Ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, dhe nënkryetari i Grupit të PS-së, Taulant Balla, kanë shkëmbyer replika të forta, të cilat në disa raste kanë tejkaluar etikën në Kuvend. Ajo që ka acaruar deputetët e PS-së ka qenë deklarata e Topallit se nuk do t’u japë përgjigje deputetëve që janë nën 1 metër e 50 centimetra.
Por kjo thënie është përdorur nga të majtët për ta ftuar Topallin që të kryente matjen në “terren”. Madje, Topalli ka shkuar më tej duke thënë se deputetët e PS-së, Balla dhe Braçe, duhej të vishnin taka që të merrnin përgjigje nga ajo.
Socialisti Balla ka ironizuar më Topallin duke e quajtur “Manushaqe” dhe se askush nuk e do në PD. “Kjo zonja që foli ka histori të trishtueshme sa herë që flet dhe unë e mirëkuptoj se të gjithë shqiptarët i dinë ato historitë e Institutit të Misrit. Edhe pretendimin për t’u bërë e persekutuar”, u shpreh Balla.
REPLIKAT NË KUVEND
Jozefina Topalli: Jemi në vendin më të varfër, edhe raporti i fundit e ka rrokullis Shqipërinë me 35 vendet më poshtë…
Taulant Balla: Ti zonjë që bën si e ndershme, të flasësh ti për shpenzime të pajustifikuara, ku 750 mijë euro në vit harxhonte ajo naftë. S’ke faj ti që s’po bëhet një auditim dhe të përfundosh në Prokurori. Merrte dhe dietën se gjoja banonte në Shkodër dhe banonte në Bllok. Ka marrë dietën 1 milion e 400 mijë muaj për muaj.
Jozefina Topalli: Kam marrë një vendim prej dy vitesh, burrat që janë nën 150 centim të gjatë, nuk u kthej përgjigje.
Erjon Braçe: Hajde mate njëherë.
Taulant Balla: Nuk e di si e bën matjen…
Jozefina Topalli: Fakti që këtu mbron kryeministrin Rama është një gojë e shthurur që di vetëm për të fy dhe për të sharë, mua s’më bën fare përshtypje. Kjo do të thotë që qeveria e 1 milion shuplakave është në dimrin e vetmisë së madhe, askurrkush nuk ia shqetëson burrat nën 150 centimetra. Ngrihuni në kamë që t’ju shohim mirë dhe pastaj flisni. Unë megjithatë do t’ju kërkoj një ndjesë, para pak vitesh, kur kam qenë në karrigen e zonjës Leskaj për njërin këtu i kam thënë rojeve që ta kapshin për zhelesh e ta nxirrnin jashtë. Ju kërkoj ndjesë.
Erjon Braçe: Mos e bëj këtë.
Jozefina Topalli: E kam thënë shumë para kohe, sot është koha që shqiptarët kanë me ju kap të gjithëve prej zhelesh e me ju nxjerr të gjithëve përjashta.
Ilir Beqaj: Mbylle, moj gojën. Ulu aty.
Taulant Balla: Kjo zonja që foli ka histori të trishtueshme sa herë që flet dhe unë e mirëkuptoj se të gjithë shqiptarët i dinë ato historitë e Institutit të misrit. Edhe pretendimin për t’u bërë e persekutuar. Ti, zonjë, ke një problem të madh se edhe në partinë tënde nuk të duan më. Ne jo e jo, se s’të kemi dash ndonjëherë. Por frustrimet e tua për shkak të vuajtjeve personale mbaji për vete, mbaj Saliun, se Luli s’të do.
Sali Berisha: Nuk është vetëm Koço, por është dhe simotra Nushi përfaqësuesja e klanit Nushi. Dy klane kishte bregu; klanin Koleka dhe klanin Nushi…
Milena Harito: Po jemi miq, apo armiq tani?
Sali Berisha: Këto dy klane tani janë pushteti.
Milena Harito: Tani që u more me stërgjyshin tim që ka qenë anëtar i kabinetit të qeverisë së Fan Nolit, më vjen shumë mirë. Në fakt në atë kohë nuk e di ku ka qenë stërgjyshi yt. Në fakt nuk preferoj më ta di.
Jozefina Topalli: Mos maj po na thua që je krenare…
Sali Berisha: Gjyshi im ka qenë më tepër se ata, ai ka qenë i ngarkuari i qeverisë së Sulejman Delvinës, për këtë arsye PD-ja atij i ka dhënë një dekoratë dhe e ka merituar plotësisht. Gjyshi im ka pas një fatkeqësi të madhe, nuk them se është Milena, por është Spiro Koleka tjetër. Spiro Koleka ka qenë xhelat i inteligjencës teknike shqiptare.
Jozefina Topalli: Siç e kam thënë, nuk u përgjigjem këtyre që janë nën 150 centim. Për makinën time unë kam qenë 8 vite kryetare Parlamenti në bazë të ligjit, çdo ish-kryetar Parlamenti ka një status të veçantë për tri vite në mbarim. Makina për të cilën flet zotëria nuk është e Jozefina Topallit, ajo ka targën 0022, është makinë e Parlamentit. Një ndjesi neverie, që t’i dal për zot PS-së, vetëm ky burri që është nën 150 nuk ka. Por tasht s’të jap përgjigje. Vish takat të të jap përgjigje.
Taulant Balla: Do vish ta matësh? Kam moshën e dhëndrit të Jozefinës dhe nuk doja të kaloja në fyerje, as me matje centimetrash me një gjyshe apo nënë si mund të jetë Xhozefina. (Topalli bëhet gati të largohet nga salla) Taulant Balla: Manushaqe, mos ik. Rri, Manushaqe.
Komentet