Gjykata më e lartë e Pensilvanisë të shtunën në mbrëmje hodhi poshtë një urdhër të një gjykate më të ulët që kishte ndaluar shtetin të çertifikonte dhjetëra gara të zgjedhjeve të 3 nëntorit në padinë e fundit të depozituar nga republikanët që po përpiqen të sfidojnë fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden në këtë shtet vendimtar.
Gjykata e Lartë e këtij shteti, në një vendim njëzëri, hodhi poshtë urdhrin tre ditor, duke thënë se padia ishte ngritur muaj pas skadimit të një afati kohor të ligjit njëvjeçar të Pensilvanisë për votimin me postë që lejonte sfidat ndaj tij.
Gjyqtarët gjithashtu vunë në dukje atë që e quajtën kërkesë të tepruar në padi që gjithë procesi zgjedhjor të rrëzohej në mënyrë retroaktive.
“Ata nuk kanë arritur të argumentojnë që qoftë edhe një fletë votimi e vetme me postë është hedhur ose numëruar në mënyrë të manipuluar”, shkruante shkroi gjykatësi David Wecht në opinionin e përbashkët.
Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit, demokrati Josh Shapiro, e quajti vendimin e gjykatës “një tjetër fitore për demokracinë.”
Presidenti Donald Trump dhe avokati i tij, Rudy Giuliani, ndërkohë, kanë pretenduar në mënyrë të përsëritur dhe të pabazë se demokratët falsifikuan fletëvotimet me postë për të vjedhur fitoren nga zoti Trump. Zoti Biden fitoi ndaj zotit Trump me më shumë se 80,000 vota në Pensilvani, një shtet që presidenti e kishte fituar në vitin 2016.
Padia që ishte paraqitur para një jave nga anëtari republikan i Kongresit Mike Kelly i Pensilvanisë veriperëndimore, pretendonte se ligjin për votimin me postë i shtetit ishte antikushtetues.
Kelly dhe paditësit e tjerë republikanë kishin kërkuar që të zhvlerësoheshin 2.5 milionë fletëvotimet me postë dërguara sipas ligjit – shumica e tyre nga demokratë – ose të anuloheshin rezultatet e zgjedhjeve dhe të udhëzohej legjislatura me shumicë republikane e shtetit, të përcaktonte elektorët e kolegjit presidencial të Pensilvanisë.
Në çdo rast, kjo kërkesë – që ligjvënësit e shtetit të zgjedhin delegatët e kolegjit elektoral të Pensilvanisë – bie ndesh me një ligj shtetëror gati një shekullor që parashikon se është vota popullore ajo që përcakton fuqinë për të zgjedhur, shkruan gjykatësi Wecht.
Megjithëse dy republikanët e gjykatës së lartë u bashkuan me pesë demokratët në kundërshtimin ndaj propozimeve në padi, ata u ndanë nga demokratët kur sugjeruan se pretendimi themelor i padisë – që ligji i shtetit për votimin me postë, mund të shkelte kushtetutën – ia vlen të konsiderohet.
Gjykatësja, Patricia McCullough, e zgjedhur si republikane në vitin 2009, kishte lëshuar urdhrin të mërkurën për ndalimin e çertifikimit të votave të çdo gare të mbetur, përfshirë ato për Kongresin.
Kjo nuk dukej se pati ndikim në garën presidenciale pasi një ditë më parë, guvernatori Tom Wolf, një demokrat, kishte çertifikuar zotin Biden si fitues të zgjedhjeve presidenciale në Pensilvani.
Zoti Wolf menjëherë apeloi vendimin e zotit McCullough në Gjykatën e Lartë të shtetit, duke thënë se nuk kishte asnjë “justifikim të arsyeshëm” për të.
Hedhja poshtë e padisë vjen pasi republikanët kanë humbur një sfidë ligjore të paraqitur në gjykatat shtetërore dhe federale në Pensilvani nga fushata e zotit Trump dhe aleatët e saj republikanë.
Të premten, një gjykatë federale e apelit në Filadelfia refuzoi tërësisht përpjekjen e fundit të fushatës së zotit Trump për të sfiduar rezultatet e zgjedhjeve të shtetit.
Në atë proces gjyqësor, fushata e Trump ishte ankuar se vëzhguesit e saj nuk ishin në gjendje të kontrollonin fletëvotimet me postë ndërsa po përpunoheshin në dy bastione demokrate, Filadelfia dhe qarkun Alegeno, që përfshin Pitsburgun.
Avokatët Presidentit Trump premtuan të apelojnë në Gjykatën e Lartë pavarësisht vlerësimit të gjyqtarëve se “pretendimet e fushatës nuk kanë asnjë meritë”.
zëri i amerikës
Komentet