Për një dekadë radhazi Hashim kryeministri, Hashim dallaverja, vazhdon të provokojë, madje deri në tërbim, shqiptarët hallexhinj të Kosovës. Si duket, ai edhe gjatë natës mendon për një poshtërsi të nesërme!
Zi e më zi për shqiptarët
Qysh me uljen në karrikën e kryeministrit, një dekadë më parë dhe në vijimësi, ai ka menduar dhe vepruar zi e më zi për shqiptarët dhe Kosovën.
1.- Duke shpërfillur të gjitha institucionet legjitime të Kosovës, tenderoi pasuritë e patundshme shtetërore, me vlerësime jashtë çdo standardi, duke përvehtësuar shuma të konsiderueshme për vete dhe bandën e tij, e cila e solli në kupolë të partisë dhe të pushtetit. Me këto veprime, konsumoi, në plotni, krimin e rëndë të shpërdorimit të pasurive të brezave të ardhshme të Kosovës.
2. – I shantazhuar nga Serbia, për krimet faktike, tashmë, të kryera, gjatë dhe pas luftës së Kosovës, duke vrarë shqiptarë të pafajshëm, nga SHIK-u i tij, kryesisht, kundërshtarët politikë, ushtarakët dhe veprimtarët e Ibrahim Rugovës, Hashimi nismoi bërjen e Serbisë hisedare në Kosovë. Projekti ogurëzi i protestave të mars-prillit 2004, në përkalljen e shtëpive dhe të kishave serbe në Kosovë, ishte vendimtar për decentralizimin e pushtetit lokal në Kosovë, duke kaluar nëpër etapa: enklava, komuna dhe deri ke Bashkësia komunare, “Zejednica”.
Pazaret e pista me zyrtarët e Beogradit
I gjithë ky proces u bë në fshehtësi, më sakt, legalizimi i disa bisedave teknike, për lëvizje të lirë dhe përrallosje tjera, duke mohuar çfarëdo dallaveresh politike. Për biseda e marrëveshje klandestine, u përdor një zonjushë e pudrosur dhe neveritëse. Qytetarë, opozitarë dhe pushtetarë, pavarësisht nga përkatësia partiake, i kërkuan Hashim kryeministrit transparencë të marrëveshjeve në Parlament. Por, ai shpërfilli kërkesën, duke vazhduar pazaret e pista me zyrtarët e Beogradit, madje krejt i shpenguar nga institucionet e Kosovës!
E njëjta praktikë u ndoq edhe për përcaktimin e kufirit shtetëror me Malin e Zi, këtë herë, duke emëruar një specialist për vijëzimin hartografik. Ishte fort përtallëse bazimi në hartën e 1974-ës, kur shënimin e kufirit e kanë bërë zyrtarët e Jugosllavisë pushtuese! Për rrjedhojë, me Demarkacionin aktual, Kosova del humbëse për disa mijëra hektarë sipërfaqe tokësore. A nuk janë këto veprime tërbuese të Hashim kryeministrit dje dhe të zëvendës-kryeministrit sot?!
3. – Politika klienteliste, nepotike dhe, fatalisht, provinciale e Hashimit, ka krijuar një preçedencë neveritëse, të cilën po e lakmojnë edhe shefat e partive tjera. Ai ka shembur rregulloren dhe statutin partiak, për t´u plotëfuqizuar dhe strukturat e partisë i përdorë si referencë, për mbrojtjen nga “gojët e këqija”. Në metodën,”yrrnekun” hashimist, vepruan edhe shefat e partive tjera, të cilët evituan, shmangën çfarëdo konkurrence, përballje me kandidatë të dytë apo të tretë në “kuvendet zgjedhore” partiake të tyre. E thojëzojmë këtë, sepse këto procese, kinse, “zgjedhore”, mund t`i quash çfarë të duash tjetër, por jo edhe “kuvende zgjedhore” partiake. Dhe, këtë praktikë të prepotencës, mujëshisë dhe të rrugaçërisë të skajshme, e përdorin për firmosje të marrëveshjeve kapitale shtetërore, duke provokuar popullin e mjeruar dhe të poshtëruar të Kosovës.
4. – Në provokimet e tij, karshi popullit të Kosovës, Hashimi ka shkuar shumë larg. Krejt për inat, me poshtërësinë që e karakterizon, Hashimi provokon Familjen e Fehmi Aganit: shumë qindra studentë të Fehmi Aganit; anëtarësinë e LDK-së, si dhe shqiptarët, që kanë ndjesi njerëzore, kur emërton autorrugën Prishtinë-Kaçanik me emrin “Arbër Xhaferi”, organizator i vrasjes të Fehmi Aganit. Duke qenë agjent i hershëm maqedonas dhe jugosllav, duke e urryer profesor Fehmiun, qysh në gjallje të tij, duke qenë argat i LPK-së dhe i Sigurimi Shqiptar, pazaret e bëra në Evropë dhe Tiranë, do të rezultonin me ndërhyrjen e Arbrit për kthimin prapa të trenit, brenda të cilit ishte profesor Fehmi Agani si dhe sinjalizimin e Sigurimit serb për këtë veprim.
Puçi i Xhaferit ndaj “Iliridës”
Kur subjekti politik “Partia e Prosperitetit Demokratik”, me qendër në Tetovë, e themeluar nga Nevzat Halili me shokë, po masivizohej dhe mori nismën shumë domëthënëse për konturimin e “Iliridës” shqiptare, brenda Maqedonisë, si premisë për kalimin e faktorit shqiptar në statusin shtet-formues, zyrtarët maqedonas u shqetësuan. Andaj parashutuan në krye të kësaj partie të zëshme, agjentin, tashmë, të trefishtë: Serbisë, Maqedonisë dhe të Shqipërisë, Arbër Xhaferin. Me ndihmën e drejtëpërdrejtë të Sigurimit maqedonas, bëri puç brenda partisë të drejtuar nga Nevzat Halili.
Arbër Xhaferi, dhelpërisht, donte ta legalizonte puçin e tij, andaj provoi ta kontaktonte Presidentin Rugova, i cili kryesonte edhe Këshillin e Partive Politike të Shqiptarëve në ish-Jugosllavi, ku bënte pjesë edhe Partia e Prosperitetit Demokratik, me seli në Tetovë. Por, Dr. Rugova ishte kundër praktikave puçiste dhe refuzoi ta kontaktonte. Ndërkohë, në Tiranë hasi në mirëkuptim! Madje, dy emisarë, anëtarë të Kryesisë të PDSH-së, i vajtën për vizitë në Tetovë, duke e njohur Arbrin kryetar të PPD-së në Maqedoni.
Puçin partiak do ta mësonim në hollësi nga takimi që patëm me zotërinjtë Nevzar Halili dhe Muhamet Halili. Enkas udhëtova për Shkodër, në shtëpinë e Ali Spahisë, nënkryetar i PDSH-së.
– Pse i jipni mbështetje një agjenti të shumëfishtë, – ishte pyetja ime e drejtëpërdrejtë?
– “Unë isha argat i shefit tim”,- u gjegj Aliu i penduar, sepse Arbri kaloi në origjinë, lidhi miqësi me social-komunistët, të kryesuar nga Nano. Përndryshe, Ali Spahija ishte njeri i mirë, i sinqertë, i fjalës dhe i besës, me origjinë nga Kosova. Ai ka vuajtur burgun politik. Nuk pranoi ta prishte miqësinë me Vëllezërit Shala, të cilët jetonin në Tiranë. Motrën e kishte të martuar për Kadri Shalën, burgaxhi politik me gjithë vëllezër dhe nipër. Shaljanët e Tiranës ishin kushërinj të Ramadan Shalës nga Peja, ish i burgosur shumëvjeçarë politik në Kosovë. Për të njëjtin rast e pyeta kryeministrin Bujar Bukoshi dhe ai ishte në një linjë me Tiranën se “Nevzati na thotë dakord, por vepron krye në vete”!?
A janë të çmontueshme marrëveshjet?
Çuditërisht, shumica absolute e analistëve thonë se “ka mbaruar gjithçka; se me kot proteston e zhurmon opozita; se është firmosur në prani të ndërkombëtarëve; se po humbasim mbështetjen e miqve tanë” dhe shumëçka tjetër, për ta dekurajuar, për ta nënshtruar e përtokur opozitën dhe, në të njëjtën kohë, për ta mashtruar e qetësuar popullin e shqetësuar nga provokimet e përsëritura dhe tërbuese të Hashim kryeministrit me “sejmenët” e tij.
Pamundësia e çmontimit është një shpikje e shpifje e pushtetarëve aktualë dhe e tellallëve të tyre të bollshëm, të kualifikuar për agjitim shpifarak e rrenacak. Pamundësia e çmontimit demantohet bindshëm se “Zajednica” do t`i nënshtrohet gjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Demarkacioni i nënshtrohet Parlamentit. Derisa Kushtetutja mund ta çmontojë, pse të mos e çmontojë Parlamenti, organ që e ka krijuar Kushtetutën?! Hej, analistë, mos u bëni banalistë!!! Gabimet, fajësitë në politikë kanë kosto të lartë.
Opozita ka plotësisht të drejtë të mos e besojë as Gjykatën Kushtetuese dhe as Parlamentin. Organizata kriminale SHIK ka filluar kriminalizimin e organeve dhe të institucioneve shtetërore qysh në krijimin e saj. Kjo organizatë, duke shfrytëzuar ndikimin e madh që kishin në Universitetin e Tiranës profesorët: Rexhep Mejdani, Skënder Gjinushi, Fatos Klosi, si pedagogë të lëndëve ekzakte: fizikë, matematikë, i kishin në dorë pedagogët e fakulteteve tjera, me ndërmjetësues Paskal Milon, i cili shërbente “si shoshë m…”, – siç thonë shqiptarët e atjeshëm, për rastet e kësaj natyre, eksponentët, kuadrot e LPK-së, krahu vrastar i Jusuf Gërvallës, u pajisën me diploma fakulteti, edhepse, shumë syrësh, nuk kishin kryer as shkollën e mesme!!
Kjo nguti, për blerje diplomash,u bë për të mos i kushtëzuar për poste të larta dhe, në veçanti, për deputet, sepse thyerja lehtësisht të deputetëve të pashkolluar në marrjen e autonomisë nga Serbia, e shtyri Dr. Ibrahim Rugovën që, kandidimin për deputet, ta kushtëzon me pasjen e diplomës të fakultetit. Rrjedhimisht, sot kemi një administratë kurruptive dhe kriminale, e cila vendimet i merr, jo në bazë të ligjeve dhe të kushtetutshmërisë, por nga shefat pushtetarë, që ata i kanë emëruar!
KËRCËNIMET E SHIK-ut: DO T`JU KARBONIZOJMË SI SHABAN MANIN TUAJ!”
Pse është bërë edhe Parlamenti i pabesueshëm?
Një jetë nën pushtim të përhershëm, rrjedhimisht, një jetë e padinjitetshme, duke qenë vetëm zbatues urdhërash, pa të drejtë kundërshtie. Dhe, kjo normë e zbatuar edhe në Kosovën e lirë, ku shefat e partive politike, për ta ruajtur pushtetin e tyre absolut, i referohen, pra, pa zë dhe pa emër, Stalinit, pse jo, edhe Hitlerit, duke seleksionuar dhe ofruar servil, të bindur.
Dhe, nëse dikush mendon apo don të veprojë ndryshe, fillimisht, injorohet dhe, më pastaj, hidhet në rrugë, i pa punë, duke e kërcënuar me uri familjen dhe atë. Me shefat stalinistë aktualë, po tallet edhe ish-kuadri i lartë i nomenklaturës komuniste, Azem Vllasi: “Ne, titistët, i largonim nga pozita, por jo edhe nga nëpunësia. Kurse këta shefat e sotëm t`i lanë fëmijtë pa bukë”!
Kundërshtia e Gjykatës Speciale – gabim fatal i opozitës
Në Kosovën tonë ka ndodhur krimi i rëndë dhe faktik. LPK-ja, përkatësisht, shefat e saj, hafije të hershëm të UDB-së, të instruktuar nga banda enveriste në pushtet, në Tiranë, krijuan organizatën fashizoide – terroriste SHIK, të kryesuar nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, për ta spostuar e mundur Ibrahim Rugovën dhe Lëvizjen e tij Kombëtare LDK-në. Krimet e filluara gjatë luftës, i vazhduan edhe pas luftës. Objektiv i goditjes tmerruese ishin ushtarakët institucionalë të FARK-ut dhe kuadrot e veprimtarët e LDK-së të Ibrahim Rugovës. Veprimet tërbuese ishin vijimësi të krimeve makabre të Millosheviçit, me bandën tij policore e paramilitare.
Egërsia banditeske e SHIK-ut kalonte çdo përmasë të urrejtjes. Ekzekutimet në pusira dhe errësirë të kundërshtarëve politikë, në disa raste, ia kalonin edhe bandave serbe. Atentatimet, me armët e rënda e zhurmuese, në oborret e shtëpive, janë akte të terrorizmit unik në hapësirat ballkanike dhe evropiane. Rasti i kryetarit të LDK-së të Istogut, avokat Shaban Manaj, i kidnapuar në shtëpi, i torturuar deri në vdekje në Ozdrim të Drenicës, i djegur, deri në karbonizim, është dëshmi e tërbimit enorm. Krimin kundër Manaj e pranojnë hapur banditët e SHIK-ut, kur kërcënojnë aktivistët e LDK-së: “Do t`ju karbonizojmë si Shaban Manin tuaj!”
Megjithatë, banditët e SHIK-ut dhe të krimit janë të lirë; janë profiterët më të mëdhenj në Kosovë; janë kuadro në të gjitha institucionet vitale të Kosovës; janë katapultuar në kupolë të pushtetit dhe të shtetit! Dhe, kanë kaluar 16 vite të çlirimit të Kosovës nga NATO (dhe jo nga UÇK-ja), siç duan ta falsifikojnë historinë mburravecët e “Rognerit” dhe të Bllokut të zi të Tiranës dhe, gjykatat e bollshme të Kosovës, nuk kanë arritur jo vetëm t`i dënojnë e ndëshkojnë, por as të mos i pengojnë në krimet e tyre sot, siç janë tenderimet korruptive, marrëveshjet kundra-kommbëtare dhe pisllëqe tjera neveritëse.
SHIK-u vrastar
Opinioni, populli i Kosovës është skandalizuar kur ka dëgjuar “gjykatës” shqiptarë, duke thënë: “Unë nuk isha dakord me vendimin e gjyqtarëve ndërkombëtarë, për dënimin e anëtarit të “UÇK-së”!” Pra, ai, edhepse e dinte se i akuzuari ishte kriminel, votonte kundër ndërgjegjës së tij për drejtësinë dhe detyrohej nga SHIK-u ta denonconte, madje, jashtëligjshëm, refuzimin! Ndërsa, dihet botërisht, dallimi në mes të parimeve të drejtësisë të komunizmit lindor me kapitalistët perëndimorë: Sistemet komuniste i arrestojnë dhe i dajakosin 99 të pafajshëm, për të zbuluar një fajtor, kurse në demokracitë perëndimore i lënë të lirë edhe 99 fajtorë, për të mos e burgosur një të pafajshëm.
Opozita e Kosovës gaboi rëndë kur, jo vetëm që nuk e mbështeti, por edhe e kundërshtoi fuqishëm Gjykatën Speciale, madje, duke qenë, mirëfilli, e vetëdijshme se gjykatat vendore janë absolutisht të pafuqishme, për të vënë në bankën e zezë kriminelët potencialë të SHIK-ut vrastar. Kjo mbrojtje, nga ana e opozitës, u lexua nga populli shqiptar, si mbrojtje direkte e krimit dhe e kriminelëve. Dhe, kjo nënkupton edhe amnistimin për krerët e krimit të marrëveshjeve aktuale dhe të bandave të tyre gjysmë-legale. Dhe, kundërshtitë e protestimet paushalle, të pamotivuara dhe të pa studjuara mirë, zvetnojnë rastet kur duhet kundërshtuar dhe protestuar “deri në kupë të qiellit”, deri tek Perëndia, siç është rasti i marrëveshjeve, tërësisht, kundra-kombëtare të “Zajednicës” dhe të Demarkacionit.
Hashimi armik i madh i brezave shqiptarë
Që nga avancimi i përgjakshëm, në majat e qeverisjes dhe të pushtetit, Hashimi është dëshmuar si armik i madh i brezave shqiptarë. Pasi i tenderoi, më sakt, i shiti dhe përshiti, thënë troç, “i bëri rrush e kumbulla”, pasuritë e brezave shqiptarë, tani, me marrëveshjet, tmerësisht, dëmtuese e poshtëruese, ua lënë brezave shqiptarë “bombën e kurdisur” brënda shtëpisë. Ndoshta, kalamajtë mund të zbavitën me trimëritë përralltare të xhaxhi Adem Demaçit, por, e vërteta është se Serbia ka aleatë gjithëherë të gatshëm, madje natyral, të gjakut, Rusinë, supërfuqi ushtarake prej shekujsh. Dhe, “Anshlusin” e Hitlerit, si Austrinë apo “bashkimin me shtetin amë, Rusinë”, të Krimesë, dikur pjesë legjitime e shtetit të Ukrainës, një fat i tillë mund t´i rezervohet edhe Mitrovicës Veriore, madje, në çdo kohë.
Ish nën-kryetari i Parlamentit shqiptar, ambasadori shumëvjeçarë në Moskë, shkodrani Shaqir Vukaj, i cili ka bërë studime voluminoze e serioze, për qëndrimin e Rusisë karshi çështjes të Kosovës, shkruan se si u regjistruan 70 mijë luftëtarë vullnetarë rusë, për luftë të drejtëpërdrejtë kundër shqiptarëve të Kosovës. Andaj, porosia e madhe, për pushtetarët e sotëm të Kosovës, fort të dyshimtë: Mos ua lini brezave shqiptarë “kopilin ke dera”, armikun serb brenda Kosovës.
Hashimi president – marrëveshje Isa- Hashimi
Nuk është reale të thuhet se marrëveshja PDK-e – LDK-e, e bën Hashimin president, në prill të vitit 2016. E vërteta është se LDK-në nuk e ka pyetur, nuk e ka konsultuar askush, për këtë emërim jashtë zgjedhor. Kjo ka qenë një marrëveshje private Isa – Hashim: “unë kryeministër sot, ti president nesër”! Një pazar i tillë, është sa i turpshëm, aq edhe kriminal. Anëtarësia reagoi mëllefshëm, kurse strukturat e partisë heshtën si peshqit. Arsyeja: stukturat, kinse, vendim-marrëse të LDK-së, Kryesia dhe Kësshilli i Përgjithshëm, janë të mundura, të shëmbura, të nënshtruara, të përtokura, të ligësuara, të poshtëruara, të frikësuara dhe të tmerruara, deri në mjerim dhe për vajtim!
Shumë më i lirë kam qenë unë në “burgun e vdekjes”, siç është cilësuar nga bota Burgu i Burrelit, i cili kishte 7 (shtat) dyer të hekurta, me dryna të dubluar, deri ke dera tej hapësirës burgore, se sa që janë sot kuadrot partiakë të LDK-së, në mbledhjet, në “kuvendet” në sallat luksoze, nën survejimin, përgjimin e rreptë stalinist të kryetarit fuqiplotë – Isa Mustafa me argatët e tij! Kjo duhet t`i shërbejë LDK-së, madje, jo vetëm asaj, se si nuk duhet lejuar poshtërimin e vetvetës me “zgjedhje” aklamative, me duartrokitje hipokrite e, tërësisht, jashtë stututare. Demokracia ka rregulla të tjera të lojës. Konkurrenca, përballja me kundër-kandidatë, madje, me më shumë se një, si dhe fshehtësia e votës, janë elemente bazale të demokracisë.
Ky emërim makabër, Hashimi president, është një provokim i rëndë për shumë qindra familje, bijtë e të cilave janë viktima të SHIK-ut; për anëtarësinë dhe elektoratin e shumtë të LDK-së, të cilët abstenojnë, nuk votojnë, përshkak të udhëheqjes aktuale, e cila, ka asfiksuar e ngulfatur, madje, deri në plasje, anëtarësinë masive dhe shumë simpatike të Presidentit Rugova. Kjo “zgjedhje”, Isa-Hashim, për t`ia plotësuar tekat dhe orekset karrieriste njëri-tjetrit, është një provokim i rëndë edhe për opozitën; është një pazar i ndyrë, “një pazar pa hanxhinë”! Trajtimi i opozitës si hiçe; injorimi burracak i opozitës, për çështje kaq kapitale, meriton kundër-veprim dhe ndëshkim.
DEMAÇI LA NAM: “PO MË DHIMBSËN JAKUPI DHE FATMRI!!”
Anëtari militant i PDK-së Adem Demaçi, po na zbavitë me “xhevahiret” e tij. Ai hiqet si neutral, asnjanës, i pa parti, por, veprimet në vijimësi, në llogari të partisë së tij të zemrës, PDK-së, shquhen për devotshmëri, përkushtim dhe besnikëri. Nëse fushata parazgjedhore ka kohëzgjatje një mujore, Demaçi i PDK-së e ka plot 4 (katër) vjeçare, pra, të përhershme ose, shprehur ndryshe, një ditë po dhe një ditë po!
Dhe, këtë agjitim, fushatë, ia mundësojnë, madje, me zemërgjerësi, të gjitha mediat: të shkruara, elektronike, vizive e satelitore. Madje, edhe kur shkreton, pa fije sensi të masës, sidomos, në sulmet fobike dhe, pa fije mbulese, kundër ikonës kombëtare, Presidentit Rugovë, moderatorët e përgjgegjshëm, maturisht, shprehin mospajtim. Megjithatë, bali Adem luftarak, vazhdon në të tijën! Ai nuk “lënë shibël me ra” mbi Hashimin dhe nuk sheh asnjë altërnativë tjetër, asnjë njeri në Kosovë, i cili mund ta zëvendësonte atë, Hashim kryeministrin!
Si dëshmitar faktik i mjerimit shqiptar dhe i krimeve numerike
Në vazhdën e gafave, bëri edhe një për jashtë Kosove, pra, kush duhet të sundojë e drejtojë shqiptarët e Shqipërisë. Dhe, heroi i tij është pinjolli i Bllokur famëkeq, Edvin Rama. Ai bëri krahasime paushalle në mes të Berishës dhe Edit. Për Demaçin Berisha është një hiç, një i paditur, ndërsa Edi është gjeni. E pse jo, nga gjenialiteti drjetues politik dhe ekonomik, brenda një tre-mujori braktisën Shqipërinë 100 mijë shqiptarë! Prof. dr. Sali Berisha, pavarësisht gabimeve, që janë njerëzore, është vlerësuar si intelektuali me dimensione dalluese, në kuadrin e intelegjencës shqiptare. Deri më tani është çmuar si menaxhuesi më i suksesshëm në lëmin ekonomik. Por, Demaçi ynë nuk duron asnjë ngjyrë tjetër, përveç të kuqes. Edhe bluja është e zezë për atë.
Zotëri Demaçi u ka qarë hallin Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limajt, për, kinse, gabimin e bërë, pse u shkëputën nga PDK-ja e Hashimit. Por, a mund të zvarritet njeriu, që ka një fije integritet dhe personalitet, pas një kufome të galvanizuar politike, siç është Hashimi?! Realisht, Demaçi ynë mërzitet për dobësimin e partisë së tij, PDK-së, dhe këtë as nuk e fshehu kur tha: “Pse me dobësue Partinë Demokratike”?!
Jakup Krasniqi nuk është miku im, sepse, me shkrimin e janarit 1991 “Tradhtia ndër shekuj”, ai, më bie në qafë pa të drejtë, duke reaguar ndaj letrës time, drejtuar bacës Adem Demaçit, me titull “Kur ndjenja mund arsyen”. Si dëshmitar faktik i mjerimit shqiptar dhe i krimeve numerike të Enver Hoxhës, i bëja thirrje Bacës të hiqte dorë nga panagjerizmi, përlavdërimi, hiç meritor, për diktatorin, duke e demamtuar Demaçin në dy intervistat e dhëna shtypit të Zagrebit. Dhe, shtoja se varfëria, në kufijtë e urisë; eksodi masiv dhe të këqijat tjera të bollshme, janë rrjedhojë e udhëheqjes amatore, profane e idioteske të filosllavit Enver Hoxha.
Por, kjo nuk më pengon fare, për të njohur meritat e zotit Krasniqi, në denoncimin e kreut të ish-partisë së tij, Hashim Thaçit, se po anashkalon Kuvendin dhe po privatizon partinë dhe shtetin. Mjerisht, opozita e atëhershme, përfshi këtu edhe LDK-në, e lënë në baltë zotëri Krasniqin; heshtën dhe tani, përsëri i ra për hise atij, me opozitën aktuale, të përballet, pikërisht, me tradhtinë e madhe të Hashimit. Unë po ia heq merakun e dhimbjen bacës Adem se, më shumë vlejnë këta dy muaj opozitë të zotërinjve Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limajt, se sa e gjithë karriera e tyre e deritanishme politike.
Sepse, sot, janë në krye të një kundërshtimi madhor, të dy marrëveshjeve bazë, të cilat e bëjnë shtetin e Kosovës shtet rakitik, e vendosin në karrocë invalidore, duke e vartësuar, madje, përjetësisht, nga Serbia e deritanishme armike e kombit shqiptar. Zotin Krasniqi e vlerësoj edhe për një deklarim të tij, me rastin e ndarjes nga Hashimi se “ia vlen edhe të sakrifikohesh, kur është fjala për çështje parimoere, për demokracinë e mirëfilltë”. Dhe, kjo nismë e tij, me vetëdije të plotë, ia vlen të kihet në konsideratë dhe të respektohet, madje, në masën e duhur.
E jashtëligjshme Vertëvendosja apo PDK-ja?!
Nga pozita është hedhur ideja “për ta shpallur Vetëvendosjen të jashtëligjshme, për shkak të dhunës të ushtruar në vijimësi”! Vërtet, nuk pajtohemi me disa akte dhune të këtij subjekti politik. Thyerjet dhe dëmtimet e pasurisë shtetërore e private, duhet paguar, gjithësesi, ata që i dëmtojnë. Ashtu siç nuk duhet trazuar familjet e kujtdo qoftë, sepse kësaj i thonë luftë e klasave, stalinizëm. (Po e kursejmë Enverin, sepse ai ka qenë lakeu i serbëve e rusëve dhe, realisht, nuk mund të thuhet enverizëm).
Nëse shtrohet pyetja se kush duhet të shpallet e paligjshme: Vetëvendosja apo PDK-ja? PDK-ja, parti e krijuar nga LPK-ja, nuk është parti politike, por një bandë terroriste, e cila duhet të flakët nga pluralizmi politik si fekale. Qysh me vrasjen e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, në janar 1982, LPK-ja, si pjesëmarrëse në këtë këtë krim makabër, së bashku me UDB-në Jugosllave, është shpallur organizatë terroriste. Dhe, ky vendim, i shkruar, është parë e lexuar në çdo institucion administrativ, kur është aplikuar për shtetësi vendore, në shtetet e Evopës Perëndimore.
Cila do të ishte zgjidhja adekuate, e pranueshme?
Tashmë, dihet se marrëveshjet janë “gatuar” privatisht dhe ilegalisht, fshehtësisht. Këtë e dëshmon denoncimi i përsëritur i kryetarit të mëparshëm të Kuvendit, Jakup Krasniqi si dhe kundërshtia e hapur e permanente, e gjithëhershme e Vetëvendosjes. Andaj, duhet të largohen nga funksionet akterët e kësaj loje makabre, me fatin e Kosovës. Hashimi duhet të hetohet, së bashku me inrtriganten, rrenacakën Editë. Ndërsa Isa duhet të trajtohet si viktimë. Zgjedhjet nuk duhet të jenë opsion, të paktën, tani, sepse PDK-ja, aq sa i duhen vota, Hashimi i ka të punësuar për votë të garantuar. Hashimi mund të zëvendësohet nga Zenun Pajaziti, ndërsa Isa nga ai mal kuadrosh, që ka LDK-ja, që nga Avdulla Hoti e deri ke Muhamet Mustafa.
Me largimet e tyre nga funksionet, nënkupton fajësinë, gjegjësisht, rrjedhojen e nënshkrimit të marrëveshjeve, të cilat shpallën inekzistente. Trajtimi i marrëveshjeve kthehet në pikën zero. Dhe, kjo nuk është fare shqetësuese, nuk ka nevojë për nguti, sepse, kështu, siç janë ato sot, nuk ia vlen të këmbëhen me asnjë kompensim, qoftë: MSA-në, UNESCO-n, Liberalizim të vizave, hyrja në paktin NATO apo edhe hyrja, qoftë ajo e menjëhershme, në Bashkësinë Evropiane. Të gjitha këto organizma mund të zhbëhen një ditë, ndërsa sovraniteti i Kosovës, shteti i Kosovës, është mbi të gjitha, nuk guxon të zhbëhet, deri në bashkimin me etnikumin shqiptar, ose, të paktën, me Shqipërinë.
Akademik Mark Krasniqi, i cili, shekullin e jetës e përmbylli me mendje të freskët dhe me nder, madje vdiq në këmbë, fisnikërisht, ashtu ishte vet jeta e tij e dlirë, ua tërhiqte vëmendjen bashkëkombasëve të vet se “ndihma vendimtare ndërkombëtare, mund të ndodhë një herë në shekull. Prandaj, hapni sytë dhe lirinë e dhuruar nga miqtë tanë liridashës botërorë, madje me luftë, mos ia dhuroni armikut në paqe”! Por, mjerisht, me veprimet aktuale pushtetare, rezulton se memorja e disave prej sojit tonë, është e lodhur, madje, deri në rraskapitje!
METODA SHIK-iste, PËR T`IA TREGUAR MUSKUJT OPOZITËS
Ne nuk e kemi as komoditetin dhe as mundësinë reale, të ndryshojmë përmbajtjen e këtyre marrëveshjeve në të ardhmen. Kosova është e vogël; dendësia për frymë të popullsisë është nga më të lartat në kontinent e më gjerë. Dhe, çdo cungim, tkurrje e mëtejme është fort e ndjeshme. Por, “Zajednica” e vë në dyshim tërësinë territoriale, sovranitetin dhe integritetetin shtetëror, andaj është e dëmshme kulmore, e skajshme. Që këtej nuk mund të kosiderohet real as peticioni me 200 mijë nënshkrime. Realisht, përqindja mospajtuese edhe shumëfish më e madhe, kurse arsyet e firmave të kufizuara aktuale, janë relative, për disa rrethana që dihen në pluralizmin politik dhe, ende më shumë, për specifikat e të shkuarës dhe të tashmes, që ndërlidhen me ndoca figura kontraverse, për të mos thënë errëtake.
Provokimi i opozitës duhet të stopohet
Për një bashkëjetesë fqinjësore të qetë dhe korrekte ndërshtetërore, duhet të bisedohet dhe në repsektim reciprok të sovranitetit shtetëror, të gjenden zgjidhje të pranueshme, për çështje dhe probleme të ndryshme, që dikton fqinjësia. Historia e përgjakshme në mes Serbisë dhe Kosovës, gjithëherë, me fajësinë e fqinjit lakmitar dhe zullumqar, kanë krijuar gamën e ngatërresave, zgjidhja e të cilave kërkon maturi dhe gjakftohtësi për t´i tejkaluar, madje, në mënyrën më të drejtë të mundshme, duke mos lënë asnjë mëdyshje, asnjë hamendje për brezat e ardhshëm.
“Kush ngutët, përmutët”, – thotë populli, për ata që duan zgjidhje saora, të çastit, vetëm sa për ta tejkaluar një krizë. Kjo është mani e njerëzve, të cilëve “dikush ua ka zënë bishtin me derë” dhe janë në gjendje për ta sakrifikuar edhe Kosovën, në këmbim të “shpëtimit të lëkurës së tyre”!
Provokimi i opozitës duhet të stopohet, të ndalet menjëherë. Të gjitha zgjidhjet e problemeve aktuale dhe të ardhshme, të bëhen me debate të argumentuara në Kuvend. Por, kjo nuk mund të bëhet pa zhvlerësimin e marrëveshjeve fatale dhe as nga nënshkruesit e tyre. Gjithçka që vendoset, votohet jashtë sallës të Parlamentit, është e paligjshme, ilegale, e fshehtë.
Edhe votimi i bërë për të sëmurët mendorë, në një bufe apo dhomë anësore, brenda mjediseve të ndërtesës të Parlamentit, është i paligjshëm dhe krejt ilegal. Më të sëmurë mentalë rezulton të jenë deputetët votues, se sa ata, të sëmurët mendorë, për të cilët janë aprovuar ligjet, për trajtimin e tyre, duke ikur dhe fshehur, si minjtë, kthinave e podrumeve të Kuvendit! “Sa poshtë ka ra katundi”, – thotë populli! “Turp e ndot”,- protestonte, për punët e liga dhe të pista, burgaxhiu politik shumëvjeçarë e qendrestar, Kadri (Os)Mani.
Këto janë metoda SHIK-iste, për t`ia treguar muskujt opozitës; për ta nënvleftësuar atë; për ta demoralizuar atë, me anë të provokimeve seriale, të cilat, ia bëjnë shefat e pacipshëm të pozitës. T`u kthehesh metodave të kohës të artë rugoviane, kur “në gojën e ujkut”, “frikacaku” i balit Adem, Dr. Ibrahim Rugova, krijonte institucionet paralele, etnikisht shqiptare, për ta bërë “fait a kopli” (fakt të kryer”) edhe juridikisht, pavarësinë e Kosovës, sot, në Kosovën e lirë, një plagjiaturë, kopjim i tillë, është donkishotizëm, është qesharak.
Hashim dallaverja
Mjafton vullneti i mirë dhe atdhetarizmi i mirëfilltë, për ta zgjidhur edhe ngerçin aktual pozitë-opozitë. Dhe, jo vetëm kaq, sepse këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me kërkesat e ligjshme të opozitës, por, çmontimi i marrëveshjeve, kështu siç janë, nuk mund ta reduktojmë në mospajtim opozitë – pozitë, por, popull, i prirë nga opozita, kundër një grusht shefash, profiterë të shumëfishtë të pozitës. Nëse kjo kuptohet drejtë nga pozita dhe, sa më shpejt, aq më mirë, problemi është i zgjidhshëm dhe jeta normale e parlamentarizmit dhe e qytetarëve të Kosovës, do të rrjedhë natyrshëm.
Ulja e gjakrave, më sakt, lënia anash të interesave vetjake e grupore, është premisë për një nismë të mbarë dhe shpesëdhënëse. Parlamenti krijon komision, me përfshirje të specialistëve edhe jashta sallës të Kuvendit. Të gjitha rezultatet e studimit, i shtrohen diskutimit dhe gjykimit të deputetëve. Dhe, pas formulimeve të sakta të pikave, çështjeve, që përfshihen në marrëveshjen përkatëse, dërgohen për nënshkrim, madje të gjitha llojet e marrëveshjeve duhet t`i shtrohen kësaj procedure.
Kundërshtinë e opozitës, për marrëveshjet, Hashim dallaverja po mundohet ta zhvlerësojë, duke thënë se “opozitarët janë të paaftë dhe të paguximshëm për të thirrur protesta, sepse nuk kanë kauzë, se ata kanë hyrë në këtë proces, por nuk po dinë se si të dalin” dhe broçkulla tjera bajate. Ky është një fodullëk e cinizëm me tepëri, sepse ai është mësuar për të livadhisur, pa guxuar kush ta kundërshtojë!
Mos, vallë, nuk paska kauzë për kundërshtimin e marrëveshjes, e cila përgaditë infrastrukturën politike dhe teknike, për ta vënë e legalizuar, ligjësuar nesër, kufirin ke ura lumit Ibër, siç vazhdon të jetë edhe sot?! Ja me çfarë monstre politike” përballet opozita e sotme dinjitare, sepse lufton për kauzën e shenjtë e fisnike, mbrojtjen e sovranitetit shtetëror të Kosovës.
Ku ka kauzë më të madhe, se sa mbrojtja e territorit
Mos, vallë, mungon kauza e kundërshtisë ndaj marrëveshjes të Demarkacionit, sipas së cilës Kosova humbë disa mijëra hektarë tokë?! Ku ka kauzë më të madhe, më të shenjtë, se sa mbrojtja e territorit tokësor të vendit?!
Mjaftojnë tri çështje që ngërthejnë marrëveshjen për “Zajednicën”:
1.- Ushtria e Kosovës nuk lejohet të depërtojë në Veri;
2. – Lejet për kthim dhe ndërtim të shëpive të shqiptarëve, janë në varësinë ekskluzive të komunës, me shefa serbë;
3, – Pikën doganore në Veri e vjelë komuna, e cila e njeh për shtet Serbinë dhe jo Kosovën. Rrjedhimisht, një shtet i huaj, pra, Serbia, menaxhon pikën doganore!!! Ndërkohë që kudo në botë doganat janë monopol shtetëror.
Bazuar në këto argumente të trishtme për Kosovën, ndërkombëtarëve duhet t`u shtrohet pyetja: Cili shtet i lirë në botë i ka këto kufizime?! Madje, një shtet që nuk arrin ta kontrollojë, cep me cep, territorin e vet, a mund të bëhet fjalë për sovranitet të mirëfilltë shtetëror, në rastin konkret, për sovranitet të Kosovës?!
Ju bre zoti ju vraft jo qe po e mbroj Hashim Thaçin por ku ishit ju kur ata shoket bashk me hashimin thyen kufijt ne koshare dhe pashtrik turpi ju buloft po shkruani çfar ju bie ne koke sot skeni faj ju jo vetem vazhdoni phuj bre ta shpifni me shkrime neper gazetari e ne FB.