Pasi ka mbyllur Sinodin mbi Familjen midis njëmijë kompromisesh, Françesku përgatitet të hapë Jubileun. Por në Vatikan garda e vjetër komploton kundër tij dhe vullnetit reformues të tij. Me «rrjedhje» dhe goditje të ulëta.
Çdo ditë një valixhe plot me dokumenta niset nga pallati papnor dhe përfundon në dhomën 201 të Casa Santa Marta, banesa e Papës. Shpesh udhëton në duart e Pier Giorgio Zanetti, një ish xhandar vatikanas, jo rastësisht i caktuar si maxhordom personal i Jorge Mario Bergoglio. E njëjta valixhe riniset në mbrëmje, pas orës 19, në drejtim të Sekretarisë së Shtetit. Një ecejake letrash që i detyrohet faktit se Françesku ka refuzuar të jetojë në apartamentin papnor dhe ka preferuar Santa Marta. Megjithatë, të paktën deri pak kohë më parë, pavarësisht kësaj lëvizjeje të vazhdueshme valixhesh, dukej se sekretet e Papës Bergolio, në ndryshim nga ato të papatit të Ratzingerit, dukej se qenë të ruajtura mirë.
Nga ana tjetër, Ati i Shenjtë argjentinas merr masat mbrojtëse të tij: valixhja hapet dhe mbyllet vetëm në praninë e tij; nuk ka celular, por ka kërkuar një linjë telefonike që kalon nga dhoma e tij për të marrë e bërë telefonata me jashtë pa përdorur centralet vatikanase; dhoma 201 dhe studioja ngjitur kontrollohen dhe këqyren periodikisht për çimka të mundshme. Pastaj është «rrethi magjik», grupi i ngushtë i bashkëpunëtorëve më besnikë që formojnë murin rrethues: në të bëjnë pjesë dy sekretarët personal të tij, argjentinasi Fabian Pedacchio dhe egjiptiani Yoannis Lahzi Gaid, plus një imzot argjentinas i Sekretarisë së Shtetit Guillermo Karcher, mik i vjetër i Papës, por edhe Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin dhe zëvendësi i tij, Angelo Becciu. Casa Santa Marta është bërë një lloj bunkeri. Aq sa disa imzotë që banonin kanë preferuar të transferohen tjetërkund, duke hequr dorë nga jetesa nën një çati me Papën, boll që të kishin liri lëvizjeje.
Pavarësisht këtyre masave mbrojtëse, “korbat” kanë rifilluar të fluturojnë përreth Vatikanit dhe kanë arritur tashmë të godasin. Helme dhe velina kanë rifilluar të qarkullojnë brenda dhe jashtë pallatit apostolik me masën e pamungueshme të letrave anonime. Akrepat e sahatit janë kthyer prapa në 2012, kur maxhordomi Paolo Gabriele vidhte dokumente nga skrivania e Benediktit të XVI-të? Fatkeqësisht, përshtypja është kjo. Sinodi mbi Familjen është shoqëruar nga skandale, ndryshime të papritura dhe skupe false që kanë bërë të krijohet një ide për atmosferën që ka në Vatikan. Një klimë larje hesapesh: Papa po kërkon që të shqyejë dritaret për të future ajër të rij, por «garda e vjetër» është e gatshme për gjithçka, boll që të mos lëshojë pozicionet apo të mbrojë të kaluarën e saj. Por nga kush përbëhet kjo «gardë e vjetër»?
Me 23 mars 2013, pak ditë pas zgjedhjes, Françesku i bën një vizitë Benediktit të XVI-të në Castel Gandolfo dhe Papa i Merituar i jep një dosje voluminoze me një zarf të madh të bardhë. Brenda janë procesverbalet e invetigimeve lidhur me Vatileaks, të zhvilluar në muajt e mëparshëm nga 3 kardinalë: Julian Herranz, Jozef Tomko e Salvatore De Giorgi. Bergoglio lexon këto letra që, siç zbulohet nga Panorama me 21 shkurt 2013, përshkruajnë lobe, lojëra pushteti, shantazhe në gjirin e mureve vatikanase. Një fotografi e pamëshirshme e pallateve të shenjta. Megjithatë, Françesku vend që t’i mbajë në vendet e tyre pothuajse të gjithë gurët, edhe ata më të përfolurit. Ndryshon vetëm disa. Kush priste një spastrim rrënjësor, një «spoil system» në stilin vatikanas, mbetet i zhgënjyer. «Françesku është i bindur në aftësinë e konvertimit e të ndryshimit të njerëzve», shpjegojnë bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij. Papa preferon që të sjellë nga ana e tij ata që gjenden tashmë në pikat nevralgjike të pushtetit në vend se të krijojë armiq të rinj. Për disa kemi të bëjmë me një naivitet që mund t’i rezultojë fatal Françeskut, kurse sipas disa të tjerëve ka qenë një dinakëri jezuite e jashtëzakonshme. Por garda e vjetër nuk nënshtrohet dhe shtohet më të pakënaqurit e rinj: peshkopë e kardinalë që shpresonin në një rezultat të ndryshëm të konklavit (zgjedhjen e Arqipeshkëvit të Milanos Angelo Scola) ose u frikësohen reformave të Françeskut.
Është formuar kështu një rrjetë merimange që kërkon të mbajë nën fre Françeskun. Një aksion i ngadaltë dhe i heshtur. Dhe rrjeta zgjerohet: «Papa shkon, por Kuria mbetet», dëgjohet të përsëritet. Herëpashere merimanga del zbuluar dhe godet. Si në rastin e Sinodit mbi Familjen: në vigjilje të tij teologu polak Krzysztof Charamsa deklaron homoseksualitetin e tij dhe e drejton gishtin kundër Kongregacionit për Doktrinën e Fesë. Pastaj i kalohet shtypit teksti, i modifikuar, i një letre të rezervuar që një grup kardinalësh i ka shkruar Papës për të kontestuar metodën e punës, duke krijuar kështu rrezikun që asambleja të pilotohet. Midis nënshkruesve është edhe një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Françeskut, Kardinali australian George Pell. Ndërkohë shpërthen skandali i famullisë romane të Santa Teresa d’Avila, që përfshin disa klerikë karmelitanë në një histori prostitucioni gei dhe droge. Ngjarja fut në lojë edhe Kardinalin vikar Agostino Vallini, një tjetër njeri i besuar i Françeskut, prej muajsh në dijeni të kësaj historie të keqe siç dokumentohet nga një letër dërguar kardinalit nga 110 klerikë. Së fundi botohet skupi fals lidhur me tumorin në tru të Bergolios, që arrin në kurorëzim të një stili të mbushur plot me insinuata dhe gjysma lajmesh lidhur me shëndetin e tij.
Shenja të kësaj ndeshjeje ka pasur tashmë në të kaluarën, me sulme dhe skandale të përdorura me art kundër Bergolios. Pavarësisht gjithçkaje, Françesku del fitues nga Sinodi i fundit, falë edhe ndonjë kompromisi. Por irritimi i tij është i dukshëm. Në diskutimin përmbyllës sulmon «metodat jo krejtësisht dashamirëse» të përdorura në asamblenë e madhe. Me besnikët e tij tallet lidhur me lajmin për tumorin, siç referon Angelo Becciu. Ama edhe do të shtonte: «Nëqoftëse nuk më lënë të punoj, jam gati të largohem». Por ndërkohë nuk synon aspak të përfundojë si Ratzinger në vorbullën e një Vatileaks të ri. Për pasojë, gjuetia ndaj “korbave” ka filluar.
I pari që e pëson rrezikon të jetë Imzot Lucio Angel Vallejo Balda. Spanjoll, 54 vjeçar, prift dioqezian që është afruar pastaj me Opus Dei. Ishte në garë për rolin e Sekretarit të Përgjithshëm e Sekretarisë së Ekonomisë, dikaster i fuqishëm i krijuar nga Bergolio për të mbajtur nën kontroll llogaritë e Vatikanit. Por në momentin e fundit Papa ka preferuar ish sekretarin personal të tij, maltezin Alfred Xuereb. Vallejo ka paguar ndoshta një protagonizëm të tepruar dhe një gafë që ka bërë xhiron e botës: organizimin e një mëngjesi vip, shumë të rezervuar dhe elegant, në taracën e Prefekturës së Çështjeve Ekonomike gjatë kanunizimit të Gjon Palit të II-të dhe Gjonit të XXIII-të me 27 prill 2014. Një event mondan për të ndjekur një ceremoni fetare, që Bergolio nuk e ka pëlqyer. Tani do të ishte në zhvillim një hetim për zbuluar nëse ka qenë ai që i ka kaluar shtypit lajme të rezervuara lidhur me financat vatikanase dhe ndonjë helm në ngarkim të kreut të Sekretarisë së Ekonomisë, Kardinalit Pell. Sipas këtyre “leaks”, i purpurti australian do të ishte sa i rreptë në shkurtimin e kostove të Vatikanit, aq edhe shpërdorues në shpenzime për apartamentin e tij. Gjithçka për t’u verifikuar. Por ndërkohë Papa do të dijë se kush ka qenë “korbi”.
E njëjta vlen për botimin e letrës së priftërinjëve sinodalë Papës. Ka që e drejtojnë gishtin ndaj Arqipeshkëvit të New York, Kardinalit Timothy Dolan, tashmë i kritikuar gjatë konklavit për kontaktet me shtypin. Me pjesë të peshkopatit amerikan, Dolan i frikësohet një devijimi tepër liberal të magjisterit të Françeskut. Për pasojë do të zbriste në fushë i mbështetur nga një mik i vjetër; ish Presidenti i CEI-t Camillo Ruini. Midis firmatarëve të kësaj letre, veç të tjerëve, qenë Arqipeshkëvi i Bolonjës Carlo Caffarra dhe Kardinali Pell. Në realitet, Françesku u ish përgjigjur publikisht vëzhgimeve të avancuara nga ai grup të purpurtish. Por i ka ardhur keq për faktin se kjo letër, e ndryshuar në disa pjesë, i është dhënë më pas shtypit. Sikur ndonjë kardinal të mos kishte mbetur i kënaqur me përgjigjet e tij dhe të kish tentuar të krijonte një rast mediatik. Pastaj Bergolio do të mbetej i trishtuar kur të shikonte midis firmatarëve të letrës pikërisht një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij, Kardinalin Pell. Ish rregbist me mënyra paksa të ashpra e të forta, australiani është thirrur në Kuri për të vënë në rregull llogaritë. Dhe menjëherë nuk e ka fshehur një mosbesim të caktuar ndaj italianëve. E ka shoqëruar jehona e një procesi për pedofili në Australi, që e ka përfshirë për faktin se kur ka qenë Arqipeshkëv i Sidneit ka mbrojtur një prift të dënuar për abuzime seksuale. Siç bën me të gjithë bashkëpunëtorët e tij, Papa e ka mbrojtur gjithmonë Pell. Siç ka toleruar gjithmonë sjelljen e tij prej rejnxhëri në menaxhimin e financave. Por kur e ka gjetur midis kritikëve të Sinodit i ka ardhur keq.
Nga ana tjetër, është në zhvillim një përplasje e ashpër midis dy figurash të larta të Kurisë, Pell dhe Parolin. “Motu proprio”, që i korrespondon një ligji papnor, “Fidelis dispensator et prudens” të 24 shkurtit 2014 ka futur në Vatikan një lloj “qeverisjeje duale”, midis Sekretarit për Ekonominë dhe Sekretarit të Shtetit, duke i hequr pushtete këtij të fundit. Dekreti i jepte kompetenca të shumta australianit, sidomos menaxhimin e resurseve dhe personelin. Italianit i rezervohej pjesa diplomatike. Por me statutin e 22 shkurtit 2015, sfera e veprimit të Sekretarisë Ekonomike është ridimensionuar. Inteligjenca dhe stili i butë i Parolin kanë fituar ndaj mënyrave prej rregbisti të Pell. Pa e sulmuar asnjëherë drejtpërsëdrejti, italiani ka marrë kontrollin e dosjeve të shumta. Ndoshta kjo gjë nuk është krejtësisht e huaj për firmën e Pell në një letër dërguar Papës gjatë Sinodit. Por problemet nuk kanë mbaruar, aq sa Bergolios në mes të tetorit i është dashur të ndërhyjë publikisht për të rekomanduar respektimin e rregullave në punësime dhe transferime në Kurinë romane.
Kur flitet për gardë të tjetër nuk mund të harrohet bota polake, që i referohet ish sekretarit të Gjon Palit të II-të Stanislaw Dziwsiz. Një realitet ende i fortë dhe influent në nyjet jetike të Kurisë. Françesku është i vendosur të kuptojë se kush ka mbrojtur dhe mbuluar prej vitesh ish Nuncin polak në Republikën Domenikane Józef Wesołosski, i akuzuar për pedofili dhe që ka ndërruar jetë në Vatikan teksa ishte në pritje të procesit. Ndërkaq Dziwisz ka transferuar në Krakovi të gjithë arkivin që Gjon Pali i II-të kishte kërkuar të asgjësohej. Dosje, letra, shënime, dokumente personale të Karol Wojtyla, që përmbajnë edhe shumë sekrete mbi Kurinë dhe jetën e Kishës. Edhe ish Sekretari i Shtetit Kardinali Tarcisio Bertone duket se ka ndërmend të botojë një libër kujtimesh, ndoshta rasti për të hequr ndonjë guriçkë nga këpuca dhe zbuluar disa prapaskena të periudhës së Ratzinger.
Do të mjaftojë gjuetia ndaj “korbave” për të mbrojtur papatin e Françeskut? Në të vërtetë Bergolio, me gjithë suksesin e udhëtimit në Kubë dhe në Shtetet e Bashkuara, afeksionin e njerëzve dhe rezultatin e Sinodit, përgatitet të lundrojë në ujëra të turbullta. Nga 25 deri më 30 nëntor pritet në Kenia, Ugandë dhe Republikën e Afrikës Qendrore. Një udhëtim shumë impenjues nga pikëpamja fizike (3 vende në 5 ditë), por edhe pastoral. Mjafton të kujtohen polemikat e ashpra që shoqëruan udhëtimin e Benediktit të XVI-të në Kamerun dhe Angolë në 2009 për deklarimet e tij mbi AIDS-in dhe përdorimin e prezervativit.
Për Bergoglio ai afrikan është një burim jashtëzakonisht i nxehtë sepse nga kardinalët dhe peshkopët e këtij kontinenti kanë ardhur rezistencat më të mëdha ndaj ndryshimit gjatë Sinodit. Mund të duket paradoksale, por shumë peshkopë të Kishës afrikane rreshtohen në mbrojtje të traditës e të doktrinës. Kreu i tyre, Kardinali i Guinesë Robert Robert Sarah, Prefekt i Kongregacionit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve. Për të purpurtin, “hapja ndaj të divorcuarve tradhëton Ungjillin”. Në ndërhyrjen e tij në Sinod ka paralajmëruar peshkopë e kardinalë për rrezikun që “satanai” t’i zotërojë për t’i shtyrë që të marrin vendime të kundërta me magjisterin. I purpurti afrikan, që ka një histori të jashtëzakonshme raportesh me botën animiste afrikane, sot është bërë një pikë referimi për atë që tashmë projekton “pasBergolion”. Libri i tij i fundit “Zot ose asgjë”, i përkthyer në shumë gjuhë, është një lloj manifesti për një Kishë që rivendos në qendër doktrinën.
Problemët për Bergolion mund të vijnë edhe nga CEI. Nga 9 deri më 13 nëntor është në program një kuvend klerikal kombëtar në Firence. Papa do të shkojë në Prato dhe në kryeqendrën toskane me 10 nëntor. Ndërkohë midis peshkopëve italianë është në zhvillim një konfrontim i ashpër midis shpirtërave të ndryshëm që i referohen Sekretarit të CEI-t Nunzio Galantino, i afërt me Papën, Presdientit Angelo Bagnasco, Arqipeshkëvit të Milanos Angelo Scola dhe gardës së vjetër të “ruinianëve” gjithmonë shumë influentë. Françesku ka vendosur që ta anojë peshoren nga ana e tij, duke emeruar në vigjilje të kuvendit dy priftërinj rruge në krye të dioqezave të rëndësishme italiane, Bolonjës dhe Palermos. Në Emilia do të shkojë ish asistenti i Komunitetit të Shën Exhidios Matteo Zuppi në vend të Kardinalit Caffarra, firmatar i letrës së kardinalë kontestues të Sinodit. Ndërsa në Palermo do të shkojë një prift i thjeshtë, Don Corrado Lorefice nga Modica e Siçilisë. Veç kësaj, Bergolio përgatit një konçistor për emërimin e kardinalëve të rinj në pranverë: do të forcojë kështu ekipin e tij, por pashmangshmërisht do të provokojë pakënaqësi midis të përjashtuarve. Trazira të tjera do të provokojë “Via cruces”, libri i ri i Gianluigi Nuzzi, që do të dalë më 9 nëntor në 23 vende.
Kurthe të tjera në rrugën e Françeskut mund të vijnë nga financa vatikanase. Papa nuk ka përfunduar akoma së vëni rregull midis Institutit të Veprave Religjioze dhe Administratës së Pasurisë të Selisë Apostolike (APSA). Procesi ndaj Imzot Nunzio Scarano, “Imzot 500 euroshi”, kleriku i APSA-s i arrestuar nga prokuroria e Salernos me akuzën e riciklimit, është ende në zhvillim. Ashtu siç është hetimi i promotorit të Drejtësisë i Qytetit të Vatikanit, Gian Piero Milano, në ngarkim të ish Presidentit të IOR-it Angelo Caloia dhe të ish drejtorit Lelio Scaletti. Veç kësaj, duhet hedhur dritë e mëtejshme mbi disa llogari të bankës vatikanase tani të mbyllura. Papa nuk do ta përçajë Kishën, por nuk do as të tërhiqet. Jubileu i jashtëzakonshëm i Mëshirës është një apel i madh ndaj popullit për ta mbështetuir veprën e tij të reformës. Por “korbave” nuk u tregon faqen tjetër.
(Ignazio Ingrao për revistën “Panorama”)
Përgatiti
ARMIN TIRANA
Komentet