Në fakt, grupin që liroi më shumë ky përcaktim ka qenë grupi i intelektualëve dhe akademikëve tanë patetikë në dy anët e kufirit, që kanë kohë që flenë, menduar në më të mirën dhe që nuk merren parasysh fare, në më të keqen.
Hyrja mbase duket si pa sens, por jo për të mos e çuar vëmendjen në problemin kryesor: Bota shqiptare akademike po e shpërdoron trurin kombëtar në mënyrën më të papërgjegjshme. Që do të thotë se intelektualët prej vitesh nuk janë më ushqimi kryesor i ndërgjegjes së kombit, por thjesht kontribuues rastësor të saj.
Pjesa më e madhe e tyre i janë futur politikës dhe u shndërruan bashkë me të në vetë-shkatërrues të trurit, kurse ata që kanë mbetur në terrenin akademik dhe mësimdhënie e kanë bërë dhënie-marrjen e dijes krejt inflamative. Është e pamundur që të mos takosh një njeri të zakonshëm me një shkollë të lartë që të mos ketë prioritet doktoraturën e më tej profesoratin.
Ajo që dihet me siguri është prodhimi i studimeve boshe, plagjiaturave dhe kinse jetës akademike, që në fund përfundon me numërimin e firmave të kryeqyteteve ku jepen certifikatat. Kjo ka bërë që të mbijetojnë lloj-lloj marifetçinjsh ku plagjiatura, miqësia dhe përkrahja boshe, të na lenë shumë pas, mbase dhe me vendet fqinje.
Nuk të duhet shumë të shikosh, por vetëm të gjykosh sesa e pamundur është sot që shkenca shqiptare të japë përgjigje për bujqësinë, hidrologjinë, problemet sociologjike të njeriut shqiptar dhe bindesh, që sistemi ynë akademik është krejt i dështuar…Që do të thotë se elitat dhe ideologjitë kombëtare që duhet të përçoheshin nga individë të shquar të shkollave shqiptare jo vetëm mungojnë, por në më të shumën e herëve humbasin energji në sherre boshe ose kinse shkencë. Politika e ka shtuar edhe më tej katrahurën e vet me masën inflamative të universiteteve, masa e madhe e të diplomuarve të së cilës enden dhe janë kontingjent i frikshëm militantësh partish, që derdhet në institucione.
“Ka një moskuptim thelbësor mbi misionin e dyfishtë të IAL: Prodhimi i elitave dhe ideologjive kombëtare si dhe plotësimi i nevojave të ekonomisë me specialistë. Misioni i parë është anashkaluar në frymë duke u konsideruar madje si pengesë zhvillimore. Më keq akoma, ka qarqe brenda dhe jashtë vendit, lobuese pranë politikës, që e kanë kthyer në mision të vetin shkatërrimin e arsimit kombëtar nën flamurin e ekonomisë së tregut”, pohonte për BIRN, Artan Boriçi, profesor në Universitetin e Tiranës.
E me gjithë miratimin e Ligjit të Arsimit, asgjë nuk është se po ndryshon sa i përket kërkimit shkencor nga ana tjetër, që do të bënte diferencimin real të studiuesve, por edhe do të priste hovin e shumë kinseve. Shteti vazhdon të fshihet mbas grepave të ligjit, duke futur kokën si struci. Ndërsa, e ke të vështirë dhe në aktivitetet më të zakonshme shkencore të dëgjosh një debat të vërtetë shkencor apo të admirosh rritjen e individëve të shkencës, konform zotësisë. Kjo bën që në disiplinat e historisë të kesh lloj-lloj studiuesish që e bëjnë shqiptarin gati mitik dhe ia gjejnë gjenealogjitë me heronjtë e Trojës, të tjerë që flasin në studime sociologjike për homo albanicus gati alien.
Dhe, të gjitha konsakrohen në botime e botime pa fund dhe në konferenca, ku ka individë që referojnë 2-3 herë në vit, ose prodhojnë kumtesa të panumërta. Në një farë mënyre truri shqiptar është i dëmtuar jo thjesht prej Ligjit të fundit të Arsimit, shpërbërjes së Akademisë së Shkencave, por edhe zvetënimin e vetë intelektualit shqiptar. Që në ditët tona e ka humbur fare skrupullin dhe mbijeton në forma nga më të pabesueshmet.
Ca më shumë akoma, reforma që nisi në vitin 2008, në Akademisë e Shkencave jo vetëm rezultoi absurde, por me heqjen e instituteve nga varësia e saj, e ka bërë atë një institucion koti, pa asnjë lloj peshë në jetën shkencore, ekonomike e kombëtare të vendit.
Të vjen habi, sesi masa e madhe e ekonomistëve akademikë vendas nuk bëjnë kritikën për sistemin pa model që ndjek qeveria e sotme, ashtu si nuk e kritikuan atë të mëparshme. Çuditesh, që strukturat e pafundme të bujqësisë nuk kanë më personalitetet, që t’i bënin oponencën e duhur Ministrisë së Bujqësisë, që ka mbetur aq pas me politikat e veta. Por trandesh, kur kujton institucione dhe disa struktura që merren me ujin dhe nuk i ruajnë dot banorët nga përmbytja. Ndaj, të gjithë buzëqeshin kur kryeministri del e flet si jurist, inxhinier ndërtimi, mjek dhe bujk, sepse truri i kombit dhe ata që janë specialistë nuk kanë më zë të tregojnë vizionin e vendit. Për të mos thënë nuk kanë më turp, ashtu si nuk turpërohen të kopjojnë dhe të marrin pafund botime të huaja dhe t’i paraqesin për shqiptarët për marrje gradash shkencore e honorarësh fiktive.
Mbase argumenti ynë u shtjellua në formë eklektike, por duke iu kthyer fillimit: Akademitë e fqinjëve tanë, duken se janë tërhequr pak, por nuk flenë asnjëherë, duke përgatitur e përgatitur për të ardhmen, atë që ne nuk e shikojmë dot edhe pas dritares.
Komentet