VOAL

VOAL

ZONJAT VITORE STEFA DHE KOZETA ZAVALANI E VIZITUAN SHKOLLËN SHQIPE TË TREVISOS – Nga BEQIR CIKAQI

May 24, 2015

Komentet

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Dyqani i Ardianit ku tregtojnë mish dhe bulmet. Foto:Ardian Nerguti (Courtesy Photo)

Paratë e fituara nisi t’i investojë në fshatin e lindjes në Gjegjan të Kukësit.

Ai ishte i përgatitur për vështirësitë që ka çdo fillim i një sipërmarrjeje, por jo edhe për pengesat që do t’i dilnin në institucionet e vendit të tij për pronësinë e tokës.

Ardian Nerguti me bashkëshorten dhe vajzën.

Ardian Nerguti me bashkëshorten dhe vajzën.

Entuziazmi i fillimit thotë se u zëvendësua me zhgënjim, e madje deri diku edhe me pendim.

Nga qyteti çek në fshatin në Kukës

Ardiani emigroi fillimisht në Greqi për gjashtë vjet. Më pas u zhvendos në Angli, e së fundi në Çeki.

Aty krijoi familjen e tij me Pavlën – një vajzë e qeshur çeke dhe e dashuruar me natyrën shqiptare.

Çifti ka një vajzë 4 vjeçe e gjysmë.

Vajza e çiftit Nerguti në fermë.

Vajza e çiftit Nerguti në fermë.

Pas një çerek shekulli në emigrim dhe pasi mblodhi disa kursime, Ardiani vendosi të kthehej në Shqipëri në maj të këtij viti.

“E kishim diskutuar disa herë edhe me bashkëshorten dhe vendosëm të hapnim një fermë në fshatin tim të lindjes. Kështu u kthyem në Gjegjan të Kukësit dhe nisëm jetën tonë të re në Shqipëri”, rrëfen Ardiani për Radion Evropa e Lirë.

Ajo është një vajzë qyteti, tregon se ka lindur dhe jetuar në Shumperk të Çekisë, por se është përshtatur mirë me fshatin dhe punët e tij.

Ardiani me bashkëshorten dhe vajzën në Çeki, para kthimit në Shqipëri.

Ardiani me bashkëshorten dhe vajzën në Çeki, para kthimit në Shqipëri.

Toka e trashëguar brez pas brezi, por pa dokumente

Ardiani thotë se ishte i përgatitur për problemet që do t’i kishte në lidhje me fermën, pasi çdo fillim i ka vështirësitë e veta.

Në fshatin ku u lind dhe u rrit, ndërtoi një stallë, ku mban 18 krerë lopë dhe disa pula, dhe kështu nisi ta bënte realitet ëndrrën për të investuar në vendin e tij.

Aktualisht, ka edhe një dyqan me qira, ku tregton produkte të mishit dhe qumështit, si dhe vezë.

Pavla para dyqanit ku shet mish dhe bulmet.

Pavla para dyqanit ku shet mish dhe bulmet.

Por, ajo që nuk e kishte menduar kurrë, doli të jetë problematika me tokën e trashëguar brez pas brezi.

Ajo sipërfaqe toke, për të cilën thotë se i gjithë fshati e dinte se ishte në pronësi të familjes së tij, rezultoi të mos jetë e gjitha e dokumentuar.

“Është tokë e trashëguar, por jo e regjistruar. U habita kur mësova se toka nuk ekzistonte fare në kadastër. Ka qenë tokë që e kemi përdorur dhe trashëguar tash e 300 e më shumë vjet”, thotë 42-vjeçari.

“Nga kjo pjesë toke që unë besoja se e trashëgoja, hoqa dorë. Pastaj, duke kërkuar në dokumentet e babait që nuk jeton më, gjeta disa letra që tregonin se kishim të dokumentuar rreth 600 metër truall në dy zona të ndryshme dhe kërkova të bëhej kalimi nga emri i babait tek unë”, rrëfen ai.

Por, përgjigjja që mori thotë se ishte e çuditshme. Ai duhej të hiqte dorë nga njëri prej trojeve prej 300 metrash, për të trashëguar 300-metërshin tjetër.

Ofrohen fonde për investime, por me kritere të paplotësueshme

Zhgënjimi i kësaj familjeje, veç problemeve me pronësinë e tokës, lidhet edhe me mungesën e mbështetjes nga shteti për investimin që ka nisur në një qark, i cili është ndër më të prekurit nga emigrimi.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural në Shqipëri shpesh bën thirrje për përfitim të fondeve për të investuar në bujqësi.

Në një prej takimeve informuese mori pjesë edhe Ardiani, por thotë se mbeti shumë i habitur.

Stalla në fermën e Ardianit.

Stalla në fermën e Ardianit.

“Në takim na u tha se mund të përfitonim deri në 750 mijë euro, por kushti i parë ishte që toka ku do të investohej, të ishte e regjistruar me dokumentacion të plotë. Të vihet ky kusht kur dihet që më shumë se 90% e banorëve të fshatrave të Kukësit nuk e kanë tokën me dokumente, duket pa kuptim”, thotë Ardiani.

“Nëse shteti e di këtë problematikë, nuk mund ta ketë kusht për marrjen e një fondi mbështetës, por duhet ta zgjidhë fillimisht atë”, thotë ai.

Bashkëshortja e tij, Pavla, është gjithashtu e mërzitur nga kjo situatë.

Ajo thotë se problem i madh është mungesa e ndihmës nga shteti për planin e tyre të biznesit.

“I kemi investuar të gjithë paratë tona dhe nuk po gjejmë mbështetje për ta ristrukturuar shtëpinë e prindërve të bashkëshortit tim, për ta përshtatur për fëmijën tonë, e po ashtu kemi edhe probleme me pronësinë e tokës”, thotë ajo.

Shtëpia e çiftit Nerguti në fshatin Gjegjan të Kukësit, Shqipëri.

Shtëpia e çiftit Nerguti në fshatin Gjegjan të Kukësit, Shqipëri.

“Më lehtë të regjistrosh pronë në emigrim se në vendin tënd”

Ardiani thotë se e ka shtëpinë e tij në Çeki, ashtu si edhe një sipërfaqe të konsiderueshme toke.

“Gjithë atë pasuri e kam arritur me punën time, e gjithashtu e kam dokumentuar shumë lehtësisht. Mendo ta bësh këtë në një shtet të huaj ku isha emigrant, e në vendin tënd nuk arrin ta dokumentosh pronën tënde, një pronë që familja ime e trashëgon ndër shekuj. Duket shumë ironike”, thotë Ardiani.

Shpesh thotë se ndihet keq, sepse “përpiqen ta bëjnë të duket edhe i paditur”.

“… por, pastaj them: kur kam arritur ta realizoj këtë në Çeki, nuk është tek unë problemi, por te sistemi, tek institucionet, por si zgjidhet”?

Kjo pyetje thotë se e mundon prej shumë muajsh dhe se zhgënjimi për vendimin që mori për t’u kthyer në Shqipëri, tashmë i ka kaluar në pendim.

“Do të vazhdoj ta bëj maksimumin për ta pasur në emrin tim atë tokë që rezulton e regjistruar… Por, nuk më ka mbetur gjë tjetër se i kam marrë institucionet me radhë, veçse t’i drejtohem kryeministrit [Edi] Rama me ndonjë letër”, thotë fermeri.

Pavla në stallën e fermës së saj.

Pavla në stallën e fermës së saj.

Ai vazhdon të punojë fort me bashkëshorten dhe nënën e tij, por të ardhmen e sheh të zymtë.

“Në Çeki vijoj të paguaj detyrime për shtëpinë dhe tokën, ndërkohë që këtu jam në një udhëkryq. Sigurisht që në këto kushte, largimi duket zgjidhje optimale”, thotë i prekur Ardiani.

Qeveria – thirrje për kthim të emigrantëve për të investuar

Në takimet që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi muajve të fundit me diasporën, por edhe në zona të ndryshme turistike malore, ai u bëri thirrje emigrantëve të kthehen në Shqipëri për të investuar, duke thënë se Qeveria po përgatit Paketën e Maleve.

“Do të jetë një paketë me një sërë masash që të gjithë ata që i kanë lënë këto male, në kërkim të një jete më të mirë, të kthehen. Dhe, me bukuritë e këtyre maleve, të bëjnë sukses, të bëjnë ekonomi, të bëjnë mirëqenie dhe t’u lënë fëmijëve të tyre trashëgimi një pasuri të jashtëzakonshme“, tha Rama.

Paketa e Maleve synon, mes tjerash, turizëm malor 365 ditë në vit, rivitalizim të zonave malore dhe zgjidhje të çështjes së pronësisë.

Pamje nga fushat e fermës Nerguti.

Pamje nga fushat e fermës Nerguti.

Kjo çështje e pronësisë mbi tokën është pranuar nga Rama, i cili ka premtuar zgjidhje.

Kjo problematikë ka qenë vazhdimisht shqetësim i shprehur edhe në raportet për progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, e po ashtu pengesë për investime të huaja në vend.

“Si mua dhe vajzës sime na pëlqen shumë. Natyra është e bukur, kemi përballë malin e Gjallicës, pamjen e bukur të lumit Drin, pamje fantastike… Ushqimet janë bio dhe ajri është i pastër”, thotë Pavla.

A PO E NJEH KËTË UDHËTAR?- Nga Skënder Karaçica

Skicë fjalësh
Udhët e jetës,kah nuk të çojnë,thanë disa zëra burash në një tavolinë kafeje në Prishtinë…Aty pari kaloi me hapat kutrrum një njeri i panjohur për ata në tovolinën e kafës së mëngjesit në Prishtinë.
– A po e njihni këtë njeri me këta hapa kutrrum,- u tha njeriu në qoshin e djathtë të tovolinës për të pranishmit.
– Nuk po e njohim këtë udhëtar në sheshin e Prishtinës,-u përgjigjen të pranishmit në tovolinën e kafës së mëngjesit…!
– Nuk po e njihni,-unë ju tregoj se kush është,-u tha njeriu në qoshin e djathtë të tovolinës.
– Ky udhëtar në sheshin e Prishtinës është deputeti i popullit!E kemi votuar para ketër vjetësh,kur ai erdhi i mbushur frymë e,duke belbëzuar na pati thënë se,do të jem përfaqësues i denjë i popullit,-thoshte në fushatën e sheshit…
– E kemi të qartë,-thanë ata njëzëri në tovolinën e kafës së mëngjesit.
– Sa na është bër qejfi,që pas katër vjetësh e pamë afër, sy me sy me deputetin e popullit,-ishin njëzëri ata të tovolinës dhe të votës së lirë të sovranit…!
Kështu e ka jeta,thonë në artin e gjeniut popullor:Të rrova e më rrove ,por briski i berberit…!
Për fund,deputetet e popullit që do të zgjidhën me 9 shkurt 2025,mos të harrojnë të qëndrojnë në krah të sovranit të votës së lirë…!
Deputetë të popullit,mos u bëni udhëtarë të pa njohur në sheshin e Prishtinës!
(Dhjetor,2024)

‘Protestë solidarizimi me Shqipërinë’- Shqiptarët e Londrës marshojnë para ambasadës në 23 dhjetor

Partia Demokratike e Shqipërisë ka njoftuar se në datë 23 dhjetor ora 15:30, shqiptarët e Britanisë së Madhe do të marshojnë në një protestë solidarizimi me shqiptarët e Shqipërisë, të cilët po në 23 dhjetor ora 17:00 do të protestojnë në Tiranë kundër narkoqeverisë së Edi Ramës.

‘23 dhjetor, ora 17:00 marshojmë në Tiranë! 23 dhjetor, ora 15:30 Ambasada e Shqipërisë Londër, 33 St. George’s Drive, London, SË1V 4DG’, thuhet në njoftimin e bërë publik në Facebook-un e PD-së.

Postimi i plotë:

Protestë solidarizimi me Shqipërinë kundër qeverisë kriminale të drejtuar nga krimi!

23 dhjetor, ora 17:00 marshojmë në Tiranë

23 dhjetor, ora 15:30 Ambasada Shqipërisë Londër, 33 St. George’s Drive, London, SË1V 4DG

Opozita në Aksion

O Sot O Kurrë

sn

TË KEMI SHPËRBLIME NË FUND TË MOTMOTIT- Nga Skënder Karaçica

Frymë jete
Bota intelektuale të jetës akademike,universitare,të artit të letërsisë,të shkencës,të poetëve e shkrimtarëve,të mjekëve,të sportistëve dhe të tjerëve në Kosovë,pse nuk kemi shpërblime në emër të institucioneve shtetërore,që dikur ishte traditë e mirë në fund të motmotit.
Dikur,në Kosovë,kishim shpërblimet e Dhjetorit,të Nëntorit,të gazetës,,Rilindja,,të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës si dhe çmime tjera për të merituarit në frymën e jetës…!Në fund të motmotit,kishim shpërblime nga institucionet e komunës së Prishtinës si dhe nga institucionet kulturore të kohës për të merituarit të fushës krijuese.
Po në dritën e kohës,poetë e shkrimtarë të Kosovës patën marrë çmimet të nduarnduarta ndërkombëtare,që ishin nderim për kombin dhe hapësirën krijuese shqiptare, sikundër e kishim poetin me pasaportën poetike evropiane Ali Podrimja.
Për fund i bëjmë thirrje Ministrisë së Kulturës në Prishtinë,që të rinis programin e shpërblimit për të merituarit e frymës krijuese në fund të motmotit dhe, e njëjta të bëhet traditë për institucionet e shtetit të Kosovës.
Mos të harrojmë frymën krijuese të dijes e të letërsisë si dhe të fushave tjera,ndonëse shpërblimi vjetor është nderim e motivim për tipare të reja të botës krijuese e shkencore.
Me fat Motmoti i Ri 2025!
(Çikago,dhjetor,2024)

Mërgata e Kosovës do të mund të votojë në ambasada dhe në konsullata në 22 shtete

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se mërgata e Kosovës do të mund të votojë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në ambasada dhe në konsullata në shtetet ku jeton.

Në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur të mërkurën, Kurti ka thënë se kjo është bërë e mundur pas ndryshimit të ligjit.

“Do të jenë gjithsej 22 kuti postare, në 22 shtete të ndryshme. Kurse votimi fizik do të organizohet në 35 përfaqësi diplomatike dhe konsullore në 22 shtete”, ka bërë të ditur ai.

Kurti i ka bërë thirrje mërgatës që të regjistrohet për të drejtën për votim jashtë vendit, teksa ka kujtuar se afati është i hapur deri më 26 dhjetor.

“Po i drejtohem mërgatës sonë, nga mbledhja e Qeverisë, sepse vota e tyre ka qenë përcaktuese për përbërjen e kësaj qeverie. Siç ka qenë edhe kontributi i saj përcaktues për fatin e mirëqenien e vendit tonë ndër vite”, është shprehur ai.

“Votimi përmes postës brenda vendit, dhe nëpër ambasada e konsullata, është fitore e madhe për mërgatën tonë punëtore e patriotike”, ka thënë Kurti.

Sipas kryeministrit, “deri më tani, padrejtësisht, mërgata është ballafaquar me vështirësi burokratike e barrë financiare, e cila herë ua ka pamundësuar votimin, e herë e ka dekurajuar pjesëmarrjen në votim”.

Diaspora e Kosovës është e përqendruar kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850.000.

Ndonëse partitë politike në Kosovë kanë nisur prej javësh takime dhe tubime me diasporën kosovare, por edhe me qytetarë brenda Kosovës, me rregulloren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve periudha e fushatës së zgjedhjeve fillon 30 ditë para ditës së zgjedhjeve.

Në rastin konkret, sipas KQZ-së, periudha e fushatës zgjedhore për partitë politike dhe kandidatët e certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, fillon zyrtarisht më 11 janar, 2025.

KQZ ka bërë të ditur se 28 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Sipas një njoftimi për media, pas mbylljes së afatit zyrtar, në mesin e 28 subjekteve politike janë 20 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Në mesin e subjekteve janë parti shqiptare, të komunitetit serb, dhe komuniteteve tjera më të vogla në Kosovë.

KQZ-ja duhet t’i konfirmojë listat më së voni deri më 25 dhjetor.

Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.REL

Zgjedhjet e 11 majit, Topalli apel shqiptarëve në Gjermani: Mos e humbisni mundësinë e ndryshimit

Jozefina Topalli, drejtuese politike e PD-së për diasporën, gjatë një takimi me shqiptarët në Gjermani, tha se në 11 janar 2025 nis një proces historik për diasporën shqiptare, regjistrimi i emigrantëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Topalli tha se kjo është një mundësi që nuk duhet ta humbni, një e drejtë që i kemi pritur prej vitesh.

“Mos lejoni që mundësia e ndryshimit të humbasë. Vota juaj është një akt dashurie për atdheun, një shenjë se gjithmonë mund të jemi bashkë për një Shqipëri më të mirë. Shqipëria ka nevojë për ju – sot më shumë se kurrë.

Dilni dhe votoni! Për të ardhmen e vendit që mbani në zemër!”, tha Topalli.

Auto Topalli1734425944

Ajo iu drejtua me një apel shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit që të regjistrohen dhe të bëhen pjesë e ndryshimit. “Vota juaj ka rëndësi dhe është zëri juaj që mund të sjellë një Shqipëri më të drejtë, një Shqipëri ku të gjithë ne besojmë dhe shpresojmë. Ju nuk jeni thjesht spektatorë; ju jeni pjesë e historisë dhe forcës që mund ta çojë përpara vendin tonë”, theksoi Topalli.

“Mos e lini vendimin për të ardhmen në duar të të tjerëve. Niseni këtë rrugëtim duke u regjistruar dhe duke treguar se diaspora shqiptare ka një rol të pashlyeshëm në të ardhmen e Shqipërisë!”, u shpreh Topalli.

Drejtuesja Politike e PD-së për Diasporën ishte në Lörrach, Gjermani, ndërsa prej disa javësh po zhvillon takime në shtete të ndryshme me shqiptarët në kuadër të fushatës së zgjedhjeve të 11 majit 2025.bw

“Mbi 1 milion votues jashtë”, KQZ: Të shtyhet afati për ID e skaduara, ja si do të monitorohet procesi

Nga 11 janari deri në 11 mars të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë dhe që duan të ushtrojnë të drejtën e votës në 11 maj mund të regjistrohen në platformën e ngritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

 

Komisioneri Qendror i Zgjedhjeve i pranishëm në nënkomisionin parlamentar të diasporës siguron se vota e emigrantëve është mbrojtur pasi janë një sërë mekanizmash të ngritura që garantojnë transparencë dhe numërim të drejtë. Ilirjan Celibashi njoftoi se para Krishtlindjeve do të ketë një demonstrim të funksionaliteteve të platformës elektronike të regjistrimit të votuesve nga jashtë, me qëllim që në datën 11 janar 2025 kjo platformë të jetë funksionale dhe të fillojë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë.

Në fjalën e tij në nënkomisionin e Kuvendit për diasporën dhe migracionin, në lidhje me përgatitjen dhe mbarëvajtjen e procesit të votimeve për qytetarët jashtë Shqipërisë, Celibashi tha se, procesi i përgatitjes së votimit nga jashtë ka shkuar në përputhje me të gjithë parashikimet e Kodit Zgjedhor, përfshi këtu edhe në kuptim të afateve që ky kod ka përcaktuar, për aspekte të ndryshme të karakterit normativ apo organizativ të votimit nga jashtë. Procesi merr 60 ditë, teksa qeveria ka garantuar buxhet të plotë, duke llogaritur 100 mijë votues emigrantë, por është shprehur e gatshme ta mbulojë postën e dërgimkthimit edhe nëse do të jenë më shumë votues në Diasporë. Ai shtoi se janë një milion e ca votues jashtë Shqipërisë dhe ka shumë pa dokumente të vlefshme, ndaj duhet bërë përjashtim për ta, që të shtyhet afati i dokumenteve të pavlefshme me rastin e zgjedhjeve. Celibashi u shpreh pro shtyrjes së afatit për dokumentet e emigrantëve, por jo për ata në Shqipëri.

“Tashmë Komisioni Rregullator pranë KQZ ka miratuar thuajse të gjitha aktet kryesore normuese me qëllim realizmin e votimit nga jashtë. Besoj që para Krishtlindjeve do të kemi një demonstrim të funksionaliteteve të këtij sistemi me qëllim që në datën 11 janar kjo platformë të jetë funksionale dhe ashtu sikurse e ka parashikuar Kodi Zgjedhor të fillojë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë”,- u shpreh Celibashi. Pyetja kryesore e ligjvënësve të nënkomisionit ishte nëse KQZ e garantonte këtë proces dhe afatet që kërkoheshin për realizimin e tij apo nëse mund të finalizohej para datës 11 maj, kur edhe votohet. Deputetët kërkuan sqarime dhe detaje nëse afati është i mjaftueshëm, që nga hartimi i dokumenteve, si pasaportat biometrike, regjistrimi, dërgimi i postës dhe kthimi i përgjigjes. Deputeti demokrat, Kreshnik Çollaku, shprehu pasiguri dhe dyshime, duke kërkuar garanci nga Celibashi nëse ky proces realizohet pa u cenuar dhe brenda afateve.

“Po ekspozoj shqetësime reale që publiku dhe opozita ka, që garanton mbarëvajtjen e procesit, sepse cenimi i tij do ketë dëm të jashtëzakonshëm, ndaj a ka garanci ky proces”,-tha Çollaku. Lidhur me kostot e shërbimit postar, Celibashi pohon se qeveria i ka parashikuar në buxhet paratë si për dërgimin e fletës së votimit ashtu dhe për kostot e kthimit të saj në KQZ, por për këtë të dytën kërkohet ndryshim në Kodin Zgjedhor./Gazeta Panorama

DEGA E LDK-SË E BENELUKSIT FESTOI “DARKËN E LAMËS”, NË BRUKSEL- Fotoreportazh nga IDRIZ ZEQIRAJ

Gazmend Muhaxheri dhe Anton Quni në “Darkën e Lamës”, në Bruksel

 

Presidenti Rugova është përkujdesur shumë për ruajtjen e trashëgimisë historike, zakonore, kulturore dhe të traditave të popullit tonë. Në cilësinë e Presidentit të Kosovës, në vitin 2002, porositi kthimin e kremtimit të “Darka e Lamës”, duke e ngritur në festë shtetërore. Kjo festë familjare rezulton me korrjet, vjeljet dhe menaxhimin e prodhimeve vjetore, për njerëzit dhe botën shtazore, për dimrin dhe stinët në vijim.

Për Mërgatën shqiptare, porositë e mira të Presidentit Rugova, pas amshimit të Tij, janë kthyer në -amanet-. Edhe pse në mërgimin e largët, pa ato korrje e vjelje të Kosovës, e festojnë “Darkën e Lamës”, duke u solidarizuar me familjet dhe popullin në Atdhe. Kjo traditë, për një kohë, në rrethana specifike, është kaluar në heshtje. Me sugjërimin e Presidentit Rugova është ripërtrirë dhe komuniteti shqiptar i kudondodhur, po e praktikon gjithnjë e më shumë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Beneluks, organizoi “Darkën e Lamës”, në Bruksel. Sekretari i kësaj Dege, Xhavit Belaj, moderoi kremtimin e kësaj feste të traditës shqiptare. Ai përshëndeti mysafirët e ardhur, enkas, nga Kosova, nënkryetarët e LDK-së, Gazmend Muhaxheri dhe Anton Quni, me bashkëshortën, nënkryetarin e komunës së Pejës, Fatmir Asllani; deputeten e Parlamentit të Brukselit, Kristela Bytyçi; ambasadorin brilant, Ramadan Gashi; kryetarët e Degëve dhe të Nëndegëve të LDK-së nga Gjermania: ish-kryetari i LDK-së, në Gjermani, Osman Ferizin me veprimtarët Xhafer Leci, Ibrahim Rexhaj, Idriz Zeqiraj; kryetarin e Degës Prof. Mutafë Lulaj, sekretarin Agim Aliçkaj, Demë Kelmnedi, Ramë Gashi; kryetarin e Nëndegës me seli në Ludwigshafen Alush Zeqiraj; si dhe të gjithë të pranishmit në sallën festive.

Moderatori Xhavit Belaj, ftoi në skenë heroin e mbijetuar të Luftës së Kosharës, Kolonel Anton Qunin, për fjalën e rastit. Pasi i përshëndeti, me përzemërsi, mërgimtarët, ai bëri një ekspoze përmbajtësore të historikut të festës “Darka e Lamës”, si dhe u kujtoi atyre porosinë e Presidentit Rugova, për ruajtjen e traditave, me theks të veçantë, përtëritjen e shënimit të festës domëthënëse të “Darkës së Lamës”, porosi kjo e pranuar, lehtësisht, nga shqiptarët në Atdhe, poashtu edhe në Mërgatë.

Gjithashtu, mërgimtarët pjesëmarrës i përshëndeti kryetari i suksesshëm i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, fitues i tri mandateve zgjedhore radhazi dhe konkurues i sërishëm petencial, për mandatin e katërtë të pritshëm.

Fjalë rasti mbajti edhe pjesëtari i Grupit të armatosur luftarak, Osman Ferizi, që hyri në Kosovë, në dhjetor të vitit 1991. Ai foli për rrjedhat e sotme politike dhe bëri thirrje për punë dhe gadishmëri, në shërbim të Atdheut-Kosovë.

Veprimtari veteran, Ramadan Gashi, ambasador i dinjitetshëm, emocionoi të pranishmit me fjalët përkujtuese, për bashkëpunëtorët, tashmë, të amëshuar, luftëtarë të çështjes kombëtare: Enver Hadrin, Ramiz Zekollin, Gani Azemin, të cilët na mungojnë vetëm fizikisht, por, me mendje dhe zemër, janë të pranishëm në festat tona,

Kryesia e LDK-së të Degës të Beneluksit, me seli në Bruksel, e prirë nga kryetari simpatik, Bahtir Kastrati, nga Broja e Drenicës, nënkryetarja Merita Milla, sekretari Xhavit Belaj, anëtarët e Kryesisë: Kristela Bytyçi, Xhevdet Tafilaj, Sherif Zeqiraj, Daut Rabi, Arsim Beqiraj, Fadil Cakutaj, Mentor Lipaj, Hajriz Aliu, Musli Pasjaqa, kryetar i Nëndegës në Holandë, Dinë Rugova kryetar i Nëndegës në Luksenburg, me shokë, përbëjnë një ekip të vyeshëm, aktivistë të dëshmuar ndër vite, të LDK-së dhe të Mërgatës.

Pjesë e kësaj feste ishin edhe veprimtarë të vjetër, të angazhuar në Shoqata e komisione, si në Fondin shtetëror të 3 %-shit si dhe në shumë aksione financiare, për të kontribuar në mbijetesën ekonomike të Kosovës, në mes tyre veteranët Isa Rugova, Ragip Zekolli, vëllai i veprimtarit të devotshëm, Ramiz Zekolli dhe të tjerë.

Kryetari Bahtir Kastrati falenderoi mysafirët e nderuar nga Kosova dhe vendet e tjera, për pjesëmarrje në gëzimin festiv të Degës së LDK-së për Beneluksin. Bashkëpunimi i harmonishëm, brenda Kryesisë dhe të anëtarësisë, e bëri edhe më të bukur këtë festë të traditës. Pritja e ngrohtë dhe shumë miqësore e mysafirëve, i la në harresë rrugëtimet e gjata dhe të lodhshme nga Kosova apo nga Bavaria gjermane dhe gjetkë. Një kolektiv i harmonishëm që dinë të organizojë dhe të respektojë. Kryetar Kastrati me shokë, ju lumtë!

Kërcimi dhe vallëzimi grupor ishin sharm e hijeshi i “Darkës së Lamës”

Si zakonisht, si melmesë e “Darkës së Lamës” ishte sofra e begatë, me ushqimet e shumëllojshme të kuzhinës burimore shqiptare, të përgaditura nga nuset e vyeshme mërgimtare, si përkujtesë e kësaj feste domëthënëse. Pjesëmarrja masive e botës femërore shqiptare, në aktivitete të ndryshme të Mërgatës, sikur është hakmarrje ndaj normave kanunore, që kanë kufizuar lirinë personale dhe grupore të femrave shqiptare, ndër dekada e shekuj, të gruas-nënë, krijuese e njerëzimit. “Pa emancipimin e burrit, nuk ka emancipim të gruas”, – thërriste, ngulmueshëm, Sami Frashëri ynë.

Këngëtari i mirënjohur, Mehdi Berisha, ka veçantinë e rrallë, ngaqë këndon natyrshëm dhe nuk shpërfaqë asnjë shenjë sforcimi e lodhje, edhe atëherë kur qëndon gjatë në skenë. Orkestra shoqëruese ishte në pajtueshmëri me mjedisin, duke shmangur zhurmimin e panevojshëm. Zëri-pushkë i mjeshtrit të këngës, Mehdi Berisha, la pa gjumë shumë njerëz, përgjatë asaj nate festive. Kërcimi dhe vallëzimi, individual e grupor, ishte në harmoni ideale me orkestrimin. Vëmendje mori nusja elegante e Kolonel Anton Qunit, në ekzekutimin e valleve shqiptare.

Heroina Bardha Krosi pas një qëndrese katërvjeçare u mbyt me torturë nga komunistët- Nga Msc.Kristinë Oroshi

 

 

Dheu i tokës shqiptare në mbrendësinë e tij bartë shumë heronj dhe heroina të cilët u përpjekën që ta mbronin tokën shqiptare duke luftuar me sa fuqi kishin dhe më në fund duke e dhënë edhe jetën si me le por pa u frikësuar asnjëherë se do të vdesin. Sepse të vdesësh për atdhe është një vdekje e bardhë e me faqe të bardhë që do të mbetët e shkruar përgjithmonë në historinë shqiptare. E për të mos mbetur e shkruar heroizmi i nacionalistëve dhe nacionalisteve shqiptarë, komunistët pansllavist u kujdesen që pasi i masakruan trupat e heroinave shqiptare nëper qelitë më të errta ato trupa i gjuajtën për të mos u parë asnjëherë nga shqiptaret atdhetarë dhe familjarët e tyre. Në mesin e heroinave shqiptare që ende edhe sot është e panjohur është edhe Bardha Krosi, apo siç është e njohur me emrin e pagëzimit Bardhe Cubë Marku. Bardha në bazë të dëshmive të familjarve  e konkretisht nipit të saj Edmond Markut ajo ka lindur në vitin 1921.Arsimimin e ka mbaru në kolegjin e motrave Stigmatine në Shkodër ku aty thirrej Bianka Krosi mbiemri i fisit, emri familjes siç edhe e kam potencuar edhe më lartë ishte Bardhe Cubë Marku. Në atë kohë ishte e fejuar me Dedë Gjon Markun djalin e katërt të Kapidanit të Mirditës Gjon Marka Gjonit. Në vitin 1947 është arrestuar sepse i ka ndihmuar komitetin e maleve anti-komunist , për 14 muaj. Bardha ka marrë turturat më mizore që mund ti bëhen një njeriu dhe aty vdiq në burg në vitin 1949 .

Varri i saj nuk dihet. Për të ka shkruajtur Gjon Sinishta në librin e tij Premtimi i përmbushur botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1976. Duke mbledhur faktet për të shkruar këtë studim për Bardhe Krosin një dëshmi shumë interesante na dha edhe Bianka Maria Gjomarkaj vajza e Kapidan Ndue Gjon Markut, e cila tha:   Bardha Krosi ka qenë e fejuara e Dedës, djalit të katërt të Kapidan Gjon Marka Gjonit dhe ka qenë shumë aktive në përkrahjen e luftëtarve të lirisë në malët e Mirditës. Ajo iu ka dërguar barna, ushqime,veshmbathje si dhe iu ka përcjellur postën grupeve të ushtrisë kombëtare që udhëhiqej nga Komandanti i përgjithshem Kapidan Mark Gjon Marku. Meqenëse i fejuari i saj Kapidan Dedë Gjon Marku u arrestua nga komunistët më 29 nëntor 1944 ku u arrestua edhe e tërë familja, pra gratë dhe fëmijët e tjerë të familjes se Kapidanit, Bardha në këtë periudhë kohore ishte në Simon në fshatin e saj të lindjes në familje por shumë shpejt u aktivizua dhe filloj të shërbej në logjistikën e luftës. Këtë detyrë kombëtare ajo e kreu që nga lëshimi i Shkodrës nga forcat nacionaliste dhe në kalimin në Mirditë në nëntorin e vitit 1944 e deri sa arrestohët në gushtin e vitit 1947.

Arrestimi i Bardha Markut bëhet pikrisht pas vrasjës së Kapidan Llesh Gjon Markut më 9 gusht 1947. Për datën e lindjes si dhe atë të vdekjës se Bardha Krosit janë shkruar shumë pasaktësi .Përderisa për datën e lindjes data e saktë është viti 1921 e jo viti 1927 siç është botuar në një enciklopedi ende nuk e kemi një datë të saktë edhe për vitin e vdekjës. Në disa shkrime shumë të shkurtëra si datë e vdekjes paraqitej viti 1949, këtë të dhënë e jep edhe familjari Edmond Marku. Kurse në një enciklopedi të Mirditës me shumë pasaktësi ipet data e lindjës në vitin 1927, kurse ajo ka lindur 6 vjet më herët në vitin 1921.Kurse data e vdekjes ipet 10 tetor 1948 ndërsa në disa shkrime të tjera si datë e vdekjës ipet pranvera e vitit 1949, konkretisht marsi apo prilli i këtij viti.

Një shkrim më të plotë deri me tani rreth torturave të Bardhe Krosit e jep studiuesi Gjon Sinishta  në librin e tij të botuar në vitin 1976 në gjuhën angleze ” The Fulfilled Promiese ”  faqe 166-167 i cili kur shkruan për torturat në burgjet komuniste që i pësoj Bardhe Krosi thotë: Bardhe  Krosi nga fshati (Simon) Kaqinar i qarkut të Mirditës ishte rreth me shumë se njëzet vjeqe kur u arrestua në gusht të vitit 1947. Ajo akuzohej se ndihmonte luftëtarët e lirisë duke i furnizuar me ushqime dhe ilaçe. Që nga dita e parë e burgimit, ajo u torturua brutalisht.Ajo u rrah me shkopinj druri dhe konop  të lagur. Vezët të cilat ishin zier në ujë të vluar ju vendosën nën sqetull dhe u mbajtën aty derisa lëkura e butë ju bë flluska me djegie të shkallës së dytë. Çdo ditë asaj i jepej një dozë rryme elektrike në të gjitha pjesët e trupit. Kur asnjë nga këto trajtime çnjerëzore nuk bëri që Bardha Krosi të mohonte besimin e saj, policia e detyroi të hante nje kilogram kripë dhe nuk e lejoi të pinte as një pikë ujë për disa ditë. Ia mbuluan kokën dhe pjesët e tjera të trupit me morra (torturë e krijuar nga fantazia makabre e komunistëve ruso-shqiptarë, e cila është një nga torturat më të padurueshme që ekziston). Ata gjithashtu e vaksinuan atë me një serum  që synonte të dobësonte aftësinë e saj për të rezistuar dhe ta bënte atë t’u përgjigjej pyetjeve të tyre. Por ilaçi nuk dha asnjë efekt mbi këtë të re heroike shqiptare dhe nga goja e saj nuk u shqiptua asnjë fjalë për të tradhtuar vëllezërit e saji qe qendronin heroikisht ne male. Me forcën supreme Bardha Krosi duroi çdo mundim që i shkaktohej dhe kjo heroinë  shqiptare e krishterë i mbajti sekretet në zemrën e saj deri në vdekje. Policia komuniste u zemërua jashtëzakonisht shumë nga një rezistencë e tillë,saqë i shkulën dhëmbët me pincë dhe i shkulën të gjitha flokët. Për katërmbëdhjetë muaj ajo vuajti këto agoni e mbyllur në një qeli të ftohtë çimentoje dhe në fund u sëmur nga tuberkulozi. Në pranverën e vitit 1949 vdiq e reja  shqiptare e krishtere, Bardha Krosi, duke dhënë një shembull se si duhet besuar në Zot dhe si të fitohet kundër armiqve të Zotit dhe atdheut. Edhe studiuesja e nacionalizmës shqiptare znj.Fatbardha Mulleti Saraqi shkruan disa të dhëna për Bardha Krosin  se ajo  mëson në shkollën e Motrave Stigmatine në qytetin e Shkodrës. Më mbylljen e shkollës se motrave Stigmatine largohet nga Shkodra e arrestuan si strehuese e luftëtarve të Rezistencës. Provoj torturat e tmerrshme në hetuesi siç ishte korenti elektrik,mungesa e ujit, etje,të thahesh për një pikë ujë, mungesën e ushqimit. Pra, me një fjalë i provoi dhimbjet e urisë. Provoj birucat e errëta të hetuesisë, të ftohtit dhe lagshtirën që të hynte deri në palcë.U sëmur nga tuberkulozi. Nuk e mjekuan. Bashkëvuajtëset që i ndihmuan ishin: Ana Daja, Agime Pipa, Adile Boletini dhe në mënyrë të veçantë Terezina Pali.Madje Terezina Pali edhe pse ditët e fundit të jetës Bardha Krosi që kishte shumë plagë të torturave në trup ju shtua edhe tuberkuozi i qendroi afër pa frikën se po infektohet edhe ajo nga tuberkulozi.

Arrestimi i Bardhe Krosit pikërisht më 9 gusht 1947 në ditën e rënies heroike të Kapidan Llesh Gjon Markut, paraqet dy faza të jetës se saj.Faza e parë: lufta për liri nga 28 nëntori i vitit 1944 e deri më 9 gusht 1947 që paraqet një kohëzgjatje prej 33 muajsh të qëndresës në malet e Mirditës e bëjnë Bardha Krosin femrën që qëndroj më së gjati në malët e Shqipërisë Etnike në rezistencë antikomuniste pas heroinës Marie Shllaku. Kurse faza tjetër prej më shumë se dhjetra  muajsh rezistencë në hetuesi duke i sfiduar kriminelët e egër komunistë dhe duke mos e nxjerrë asnjë fjalë nga goja për kundër torturave shtazarke,  na tregojnë qartë se heroina Bardhe Krosi përplotë katër vite iu bëri rezistencë komunizmit duke u treguar një heroinë e vërtetë. Ajo ishte një shembull trimërie dhe atdhedashurie që e sakrifikoj jetën në moshën diellore 28 vjeçare për lirinë e Shqipërisë. Bardha Krosi është heroina e cila duhet të ringjallët. Është heroina që për qëndresën e saj brezat në të ardhmën duhët të lexojnë nepër librat shkollorë, dhe të edukohën se si duhet dashur atdheu. Bardha Krosi krahas Marie Shllakut e Marie Tucit hyn në mesin e tri femrave shqiptare që sakrifikuan jetën për Shqipërinë Etnike.E maleve, kreshtave dhe bjeshkëve të Mirditës kreshnike dhe heroike gjithmonë ju kanë dalë zot djemtë drangonj dhe vajzat sy shqiponjë të cilët për besën e Zotit për gjakun e Gjergj Kastriotit dhanë jetën si me le.E Bardha kishte mësuar shumë nga nënat mirditore që për 5 shekuj mbajtën zi për vdekjen e Gjergj Kastriotit.Bardha këto gjera i kishte mësuar nga kujdesi i grave heroina të familjës së Kapidanit te Mirditës por nuk e kishte pasur fatin që të mësonte nga nëna e saj të cilën nuk e kishte parë kurrë pasi i kishte vdekur pas lindjes se Bardhës.E Bardha jetime me qëndresën sublime nuk mbeti vetëm Bardha e Cubë Markut krahut të djathtë të Kapidanit të Mirditës por me emrin e saj e ndëroj edhe fisin ku e mori emrin Bardhe Krosi, kurse me qëndresën e saj e ndëroj gjithë Mirditën dhe u bë heroinë e gjithë shqiptarizmës për mbrojten e Shqipërisë Etnike.

 

Këngëtarja Parashqevi Simaku ka mbetur në rrugë dhe pa kulm mbi kokë në Nju Jork!- Nga Skënder Karaçica

Jeta shkruan romane
Këngëtarja Parashqevi Simaku erdhi në Amerikë dhe,në ëndrrat e saj kishte të bëhet pjesë e skenës në Holivud.Kjo ëndërr mbeti në dhomat e gjumit e,ajo e vazhdoi jetën në metropolet e Amerikës,ku u martua me një amerikan.Huqet e jetës e bën të vetën kur e reja shqiptare u divorcua  nga burri i saj amerikan,duke lënë një djalë të lindur në këtë martesë.
Udhët e jetës për Parashqevi Simaku morën kahje tjetër,ku vetmia dhe fryma urbane moderne amerikane e bën të përgjumur dhe,humbja e shpesës për jetë.Në dritat e qytetit milionësh të Nju Jorkut,këngëtarja shqiptare humbi themelet e shtëpisë,të familjes dhe ana tjetër e pentagramit të këngës së lehtë-popullore në këtë errësisë nuk ishte më vetvetja.
Këtu ndalet pentagrami i këngës shqiptare!
Çfarë po ndodh me jetën e trishtë të Parashqevi Simaku në Nju Jork,ku,siç vë në spikamë në lajmin e tij përmes kamarës së televizionit Klan në Tiranë,gazetarei Blendi Favziu,jeta e saj është bër e trishtë,pa shtëpi,pa familje e vetme,ku,siç thuhet me zhargonin amerikan(homles)të rrugëve në Nju Jork…!Huqet e jetës nganjëherë shembin shpirtëra njerëzish,humbin dikah e,mbrapa u shkojnë hijet e gjurmët që kanë lënë për të tjerët.Për jetën e këngëtarës shqiptare,pentagrami i këngës së bukur dhe vokali i saj u bë një klithmë në udhët  e Nju Jorkut:Nuk kam  më zë vokal e as pentagram për këngën shqiptare,sikur u thotë shqiptarëve Parshqevi Simaku,tashti e vetmuara në jetë…!
Në paraqitjen e tij Blendi Fevziu,hedh dritë për fatin e Parashqevi Simaku me shpirt të trazuar e gjendje të trishtë,që më nuk kanë vlerë fjala e përkrahjes nga shqiptarët për ta marrë në shtëpitë e veta ,ku ajo ka kundërshtuar dhe është nisur dikah me vetminë…!Ajo tashti nuk ka shtëpi,nuk ka kulm mbi kokë dhe,nuk dihet se çfarë do të jetë e nesërmja në udhët e Nju Jorkut.Për katrahurën e dhimbjes për këngëtarën tonë nuk janë në dijeni familja e saj në Tiranë,thotë Blendi Fevziu.
Jeta shkruan romane,Pararshqevi Simaku,bëhet përsonazh i dhimbjes shqiptare dhe,i bëjmë thirrje diasporës shqiptare në Amerikë dhe Ambasadës së Shqipërisë në Washington,që për këngëtarën të nisin aksionin e ndihmës për të shpëtuar nga jeta pa adresë e pa shpresë,duke ia krijuar kushtet për kthimin në Shqipëri dhe akordimin e një pensioni të artistit të këngës shqiptare.
Kemi dhimbje për artistën e këngës!Kjo është jeta do të thoshin francezët!Vokali i bukur dhe pentagrami i Parshqevi Simaku ka mbetur veçse koncertët muzikore,festivalet në Tiranë dhe,kujtimet tona pa duartroktije frenetike…!
Jeta shkruan romane për Parshqevi Simaku në Nju Jork!
(Çikago,dhjetor,2024)
 
Skënder Karaçica

TRI PYETJE PËR ADRIATIK LAPAJN?- Nga VALENTIN LUMAJ



Nga politika shqiptare ka dalë një pinjolli i ri, Adriatik Lapaj. Ky ka thirrur të shtunën një takim me shqiptarë këtu në Michigan. Unë nuk jam i informuar mjaftueshem për një gjykim të plotë për dhe në pamundësi për të marrë pjesë në takimin e tij, po e pyes nga këtu ne FB:

1-Kush e financon Adriatik Lapajn?

E kemi parë Adriatikun në një tur disi të befasishëm në Greqi, Itali, Gjermani e Europë, me ekip të gjerë që e shoqërojnë. Pra Adriatiku është në një fushatë të mirfilltë, dhe dihet së fushatat janë shumë të kushtueshme. Edhe sikur ky tur të ishte në Shqipëri, unë do të pyesja: ku i merr paratë ky njeri i ri në moshë? Si e përballon jetësën kur nuk punon? Kush ja paguan shpenzimet e jetesës gjatë gjithë kësaj kohe që merret me fushatë? Kush ja paguan reklamat? Po shoqëruesit kush ja paguan. Po sallat që rezervon kush ja paguan?

Pyetja katërfishohet momentin qe Adriatiku fillon udhëtimet politike në Evropë dhe 6-fishohet kur vjen në amerikë. Them gjashtëfishohet mbasi shpenzimet janë gjashtë herë më të mëdha. Vetëm një biletë avioni në këtë kohë festash kushton rreth $1800. Po hotelet, po restorantet, po sallat moderne të takimeve. Po të shumëzohen me numrin e shoqëruesve del një kosto shumë e lartë, që më bën kurioz të di se si e paguan Adriatik Lapaj. Nuk kam parë as Fundraiser të organizohen për fushatëne tij, sikurse ndodh rëndom në kohë fushatash.
Mbaj mend Erion Veliaj kur filloi MJAFT-in të thoshte që e financonte e ëma. Po Adriatikun kush e financon?

2-Kujt i shërben Adriatik Lapaj?

“Shqipëria Bëhet” është parti e majtë apo e djathtë?
Në fakt Adriatku ka thënë se nuk është parti por është lëvizje. Kjo lëvizje kujt i shërben të majtës apo të djathtës, qeverisë apo opozitës? Adriatiku ka deklaruar se është opozitar, por jam befasuar nga fakti se ai sulmon edhe opozitën. Pra është e sigurtë se opozitës nuk i shërben. Nëse nuk i shërben opozitës, atëherë kujt I shërben?
Edhe motoja e Erion Velise ishte “Mjaft me politikën e vjetër”, por Erioni na doli nje lapangjoz i Rames.

3-A do të krijojë një parti të re para zgjedhjeve Adriatik Lapaj?

Mua personalisht më pëlqen sistemi politik dy partiak sikurse është në Amerikë apo Angli dhe vende të zhvilluara. Pra, majtas ose djathtas, liberal ose konservator. Këto partitë e qendrës, as andej as këndej, janë përdorur shpesh si “pyka” dhe kalojnë herë me njërën dhe herë me tjetrën parti duke i dhënë pushtetin një partie që nuk e siguron shumicën e mjaftueshme. LSI-ja e ka luajtur këtë rol më së miri. LSI-ja solli në pushtet diktatorin Rama. Të paktën, LSI-në apo Partia e Lirisë ka identitet, e dimë se është parti e majtë, produkt i PS-së. Po “Shqipëria Bëhet” a do të bëhet parti? A ka kjo lëvizje një program, dhe cilat shtresa përfaqëson nëse bëhet parti, majtas apo djathtas. Përse nuk e shpjegon këtë Adriatik Lapaj?
Se nëse edhe Adriatiku na del si Erioni, atëherë “Shqipëria Bëhet” çfarë: Lopë për ta mjelur, arë për ta vjelur apo bashki për ta vjellur?!

(Video) U përkujtua me madhështi në Michigan Dom Prenk Ndrevashaj Nga Valentin Lumaj

U përkujtua me madhështi në Michigan Dom Prenk Ndrevashaj

Në Qendrën Kulturore të Kishës Zoja Pajtore në Southfield, Miçigan me nderime dhe respekt të lartë u përkujtua themeluesi i komunitetit katolik shqiptar dhe Famullisë Zoja Pajtore e Shqiptarëve, Primus Prenk Ndrevashaj, me rastin e 20 Vjetorit te kalimit në amshim.

Komisioni organizativ i kryesuar nga Dr. Gjeka Gjelaj, z. Valentin Lumaj dhe z. Pjerin Prekaj kishin shpallur me kohë organizimin e aktiviteteve të ndryshme për këtë përvjetor të cilat përmblidhnin një Meshë Shënjte, një Seminar Përkujtimor dhe një Darkë Solemne.

Aktivitetetet Dom Prenkën më 8 dhjetor, 2024 përkuan edhe me 8 dhjetorin 1990 të demostratave antikomuniste. Kujtoj se Dom Prenk Ndrevashaj ka qenë i përndjekur, i burgosur, i arratisur dhe i mbijetuar i terrorit komunist shqiptar.

Mesha Shenjte filloi në orën 12:30 pm dhe u drejtua nga famullitari i Kishës së Shën Palit dom Fred Kalaj dhe Dom Dino Çekrezi. Kishin ardhur enkas për këtë rast nga Shqipëria drejtori i Radio-Marisë në Shkodër, dom Prek Lazri dhe Provinciali i Rendit Françeskan, Shkodër Mali i Zi, Patër Pashko Gojçaj. Asistoi po ashtu edhe xhakoni Aleksandër Stanaj.

Si jashtë zakonisht, kisha ishte e mbushur plot me besimtarë që ndoqën Meshën Shenjte që ju kushtua shpirtit të Dom Prenk Ndrevashës.

Fill mbas meshës, në oren 2 pm, besmtarët dhe adhuruesit e Dom Prenk Ndrevashës u mblodhën në sallën e Qendrës Kulturore Nënë Tereza, ku ishte pregatitur një drekë për të gjithë të pranishmit. Salla ishte dekoruar me ngjyrat kombëtare shqiptare. Në qendër të skenës një banderolë e madhe që shpallte seminarin, ndërsa në një anë të sallës ishte zbukuruar me ornamente të ndryshme dhe një fotografi e madhe e dom Prenkës.

Seminari Përkujtimor filloi punimet në orën 2:45 pm sipas programit të parapregatitur për këtë rast. Seminari u drejtua nga çifti Valentin dhe Merushe Lumaj, aktivistë të Kishës Zoja Pajtore.

Në fjalën e hapjes z. Valentin Lumaj ndër të tjera tha se janë shumë pak ata njerëz që jo vetëm me jetën por edhe me vdekjen e tyre sjellin jetë e dritë dhe bahen frymëzim për gjeneratat e ardhshme. Një ndër ta ishte Dom Prenka. Ai na la si trashëgim kujtimet dhe veprën e tij që asht sot udhëzim për ne dhe kishat tona se si të jetojmë me Zotin dhe me njëri tjetrin, si të drejtojmë komunitetin, si të rezistojmë në ditë të vështira, si të gëzojmë në ditë të mira. Ai ftoi të pranishmit që në fjalën e tyre të sillnin kujtimet më te mira dhe pozitive nga njoha e tyre me dom Prenkën.

Znj. Merushe Lumaj paraqiti te ftuarit e rastit që ishin:

Provinciali i françeskan i Nunciatës Shkodër- Mal i Zi, Patër Pashko Gojçaj, drejtori i Radio-Marisë Shkodër, Dom Prek Lazri, famullitarët e Kishës Shën Palit, Dom Fred Kalaj dhe dom Xhovani Kokona, ish famullitari i Kishës Shën Palit, dom Anton Kcira, famullitari i Kishës Zoja Pajtore, Dom Dino Çekrezi, profesor Lisandri Kola, xhakoni Aleksandër Stanaj, avokat Joseph Dedvukaj, si dhe shumë persona të tjerë të nderuar të komunitetit dhe miq të Dom Prenk Ndrevashës

Famullitari i Kishës Zoja Pajtore Dom Dino Çekrezi foli për veprat e mira të dukshme dhe trashëgiminë që ka nga Dom Ndrevashaj dhe përgjegjësinë për të vazhduar misionin meshtarak në gjurmët e tij. Dom Dino gjithashtu tha një lutje dhe bekoi Seminarin.

Dom Fred Kalaj bëri një histori të gjatë të kujtimeve të tij që nga femijëria dhe shkollimi i Dom Prekës në Seminarin Jezuit, koha në burg, arratisja e deri me njohja e tij me Dom Prenkën. Dom Fredi foli për vështirësitë e jetës, të guximit, vendosmërisë dhe devotshmërisë së Dom Prenkës. Foli gjithashtu për anën bamirëse të tij duke ndihmuar për dokumentimin e rreth 10 mijë shqiptarëve.

Pater Pashko Gojçaj u ndal në fjalën e tij në kujtimet që nga njohja me dom Prenkën i cili dha gjithçka për t’u bërë meshtar, jeta nuk e kurseu, u përballua me shumë probleme dhe vështirësi, por me ndihmën e Zotit të gjitha i përballoi.

Dom Prek Lazri në fjalën e tij tha se Dom Prenka kishte lënë mbresa të jashtëzakonshme në jëtën e tij dhe suksesin e Radio-Marisë ja dedikoi kontributit të Dom Prek Ndrevashës.

Moderatori Valentin Lumaj lexoi një letër përshëndetje të dërguar nga shkrimtari Visar Zhiti, që titullohej “Para ikonës së Dom Prenk Ndrevashës” dhe fillonte me rreshtat: “Do të doja të sillja fjalët e nderimit tim ashtu si përuljen time para ikonës plot dritë të Dom Prenk Ndrevashaj te ju, pranë kishës “Pajtorja e shqiptarëve”, që ai themeloi në Miçigan…”.

Xhakoni Aleksandër Stanaj solli në kujtesë mbështetjen dhe shtysën që dom Prenka i dha atij në rrugëtimin e tij për ti shërbyer Kishës. Po ashtu ai falenderoi të afërmin e dom Prenkës, Ndrek Gurin për ndihmën qe i kishte dhënë.

Profesori i Universitetit të Miçiganit, Lisandri Kola në ligjëratën e tij përshkroi artin letrar dhe poetik të Dom Prenk Ndrevashës. Ai theksoi se vepra letrare e dom Prenkës asht e një rëndësie kombëtare dhe shtroi propozimin për organizimin, inventarizimin dhe dixhitalizimin e të gjitha materialeve arkivore të Dom Prenkës të ruajtura në Kishën e Zojës Pajtore.

Avokati i njohur shqiptar Joseph Dedvukaj solli përjetimet e tij me dom Prenkën. Ai tha se ishte dom Prenka që e motivoi të mësonte gjuhën shqipe kur i kishte thënë se “Zoti flet shqip”. Ai tha se babai i tij Shtjefën Dedvukaj dhe krejt familja e tij e kishin perkrahur dom Prenkë ne misionin e tij në Miçigan.

Gazetari dhe studiuesi Zef Përgega në fjalën e tij foli mbi korrespondencën e gjerë të Dom Prenkës me miqtë e tij. Z. Pergega lexoi dy letra këmbime origjinale të dom Prenk Ndrevashës me Imam Vehbi Ismajlin dhe baba Rexhepin..

Ndoc Lumaj në fjalën e tuj përmalluese tregoi disa kujtime të tij nga njohja e parë me dom Prenkën. Ndoc Lumaj tha se për nga vështirësitë, përkushtimi dhe pervuejtnia, Dom Prenka meriton te shpallet shenjt.

Aktivistja Huana Kurti shprehi mirënjohje ndaj Dom Prenkës për pritjen dhe ndihmën fillestare që i kishte dhënë mbas ardhjes së saj në Amerikë dhe tha se bamirësia e Dom Prenkës asht trashëgimia dhe modeli për të gjithë ne se si ti ndihmojmë njerëzit në nevojë.

Në vazhdim folën bashkëkohësit dhe adhurues të Dom Prenk Ndrevashës, Sopranoja Ermelinda Paparisto, Rita Gjelaj, Mark Gojçaj, Dom Xhovani Kokona etj.

Spikati fjala e gjatë me kujtime të jashtëzakonshme të bashkëpunëtorit të dom Prenkë Ndrevashës, Gjergj Vulaj, i cili mes lotësh solli përjetime që përmalluan të pranishmit.

Moderatorja Merushe Lumaj lexoi një pjesë nga ligjërata që kishte dërguar për këtë rast publicisti dhe miku i dom Prenkës, Frank Shkreli. Ndër të tjera z. Shkreli shkruante: “Ne sot kujtojmë Dom Prekën por, njëkohsisht, falë Dom Prekës, si udhëheqës, jo vetëm fetar, i këtij komuniteti, sot kujtojmë dhe festojmë edhe një histori të lavdishme arritjesh e suksesesh të komunitetit shqiptaro-amerikan në Detroit…”.

Dr. Gjeka Gjelaj njoftoi të pranishmit se të gjitha ligjëratat, perjetimet, historitë, shkrimet dhe punimet e kësaj dite përkujtimore do të përmblidhen në një libër që do ti kushtohet Dom Prenkës.

Moderatori Lumaj thuri tribute per Famullitarin e pensionuar Dom Ndue Gjergji, pas ardhës i Dom Prenkës, si sherbëtor i denjë i Krishtit, vizionar dhe dhe patriot, i cili e rriti dhe e zhvilloi më tej Kishen e Zojes Pajtore.

Ai shprehu mirënjohje të veçantë edhe për punën dhe kontributin e famullitarit të pensionuar Dom Anton Kcira, i cili ishte në sallë, si dhe falenderoi biznesmenin Pjetër Stanaj për ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë ndaj

Kishës Zoja Pajtore qysh nga koha e Dom Prenkë, së dom Ndue Gjergjit dhe vazhdon të kontribuojë.

Në përfundim z. Lumaj falenderoi Këshillin e Kishës dhe harmoninënë mes anëtërëve te tij nën drejtimin e biznesmenit Pjerin Preka, nën kryetarin Marjan Gjetja, sekretaren Viktoria Dedivanaj dhe anëtarët, Vuksan Junçaj, Fran Shkreli, Gjeka Gjelaj, Ndrec Merditaj, Lekë Pecaj, Ylli Gilaj, Ferdinand Dedaj, Luigj Nilaj, Rrok Dedivani, Zef Përgega, Kolë Burgaj, Filip Skela, Gjokë Lucaj, Ednik Toma dhe Steve Lucaj.

Seminari përfundoi me sukses të plotë punimet dhe u mbyll në orën 5:30 pm.

Në orën 7 pm dyert e Qendrës Nënë Tereza u hapën përsëri për një darkë solemne me besimtarë dhe miqtë e dom Prenk Ndrevashës. Darka u moderua me profesionalizëm nga dr. Gjeka Gjelaj dhe bashkëshortja e tij Rita Gjelaj.

Dr. Gjelaj në fjalën e tij bëri një përshkrim në detaje të jetës së vështirë por të lavdishme të dom Prenk Ndrevashës qysh nga njohja e tyre në fakultet ne Romë, më pas me ardhjen e dom Prenkës në Amerikë dhe deri në pensionimin e tij. Dr. Gjelaj tregoi të pranishmëve dëshmi dhe përjetime të patreguara më parë, që nga kushtet e vështira të jetës së dom Prenkës dhe të vetë Kishës Zoja Pajtore dhe solli dëshmi mbi tentativat për zhdukjen fizike të dom Prenkës nga sigurimi komunist shqiptar.

Znj. Rita Gjelaj solli kujtimet e saj nga njohja me Dom Prenkën, mbështetjen dhe motivimin që ai i kishte dhënë asaj në vitet e para në Amerikë. Znj. Gjelaj bëri prezantimin individual të të ftuarve të nderit të vendosur në një banket të gjerë. Ajo solli në kujtësë një nga përkrahësit dhe krahu i djathtë i dom Prenkës, Vasel Dodaj, djali i të cilit ishte i ftuar në tryezën e nderit.

Dr. Gjelaj falenderoi në veçanti besimtarin e devotshëm dhe biznesmenin Lukë Dedvukaj për kontributin e madh që ka dhënë dhe vazhdon të japë për kishën e zojës Pajtore dhe të Shën Palit.

Në emër të disa familjeve malësore Junçaj, që kanë qenë bashkëpunëtorë të Dom Prenkës dhe kanë ndihmuar në sikurimin e ndërtesës së kishës foli z. Tom Junçaj.

Në emër të familjes Dodaj, foli Gjergj Vasel Dodaj.

Në emër të bijve të Dukagjinit foli z. Cam Shkambi.

Në emër të familjes sinishtaj foli Nicholas Sinishtaj.

Përshendeti po ashtu edhe avokati Joseph Dedvukaj.

Në vazhdim u kënduan disa këngë patriotike përfshi një këngë kushtuar dom Prenk Ndrevashës dhe këngës “Na bashkoi Zoja Pajtore” me tekst të autorit Ramazan Ceka kënduar nga këngëtari Fran Lucaj.

Mbrëmja vazhdoi në biseda dhe kujtime dhe u mbydh me fotografi në grupe.

Të gjitha aktivitete në përkujtin të dom Prenk Ndrevashës u organizuan nën kujdesin e këshillave të Kishës Zoja Pajtore dhe Kishës së Shën Palit me mbështetjen financiare të miqve të Dom Prenk Ndrevashës.

Kronika nga Valentin Lumaj
10 Dhjetor 2024
Photo credits Mario Pergega

 

 


Send this to a friend