Pas largimit te murgut basilian N. Rodinò, Propoganda Fide dёrgoi nё Himarё misionarin Simeone Laskaris njё jeromonak grek, i cili ishte prezantur para autoriteteve te kishes si arkimandriti i Kostantinopolit. Ne letren e 15 gushtit 1657, Simeone tregon se kur ndodhej per vizite ne Venecia, u konvertua katolik dhe per kete u persekutua nga komuniteti grek venecian, per çka u detyrua te largohet. Fillimisht shkoi ne nje manastir nё Ferrara e me pas ne Ankona, ku e priti Arkiveskovi, i cili i dha nje leter rekomandimi per sekretarin e Propogandes Fida. Murgu Simeone shkoi nё Romё, pёr tё dёshmuar devocionin si katolik dhe per të marrë mbeshtetjen e Propogandës Fide (Cfr. Arch. di Propaganda, vol. 26, ad Congregationem 10 dicembre 1657) (Pietro Di Marco:Il Monastero di Mezzojuso nella storia culturale arbëreshe: Medieval Sophie 02. 12. 2007).
Gjatë mujve te qendrimit ne Romë, i kërkoi sekretarit të Propogandës Fide, ta pranonin në seminar per te studiuar, si shprehet ne leter-kerkesen: “Te mesoj sa me shume, qe t’i ndihmoj te tjeret kur te kthehem”. Pasi perfundoi studimet, Propoganga Fide vendosi ta dërgoi misionar në Himarë, ku ndihej mungesa e një figure klerikale qendrore. Nderkohe qe ndodhej ende ne Rome, beri kerkese t’i jepnin parà per te blere libra dhe veshjet e pershtateshme, si dhe per te paguar udhetimin. (Arch. Propag. Atti vol 27, 16 gennaio 1658, Nr 8, Fol 10)
Vizita e pare ne Himarë ishte e shkurter, vetem dy muaj, por kur u rikthye në Romë, i çuditi të gjithë kur u prezentua me veshjen dhe me dinjitetin e Kryeipeshkëvit të Durrësit.
Murgu Laskaris është një figurë misterioze dhe e dyshimtë, pasi ka kryer veprime dhe ka mbajt qëndrime, që e kanë preokupuar Selinë e Shenjtë dhe Bashkёsinë e Propogandës Fide.
Edhe himariotet, nuk kishin konsiderata për Imzot Simeone, madje e kishin kritikuar, sepse ai për kohë të gjatë i braktisi dhe bridhte sa në Romë e në Napoli, deri sa u detyruan t’i shkruajnë Papës, që ta urdhëronte të kthehej në Himarë.
Emërimin Ipeshkëv i Durrësit e mori nga Patriarku i Ohrit, Hirësia e tij Atanasio II Muzaka, i cili e cilëson Simeone Laskaris:“Orator i devotshëm i kishës katolike dhe besnik i Propogandës Fide”.
Për këtë eveniment, Imzot Simeone në njё relacion te vitit 1658 derguar sekretarisë të Propogandës Fide shkruan:“… Pasi u nisa nga Roma, qёndrova disa ditë nё Mbretёrinё e Napolit dhe mё pas nga Otranto zbarkova në Himarë, qytet i Albania, që është ngritur kundër pushtetit Otoman. Kёtu jeton një popull, që dhe pse flasin në emër të Zotit, janë të përfshirë në mbrapshtina dhe nuk ka asnjë që t’i ndëshkoi. Ata nën predikimet e Ungjillit të Shenjtë, bëjnë thirrje, që krahina e tyre të marri formën e një Republike, me institucionet e magjistraturës dhe gjykatësit e vet, që do të mbajnë drejtësi. Më pas kalova në popullatat fqinje ku më pritën mirë. Atyre u fola per gabimet, që kishin bërë dhe priftërinjëve tё paditur, iu mësova format themelore të konsakrimit, si kryhet rrëfimi dhe mënyrat e zgjidhjes të mëkateve.
Nga këtu kalova në Vunnè (Vunò), Ciglia (?), Ites (?), Balassa (Palasa), Ducudes (Dukati), Randima (Radhima) e së fundi arrijta ne qytetin Belgradi (Berat), që është qendra e një Dioqeze të Patriarkanës shizmike të Akridonia (Ohri), ku predikova me shumë lehtësi fjalën e Zotit. Bujta te Patriarku për pak kohë. Atij i fola për Autoritetin Suprem të Pontifikatit te Romёs, për unitetin e kishës, duke i treguar përzemërsinë, si takohen dhe përqafohen prelatët tanë, me priftërinj Oriental (të lindjes)….”.
Në këtë relacion, Imzot Laskaris i quan himarjotët të mbrapshtë, sepse ata kërkonin pavarësinë dhe organizimin e Provincës në republikë. Edhe pse me keqdashie i kritikon, por duke theksuar kerkesën e popullit, per t’u organizuar në Republikё, ai shpreh shpirtin liridashës të himarjotëve dhe kulturën europiane, qё e tregonin me kërkesën e tyre të drejtë për shnderrimin e Provinces Autonome te Himares nё Republikë të pavarur.
Në këtë intinerar udhёtimesh, Imzot Simeone Laskaris dokumenton një varg fshatrash të bregdetit, ku funksiononin kisha katolike, ku predikoi ungjillin. Ndërmjet tyre përmend fshatin Ciglia (Çilia), tё cilin ne vitin 1820 e kishte vizituar dhe Puqueville, të cilin e quan Chilio-Resti (Kilio – Resti), si dhe fshatin tjetër Ites, që aktualisht nuk ekzistojnë, por na bën të mendojmë se dikur ishin lagje periferike të Vunoit, ku ishin dhe kishat, ose kapellat, ku Ai kishte predikuar, por më pas, me shtimin e banesave dhe zgjerimin e territorit, besohet se janë përfshirë e njësuar me Vunoin.
Me këtë relacion, informohemi se Hirësia e tij Atanasio II, Patrarku i Ohrit, e emëroi At Simeone Laskaris, Arkipeshkop të Durrësi, akt që e konkretizoi me një “Commendatizie”, një lloj dipllome, apo Bule që ia dorëzoi Imzot Simeone, tё ngarkuar me autoritetin e Krye Ipeshkëvit të Durrësit, te shoqeruar me nje leter drejtuar Papa Aleksandri VII.
Vendimin e Hirёsisё sё tij Atanasio II, e aprovuan në mirekuptim të plotë dhe bashkëministrat e tij (comministris), të cilët i rendit nё letrёn shoqёruese, qё i dorёzoi Imzot Laskaris dhe pikёrisht: Peshkopin e Strugës (Struminze) dhe Kosturit (Castoriae) Dom Arsenio, tё Bilishtit (Bilissi) Dom Neofiti, tё Bodonorum (?) Dom Bessari, tё Korçës (Coritziae) Dom Gregori, tё Gorës dhe Mokrёs (Gorae et Michae) Dom Germano, tё Syssenii (?) Dom Partenio, tё Beratit Dom Daniele, tё Krujës (Cruorum) Dom Gaabrieli, tё Shpatit (Zapatriae) Dom Nektario, tё Vlorës (Avlonae) dhe Cassoni (Kasoni ?) Dom Laurenci. Ipeshkevitë e Bodonorum, Syssenii dhe Cassoni, kanë mbetur të pa identifikuara e nuk dihet se cilat treva ishin me kёto emёra në shekullin XVII.
Në këtë relacion, për tё justifikuar veprimet e tij dhe marrjen e diplomёs tё lёshuar nga Patriarku i Ohrit, Simeone shkruan: “Dёshironte tё vinte Patriarku personalisht ad Limina Apostolorum, pёr tё dёshmuar bashkimin me Kishёn Romane, por pёr arsye tё impenjimeve, u mjaftua tё dёrgoi njё letёr dhe ngarkoi 30 fisnikё tё atyre trojeve, tё mё shoqëronin deri nё Leçe tё Provincёs sё Otrantos, ku na pritёn me dashamirёsi dhe na uruan mirёseardhjen Mëkëmbësi i Mbretit dhe Ipeshkëvi, të cilët na shoqёruan nё shtёpitё e tyre”.
Edward Lear: 25 tetor 1845. Pejsazh i Himarёs Pashk Pervathi: Potam Himarё. 15. 05. 2009
Lidhur me kёto tё dhёna, At Nilo Borshi sqaron se shprehja ad limina Apostolorum, do tё thotё, se Patriarku i Ohrit dëshironte tё vinte personalisht, pёr tё prezantuar vendimin e shkruar tё shpalljes Kryeipeshkëvi i Durrёsit, por impenjimet apostolike e penguan tё merrte kёtё udhёtim.
Nё vazhdim tё relacionit Imzot Laskaris gabon duke e quajtur Patriarku dhe Patriarkana e Ohrit, pasi nё fakt vazhdonte tё ishte seli Arkiipeshkёvie, madje qё nё kohёn e Perandorit Justiniani, i cili me qё kishte lindur nё Ohёr, e quajti Vescovato Iustiniana prima, pёr çka e deklaroi Patriarkat, me kuptimin se dominonte ipeshkevitё e vendeve ballkanike Serbia, Bullgaria, Albania, Maqedonia e Dytё dhe Ponte Dyttico (vendet e dy detrave ne lindje). (Nilo Borgia: I monaci basiliani d’Italia in Albania. Secoli XVI – XVIII. Roma 1935).
Nga ky relacion, tё krijohet pёrshtypja se Imzot Laskaris po krijonte kishёn Unite, por nё fakt nuk ёshtё e vёrtetё, sepse ipeshkevitё dhe dioqezat shufragane tё atyre trevave ishin ende katolike.
Një rrethanë interesante e kësaj letre të Imzot Laskaris, është se për herë të parë e quan shizmike Patriarkanën e Ohrit, e cila deri në fund te shekullit XVIII ishte katolike, si dëshmojne dokumentat e arkivit te Propogandes Fide.
Historiani Bruno Lavagnini, ne vepren “Monaci cretesi a Mezzojuso, il Patriarca Atanasio II e la sede di Ochride” botim i vitit 1963, tregon se Patriarkana e Ohrit në këtë periudhë ishte katolike, si vërtetohet me letrën e 12 marsit 1669, e Patriarkut Atanasio II Muzaka, që i drejtonte Prefektit të Propogandës Fide, ku ndёr tё tjera e falenderon per 28 skudet, që i kishin dërguar, madje shkruan “më vlejnë për të mbёshtetur pleqërinë time te varfer”, (Archivio di Prpoganda Fide S. R. Vol I Albania, 1640 – 1672, faqe 120). Letra është e shkruar në greqisht, ndërsa në fund e ka shkruar dhe firmosur ne gjuhen italiane: “D. Athanasio Musachi, patriarca d’Ocrida”.
Nё kёtё letёr drejtuar Kardinaleve tё Kongregacionit tё Propogandёs Fide, patriarku Atanasio II, u rikujton atyre, se Papa Aleksandri VII, e kishte ftuar tё shkonte nё Vatikan, pёr ta pritur sё bashku me prelatet e tjerё tё Kishёs Katolike.
Imzot Siemone Laskaris, ndërmjet të tjerave kёrkon dhe mёsues për shkollat: “Nё kёto anё ёshtё e nevojёshme tё vijnё mjeshtrat e shkencёs, sidomos nё Provincёn e Himarёs, qё t’i mёsojnё fёmijёve Doktrinёn e Krishtenё dhe t’iu ndriçojnё tё vёrteten. Mbi tё gjitha, banorёt kёrkojnё tё pranoni nё ndonjё kolegj katёr djema, ndёrmjet tё cileve dhe nipin e Patriarkut, qё tё edukohen e tё mёsojnё shkencёn…”. (Archivio di Propoganda. Vol 28 – 1659. Ad Congregationem del 30 giugno, Num. 30, Fol. 108).
Ndonëse ishte Kryeipeshkëv i Durresit, kolegji i Kardinaleve vendosi ta dergoi misionar në Himarё, për të predikuar Ungjillin në popullin e martirizuar të kësaj Province. Nё fund të vitit 1660, Imzot Laskaris u detyrua të rikthehej në Chimarra Albaniae. Ai mori me vehte shumë materiale liturgjike, nje ikonostas dhe disa paisje të argjendëta, të cilat Propoganda Fide ia dërgonte si dhuratë Hirësisë së tij Atanasio II Muzaka, Patriarkut të Ohrit.
Për sa i perket rikthimit ne Himarё të Imzot Laskaris duket se ndikoi shumë letra e guvernatoreve dhe e popullit himarjot, që i dërguan kolegjit të Kardinalëve, të cilën po e prezantoj në vazhdim:
Shumë të Lartit Kardinala dhe Zotërit tanë,
me pergjërim iu lutemi ne kristianët e Himarës.
Ne u gëzuam kur u nis për në Romë Imzot Metropoliti Simeone i Durrësit, duke shpresuar se kësisoj do të ndreqni shumë gjëra për ne, që jemi shërbëtor të Lartesive tuaja. Por jemi shumë të pikëlluar, pasi që kur Imzot Simeone u nis me barkë për në Pulia, Lartesite tuaja vazhdoni ta mbani në Romë.
Për këtë arsye, ne të gjithë bashkëkryetarët e kësaj toke, me zemër ju përgjërohemi, që të mos e lejoni të rrije më gjate dhe mos na lini pa udhëheqësin shpirteror, pasi shumë të keqia na kanë ndodhur në vendet tona dhe rrezikohet që populli të humbi rrugën e drejtë të Zotit, që ka ndjekur deri tani, nën doktrinën e shenjtë dhe nga shembujt e mirë……
Ne shërbetorët tuaj i jemi lutur Imzot Metropolitit tonë, që t’i u prezantoi nevojat që kemi dhe t’i u tregoi se prej shumë vitesh nuk i bindemi turkut të pabesë dhe se kemi shumë nevoja e shpresojmë të marrim ndihma nga Kisha e Shenjtë, që është Nëna e Jonë.
Përsëri i i vejmë në dijeni Lartësitë tuaja, se i bindemi Imzot Simeone i Durrësit, pasi jemi pa kisha dhe priftërinjt tanë nuk i ushtrojnë sherbimet e shenjta. Nga mosfunksionimi i kishave, ne presim të arrijë Peshkopi yne Simeone e të na zgjidhi mëkatet.
Rreth kresmës së shenjtë, i kemi thënë Imzot Simeone, se femijët tanë nuk kanë bërë kresmën që prej 20 vitesh dhe se prifterinjt tanë nuk kanë libra lutjesh dhe as materiale për katekizmën.
Ne kemi shumë gjëra për t’iu thënë, por e dimë se Imzot Simeone i Durrësit, si At i tokave tona dhe i kishave tona, i zgjedhur nga ne populli i Krishtit, do t’i u informoi për të gjitha.
Ne guvernatorët e Himarës dhe i gjithë populli i Krishtit, ju puthim duart tuaja të shenjta.
Nga Himara, 4 Janar 1660
Lartësive Tuaja nga shërbëtorët tuaj të përvuajur:
Guvernatorët e Himarës: GICONTE (Gjikonte), STRANGIOCA (Strangjoka), DUNA GOUTIS (Gutis) NICOLA ZACHNA (Zakna), STRANGIOCA – PLAKU, BARFI, CONGIONI (Kongjoni), DIMASTIRI, CHILI (Kili), MICHELE DEMA (Mikele).
Unë, Eustachio (Eustakio) prift dhe protonotario i HIMARËS, i kam shkruar këto të thëna më sipër, ne prani te gjithe popullit dhe i kam vulosur me vulën e komunitetit.
Nëpjesën e sipërme të anës së djathtë të letrës, është shënuar 6 Mars 1660, që është data e dorëzimit të letrës në Propoganda Fide.
Nga kjo letër, kuptohet se populli i Provincës së Himarës kërkonte, që Imzot Simeoni të ishte i pranishëm në jetën shpirtërore të besimtarëve. Mungesa e tij kishte vështirësuar zhvillimin e kresmës (bagemi), sepse sipas rregullave të kishës katolike, krisma bekohej së pari nga Krye Ipeshkevi e më pas i shpërndahej Ipeshkëve dhe këta ia kalonin priftërinjëve të famullive, që e kryenin së bashku me pagëzimin.
Nga sa shkruhet në leter, kuptohet se kjo proçedure nuk funksiononte mirë prej disavitesh dhe në krijimin e këtyre vështirësive, kish ndikuar mungesa e pa justifikuar e Kryeipeshkëvit Laskaris.
Nga kjo leter kuptohet se komuniteti himariot kishte dhe vulën e vet, për të zyrtarizuar dokumentat dhe letrat, por kishte dhe stemen e vet helardike, qe do ta trajtoj ne shkrimet e ardheshme.
Guvernatorët e Provinces së Himarës ishin tё preokupuar për këto mungesa dhe kërkonin me insistim nga Propoganda Fide, të ndihmonte për të ruajtur besimin katolik dhe të mos braktisej populli, të mos i mohohej prania e udhëheqësit shpirtëror.
Nga ana tjetër, nga kjo letër dalin shumë pikepyetje per Imzot Laskaris. Çfare roli ka luajtur Ai në traktativat me Vatikanin? Ishte me të vertete personi i duhur? A ndihmoi për dërgimin e ndihmave dhe të armatimeve himarjoteve? Si ishin informuar himarjotët për largimin e tij dhe bredhjet sa në Romë e në Napoli? Per keto dyshime e sjellje jo korrekte Propoganda Fide ngarkoi seekretarin e saj Imzot Mario Alberici tё hetonte rreth aktivitetit te te Imzot Laskaris, arkiipeshkevi i Durresit dhe Prefektit Apostolik te Himares.
Pavarësisht nga këto paqartësi e dyshime, më së fundi Selia e Shenjtë vendosi ta dërgoi Imzot Simeone Laskaris misionar në Himarë, si dokumentohet në letren e vitit 1660, e firmosur nga Papa Aleksandri VII (Kardinali Chigi). (Arch. Vat. Vescovi 45, 1660, Fol 188-313).
Megjithëse ishte urdhëruar të nisej për në Himarën Albaneze, Imzot Simeone, vazhdoi të qëndroi në Napoli deri ne fund të shtatorit 1660, si dëshmohet nga dy letra, që Ai i dërgon Sekretarit të Propogandes Fide.
Ne letrën e 11 shtator 1660, Imzot Simeone, për të justifikuar mungesën e tij shkruan:
“… nga Provinca e Himarës të Albanisë, kanë ardhur dy të dërguarit e popullit, për të treguar devotshmërinë dhe bindjen e popullit ndaj Selisë së Shenjtë … Unë me devocion dhe i bindur ndaj Selisë së Shenjtë Apostolike Romane, ju tregoj se prej dy vjetesh, ky popull ka ndjekur predikimet e Mëkëmbësit tim… e pasi nuk pritën kthimin tim, erdhën te Lartësia e Juaj, për të prezantuar letrën me kerkesën, që të rikthehem ne Himarë ….”.
Letra nё fund ka shkrimin: Napoli, 11 shtator 1660, firmosur nga Imzot Simeone Laskaris,
Arkiipeshkevi i Durrёsit.
Pra si kuptohet, ai nuk tregon kush ishte mëkëmbësi i tij dhe rezulton se letrën e më sipërme me kerkesat e guvernatoreve dhe te popullit, e kishin dorëzuar ne sekretarinë e Propogandës Fide, dy të deleguarit e popullit të Himarës.
Përgjigjia e Kardinalit ishte e shpejtë e ndonëse nuk është gjetur letra origjinale, kjo kuptohet nga kundërpërgjigjia e Imzot Simeone, i cili me 26 shtator 1660, ndër të tjera shkruan: “… me lutje Zotit dhe Lartësisë tuaj, për sa do të jetoj, do të jem shërbëtori i Selisë së Shenjtë Apostolike dhe do të zbatoj çdo detyrë, pa përfillur asnjë rrezik në shërbim të Zotit.
Imzot Nuncio Apostolik më komunikoi urdhërin e Zotërisë Tuaj e së shpejti do kthehen dhe ata të dy të parisë së Himarës, prandaj po dërgoj një nga njerëzit e mi t’i shoqerojnë, sepse ata nuk e kuptojnë mirë italishten. Për nisjen time, po pres urdhërin e Zotërisë Tuaj e pasi të mbledh dhe gjërat e tjera, që më duhen….
Ju lutem Lartesisë Tuaj, këta persona të nisen sa me parë, pasi me kanë thënë se do të më presin e do të më shoqërojnë sipas rregullave të ketij populli…”
Të dy këto letra janë nënshkruar:
“Lartësisë tuaj të nderuar, i devotshmi dhe shërbëtori i juaj Simeone Laskari, Arkiveskovi i Durrësit”.
Napoli, 26 shtator 1660,
Imzot Simeone Laskaris, Arkiipeshkevi i Durrёsit.
At Nilo Borshi thotë se përgjigjiet e letrave nga Selia e Shenjtë nuk janë gjetur, por ka mundësi që ato t’i jenë dorëzuar dy priftërinjëve, që do ta shoqeronin Imzot Simeone për në Himarë. Ndërkohe, Imzot Simeone vazhdonte të qendronte në Napoli, por ne fund te vitit, u detyrua të nisej për në Himarë, i shoqeruar nga dy misionarët, Dom Onofrio Kostantini dhe Dom Andrea Stanila.
Lajmin e pranisë të Imzot Simeone në Himarë e konfirmon bashkëmisionari i tij, Dom Andrea Arkadio Stanila, i cili këto ngjarje i përmbledh shkurtimisht në kujtimet e tij: “… Imzot Arkiveskovi i Durrësit, pasi u rikthye nga Patriarkana e Ohrit, kaloi ne Himarë dhe me predikimet e ushtrimet e tij shpirterore, filloj të fitoj zemrat e këtij populli. Në kohën kur ishte në Romë, shkuan tre të deleguar të Himarës, të cilet i u lutën Shenjtërisë së tij Papa Aleksanderi i VII, që të denjonte me mirëdashje të dërgonte Arkiveskovin e Durrësit, si Prefekt të Provincës së Himares, për të drejtuar shpirtërat e mjerë. Dhe në letrat e mëparëshme të guvernatorëve dhe të popullit himarjot, që i kishin dërguar me misionaret e tjerë direkt Imzot Simeone, kur ai ndodhej në Napoli, i kishin kërkuar atij, që të vinte në Himarë” (Arkiv. Vatikanit. Korolevski. Fasc.II, Pag 58).
Nga këto dokumenta kuptohet qёndrimi jo i qartë e tepër misterioz i Imzot Simeone.
Imzot Simeone, në letrat e tij ai flet per dy të deleguarit e Provincës se Himarës, ndërsa Dom Andrea Arkadio Stanila, flet për tre të deleguar të parisë himarjote, çka na bind se është më i saktë dhe më i besueshëm.
Gjithashtu, në korespondencën me Romën, Imzot Simeone shkruan për vizitën e Patrarkut të Ohrit në Himarë, që sipas tij u prit me nderime. Rreth kesaj ngjarje, Ai ka krijuar shume alibi, që nuk janë bindëse. Në një relacion dërguar Propogandës Fide, ai ankohet per sjellje mospërfillëse të misionarit Dom Onofrio Kostantini, sepse“Ai nuk denjoi të shkoi ta takoi Patriarkun”.
Kjo kritikë kuptohet se ishte tendencioze. Në se Patriarku i Ohrit, me të vertetë do të kishte vizituar Himarën, takimi me Dom Kostantinin ishte i pashmangshëm, pasi ai ishte famulltari i katedrales, ku do të zhvillohej mesha dhe ritualet e tjera liturgjike për nder të Patriarkut.
Sipas At Nilo Borshi, është pak e besueshme, që për moshën e nadhe dhe shendetin e lig, Patriarku të ketë kryer këtë vizite, çka na bën të mendojmë, se keto ishin trillime të grekut Simeon Laskaris, një dhelpërak aventurier, që kërkonte të fitonte simpatinë e Vatikanit, duke u prezantuar si një misionar, që po mbronte fenë katolike në këto treva.
Aktiviteteve te dyshimta dhe mashtrimeve të Simeone Laskaris, iu erdhi fundi në vitin 1663. Kolegji i Kardinaleve i Kongregacionit te Shenjtë i Propogandës Fide, pasi u bind për punët e panderëshme dhe dobësimin e aktiviteve kishtare, e shkarkoi dhe e largoi nga misioni (Arkivio Propaganda Fide. Atti 1663, Vol 32).
Pasi u strehua për pak kohë në Korfuz, Laskaris më pas shkoi në Spanjë, ku vdiq në vitin 1689.
Në fund të shekullit XVII, në Provincën e Himares mbetën dy misionar: Dom Onofrio Kostantini dhe Dom Andre Arkadio Stanila. Me këta dy prelat fillon një periudhë e re, plot me ngjarje, ku At Stanila dhe At Kostantini bёhen protagonista krah popullit patriot tё Provincёs sё Himarёs.
Vijon …
Komentet