Kohë pandemie, madje e rikthimit të saj, të Covid-19, kështu duket, a s’kishte ende, por kjo nuk e ndalon dot daljen e librave, përkundrazi, edhe si kundërshti e gjendjes… Ndërsa romani „Funerali i pafundmë” i Visar Zhitit duket se është dhe një metaforë e fuqishme kundër pandemive ideologjike, çdo diktature, qe edhe ato duket sikur rikthehen, nese nuk kanë ikur plotësisht. Me mesazhe të tilla është përcjellë dhe botimi i dytë në Rumani i këtij romani të çuditshëm, i pa ngjashëm me asnjë vepër tjetër, i cilësuar si roman postkafkian”…Sapo doli, tani nga Shtëpia Botuese „A”, me përkthim të përplotësuar të studiuesit dhe estetit Dr. Luan Topçiu. Pas suksesit të botimit të parë, me jehonë në median kulturore dhe televizive në Rumani, që më pas ky roman do të botohej dhe në Itali) botimi i dytë në Rumani sërish, ka marrë dhe nga shqetësimet e tanishme, që na lanë diktaturat e perandorisë komuniste, që vçanërisht në Shqipëri, por dhe në Rumani i pësuan më rëndë.
Botimi i ri është luksoz, i pajisur me një prezantim nga përkthyesi dhe një pasthënie nga shkrimtari rumun Liviu Lungu, që po i sjellim të përkthyera nga Dr. Luan Topçiu.
Ky është libri i katërt nga Visar Zhiti që botohet në Rumani.
Përgatiti „F”.
MARRSHIMI I VERBËR I SHUMICËS
Nga Dr. Luan Topçiu
Romani „Funerali i pafundmë” është një udhëtim absurd i kortezhit terratisës pa një vendmbërritje, një sfidë e vazhdueshme e durimit sfilitës njerëzor në ballafaqimin me realitetin e brendshëm shpirtëror. Është një marshim funerali rraskapitës, një makth në të cilin mbartin dhe përjetojnë njerëzit, të drejtuar nga forca shtypëse, ndodhitë ilustrojnë absurditetin e situatës, herë me tone shpotitëse, herë deri në skaje karikaturale, herë me tragjizëm, por dhe me një lirizëm të pamunguar.
Romani popullohet jo nga karaktere, por nga personazhet-maska, personazhet zëra ose thjesht personazhet hije të paforma që krijojnë kortezhin e pafund. Funerali është torturë e ngadaltë shumëvjeçare, gjë e shton dramacitetin, dhe jo rroposje e beftë.
Ky kortezh i pandemive ideologjike shkon paralelisht me pandeminë COVID-19. Është marshimi i shumicës drejt një varri të nevojshëm, duke mbajtur një arkëmort enigmatik që nuk mbërrin në asnjë destinacion.
Një javë më parë se sa të shuhet nga jeta, poeti i madh rumun Cezar Ivanescu lexoi dorëshkrimin e këtij romani, duke e përshkruar shkrimtarin Visar Zhiti si “një shkrimtar origjinal me forcë të madhe dhe dramatizëm të rrallë”.
GRIJA E TMERRIT…
Nga Dr. Liviu Lungu,
Anëtar i Lidhjes se Shkrimtareve te Rumanisë
“Funerali i pafundmë” i Visar Zhiti, përbën një tekst me vlerë të madhe letrare. Përmes një gjetjeje krejt origjinale, arrin t’i induktoje lexuesit hidhërimin, grinë dhe tmerrin e një intelektuali në fundin e mijëvjeçarit të dytë, nga një qenie inteligjente dhe e kultivuar, me shpirt të hapur, tek e fundit, duke jetuar (mbijetuar) në kohën e diktaturës „të çdo lloji”, diktatura me të gjitha shfaqjet e saj: me pamjen e opresionit, absurditetit, qesharakes, perspektivave të errëta, duke marshuar drejt qëllimeve me tregues të vagët, vdekje, ideale pa bazamente…
Teksti, relativisht i shkurtër, duket që buron që diku përtej ballinës së parë dhe rrjedh nën pragun e faqes së fundit: kujtime, memento, metaforë me referime historike të qarta, historia e drejtuar dhe përmes metaforash, rrëfime me thekse tragji-komike dhe, vende-vende, cinike, grotesk, që dëshmon thellësi dhe frymë fine vëzhgimi, seri obsedante me ndodhi nga të cilat bien në sy disa, përsosmërisht të integruara, nga një lirikë e shkëlqyer…
Për lexuesin e një hapësire gjeografike dhe historike të ngjashme me atë ku zhvillohet marshi i pafundëm funeral, romani shfaqet si një tekst që kuptohet më lehtë dhe asimilohet më shpejt. Por teksti dëshmon të njëjtat cilësi (si çdo letërsi e madhe) dhe lëçitje nga një lexues të tjetër të çfarëdolloji, ky fakt i detyrohet talentit letrar të pakapërcyeshëm të Visar Zhitit si dhe përvojave të tij si intelektual inteligjent dhe të kthjellët, pjesëmarrës në „kortezh”…
„Funerali i pafundmë” është një roman që e kam lexuar me interes dhe kënaqësi dhe e them me zemër të hapur se në Rumani sigurisht që do të ketë jehonën e merituar. Dhe i lejoj vetes të besoj se botimi i këtij romani në Rumani do të jetë vetëm një hap për një popullarizim më të gjërë, që „Funerali i pafundmë” e meriton plotësisht!
LIBRI AKTUAL
I DIKTATURAVE QË PËRSËRITEN
(nga pasthënia e Dr. Liviu Lungu)
Visar Zhiti i takon asaj race të personaliteteve, të cilat e imponojnë veten natyrshëm, kësisoj, pa sforco, pa tamtame, me një fjalë të drejtpeshuar, nëse është e nevojshme, me një gjest, me një vështrim, me një shaka të stërhollë. Vepra e Visar Zhitit, bën pjesë ndër ato krijimet më të rëndësishmet të rezistencës anti-diktatoriale dhe anti-false-demokratike, shkrimtari imponohet po aq natyrshëm, përmes drejtpeshimit dhe qartësisë së fjalës së shkruar, pa “Inteligjencë të huajtur”, pa shpërthime, pa goditje të kota. Por si artikulimi ashtu edhe shkrimi janë të dyja jashtëzakonisht të mprehta, dhe nganjëherë të domosdoshme, si shprehje e fuqive të pazakonta të vëzhgimit dhe analizës; cilësi e lindur, e lëmuar falë përvojës për kaq shumë viteve, nga më tragjiket. Derisa të kaloni tek biografia e autorit, pothuajse arrini të njihni, përmes vargut dhe frazës, epopenë e disidentit.
Unë këmbëngul në diçka që më duket e jashtëzakonshme: Vepra e Zhitit dhe vetë autori janë vendosur larg, shumë larg çdo qëndrimi dhe ligjërimi (copëza ligjërimesh) hakmarrës, të paktën me mungesë urrejtjeje. V. Zhiti është i lindur për të mos manifestuar ndjenja rudimentare-primitive. Zhiti, ai vetë, dhe poezitë e tij dhe proza e tij nuk kanë pikë urrejtjeje; është karakteristikë e personazheve të mëdhenj, të heronjve të vërtetë, të atyre që jetojnë shumë më dendësisht thellësitë dhe ëndrrat. (…)
Por krijimtaria e Visar Zhitit, poetit dhe prozatorit, është shumë, shumë më e gjerë sesa nënkuptohet duke e thjeshtuar vetëm në “letërsinë e protestës”. Edhe më përfaqësuese, sipas meje, është poezia e dashurisë tek Visar Zhiti. Unë guxoj të them se, në thelb, Zhiti është një krijues lirik/ erotik, një fakt i lehtë për t’u identifikuar edhe në romanin “Funeral i pafundëm”, edhe nëse toni dominues i të gjithë tekstit është ai i një afresku shoqëror të amplitudës së pashembullt dhe duke mënjanuar çdo kompromis. Dhe, nëse në temat e “anti-diktaturës”, “anti-gënjeshtrës” dhe “anti-hipokrizisë” Zhiti, vazhdimisht i kujdesshëm, thellë në embrion, megjithëse ai njeh sensin e masës, i pa rrëmbyer nga pasioni ose i nxitur nga ndonjë pasion armiqësor rudimentar, në vargje dashurie dhe në fragmentet lirike të prozës është aq i thellë dhe aq i përkushtuar. Në veprën e Visar Zhitit ekziston diçka e ndershme (“lojë e ndershme”), diçka besnike ndaj vetvetes, ndaj veprave të tij, ndaj mjedisit qoftë ai dhe armiqësor dhe ballë lëçitësit. Çfarë kundërshtari këmbëngulës, në praninë e tij dhe në vepër, mund të ketë çdo regjim i absurdit (diktatura personale, diktatura e të paktëve dhe sidomos të zgjedhurve, pra e të vetë-zgjedhurve …)?
“Funerali i pafundëm” është shembulli më i plotë i atyre që përmenda më sipër. Libri “Funeral i pafundëm” i marrë, në tërësi, po, është një metaforë. Metaforike janë gjithashtu mjaft nga episodet e tij. Dhe është gjithashtu një krijim simbolist. Por pasuria e jashtëzakonshme e momenteve që e kompozojnë atë, e konjukturave, e temave të ngritura në hijen e temës qendrore (prapa dhe nën hijen e arkëmortit) e nxjerrin romanin nga çdo kategori e inkuadruar në konceptimet teorike rutinë. Libri nuk ka protagonistë. Në të vërtetë nuk ka karaktere. Nuk është e nevojshme; masa e pjesëmarrësve nuk duhet të ketë as fytyrë dhe as maskë. Masa amorfe e njerëzve çojnë në rrugën e fundit … Kë? Çfarë? Një gri e errët është sovrane në kortezh. Fizionomitë janë të rralla, shfaqen në mënyrë sporadike, më shumë në rigresione dhe të sapo skicuara. Heshtja është gjithashtu e fortë, motër binjake ndaj murmuritjes dhe zhurmës së ritmit që shkaktohet ose jo. Ka edhe zhurma, varësisht nga rrethanat, por tingujt e vërtetë vijnë edhe nga kujtimet. Dhe nga historitë e pëshpëritura, qofshin ato të shprehuara dhe me zë të lartë.
Libri rendit në kolonë një univers, universin e thatë, të butë, të helmuar të varrosjes së atij që nuk ka jetuar. Dhe marshimi i shoqëruesve të arkëmortit, me të gjitha kanunet e kaq shumë viteve, duket, në disa vende, si marshim i të vdekurve të pa kallur në dhe.
Drama e popullsive të disa vendeve, drama e gjysmës së globit, drama e të gjithëve, me sa duket, paraqitet me veçoritë e territorit shqiptar. Aty ku, me siguri, morën format më mizore e më dramatike të shekullit. Por rrëfimi i Visar Zhitit është gjithashtu një pikëçuditje shumë e fortë. Një paralajmërim “anti-diktaturë”, “anti-fals”, “anti-hipokrizi” …Dhe kush mund të jetë më i besueshëm se një kundërshtar i tillë këmbëngulës, në prani dhe në vepër, të çdo regjimi absurd (diktatura personale, diktatura e të paktëve dhe veçanërisht e zgjedhurve, domethënë e vetë-zgjedhurve …)?
Për sa kohë kërcënimi i përsëritjes së diktaturave më të urryera njerëzore është i mundshëm, ky libër mbetet aktual gjithmonë! ”
Përktheu nga origjinali Dr. Luan Topçiu
KANË THËNË PËR ROMANIN
«FUNERALI I PAFUNDMË»
Romani “Funerali i pafundme” është prozë ndryshe. Në momente të ngre temperaturën gjatë leximit, ngjashëm me faqet e prozës së Orvellit, kur ben fjalë për torturat ndaj kundershtarëve politike… Pse gjithe ky trishtim, sikur të paskesh qenë paluar nëpër shekuj, e për t’u shpaluar pastaj në faqet e romanit “Funerali i pafundme”?
Ali Aliu
Studiues, kritik arti, Prishtinë
Zhiti ka shkruar një vepër origjinale sa moderniste po aq edhe postmoderniste për nga konceptimi dhe ekzekutimi artistik si dhe mesazhi filozofik. Ky roman mund të krahasohet denjësisht me disa nga veprat më të mira të autorëve si Kafka, Orwell, Salinger, Heller dhe Solzhenitsi. Duke pasur parasysh historinë e romanit shqiptar, “Funerali i Pafundmë” është një arritje jo e vogël për letërsinë dhe kulturën shqiptare.
Dr Gëzim Alpion Universiteti i Birminghamit, Angli
Visar Zhiti ndërton një mozaik marramendës, ku duket se janë vënë të gjitha me ngjyrat e ndjenjave : dhëmbja dhe ironia, seksi dhe ëndrra, vuajtja dhe bukuria, gjëmimet e luftrave në Ballkan dhe fantazmat, realja e përzier me jorealen duke u bërë më reale, përditshmëria e shpërndarë nëpër kohë, me një dënduri dhe harmoni që e arrijnë vetëm mjeshtrit.
Elio Miracco
Kritik arti, përkthyes arbëresh, Itali.
Funerali surreal që përshkruan Zhiti përballon temën më shumë se aktuale të konfliktit Vetvete – Ego që dominon shoqërinë e sotme postmoderne, temën e domosdoshmërisë së shembjes së skemave të konsoliduara antropologjike që i japin njeriut të sotëm disa përsigurime, por jo siguri të vërtetë (që vetëm fitohet e nuk dhurohet) në të jetuarit, temën e konflikteve që sjell konfuzioni konceptual mbi nevojat dhe sentimentet në dëm të këtyre të fundit.
Dr. Marko Solomom Shkencëtar hebre
Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit mbase janë pasqyra më e mirë e historisë së kombit të tij… Robert Elsie
Kritik arti, albanalog kanadezo-gjerman
Eshtë fat që një vepër me nivel të lartë ideo-artistik si romani “Funerali i pafundëm” i Visar Zhitit u përkthye në rumanisht prej përkthyesit të talentuar Luan Topçiu hap që i dha mundësi studiuesit të mirënjohur rumun Liviu Lungu të hartonte një vlerësim profesional të meritueshëm. Uroj që sa më parë të përkthehet në një nivel të lartë edhe në anglisht, frëngjisht e gjermanisht për t’u vlerësuar si e meriton nga kritika mbarëbotërore.