Duke përsëritur akuzat në drejtim të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për lidhjet me trafikun e drogës në vend, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka denoncuar sot me emra dy shefat e policisë, si të implikuar në trafik e në dispozicion të krerëve të bandave të drogës.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Basha deklaroi se denoncimi faktohet nga ndërkombëtarët.
“Rama është krenar dhe thotë se kjo është era shtet, a do jetë krenar ai sot për ministrin e tij pas fakteve që publikojmë, të dokumentuara nga partnerët për faktin që dy drejtorë të policisë në Korçe e Gjirokastër janë të implikuar direkt në trafikun e drogës, Arjanit Arapi dhe Ajet Zyberi janë dokumentuar nga partnerët si shërbëtorë të krerëve të trafikut dhe në dispozicion të biznesmenëve të hashashit, miq për kokë të Ramës”- tha Basha.
Basha ka thënë më tej se ministri është dokumentuar duke justifikuar e dhënë llogari para banditëve.
“Është justifikuar për hambarin e madh të drogës, para lidhjeve të shkurtra të familjarëve të biznesit, duke iu thënë nuk e keni prej meje, nuk isha unë, është e dokumentuar kjo. Është pikërisht dokumentimi i kësaj që tregon se sa qelbet shteti i Ramës”- tha Basha.
Komentet