Esad Ali Rizai është një nga bijtë më të mirë që Tropoja ia ka dhënë shqiptarisë dhe një nga shqiptaro-amerikanët më të shquar. Ai lindi në fshatin Luzhë, një nga më piktoreskët e këtyre anëve, i shtrirë në prehrin e butë të luginës rrëzë vargmalit që ndan Bytyçin nga Lugu i Malësisë. ‘Rizaj’ është lagjia më e bukur e fshatit, me kulla të larta dhe të bukura malësore. Rrëzë malit që aty lartohet pjerrët, i famshëm në gjithë Malësinë e Gjakovës është burimi Delvia, me ujë të bollshëm, të ftohtë, të kthjellët si loti.
Në fshatin e Esadit unë, në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, e kam filluar mësimdhënien. Shkolla, e vogël dhe e vjetëruar, ndodhej në bregun e majtë të lumit Vitalina, që e përshkon Luzhën. Dy vjeshta, dy dimra dhe dy pranvera e kam bërë dy herë në ditë rrugën nga Tplani, fshati im që është fqinj me Luzhën. Nga këndej, sapo del në kodrën mbi fshat, Luzha i shpaloset udhëtarit e tëra përnjëherësh më bukur se ngado tjetër, nga këndi më panoramik, në tërë shtrirjen e saj.
Rruga më çonte gjithnjë pranë kullës ku ka lindur Esadi. Dhe takoja shpesh gjyshen e tij, Sosen, e cila ishte bijë nga farefisi im në Bujan, nganjëherë edhe banorin tjetër të asaj kulle, Sahit Ali Rizain. Më përshëndeste, më fliste, më përqafonte, si nipin e saj, Sahitin, vëllain e vogël të Esadit, pak më i rritur se unë, më jepte të fala për njerëzit e mi. Luzha, edhe pse e mbante ndaj të dyve distancën e imponuar nga lufta e klasave, nuk e fshihte dot admirimin dhe respektin që kishte për gjyshen dhe nipin, admirim dhe respekt që iu takonte edhe të zotit të shtëpisë, Ali Ali Rizait, zonjës së shtëpisë dhe dy djemve të tyre, Qazim Ali Rizait dhe Esad Ali Rizait, të cilët kishin bërë një nga arratisjet më të bujshme të kohës. Për pamundësi fizike kishin mbetur në atdhe vetëm më e moshuara e shtëpisë dhe më i vogli i shtëpisë.
Esadi është krenar për të atin, Ali A. Rizai, i lindur dy muaj pasi babain ia kishin vrarë si luftëtar të Bajram Currit. Nga mosha 18 vjeçare Ali A. Rizai, i radhitur në formacionet e Gani Beg Kryeziut, nuk kishte pushuar së luftuari kundër fashizmit, nazizmit, komunizmit. Më 1948, Ali A. Rizai ishte burgosur si njeri i rrezikshëm për regjimin komunist ngaqë nuk pajtohej kurrsesi me asnjë lloj shtypjeje dhe padrejtësie. Më 1951 u arratis nga burgu, mori familjen dhe kaloi në Jugosllavi, ku përsëri u burgos, sepse nuk pranoi të spiunonte kundër Shqipërisë. Më 1960 u arratis nga burgu e nga Jugosllavia, kaloi në Itali dhe më 1962 u vendos përfundimisht në SHBA, ku gjithë jetën ia kushtoi çështjes shqiptare. Veprimtarët shqiptarë vlerësojnë se me ardhjen e Aliut, iu shtua një dimension i fuqishëm jetës së diasporës shqiptare në Amerikë. Më 2001, pas 49 vitesh, mundi të vizitojë Shqipërinë, mundi të ribashkohej me birin e tij, Sahit Rizai, të cilin e kishte lënë vetëm 3 vjeçar kur ishte larguar nga Shqipëria.
Esadi është krenar për Luzhën e tij. Dhe nuk ka si të mos jetë krenar për Dervish Luzhën, Nderi i Kombit , klerikun aq të dashur për tropojanët dhe shqiptarët gjithandej, sepse nuk iu përkul kurrë regjimit komunist dhe gëzoi mikpritjen e çdo shtëpie malësore. Fare pak larg kullës ku lindi Esadi, ndodhet tyrbja e tij dhe shtatorja, ngritur me mbështetjen e heroit Azem Hajdari, nip i Luzhës. Të rrallë janë ata vizitorë që shkojnë në Tropojë dhe nuk ndalen te tyrbja e Dervish Luzhës, për të cilën kujdeset ish nxënësi im Neki Balaj. Esadi ka bërë shkrime portretizuese për Dervish Luzhën, në faqen e tij në facebook nuk ka ditë që të mos jenë të pranishme Luzha (Luzha City) dhe Dervish Luzha.
Në shkrimet e tij Esadi rrëfen se Dervish Luzha, njeri i veprave të larta, ka pasur te ai një ndikim të tillë që ia ka ndryshuar përgjithmonë jetën, duke u bërë frymëzim gjithashtu për vepra të larta. E frymëzoi Esadin vetë Dervish Luzha, vetë zëri i tij, për të ngritur shkollën e parë shqipe në Bronks të Nju Jorkut. Dervish Luzha është ai që ia lehtëson rrugën për çdo vepër të lartë që ai ndërmerr. Po atë vit, më 1993, themeloi Fondacionin e Shoqërisë Shqiptaro – Amerikane, i cili deri sot ka zhvilluar disa aktivitete me rëndësi për shqiptarët. “Në të gjitha këto aktivitete unë kam gjetur frymëzimin dhe kurajon tek vepra e Dervish Luzhës. Këtë personalitet të madh e kam takuar vetëm njëherë kur isha tre vjeç. E mbaj mend kur erdhi në shtëpinë tonë dhe më uli në prehër e më dha një mollë. Dervish Luzha ishte një bamirës i madh, një atdhetar, një parashikues, një profet tek i cili unë dhe shumë të tjerë kanë gjetur forcën e kurajos për të kryer punë me rëndësi për shqiptarët,” shkruan Esad Ali Rizai.
Esadi është krenar për nipin e tij gjeneral Tahir Sinani, heroi i luftës në Kosovë, në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës. Në nëntor të vitit 1998 Tahir Sinani iu përgjigj thirrjes së UÇK-së dhe u bë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. U dallua si komandant dhe si luftëtar drejtpërdrejt në luftime për guxim e trimëri të rrallë. Më 2000 vepron me UÇPMB në Kosovën Lindore. Në pranverën e vitit 2001 është në beteja në shpatet e bjeshkëve të Sharit dhe në Likovë, në Maqedoninë e Veriut. Në qershor të vitit 2001 brigada 116-të e tij vendoset në Zonën e Gostivarit dhe Radikës. Më 29 korrik 2001 ra në Malsinë e Gostivarit së bashku me katër luftëtarë.
Esadi është krenar për Malësinë e Gjakovës, është krenar për Kosovën, për mbarë Shqiptarinë. Falë tij, në Bashkinë e Bronksit, Nju Jork, ditë të veçanta iu kushtohen figurave më të larta të historisë së shkuar dhe të sotme të kombit tonë. Ai ditë e natë mendon dhe vepron për të lartuar shqiptarinë.
Esad Rizajn e kam njohur personalisht në Nju Jork në fund të pranverës së vitit 1993, kur me zonjën Buçpapaj vizitonim Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Na ka organizuar drekën me ish kongresmenin shqiptar Joseph DioGuardi, anëtarë të tjerë të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe me veprimtarë të tjerë shqiptaro-amerikanë, na ka shetitur nëpër kryemetropolin botëror, na ka dërguar të vizitojmë edhe në shtëpi DioGuardin, me të cilin ndiheshin sivëllezër të vërtetë. Në të gjitha tryezat, Esadi shtron platformat e bisedave, rreth bashkimit të shqiptarëve për mbarëvajtjen e çështjes shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Diasporë e kudo tjetër. Në të gjitha bisedat, burojnë idetë e tij që gjenin miratim të menjëhershëm tek të pranishmit. Esadi është plot mbresa, plot vizione, vizita në Shqipëri sikur i ka dhënë flatra të reja.
Një nga veprimtarët e shquar të diasporës sonë në Amerikë, Sab Gashi, e cilëson Esadin kapacitet kombëtar. Ai Esadin e thërret Baci i Madh dhe thotë se vjen fill pas Joseph DioGuardit. Është ky Bac njëri nga të parët që i kërkoi DioGuardit: “Duhet të afrohemi dhe ti do të na prish para.” Pikërisht atëherë DioGuardi filloi Ligën Qytetare Shqiptare Amerikane. Falë njerëzve të tillë si Baci i Madh, si DioGuardi e të tjerë ne shqiptarët arritëm deri te Presidenti i SHBA Bill Klinton, ku edhe u muar vendimi historik për kombin shqiptar, shkruan Sab Gashi.
Në krye të Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro – Amerikane, Esadi nuk pushon së ndërtuari ura bashkëpunimi të shqiptarëve me kryetarët e Qytetit të Nju Jorkut, me guvernatorët, senatorë dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Nju Jorkut, veçanërisht me Rudy Giuliani III, Michael Bloomberg dhe Andrew Cuomo. Me nismën e Fondacionit më 1997, për herë të parë, filloi ngritja e flamurit shqiptar dhe kremtimi i 28 Nëntorit në Bashkinë e Qytetit. Dy herë me radhë, gjatë viteve 2000 dhe 2001, kryebashkiaku i New Yorkut, Rudy Giuliani ia dorëzoi fondacionit proklamatën me të cilën 28 Nëntorin e shpallte si ditë të shqiptarëve në New York.
Ai ka një bashkëpunim tejet të frytshëm mbi dhjetëvjeçar me Kryetarin e Bashkisë të Bronx në shtetin e New Yorkut të SHBA, Z. Ruben Diaz Jr., i zgjedhur në tri mandate, 2009, 2013, 2017, një figurë shumë e respektuar dhe e dashur për komunitetin shqiptaro-amerikan që jeton këtu. Z. Rubern Diaz Jr, e konsideron Esadin një aleat të sukseseve të tij dhe në shkurt të këtij viti i dha Vlerësim për Merita me motivacionin: “Sot, ndërsa hedhim një sy për një dekadë suksesi të Bronx dhe transformimin e vazhdueshëm pozitiv që bashkia jonë ka parë gjatë dhjetë viteve të shkuara, ne reflektojmë dhe jemi të ndërgjegjshëm se këtë rrugë suksesi ne nuk mund ta bënim vetëm. Mbështetja juaj ka qenë shumë e çmueshme për zyrën time gjatë dhjetë viteve të fundit. Stafi im dhe unë jemi krenar që ju quajmë aleat dhe mik. Në emër të më shumë se 1.4 milion banorëve të The Bronx, unë, Ruben Diaz Jr., ju përshëndes duke vlerësuar ndikimin tuaj pozitiv në bashkinë tonë.”
Esad Rizai është bashkorganizator në shumë manifestime të mbajtura nga diaspora shqiptare në Amerikë dhe veçanërisht në ato të organizuara në Nju Jork. Dhe është një ndër oratorët kryesorë të shumë prej këtyre manifestimeve. Portreti i tij burrëror e fisnik në krye të veprimtarive atdhetare, e frymëzon përherë Disaporën Shqiptare në Amerikë, i jep guxim, trimëri e vizion për të qenë në krye të detyrave të larta në shërbim të miqësisë shqiptaro-amerikane dhe të çeshtjes sonë kombëtare.
Esad A. Rizai ka bërë Miq të shqiptarëve tij gjithë figurat më të ndritura të New York-ut dhe Bronx-it.
Esad A. Rizai është institucion në NYC. Është Ambasador i vërtetë i vlerave të shqiptarëve!
Esad A. Rizai nuk organizon Gala mondane që të mbledhë para të cilave nuk u dihet adresa, por kontribuon me punë dhe dinjitet që lidhjet shqiptaro-amerikane të forcohen.
Më 2001 kryetari i atëhershëm i bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, miku i shqiptarëve Rudy Giuliani (Rudi Xhuliani) nderonte Esat Rizain dhe Fondacionin e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane (the Albanian American Society Foundation, Inc. ), duke deklaruar më 28 Nëntor 2001, “Ditën e Pavarësisë Shqiptare” (“Albanian Independence Day” ) në qytetin e Nju Jorkut.
Më 2003 kryetari i bashkisë të New York Michael Bloomberg, mik dhe bashkëpunëtor i Esat A Rizait do të vizitonte Kosovën dhe do të takohej me presidentn historik të Kosovës dr.Ibrahim Rugova.
Në 2009, Rubén Díaz Jr., Kryetari i Bashkisë të Bronx në New York, Mik dhe bashkëpunëtor i Esad A.Rizait emërtoi një bllok të Avenue Lydig midis Holland Avenue dhe Wallace Avenue, si “Mother Teresa Way” – “Rruga Nëna Tereza”, ndërsa i njëjti kryetar bashkie e shpall 26 gushtin 2019 në Bronx si ditën e Nënë Terezës në nderim të trashëgimisë humanitare të Shenjtores Tereza dhe në respekt të komunitetit shqiptaro-amerikan në Bronx.
Me fondacionet që drejton Esad Rizai ka ndikuar që administrata e lartë e New Yorkut dhe Bronx-it të nderojnë e vlerësojnë figura të shquara të historisë, politikës dhe kulturës shqiptare si dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Esad Rizai i ka Miq e ka bashkëpunuar e bashkëpunon me të gjithë guvernatorët dhe kryetarët e bashkive të New York-t dhe Bronx! Janë të rrallë shqiptaro-amerikanët si ai! Rudi Xhuliani, Michael Bloomberg, Andrew Cuomo, Rubén Díaz Senior dhe Rubén Díaz Jr., Bill de Blasio! Të gjithë personalitetet më të larta të administratës të New York dhe Bronx e kanë për nder të bashkëpunojnë me një njeri si Esad A. Rizai.
Që i japin kombit, pa e zhvatur sikur është bërë sot në modë. Esat A.Rizai është një amerikan i nderuar dhe një shqiptar nder i kombit!
I urojmë jetë të gjatë dhe gjithmonë sukses në rrugën e tij në të mirën e përbashkët shqiptaro-amerikane!
Hon. Stephen B. Kaufma, Mayor Mike Bloomberg, Esad A. Rizai
Me Rubén Díaz Jr., kryetari i bashkisë të Bronx
Senator Alessandra Biaggi & Esad A. Rizai
Me guvernatorin e New York Andrew Cuomo
Me Rubén Díaz Jr., kryetari i bashkisë të Bronx dhe guvernatorin e New York Andrew Cuomo
Me Kongresmenin Eliot Engel
Me kryetarin e Bashkisë të New York-ut Bill de Blasio
Në New York autori i shkrimit me Esad A.Rizain gjatë një takimi me kongresmenin Joe DioGuardi
Respekte per veprimtarin e palodhur të çështjes komtare Z.Esad A.Rizai.