SHTËPIA E MEGIT
Unë desha ta filloja këtë shkrim me Megin.Kaçurelsen e vogël trevjeçare, që e ndryshoi jetën e prindërve të saj dhe shumë të tjerëve, nga komuniteti shqiptar i Windsorit.
Asnjeri nuk e merr dot me mend para se ta provojë, se sa e gjatë dhe e vështirë është rruga përtej largësive, qoftë edhe në një vend jashtëzakonisht miqësor dhe me një respekt të veçantë për çdo gjë njerëzore, siç është Kanadaja.
Ne na përzuri viti i çmendur 1997!
Pjesa më e madhe e të ikurve në këtë qytet, janë pas atij viti, që askush nuk ka dëshirë të flasë për të, as për ta kujtuar. E kështu del që s’je gjë tjetër, veçse “një rrënjëshkulur’.
”Apo s’ ka furtuna e dimra të gjatë, të lodhshëm, ku secili pyet veten: “përse ndodhem në këto anë, larg detit dhe diellit tim?”
Sado të përpiqesh, zor se i gjen fjalët e përgjigjet për pyetjet që të mundojnë. Ndërsa alarmi shtohet nga lajmet e hidhura që vijnë çdo ditë. Bota me të vërtetë është bërë e vogël, deri sa ç’ndodh në Tiranë, apo në Vlorë, i sheh në ekranet e televizorëve në çdo cep të dheut.
E ja papritur, në këto ditë, merr një lajm të jashtëzakonshëm, nga mami i Megit; pas një pritje tepër të gjatë, po vjen një bebe, si një engjëll i zbritur nga qielli për të na gëzuar të gjithëve, të mëdhenj e të vegjël.
Megi ish plotësimi i jetës sonë dhe një nga përgjigjet e pyetjeve që i bënim vetes, se jemi këtu kaq larg, për të ndërtuar një jetë të re, krejtësisht të re nga ajo që lamë pas. Një çmenduri e vërtetë, me hapje deposh plot armë të mallkuara e kallashnikovë rusë, që kërcasin qoshe me qoshe, vrasin njerëz të pafajshëm, ndërsa Presidenti i Republikës rizgjidhet përsëri në Parlament, në mes të luftes civile.
“Ndaluni njerëz, ç’po bëni? Nuk e shihni që jeni buzë greminës?”, – bërtasim ne, përtej detrave dhe oqeaneve, larg e larg, mërguar!
Po kush të dëgjon?
Dhe ja ku na vjen, një çupëz e vogël, një engjëll nga qielli si për të na kujtuar sa e bukur është kjo e shkretë jetë, kudo që të jesh, kudo që të ndodhesh. Ligjet e saj janë njësoj, me lindje, dasma, dashuri, ëndrra dhe shpresa, qoftë edhe për një shtëpi si kjo, që prindërit me njëqind sakrifica, turne nate e dite dhe një ore në mes, sa për të këmbyer Megin midis turneve, sepse ata e rritën dhe selitën vetë, dhuratën e tyre të zotit, me sytë larushe plot lëng, të shëndetshme dhe plot gëzim, këngëtare dhe valltare, çamarroke që s’lë dy gurë bashkë.
Megi është përfaqësuesja e gjithë atij brezi kanadezo-shqiptar që lindi në këto vise të Doruntinave. Megin e shpunë prindërit në krahë, në shtëpinë e bukur, fare pak ditë pas ditëlindjes së saj.
Shumë bashkatdhetarë, janë vendosur me kohë nëpër shtëpitë e tyre, e shumë fëmijë të tjerë tashmë adoleshentë, ndjekin gjimnaze e shkolla shtatëvjeçare, si Ashly e Enxhi D , Joni K,( vëllai i vogël i Klintit, studend në universitet për mjekësi,dhe Xhinit,në degën e neuroshkences) Tre djemtë e familjes Kercani,nuk janë gjë tjetër veç pasqyrë e shkëlqyer e prindërve të tyre.Sikurse Joni M, e shume femije te tjere kanadezë, që ditën e parë që lindën.
Gjithashtu, vajza e djem, që lanë shtëpitë kutishkrepse, në mëmëdhe, e blenë pas ca vitesh shtëpi të verteta,ne Windsorin e largët, sipas mundësive e takatit.
Ndaj është e kuptueshme dëshira e tyre për një jetë më të mirë e shkollim.
Po përgjigjen e vërtetë të këtij brezi, e mësova nga poezia e gjimnazistes 16 vjeçare, shqiptaro kanadeze, Albana.P. (mbesa e vogël e Flutres) botuar në Antologjinë vargjeve të shkrimtarëve të rinj kanadezë.
SHTËPIA
Era më pëshpërit ngadalë
Unë pyes veten: çfarë po thotë?
Atdheun që dua,
Atdheun që lashë.
Shtëpi e mbushur me trishtim
Ne qajmë për shumë arsye…
Unë jam e frikësuar se jam e mitur
Dhe krejt e papërgatitur.
Një puhizë ere më drithëron,
Një dorë e ngrohtë mbërthen dorën time
Lotët më treten në faqe.
Vështirë t’i bëj ballë atij vështrimi
Një gjethe panje priste ardhjen time,
Me një harmoni të përsosur ngjyrash të zjarrta
Flokët e borës së bardhë mu derdhën mbi supe
Kjo qe mirëseardhja në Atdheun e Ri,
Pra, në shtëpinë time.
Gjuhë të re do të mësoj,
Tradita krejt të reja do të ndjek
Megjithëse zemra ime është këtu ku jetoj,
Një pjesë e saj, ka mbetur në Atdhe.
FLUTRA
Mikja jonë, mësuesja e gjuhës shqipe dhe psikologjisë në një akademi të njohur, Flutra X. na mblodhi për herë të parë me rastin e ditës së mësuesit, afro 7 vjet më parë.
Flutura, është një grua e qeshur, optimiste, që e gëzon çdo gjë, anekdotat, muzika, sporti, filmat, dhe veçanërisht librat.
Atë ditë ishim mbledhur për të krijuar sektorin e gjuhës shqipe, në bibliotekën e qytetit me libra të dhuruar nga ne të gjithë.
U përpoqëm të pasuronim sidomos seksionin i librit për fëmijë. Shpresonim që të kish sukses edhe shkolla e fillores në gjuhën shqipe, por për fat të keq, nuk u realizua.
Kështu lexuesit e rregullt të librave shqip, mbeten miqtë e kësaj biblioteke origjinale, që na mbledh rreth tryezave, zakonisht një herë apo dy herë në javë, ku këmbejmë librat e lexuar dhe bëjmë komente për ta.
Sigurisht, kur erdhëm në fillim, të tronditur nga një luftë e padëshëruar me rrëmbim armësh, me shkërmoqje qeverish si të qenë prej kartoni, me klithmën atdhetarëve “Ku po shkon o e mjera Shqipëri? Dhe entuziazmit të pakuptuar të ca tipave, që deshën ta sheshojnë mëmëdheun, ta shihnin si Kartagjena, shkrumb e hi, vetëm sa të ngrohnin mjekrat e tyre anarko-revolucionare. Po zaten, ujku mjegull do!
Atë ditë, Flutra kish përgatitur edhe fjalën kryesore:
“Arsyeja që na kanë mbledhur së bashku dashamirës të librit, është dita përkujtimore e hapjes së Mësonjëtores në Korçë. Mësonjëtorja, qe një ëndërr dhe një program për t’u realizuar nga Rilindasit tanë, Naimi, Samiu, Jani Vreto, Vaso Pasha, Pandeli Sotiri. Mësuesen e parë të kësaj shkolle, Sevasti Qiriazin, e bekoi vetë ndërgjegjia e Rilindjes kombëtare, Naim Frashëri.
Për të qenë më të saktë me të vërtetën historike, Shkolla e Parë Shqipe është hapur në Kurbin, në vitin1632, e pasuar nga shkolla e Përdhallës, më 1638, e shkolla e Blinishtit më 1639, më pas shkolla private e Shkodrës, duke arritur deri tek Akademia e Voskopojës në 1750.
Veç, Mësonjëtorja është një hap gjigand në masivitetin dhe arsimimin e gjuhës shqipe, përpjekje e shoqërive të mërgimit dhe fitore e Lëvizjes Kombëtare. Historia e alfabetit u bë devizë masive në fund të shekullit të 19 “Të rrojë a,b,c,”, që qe ngulur në shpirtin e shqiptarit si një dritë e së ardhmes, për të cilën mësuesit e parë: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Papakristo Negovani dhanë edhe jetën, duke u bërë dëshmorë të dritës e diturisë, duke u lënë bashkatdhetarëve dashurinë për arsimin, si në asnjë vend tjetër.
Është një cilësi e lartë, me të cilën mund të krenohemi. Na u fut në gjak dëshira për shkollim dhe po e tregojmë edhe këtu ku jemi, se jemi në gjendje të sakrifikojmë gjithçka për arsimimin e fëmijëve tanë.
Hapja e Mësonjëtores më 7 Mars 1887, u bë një simbol e vite më vonë festë e mësuesit, jo se qe shkolla e parë, por sepse qe flamurtarja e një ëndrre të madhe.”
Flutra, na ka sjellë gjithmonëë gëzime. Ajo tregon aq bukur, sa të mahnit.
Kur iu fejua mbesa e madhe, me djalin që dashuronte, erdhën menjëherë fotot me grupin e rinisë universitare të Windsorit, të cilët kishin organizuar surprizën e propozimit. Shpërndarë në anët e rrugës fshehur pas xhamave të padukshëm të veturave, fotografonin, uljen në gjunjë të djaloshit, një princ i bukur, që i propozon princeshës së tij të zemrës!
E ajo pak e hutuar nga lumturia përgjigjet: “Sigurisht” dhe e vendos unazën në gisht.
Hapen njëherësh dyert e makinave, dalin miqtë dhe brohorasin.
Shokë që në gjimnaz, tani studentë të mjekësisë, jurisprudencës, financës, jo vetëm aq: një pjesë edhe me master, siç qe edhe çupa e sapofejuar.Apo te sapo dipllomuarit e ketij viti,arkitektja e talentuar Alba Zagorcani dhe vellai i saj Andin duararte ,ne fakultetin e inxhinerise mekanike.Rini e bukur shqiptaro-kanadeze, që mban lart me krenari, emrin shqiptar! Ne na mbushen sytë me lot gëzimi!
Pas kësaj erdhi dasma!
Një fantazi e jashtëzakonshme, e ndritshme, dasmë thuajse e paharruar, që lumturoi gjithë komunitetin, fiksuar në një album artistik fotografish që të lënë krejt pa gojë.
E GËZUAR QOFSH PËRJETË, SHPIRTI YNË I BUKUR, FLUTRA
E DASHUR MOTËR
Tiranë, shkurt
Unë dje isha me temperaturë dhe sot në mëngjes e kisha kokën daulle, po pasdite, u bëra më mirë dhe nga ora 1100 e natës, u kuturisa të flija.
Siç e di, këto janë “orët personale” të njeriut, që priste t’i mbijnë sa më shumë krahë!
Me padurim lexova letrën tënde, jo kartolinat ceremoniale, po këtë letër të vërtetë, shkruar ashtu rrëmujë me shkrimin tënd “prej doktori”, plot enigma e rebuse e mu desh të qaja njëherë e mirë.
Qava për të gjithë lotët, që janë ndrydhur në shpirt, që prej ikjes tënde. Qava rininë tonë të varfër dhe të humbur, qava për mallin tonë të përjetshëm.
Rreshtat e letrës tënde rëndojnë nga pesha e dhimbjes për këtë copë të vockël toke, ku kanë mbetur kujtimet, njerëzit, lindjet dhe vdekjet, që u jep jetë sa herë i përshkruan.
Këto kohë, njerëzia bëjnë protesta apo fushata kundër mullinjve të erës.
Skeptikët i dëgjojnë, tundin kokën e turfullojnë.
Ciklet tona të jetës maten me madhështinë e marrëzisë, ku narcizistët zënë vendin e parë në garë.
“Tek pi duhan mes tymit, flas menduar
Sikur me shekuj rron një fis i marrë
Përjetësisht në urrejtje i bashkuar,
Çuditërisht në dashuri i ndarë.”
I madh është Dritëroi, një filozof ironik. Mua më pëlqyen jashtëzakonisht këto vargje.
Dhe mimozat, si ata zogjtë e sapodalë nga veza, nuk duan t’ia dinë.Kanë shpërthyer, si budallaçka të vogla që janë.
Të kam kujtuar, kur shkova nga Liqeni, ku dikur pinim një kafe.
Windsor, Mars
Letrat tashmë na mungojnë të gjithëve! Na merr malli edhe për postierin, me biçikletën karakatinë, kapelën e zbardhëllyer dhe atë gëzimin njerëzor, të paharruar, kur të sillte nga larg, një kumt të shumëpritur. Letrat, që me kalimin e kohës, bëheshin dëshmi të patjersueshme shpirti, e dorëshkrimi, qysh nga pergamenat, si një amanet i kohës! Këto mendime më turbullojnë, sa herë rishikoj postën elektronike dhe këmbimet e mesazheve lakonike të epokës moderne me ty, e shtrenjta ime.
Dhe ja paskan çelur mimozat si paralajmërueset e para të pranverës ndërsa këtu tek unë, pishave po u këputen degët nga bora dhe akulli i të ftohtit polar, që ka përfshirë viset tona veriore. Unë e di që ti e do shumë pranverën dhe më thoshe gjithmonë, se vetëm në këtë stinë, dua të jetoj përjetësisht.GËZUAR DITËLINDJEN! SHËNDET E SHUMË GËZIME!Sa herë na vijnë përvjetorët e ditëlindjeve, na duket sikur jemi para një pasqyre, në të cilën e shohim veten me shpejtësinë e një filmi pa zë, si në kohët e Çaplinit të madh.Në qoftë se vërtet në këtë pasqyrim shohim vitet që rrëshqasin dhe ne sado të vrapojmë, nuk i kapim dot, s’kemi pse ta vrasim aq shumë shpirtin, as ta ngarkojmë me trishtim, sepse jeta sidoqoftë, në çdo rrethanë, mbetet e bukur.Në këto anët tona na kthehet dimri aq shpesh, sa nuk po e besojmë më as ngrohjen e planetit.Më ka marrë malli dhe më mungon, jashtë mase.Ditëlindjet na janë varfëruar, ngase i kemi largësitë të pamatura.Edhe unë i kujtoj vrapimet tona në rrugët e Tiranës në pranverë dhe në vjeshtën e praruar, kur gjithçka, për të mirë a për të keq, kalonim së bashku. Më merr malli për erën e athët të detit, për muzgjet dhe perëndimet e jashtëzakonshme të plazhit, kur dielli, si disk i zjarrtë humbiste në kaltërsinë e detit.Ose siç thoshin fëmijët tanë kur ishin të vegjël: “dielli humbi në det!”Si ëndërr më duken këto ditët tona këtej oqeanit.Kjo është e vërtetë për të gjithë mërgimtaret, qofshin edhe ata me të suksesshmit e më cinikët. Njerëzia kanë lënë jetën në ato brigje.
Tiranë, Qershor
Vapë e padurueshme. Sot ka rënë shi, që na e shtoi më keq valimin e ajrit. Nuk thonë kot, se nuk duhet t’i hedhësh ujë zjarrit.
Dua të shkruaj ndonjë gjë të bukur e të gëzueshme, po sot kjo është e pamundur. Sepse ky lajm është më tepër për të qarë se për të qeshur.
Partia Komuniste e ringjallur, si plaku Mere, që u ngrihej nga qivuri kur e shpinin për ta varrosur, na ka dalë me ca programe fantastike moderne:
1-Të vendoset në vendin bosh, bash në shesh ku ka qenë monumenti i komandatit, sepse na i paskësh djegur me të vërtetë malli, për Enver Hoxhën!!
2-Për të lënë të lirë mariuanën në Lazaratin e rrethuar, shtet brenda shetit, shteti i drogës!!
Pra, siç e sheh, vazhdojnë “Rëniet dhe shkëlqimet e shokut Zylo, ose e kundërta, merre si të duash!
A e vlen që ky lajm të kapërcejë oqeanet? Nuk e di. Di që çdo ditë, njerëzia hapin sytë e përpiqen të marrin një çikë me tepër vesh ç’po bëhet përreth tyre. Është si duket një troshitje dhe lëkundje e re, sa disa humoristë parashikojnë shkrirje të mëdha partish me pendul që nuk dihet nga do të anojë: majtas, djathtas, në qendër, apo në grykën e një krateri…
Nuk e gjejnë dot se çfarë pike mund të gjendet ajo farë lëndine ku të prehesh.
Për këtë me sa duket me tepër se të gjithë të tjerët, ne shqiptarët kemi lëndinën e vdekjes. Por fatkeqësia është, se edhe atë nuk e kemi lëndinë.
Nuk e di përse gjendem kaq bosh, sikur po notoj dhe kam humbur orientimin.Më duket se në ankthin e përgjithshëm, më shtohet edhe ankthi i mungesës tënde… Kështu bëhen disa ankthe bashkë, në një kohë kur më duhet ta bind veten se duhet të jemi të fortë, të qetë dhe pse jo edhe të gëzuar.Edhe kjo është një lloj lufte e brendshme, ku nuk dihet se kush do të fitojë!
Windsor,shtator.
Ajo dihet që do të fitosh ti zemra ime, ti gjithnjë fiton mbi çdo furtunë e stuhi. Ti qe vendose të mos ia prishje karrierën bashkëshortit tënd, që pas 55 viteve nuk do të adoptohej kurrë këtu, as do të mundej të ushtronte qoftë edhe një profesion tjetër, veç mjekësisë. Nuk qe trimëri e madhe, të marrësh rrugët… më e madhja trimëri është të qëndrosh aty, ku ti i lutesh zotit të të japë edhe ca krahë të tjerë për të shterguar fort e fort, familjen, farmacinë tënde të vogël, për të mbajtur gjallë jetën me nipa e mbesa!Ti, që asnjëherë nuk shikon anët e errëta të jetës, po kërkon kudo dritën dhe gjeneralin e mirë, DIELL!A e di se këtej, “len diell, e nuk të nxeh”, si në vargjet e Mujit e Halilit?
Tiranë, shtator 2013
Mu shfaq vetja dikur kur isha personazh një çikë qesharak nga “xhelozia” për ty. Ishte koha kur e pyesja mëmën:
– Si e kam emrin e dytë?
– Edima.
– Jo, nuk e dua, nuk e dua, po motra si e ka?
– Dallëndyshe.
– Edhe unë e dua dallëndyshe! Pse më kini vënë këtë emër të shëmtuar?
Në atë çast me vërtik hapet dera e në prag shfaqet dallëndyshja me ca sy të çakërdisur, e lagur deri palcë nga shiu, me flokë të ngjitur pas kokës dhe ujin që i kullonte nëpër faqe dhe në qafë e cila, ngjante më shumë me një mi të lagur, sesa me një dallëndyshe bishtgërshëre.
Megjithatë, Edimaja doli me vrap në oborr, hapi krahët e ngriti kokën nga qielli, që lëshonte ujë me shtamba dhe priti të lagej sa më shumë, që kështu t’i ngjante dallëndyshes.
Nuk e di ç`u bë ajo xhelozi fëminore!
Tani sapo hapa postën dhe lexova mesazhin tënd. Çdo fjalë e jotja më depërton në çdo qelize dhe ky është ai dyzim që lidh shpirtrat tanë binjakë.
Vërtet paska dalë diell e nuk po të nxeh, e shtrenjta ime?
Mos i merr asnjëherë seriozisht qarjet e mia!
Kam një porosi, mos e lësho penën nga dora! Ajo është dashuria jote e vërtetë. Ke qëndruar gjithmonë mbi realen dhe jetës tënde i ke dhënë qëllim, bukurinë, që të ka qëndruar përjetë besnike!
Të puth me mall. Je gjëja më e shtrenjtë që kam.
P.S. Sa mora vesh për autoren kanadeze, Alice Munro, fituese e çmimit Nobel, të kujtova ty.Kam përshtypjen se më ke folur për të, kur po e lexoje.
Windsor, tetor
E dashur motër,
Edhe unë u gëzova për A. Munro dhe çmimin e saj Nobel, se është vërtet një shkrimtare shumë e mirë, që ka shkruar edhe një novelë, “Virgjëreshat Shqiptare”, me ngjarje e viteve `20, në Malësinë e Madhe.
Sigurisht, do të isha më e lumtur të kish fituar Shqipëria ime e vogël, se ç’është e vërteta ajo shkrimtarin e ka më të madh se Kanadaja e madhe.
Pas këtyre mesazheve, Flutra me bibliotekën tonë shëtitëse, vendosi të bëjë një lloj aktiviteti, apo një diskutim të hapur letrar, sepse në rrethin tonë janë edhe disa zonja me vullnet të madh si Mimi B., që e kanë mësuar anglishten, sepse kanë vajtur në shkollë për katër vjet rresht, në shi, në borë e në akull . Kanë lexuar shumë autorë, midis tyre edhe A.Munronë.Po ka shumë të tjera që nuk kanë asnjë mundësi të krahasojnë “Virgjereshat shqiptare”, me “Prillin e thyer” të Kadaresë, krenarisë sonë kombëtare.
Lexuam edhe një interviste të A. Munrosë, për të kuptuar në thellësi një personalitet të fuqishëm si ajo.
Intervista është pak a shumë kjo:
““Unë kam qenë e interesuar për leximin shumë herët, pasi, më ishte lexuar tregimi “SIRENA E VOGËL”, shkruar nga Hans Christian Andersen, dhe nuk e di nëse ju e mbani mend “SIRENËN E VOGËL”, por ky është një rrëfim tmerrësisht i trishtuar. Sirena e vogël bie në dashuri me princin, mirëpo ajo nuk mund te martohet me të, sepse ajo është një sirenë. Dhe kjo është aq e trishtuar. Sidoqoftë, sapo e kisha mbaruar së dëgjuari këtë rrëfim, dola jashtë dhe i erdha rrotull e rrotull shtëpisë ku jetonim, shtëpisë sonë me tulla, dhe kam bërë një rrëfim me një fund të lumtur, sepse mendoja se kjo ishte duke ndodhur për shkak të Sirenës së vogël, dhe kjo prej mendjes sime u klasifikua në mënyrë të gabuar se rrëfenja ishte sajuar për të qënë një rrëfim ndryshe, vetëm për mua, kjo nuk ishte duke shkuar rreth e rrotull botës, por e ndjeja se kisha bërë gjënë më të mirë, dhe nga tani e tutje, Sirena e vogël do ta martohej me princin dhe ata do të jetonin të lumtur. Ajo e meritonte, pasi kishte bërë gjëra të jashtëzakonshme. Asaj i duhej t’i ndërronte gjymtyrët e saj. Duhej të kishte gjymtyrë si njerëzit e zakonshëm dhe të ecte, por çdo hap që bënte, i shkaktonte dhimbje pikëlluese! Pra, e shihni. Ky ishte një fillim i hershëm, në formë të shkruar..Unë bëra tregime gjithë kohën, sepse kisha për ta kaluar një udhë të gjatë deri në shkollë, dhe gjatë atij udhëtimi në përgjithës,i do t’i mendoja tregimet. Sa më e vjetër që bëhesha, tregimet do të ishin gjithnjë e më shumë për veten time, si heroinë në njërën apo në një situatë tjetër, dhe fakti se tregimet nuk po publikoheshin menjëherë për botën, nuk më brengoste. Nuk e di nëse ndonjëherë mendova që njerëzit e tjerë t’i njihnin, apo lexonin ato. Kjo kishte të bëjë me vetë tregimin, një tregim shumë i kënaqshëm nga pikëvështrimi im, me idenë e përgjithshme të trimërisë së Sirenës së vogël, se ajo ishte e zgjuar, se ajo në përgjithësi ishte në gjendje për ta bërë botën më të mirë, pasi ajo do të mbërrinte atje dhe do të tregonte fuqitë e saj magjike dhe gjëra kësisoj. Kur unë isha vajzë e re, nuk pata asnjë ndjenjë të inferioritetit rreth të qenit një grua. Dhe kjo mund të ketë ndodhur pasi jetoja në një pjesë të Ontarios, ku gratë e bënin pjesën më të madhe të lexuesve, duke i thënë shumicën e tregimeve, burrat ishin jashtë dhe bënin punë të rëndësishme. Ata nuk merreshin me tregimet. Kështu që unë, u ndjeva tamam si e shtëpisë.
E pra, natyrisht, në ato vitet e para gjë e rëndësishme ishte fundi i lumtur, unë nuk duroja dot përfundime të palumtura, për heroinat e mia. Dhe më vonë unë fillova të lexoj gjëra si “LARTËSI TË STUHISHME”, ku zënë vend mbaresa shumë e shumë të palumtura, kështu që idetë e mia i ndryshova plotësisht dhe shkova në përfundime tragjike, të cilat me kohë, zura t’i pëlqeja.
Kur u rrita dhe takova disa njerëz të tjerë, të cilët ishin duke shkruar, kuptova se puna ishte cazë më e vështirë nga sa kisha pritur. Por unë asnjëherë nuk hoqa dorë…
Unë gjithmonë përgatisja ushqimin për fëmijët e mi. Kam qenë shtëpiake, kështu që jam mësuar për të shkruar në kohë pushimi, dhe nuk mendoj se kam hequr dorë ndonjëherë nga kjo edhe pse ka pasur raste kur isha shumë e dekurajuar, pasi filloja të shoh se tregimet të cilat isha duke i shkruar, nuk ishin shumë të mira, se unë kisha për të mësuar shumë, dhe se kjo ishte një punë shumë, shumë më e vështirë nga sa kisha pritur. Por unë nuk u ndala, unë nuk mendoj se e kam bërë ndonjëherë këtë.”
AFERDITA N.
Se do ta gjeja pikërisht këtu në Windsor, shoqen time të fëminisë së hershme, Afërditën, nuk do e besoja kurrë.
Ama fjala e urtë thotë se “Vetëm mali me malin nuk piqen, ndërsa njeriu me njeriun po”.
Edhe unë, s’po u besoja syve të mi.
– Nga u gjende edhe ti këtu?, – pyeta e habitur.
– Është histori e gjatë, që kërkon një nate dimri për ta rrëfyer, – u përgjigj.
– Ma trego sidoqoftë, – i thashë.
– E kam të shkruar në ditarin tim, po për të rrëfyer, nuk mundem më. Dua të harroj me çdo kusht, por është e pa mundur, sepse nuk ka qënë një ditë, por vite të tërë, të gjatë pambarim.
– Më fal, – i thashë, – E kam vetëm nga malli i atyre ditëve të pafajshme, kur luanim kukamçefthi në brigjet e Lanës.
– Mua më duket se ka kaluar një shekull, – Mu përgjigj ajo, duke parë një tufë me rosa të egra që po niseshin për shtegtim, nga dritarja e restorantit “Lili Kazili”, ku ishim ulur.
U takuam përsëri e përsëri. S’ bëra më asnjë pyetje. E dija se i duhej kohë për të nxjerrë ditarin e saj, me plagë të gjakosura shpirti, plot vraga të pambyllura njerëzish, që rikthehen në jetë, nga Perandoria e Hadit…
FAQE NGA DITARI I SAJ …
“Më 28 shtator 1982, arrestuan bashkëshortin tim. E thirrën në Këshillin e Lagjes dhe e mbërthyen me pranga. Pas kësaj, jeta jone u shkatërrua. Atin e fëmijëve e rrëmbeu kuçedra. Pesë burra erdhën dhe kontrolluan shtëpinë. Ne mbetëm vetëm, pa asnjë mbrojtje. Malli shfaqet në sytë e pafajshëm, të përlotur të çupave tona të parritura
Një greminë, një humbje shprese ndihet kudo “Komplotet” vijnë njeri pas tjetrit…Gremina thellohet.Terrori, është jashtë çdo përfytyrimi njerëzor. Gënjeshtra thuren duke mos lënë asnjë të çarë.
Sundimtari, i velur me dashurinë e besnikëve, filloi t’i urrente për vdekje.I fishkëllente kur i përgjëroheshin për mëshirë e me fort i godiste, me mllef dhe pa kurrfarë pendese.Me qindra njerëz të pafajshëm e pësuan…
Kohë e llahtarshme, mjerë kë zuri! Po fëmijët e te dënuarve ç’faj kishin bërë që i shpërngulnin nëpër fshatra të largët, të humbur në Internim?
Edhe ne, na erdhi makina e Degës së Brendshme.Na nisën drejt Elbasanit, Ndërsa po zbrisnim nga makina çupës sime të vogël, i ra të fikët.Kur e pashë vajzën pa ndjenja, thirra për ndihmë.Asnjeri nuk afrohej. Atëherë klitha:
“Ndihmë! Më iku vajza!”
Më në fund, na doli një grua veshur me bluzë të bardhë, mjeke a infermiere, një zot e di. Bëri një kontroll formal dhe tha se ajo nuk na paskësh asgjë për t`u alarmuar.Pas tri orëve të tjera pritjeje, denjuan të na fusin në një zyrë, ku shefi i Degës së Internimit na komunikoi vendimin:
“Internoheni të tria me nga pesë vjet, në fshatin Kosovë. Shkoni bëni gati plaçkat dhe për dy orë, duhet të niseni”.
Unë e pyeta: “ Me çfarë motivacioni internohemi?”
“E dini vetë ju”, – ishte përgjigja e tij.
“Unë s`di asgjë”, – i thashë.
Drejt fshatit Kosovë, udhëtojmë në heshtje të tria bashkë. Vajzat përqafuan heshtjen, vetminë dhe punën e rëndë. Natën vonë, me dhimbje, lotojmë pa fjalë.
Fshat Kosovë, mesnatë, 30 shtator 1982
Mbërritëm para shtëpisë me gurë, pa derë, shumë e shkatërruar dhe shumë larg fshatit…
Na urdhëruan të zbrisnim. Dolëm të tria. Ç‘të shihnim!
U trishtova, më dolën lot nga sytë dhe i thashë shoqëruesit: “Si mund të jetojë këtu një grua e vetme me dy vajza, në këtë shtëpi të shkatërruar, pa derë, larg fshatit dhe pa njerëz pranë?
Ai më tha se çdo gjë do të rregullohej. Urdhëroi kryetarin e Këshillit të Fshatit, të vinin një derë të re e të rregullonin çdo gjë tjetër që ishte e nevojshme për të jetuar.
Në mesnatë, u futëm të tria në shtëpi, vetëm, të trishtuara.
Pasi pastruam e sistemuam, u shtrimë të lodhura.
Në këtë shtëpi do të ngrysim vitet… Këtu do të jetojmë…
S‘do të humbasim. Më shpëtuan lotë nga sytë dhe në heshtje, përqafova fëmijët. Shëndet të kemi, pa çdo gjë do të rregullohet. Kam dy fëmijë, më zuri… Do të duroj…
Fshat Kosovë, më 5 tetor 1982
O fshat i mjerë! Ç‘hije të rëndë paske!
Tek ty ne erdhëm të jetojmë. Me trishtimin që mbajmë në shpirt, se shumë e rëndë është vetmia, pa njerëzit tanë pranë. Në një shtëpi përdhese, e shkatërruar, me gurë, vetë mundohem të krijoj gjithçka të domosdoshme, për kushtet elementare që na duhen për të jetuar…
Thurëm oborrin me gardh për ta izoluar.Vendosëm pllaka betoni në oborr, për të mos ecur në baltën e dimrit. Mbollëm lule për kënaqësinë tonë…
T‘i soditim ato kur të çlodhemi në oborr, në ditët me diell… Në guzhinë ngritëm një lavaman me llaç e tulla, për larjen e enëve. Hapëm një vrimë në mur, që të kalonte uji… Vendosëm një tub nga jashtë e një qyp të thyer, për të mos hyrë minjtë brenda në shtëpi… Kushte shumë të
vështira për të jetuar, në këtë fshat të mjerë, ku na sollën të tria bashkë, në vetminë tonë…
Fshat Kosovë, më 25 tetor 1982
Gjithçka më trishton në këtë vetmi ku jemi, në këtë shtëpi të errët, ku dyert kërcasin e hapat tona rënkojnë nga dëshpërimi.
Nga dritaret e vogla në mur, s‘hyn dritë…
Jashtë qetësi anë e mbanë… Asnjeri nuk lëviz. Shoh shiun e rrëmbyer, që bie e s‘pushon
Era ulërin herë e fortë e herë e ndrojtur, sikur i vjen keq për ne…
Të tria bashkë jetojmë në vetminë tonë…
Në këtë hapësirë të errët, duke i buzëqeshur vdekjes, mendoj me vete në do të arrij të mbijetoj këtu me dy fëmijët e mi… Në këtë vetmi të harruar, të braktisur nga çdo gjë, pyes në do të vijnë ditë me diell, që të na ngrohin. Oh… Duhet të ngrihem, të bëhem e fortë me çdo kusht.
Duhet të duroj, të përpiqem të mbaj fëmijët me shpresë. Dy vajzat e parritura, janë jeta ime. Duhet t‘i mbaj pranë, t‘i ushqej me ngrohtësi, të përpiqem tua largoj trishtimin, që i mundon. Të përpiqem tu ngjall dëshirën për të jetuar. Me pak dritë e me shpresë, të mbrojmë jetën. Me punë e me përpjekje, të largojmë plogështinë e trishtimin. Të arrijmë të përballojmë vështirësitë e të keqen, që na mundon, duke qenë gjithmonë bashkë. Të lehtësojmë dhimbjet e të vlerësojmë jetën… Do të punojmë në bujqësi së bashku me punonjësit e tjerë…
Kjo do të na mbajë gjallë. Kështu do të ndjehemi më të lehtësuara dhe do ta ndjejmë që akoma jetojmë… Unë dhe vajza ime e madhe filluam punë në bujqësi, ndërsa vajza e vogël filloi shkollën e mesme bujqësore.
Fshat Kosovë, më 30 tetor 1982
Në fshatin Kosovë fillova punë në fermë. Punoja së bashku me gratë në bujqësi. Së bashku me to, punoja gjithë ditën. Përpiqesha të punoja si ato dhe nuk ankohesha. Në diell e në erë, në shi e në borë, puna vijonte njësoj. Çdo ditë bashkë, ngroheshim me njëra-tjetrën. Kështu kalonin ditët e një jete të plagosur. Lodhja e trishtimi që ndiejmë, na mundon. Të gjitha gra të pafajshme, vuanim në mjerim, të harruara, duke punuar gjithë ditën. Kur vinte ora, të gjitha vraponin të
shkonim në shtëpi, në foletë e tyre, ku i prisnin fëmijët. Gra të lodhura që punonin edhe në shtëpi, me shumë lodhje e mundim për të rritur fëmijët…
Fshat Kosovë, dhjetor 1982
Rreth nesh, çdo gjë është e errët e pajetë. Bëjmë kujdes, qëndrojmë pranë njëra tjetrës, në këtë hapësirë të heshtur e në këtë shtëpi të vetmuar. Mendoj ditë e natë… se dhe muret kanë veshë… Kur vijmë nga puna, mblidhemi vetëm ne të tria. Bisedojmë me njëra-tjetrën, në ngrohtësinë tonë, çlodhim trupin e zgjojmë dhimbjet që na mundojnë. Kur shoh vajzat të trishtuara, zemra më pikon…
Na kanë prerë rrënjët… A është kjo një ëndër… apo… Kjo është një vdekje e përditshme, liria na mungon. Liria është një e drejtë e çdo njeriu të thjeshtë… Ne nuk e kemi.
Jetojmë larg njerëzve të izoluar. Asnjeri nuk vjen tek ne. Një jetë e mjerë, që rrjedh me vuajtje dhe me vetmi dhe asgjë tjetër.
Të cfilitura çdo ditë, nga puna e rëndë… Vetëm me sy, komunikojnë me njëra-tjetrën dhe lotojmë. Të ngrira, të ngrysura të vetme në terr e gjëmime. E tillë është kjo jetë këtu ku jemi… e pashpresë, duke ushqyer çdo ditë qëndresën, që na mban gjallë.
Fshat Kosovë, nëntor 1983
Gjithë ditën punoj e mundohem në diell, në erë, në shi e në borë.
Kur bie të fle, s‘kam kohë as të ëndërroj, nga lodhja e dhimbja që ndjej çdo ditë.
Nga dëshpërimi, vuaj fjetur e zgjuar. Brenda vetes, mbaj një brengë që s‘njeh qetësi, e hidhur, e vështirë, dramë e rëndë pa kufi. Zanafilla e gjithçkaje, ishte Ledi Makbeth
Ajo me pabesinë e me ligësinë e saj, shkeli çdo të drejtë njerëzore. Më shkatërroi me urdhërin
e pabesë. Vuaj hidhërim mbaj brenda vetes. Urrejtja më ngacmon,në këtë shkatërrim shpirtëror që më mundon. Shqetësohem për vajzat. Me kujdes, i ndihmoj në këtë vetmi ekstreme, pa patur asnjë mbështetje. Gjithçka mund të ndodhë në këtë humbëtirë… Pa asnjë ndihmë, pa njerëz pranë, bëj shumë kujdes. Bashkë të tria, vuajmë në heshtje padrejtësinë. Duroj, duke mposhtur dhimbjet që më mundojnë. Për jetën efëmijëve të mi, kujdesem në këtë mjerim.
Fshat Kosovë, 15 gusht 1985
… Në atë shtëpi ne jetuam plot tre vjet, që nga shtatori i vitit 1982, deri më 15 gusht 1985. Shtëpia u mësua me ne dhe ne me atë. Jeta jonë shtëpi-punë-shtëpi. Çlodheshim në ngrohtësinë dhe freskinë e saj. E pranuam, u mësuam edhe me vetminë dhe izolimin e pashoq, ku na e vranë fjalën…
S‘guxojmë të flasim,
Të qeshim, të qajmë,
Apo të këndojmë…
Brenda shtëpisë s‘flasim me zë,
Në heshtje jetojmë….
Të mbrojmë jetën,
Se e dimë, ditë e natë na përgjojnë.
I vramë fjalët… s‘flasim,
Në heshtje rrimë
Vetëm mendojmë…
I shkruar me ndjeshmëri dhe vërtetësi shqiptare!
Ankthi im është,kohët kanë ndryshuar shume dhe ne jemi të detyruar të përshtatemi,duke mos harruar të ëndërrojmë!