilën u mbështet sidomos shkolla romantike, atëherë të gjithë njerëzit që marrin pendën në dorë munt të ishin poetë…Pse sentimentet e veprës së Naimit e prekin dhe e tronditin shpirtin t’onë shqiptar nuk do me thënë gjë, nuk do me thënë se janë art. Çdo gjë që ka lidhje me ndjenjat epshet e zemrës s’onë mund të na prekë e të na mallëngjejë… Në veprën e tij (të Naimit) gjejmë vetëm sentimente dhe jo art, jo poezi; dua të thomë, në vargjet e tij sentimenti nuk ësht bërë, nuk u bë kurrë fytyrë (immagine)…18
Tani, në lidhje me sa thotë Ressuli për Naimin, pyes: ç’ndodh me vjershën e Hygo-it? Argumenti i trajtuar është sentimental dhe sado e dhëmshme që është vdekja e një vajze, fakti është i rendomtë, mijra vajza vdesin. Çdo vdekje prek t’afërmit. Mirëpo këtu hyn tani një element që nuk përcaktohet, që s’mund të përkufizohet me fjalë, që është universal, që prek jo çdo njeri, por qenien njerëzore dua të thom, ai element poetik që kthen një dhëmbje personale të kufizuar, në një dhëmbje të ndjerë nga gjithësia. Si mund t’a përkufizoj atë element që na rrëmben shpirtin, që na ndrydh zemrën, që ka fuqinë të bëjë që vdekja e Leopoldinës të mos prekë vetëm shpirtin dhe zemrën e poetit, ose të njerëzve të tij, po të kthehet në një dhëmbje depërtuese në çdo zemër, në çdo shpirt, në t’imin, në t’ëndin, në t’atijn?
Këtu s’është arti i përpunimt të vargut por është një cilësi misterioze artistike që i përket krejt trajtimit, ajo që e dekreton POEZI elegjinë A Villquier.
Po Noli, ç’bën Noli? Noli “i vjen rotull” poezisë për të përkthyer. Stepet, instinkti i thotë të ngurrojë, të përpiqet të vihet në marrëdhënie shpirtërore me Hugo-në, të mos mendojë te fjalët e përdorura në frengjishte, por të ndjejë, të përpijë, t’i dridhen zemra dhe shpirti, i gjithë shtati, përpara se të ngjyejë pendën me bojë shkrimi, nga frika se mos ndyjë faqen e bardhë të fletës së papërlyer që pret në parzën vargun e zjarrtë. As nuk i shkon mendja përkthimi mot à mot, në rastin specifik të trajtimit të kësaj vjershe zemre. Merr disa herë aq liri të madhe sa vargjet e tija mund t’i quajmë rikrijim, krijesa vetjake, origjinale. I lexojmë vargjet e Nolit dhe na mbulon një trishtim, një mallëngjim, një lartësim shpirtëro dhe si pasojë (mos ju duket si një antonymi) një qetësi shpirtërore, një lloj euthymi senekiane, pikërisht të ndjera po me atë intensitet, ashtu siç janë të ndjera nga frengu vetë. Mund të thom ndryshe:
Kur recitojmë Vajtimin për bijën, kemi përshtypjen se argumenti është duke u zhdukur, shkrihet në erë, në eter, ose për të thënë më mirë, kthehet në një vel imaterial, që të mbështjell shpirtin; vargu i Nolit metamorfozohet me nota muzikale, s’të jep kohë të ndalesh për të përkufizuar, për të përcaktuar, për t’arësyetuar. Dëgjohet kënga e zërit që buron nga zemra, jo fjala që arësyeton.
Thash se Noli nuk përkthen fjalë për fjalë. Mund të mendohet sepse leksiku i gjuhës s’onë është shumë i vobektë, por kjo thezë duhet të mënjanohet me një përqindje të madhe, sepse edhe në gjuhët e tjera, si n’italishte e spanishte, aq të pasura sadhe frengjishtja, përkthimi ka patur dështim të plotë, sikurse thash në fillim. Noli s’e lë përgjysëm veprën e filluar. Mundimi i tij është “Herkulian”, e kryen punimin për “kabadajllëk”. A është i madh për këtë? Jo: Noli në përkthimin e Hugo-it tregohet Poet, poet i madh, vetëm e vetëm sepse rikrijon, nuk përkthen. Proteiformi Nol, fetar, historian, burrë-shteti, orator si ai, poet, në ndeshje me poetin mbetet vetëm poet dhe, si pasojë, rival. A është poezia njëkohësisht arti i fabrikimit të vargut dhe arti i krijimit dhe i paraqitjes së fytyrës (immagine)? Noli rrok pendën dhe është vargëtar dhe fytyrues: me anën e vargut të tij poezia është e porfirtë, e margaritartë, plot shorti saqë ndjejmë një ëmbëlsi që na deh, nëqoftëse mund të thom kështu, në dëgjimin e fjalëve tash harmonioze e tash kumbuese, gjithnjë të renduara me rigorozitetin më të madh brenda rregullave të metrikës, në çdo shqipërim të tij.
Disa shembëlla
Më pëlqen të vë në dukje vetëm disa nga ato vargje për të cilat Veuillot thotë se “Il n’y a pas de plus beaux vers dans la langue française ni dans la langue chrétienne.” (Nuk ka vargje të bukura as në gjuhën frenge as në gjuhën kristiane.)
Ja ku të vinj, o Atë që besoj, o Zot,
Të sjell përunjësisht
Zëmrën që m’a ke mbushur me lavdi, dhe sot
M’a theve plotësisht.
. . . . . . . . .
Më s’kundërshtonj për asnjë gjë që po më ther,
Se ashtu deshe ti;
Shpirti nga zi në zi, edhe nga vrer në vrer
Shkon në përjetësi.
Në frengjishte kjo strofë është:
Je ne rèsiste plus à tout ce qui m’arrive
Par votre volontè.
L’âme de deuils en deuils, l’homme de rive en rive
Roule à l’èternitè.
. . . . . . . . .
E di që pema bie kur i fryn një erë,
Zogut i bie pënda, lulja shkunt aromën;
Kriesa është rot’e madhe si poterë,
Dhe sillet rotull duke shtypur udhës llomën.
Se ditët, muajt, valat, sytë që vajtojnë
Kalojnë pa pushim,
Se bari do të mbinjë, foshnjat do të shkojnë,
E di, o Zoti im?
Në frengjishte:
Les mois, les jours, les flots des mers, les yeux qui
Passent sous les ciel bleu; [pleurent,
Il faut que l’herbe pousse et que les enfants
Je le sais, ô mon Dieu. [meurent:
Në shqipe “le ciel bleu” (qjelli i kaltër) është zhdukur por, me gjithatë nuk mund të thomi vallë, se strofa shqipe është aq e bukur sa edhe ajo frenge?
. . . . . . . . . .
O Zot i madh, të lutem, hith një sy mi mua,
Shëroj-e shpirtin tim;
I ëmbël, i përunjur posi foshnj’ e grua
Të vinj me adhurim.
Dy strofat e fundit në frengjishte janë:
Quand on a vu seize ans, de cet autre soi-même
Croître la grâce aimable et la douce raison,
Lorsqu’on a reconnu que cet enfant qu’on aime
Fait le jour dans notre âme et dans notre maison,
Que c’est la seule joie ici-bas qui persiste
De tout ce qu’on rêva,
Cosidére que c’est une chose bien triste
De le voir qui s’en va!
Dhe ja tani, si shfaqeet, i hollë e i lartë, arti poetik i Nolit, i barabartë me atë të Hugo-it: Në shqipërimin ose, për të thënë më drejt, në rikrijimin e tij, si plektri përshkon gamën, fjala mallëngjyese përshkon vargjet e prek telat e zemrës s’onë, që tingëllojnë vajtueshëm sa që ndjejmë se dhëmbja, hidhërimi i Poetit, hidhërimi i një njeriu bëhet hidhërimi i njeriut:
E pashë lulen që Imzot në kopsht më mbolli,
U rrit me hir, me ëmbëlsi, dhe kthjellësi,
E dashura si një diell zemër dhe shtëpi.
Vazhdoj me vjete si i vetmi gëzim
Që munda t’ëndërronj;
Tani, o Zot i madh, kuptom se ç’hidhërim
Po ndenj që s’e shikonj!
Kujtoj se letërsia e jonë mund të gëzohet për këtë shqipërim nolian. Letrarët shqiptarë duhet t’i jenë mirënjohës Nolit dhe të bekojnë atë “kabadaillëk” të tij që e bën poetin t’onë rival poetësh të mëdhenj.
FUND
FJALORTH
FJALE SHQIPE __ Gjashtë: gur i zi që përdoret për të provuar artin dhe ergjëndin: fq. 14 __ Gjakim: dëshirë e madhe; fq. 26 __ Gjinikuar: gjinikoj: pjell krijoj; fq. 15- e Kithtë: e errët fq. 19; kif-i: mjegull që mbulon majat e maleve-e Kolme: e hieshme, e kendëshme (për vajzë); fq. 16; e përdor Noli për Dylqinjën në vjershën “Këtu dirgjet Don Kishoti” – Ngurroj: nuk vendos të shkoj përpara, të filloj punën; fq. 30 – Penjzë: eshtë, qelizë e zgjatur në trajtë të një filli të hollë; fq. 22; në frengj. e angl: “fibre”
FJALE TE HUAJA – Antonymí: kundërshtim fjalësh që kanë kuptim të kundërt si, p.sh., një kusar i ndershëm, një plak i ri; fq. 31 – Avatàr (fjalë sanskrite): në brahmanizmin, mishërim i një Perëndie; për analogji, këtu do të thotë kthim, ndryshim i një persono një tjetër; fq. 20 – Cénacle (frengj.): kthina ku Zoti Krisht hangri Darkën e Fundme (Cena) me Apostujt e tij; për analogji: qendra, vendi ku mblidhen letrarët, artistët, të një ideje, të një shkolle; fq. 22 – Ekzegjet: dijetar që shpjegon dhe analizon një tekst fetar; fq. 19, në notën 13 – Ezoterik dhe Ekzoterik: që i përket, në fe dhe në filozofi, përkatësisht doktrinës së fshehur ose të shpallur botërisht; fq. 19, në notën 13- Euthymi: mirëqenie e shpirtit; fq. 31- [për të] Evokuar: për të thirur, për të ngjallur një kujtim; fq. 24 – Intrinseke: e brendëshme, në vetvete; për metalet e çmuar, për shembëll, vlefta intrinseke është ajo e vërteta që nuk varet nga çmimi që mund t’u caktohet, qoftë herë pas here qoftë sipas tregut në vende të ndryshme; fq. 11 – Invektivë: shprehje mallkuese; fq. 10 – Metamorfozohet: ndërron formën, strukturën (edhe shpirtin); fq. 31 – Mot à mot (frengj.): fjalë për fjalë; fq. 30 – Prerogativë: një e drejtë e veçantë e njohur; këtu ka kuptimin e cilësisë; fq. 17 – Proteiformë: që ndryshon shpesh formën si Proteus-i mitologjik, nga i cili rrjedh kjo fjalë; fq. 31 – Sublimitet: lartësia më e madhe kur flasim për cilësi morale, intelektuale, letrare, shpirtërore; këtu ka kuptimin e përsosurisë; fq. 16 – Traduttore: traditore (ital.): Përkthyes: tradhëtar; fq. 15.
14 Me rastin e 15- Vjetorit të vdekjes së Pascoli-t, në vjetin 1927 u botuan disa letra inedite të tija ku ai shpreh gjykimin mbi vjershën A Villequier, përkthimin e së cilës i la përgjysëm. Larg nga bibliotekat e Italisë, mjerisht, mbi këtë pikë s’mund të jap asnjë referencë të saktë.
15 “Xixat e <<Shêjzavet>>”, në Shêjzat, Romë Nanduer-Dhetuer, 1960, fq. 362.
16 André Maurois: olympio ou la vie de Victor Hugo, Paris 1954. fq. 158.
17 Jozeph Vianey: Victor Hugo- Les Contemplations, 2 VV. Paris 1922, fq. 39.
18 Namik Ressuli: “Naim Frashëri, poet i mirësisë, në Shpirti Shqiptar, Nr. 1, Torino, Korrik-Shtator 1954, fq. 14.
Komentet