Rozafa castle (Albanian: Kalaja e Rozafës/Kalaja e Rozafatit) is a castle near the city of Shkodër, in northwestern Albania
-…I gjunjëzohem Zotit të luftërave – shqiponjës dykrerëshe të varur në qafë, (dhuruar nga gjyshi) por vetëm njërin gju e mbështesë në tokë. Në shuplakën e dorës së majtë e shtrëngojë shqiponjën dykrerëshe, me dorën e djathtë shtrëngoj fortë pushkën, dhe symbyllazi, disa minuta pëshpëriti tekstin luftarak që gjyshi im ma mësoi në fëmijërinë e hershme:
“Moj shqiponja me dy krena,
ta ndijë zanin nëpër breza.
O kur të kujtoj ty në luftime,
bahet pushkë kjo zemra ime”…-
l. Aurel Dasareti ËSHTË AUSTRALIAN
1. A e ke pyetur nënën tënde ndonjëherë: -Pse më ke lindur në Australi?
Pergjigje: – ”Nënë, pse kam lindur në Australi, pse jo në Shqipëri?”- e pyeta kur isha 7 vjeç.
”O, vogëlushi im”, më tha ajo, ”kjo është pyetja më kryesore që ma ke parashtruar deri tani, sepse një kuptim i përgjigjes është pafundësisht shumë për jetën tënde.”
Kur dikush vendos t`i bëjë portretin vetvetes publikisht, është si të tregojë një anekdotë apo të shkruaj “nekrologjinë”. Për shkaqe parimore, edhe në këtë intervistë do të mbajë një profil të ulët. Me arsye, postoj disa fotografi private prej më të thjeshtave, pa vezullime. Herët tjera…
Nuk është me rëndësi kush jam unë si individ por idetë e mia.
Aurel Dasareti, lindur Nëntor 1976, Sydney, Australi. Prej moshës 8 vjeçare kryesisht jetojë në USA (Kaliforni, Arizona), 2-3 muaj në vit në Australi. Dy nënshtetësi. I martuar, gruaja ekonomiste, 31 vjeçare (udhëheqë biznesin e përbashkët familjar prej afër 2500 të punësuarve), dy fëmijë (vajzën 9 muajsh, djalin 2 vjet e gjysmë). Pëlqej shahun, notin, vrapimin, mjeshtër në aftësitë luftarake, parashutizmin. Motra antropologe, vëllai inxhinier i elektroteknikës. Nëna, psikiatër (arbëreshë) ka lindur në Australi, stërgjyshërit e saj, për shkak të dhunës, terrorit dhe masakrave të osmanlinjve barbar aziatik kanë ikur prej Shqipërie në Itali (Venedik) nëse nuk gaboj midis viteve 1500-1512. Babai (psikolog), ka lindur në Amerikë, ndërsa gjyshi im me prejardhje nga Shkodra ka emigruar në vitin 1943. Katolik. Në moshën e fëmijërisë, gjithë familja ime më e afërt, me bindje e arsye e kanë ndryshuar (amerikanizuar) identitetin.
Çdo individ mban në vetvete gjëra që i përkasin, që i bëjnë mirë, që janë të veçanta për të, por që s`mund të dalin tërësisht në dritë.
Kam bindjen se shpirti im përfaqëson një pjesë të vogël të zhvillimit njerëzor dhe që në fund të fundit përshpirtja më e vogël e Unit tonë të brendshëm është jo më pak e rëndësishme se lufta dhe paqja e botës së jashtme.
Gruaja ime 31 vjeçare në fermë – prill 2013
Vajza ime, shumë e bukur dhe luftarake. Te tezja në bun, natën, New Zealand, mars 2013. Është e ulët në endacak (stroller) në të cilën gjyshja ime më ka fotografuar dhe shëtitur edhe mua një kohë…
2. Në cilën moshë ke patur në dorë per herë të parë një liber shqip?
Pergjigje: – Prindërit e mi i ndihmuan të emigrojë në Amerikë (1982) një vajzës së re nga Kosova. Nuk kishte prindër, shumë e varfër. Në vitet e para të jetës së saj këtu u ndihmua ekonomikisht dhe banoi falas në shtëpinë tonë. Nga mosha 8 vjeçare zonjusha Teuta filloi të ma mësojë abetaren shqipe.
3. A e sheh vendlindjen si atdhe? Nese “Jo” –pse?
Pergjigje: – Po. Por si atdhe e shoh edhe Amerikën, Shqipërinë. Janë këto ndjenja shpirtërore të pa përshkruara.
Bondi Beach, Sydney, Australia – pranë këtij plazhi gjendet shtëpia ime e lindjes
Shtëpia ime e lindjes fshehu një thesar thellë në zemrën e saj…thesarin e zemrës time. Në kopshtin e saj, para plazhit, nga nostalgjia, akoma gjendet trampolina në të cilën tani kërcen djali im, dhe fëmijët e vëllait, çdo herë kur kthehemi atje për pushim. Kuptohet se një burrë i moshës dhe përmasave të mia, mbi 190 cm, 104 kg as që guxon t` i afrohet trampolinës e ku më të kërceje mbi te.
4. Pse te quhet Australia Kontinent kur nuk ka me shumë se 25 miljon banorë , pra sa një shtet i vogël i Europës?
Pergjigje: – Sepse ka një popullatë përgjithësisht kompakte evropiane që dallon nga rrethi, historinë e saj speciale. Anglezi i parë që shkeli vendin ishte një aventurier dhe pirat William Dampier që hulumtoi brigjet e Australisë në 1699. 71 vjet pas, James Cook deklaroi se vendi i ri i takonte Anglisë dhe se ajo duhet të quhet New South Wales.
Kolonizimi evropian filloi seriozisht më 1787, kur 11 anije plot me të burgosur u larguan nga Anglia dhe u drejtuan në jug. Pas kolonizimit të parë të detyrueshëm, erdhën gjithnjë e më shumë njerëz të lirë në Australi, por vetëm pas zbulimit të arit në 1850 fluksi i emigrantëve u rrit hovshëm. Importi i deleve nga Anglia dhe Afrika e Jugut lejojë një themel më të fortë për zhvillimin e ekonomisë, dhe Australia ka evoluar për t’u bërë një komb.
5. Motivet e largimet nga “vendi i krokodilëve” dhe ç’farë i kujton më shumë atij?
Pergjigje: – Nuk jam larguar përgjithmonë nga Australia, kam edhe pasaportë australiane, disa muaj në vit, bashkë me familjen, i kaloj atje, në shtëpinë e lindjes.
II. Aurel Dasareti ËSHTË AMERIKAN
1. Besoj se per Ty Amerika eshte sëpari vendi i arsimimit, apo jo?
Pergjigje: – Klasën e parë dhe të dytë të shkollës fillore, në Australi. Ndërsa këtu në Amerikë, vazhdova. Kam ndjekur studimet në një shkollë legjendare të themeluar në vitin 1802. Titujt më të lartë në shkencat psikologjike-ushtarake. Zotëroj në nivelin më të lartë gjuhën: anglishte, shqipe, italishte, latinishte, frëngjishte, gjermane. Kam botuar 2 doktrina (në gjuhën anglishte), ndërsa Ditari im luftarak: “Dera e pestë e ferrit” deri tani është vetëm për mua, por brenda një kohe të shkurtër do ta botoj edhe për opinionin shqiptar e më gjerë. Planifikoj të shkruaj edhe 2 -3 libra, të bëhen 5-6 e jo më shumë, përndryshe do të rrezikoja të bëhem një matuf.
2. A. Dasareti dhe “Liria Kombetare Shqiptare”.
Pergjigje: – Kur një rreze dielli, nga qielli i zymtë bie mbi një rrugicë qorre, nuk interesohet në çka prek: copërina shisheje, shpalljen e grisur në mur apo pëlhurën në kokën e një fëmije. Ajo sjellë dritë, sjellë magji, shndërron dhe shpërfytyron.
Faqja Liria Kombëtare www.liriakombtare.com e themeluar në 2001 nga shqiptaro-amerikani FF…ish i burgosur politik në “Jugosllavi”, ishte mundësia që të kontaktoj shqiptarët (2002). Disa vite isha moderatori i forumit prej afër 900 anëtarëve; letrat botoheshin automatikisht pas postimit dhe secili shkrues kishte mundësi të botoj edhe fotografi. Postoheshin përafërsisht 30-40 komente brenda 24 orësh. E kontrolloja një herë në ditë dhe kur takoja shkrime që nuk i përmbaheshin rregullores, i fshija. Në vitet para se me marr angazhimin vullnetar të moderatorit, më ofendonin dhe i ofendoja vrazhdë të gjithë ata individ komentet e të cilëve nuk më pëlqenin, ose që më ofendonin personalisht, prandaj themeluesi i faqes m`i fshinte shkarravinat, përkundër faktit se ishte dhe mbetet miku im i madh. Me kohën, të gjithë ne mësuam të respektojmë tërësisht njëri-tjetrin përkundër opinioneve të kundërta në mendime-shkrime; dhe, përqendroheshim në letrat, brendinë e tyre e jo autorin. Si rrjedhojë, edhe pas diskutimeve shumë të rrepta për temën, toleronim të jemi të ndryshëm dhe akoma kontaktojmë. Faqja ka luajtur rolin e saj historik deri para 3 vjetësh. Kryeredaktori u demoralizua nga vendnumërimi i shqiptarëve…Përveç tjerash kemi ndikuar të reduktojmë grindjet midis partive politike shqipfolëse të FYROM-it, sidomos BDI dhe PDSH. Ishim pionierët e internetit shqiptar.
Qëllimi kryesor i paraqitjes time ishte luftimi i fundamentalizmit-radikalizmit islam në trojet tona. E shkrova dhe botova letrën me titull ”SHQIPTARËT janë EVROPIANË e jo AZIATIKË ” e pastaj “SHQIPËRIA është GJAKU im që nuk falet” të cilat brenda 7-8 vitesh u komentuan mesatarisht 10-15 herë në ditë dhe secila prej tyre u shfletua mbi 140.000 herë. Dhe, unë krijova paradokse që shkaktonin zemërimin e atyre (numër i papërfillshëm) që nuk i kuptonin brenditë e letrave të mia.
3. A jemi ne shqipot kombi më proamerikan i botes, siç po thuhet rendomë, apo është politikë se “ashtu e don puna?”.
Pergjigje: – Njohja prej nesh e realitetit ku jetojmë është në thelb e mangët. Këtë mangësi e pa-përsosmëri e shoh të lidhur me faktin se ne jemi pjesë e atij realiteti që përpiqemi të njohim dhe marrim pjesë në krijimin e tij.
4. Në doktrinen amerikane, liria fetare shihet si e drejte e besimit por edhe e mosbesimit fetar. Nga anon Aurel Dasareti dhe pse?
Pergjigje: – Unë jam pluralistë i balancuar, si në mendime ashtu edhe në format e besimit. As që dua të kontribuoj në përçarjet fetare midis shqiptarëve. Kjo, ndër të tjera, më pengon të jem një i krishterë/katolik fanatik, pasi as nuk besoj që Zoti të ketë patur një bir të vetëm, as që e vetmja rrugë drejtë Zotit dhe lumturisë është besimi te ai.
5. Kush e ka demtuar me shume Shqiperinë: -Islamizmi apo Komunizmi?
Pergjigje: – Përvoja më ka mësuar se vetëm ato ndërgjegje që janë të zgjuara lejojnë t`i thërrasësh dhe t`i mprehësh.
Një Komb që ka si prirje parësore zhdukjen e individualitetit të qytetarëve të tij nuk mund të arrijë te shteti ligjor. Gjithçka e huaj, gjithçka që ka hyrë pa ndonjë arsye të thellë në jetën e një populli, bëhet shkak sëmundjeje për të dhe duhet të hiqet qafe nëse ai dëshiron të mbetet i shëndetshëm.
Asnjë fe dhe asnjë profet nuk lindi në Shqipëri, as në Evropë.
Evropa Perëndimore ka pranuar një numër shumë të madh emigrantësh mysliman nga Azia dhe Afrika, përafërsisht 22 milion (2004). Tash, ata janë shumë më tepër. Në Evropën Perëndimore të gjitha drejtimet dhe shkollat teologjike brenda Islamit janë të përfaqësuara, nga më të moderuar dhe reformator e deri te grupet minoritare ekstremiste, shumë të rrezikshme, që për Evropën e vogël mund të nxjerrin telashe të mëdha.
Shqiptari në vend që të merret me diçka të mençme dhe konstruktive, gjatë historisë, ka përvetësuar do prirje primitive për shkatërrimin e vetvetes. Humbas gjakftohtësinë kur shqiptari kot së koti, pa e detyruar kush, ndërron emrin, ndërron gjuhën, ndërron kombësinë, ndërron kulturën, ndërron fenë, ndërron shtetësinë, ndërron heronjtë, ndërron flamurin, ndërron himnin, ndërzehet.
Kur të dëmton i yti, ndjehesh më keq ndonëse dëmtimi është shumë më i vogël. Duke u marrë me Enverin e djeshëm i harrojmë pisllëqet e hajnave, mashtruesve të sotëm.
III. MBI TE GJITHA, Aurel Dasareti ËSHTË SHQIPËTAR
1. Jeni shqiptar me gjak e shpirt por…pa pasaportë.
Pergjigje: – Unë kam rrënjët e mia, kam një gjenealogji, një kujtesë etnike, ose, me një fjalë, nuk jam i përcaktuar vetëm nga shpresat dhe nga interesat e mia.
2. Ç’farë është atdhedashuria per ju (si psikolog), dhe ku i ka rrenjet ajo?
Pergjigje: – Atdhetarët e mirëfilltë lypset të mbështeten në aftësitë e veta për t`i parë punët me sy kritik dhe në vullnetin e tyre për të pasur rreth vetes njerëz që nuk ngurrojnë të shprehin kundërshtimet e tyre.
Për dashurinë ndaj atdheut nuk është e nevojshme reklama. Mjerisht, në supermarket-in e patriotizmit, dashuria për atdheun është artikulli më i shitur te shqiptarët.
Rrënjët? Mbi një fëmijë ndikimin më të rëndësishëm nuk e ushtron kjo apo ajo ndodhi e veçuar, por karakteri i prindërve.
3. Mund të na pershkruash shkurt, kontaktin e parë me atdheun?
Pergjigje: – Mesditë me diell. Maj 1994. Akoma nuk kisha mbushur 18 vjet. Aeroplani Alitalia ulet në aeroportin e Rinasit (Tiranë). Kontrollori doganor më tha se si i “huaj” që jam patjetër të paguaj një tatim prej disa dhjetëra dollarëve nëse dua të vizitoj Shqipërinë. U ndjeva shumë keq, jo për dollarët…Policia dhe doganorët e aeroportit vetëm zbatonin urdhrat e qeverisë të sistemit “pluralist/patriotik”.
Me taksi, deri në qendrën e Tiranës. U ula para një kuzhine rruge për ushqim të shpejtë. Në tavolinën fqinje ishin ulur dy djem të moshave 20 vjeçare. Dëgjoja se si bisedonin për do plane të ikjes në Itali, për shkaqe varfërie të skajshme. Porosita pije dhe diçka për të ngrënë. Djemtë e lutën shitësin për 2 gota uji rubinet. Përgjigja ishte e vrazhdë, ata patjetër të blejnë ndonjë pije, ose të largohen prej aty. U thash se kam dëshirë t`i qerasë. Refuzuan: “Jemi shumë të etshëm dhe të unët, faleminderit për gjestin por pasi ne nuk do të takohemi më, nuk do të kishim rastin të ta kthejmë nderin, prandaj nuk mund ta pranojmë këtë”. Dhe, para se me u larguar, më paralajmëruan që të kem kujdes për kuletën nga ato 4-5 cigane që erdhën drejtë mua për të lexuar fatin nga duart e mia.
4. Nese do ishe i detyruar të ktheheshe e të jetoje në Shqiperi, cilen do e mendoja si veshtërësinë kryesore?
Pergjigje: – Nuk do ta kisha aspak lehtë të adoptohem në rrethanat tërësisht të reja për mua dhe familjen në Shqipërinë e sotme “demokratike”, qeveria e së cilës është kujdesur të funksionon si duhet vetëm ligji për martesat e homoseksualëve, hajnia, dhe për perversët -“Big Brother Albania”.
Është e domosdoshme që edhe në trojet e arbrit të sundojë ligji, i njëjtë për të gjithë, askush para ligjit.
Ideologji të skajshme, të djathta – të majta, shkatërrojnë Shqipërinë.
5. A mendon se do te arrish të edukosh tek feminjtë e tu e brezat që vijnë at’ që edukuan prinderit tu tek ti, pra patriotizmin?
Pergjigje: – Jam i bindur dhe përgatitem në këtë aspekt. Eci në gjurmët e prindërve, por është vështirë të mbushi këpucët e tyre, janë pak si të mëdha për mua. E nesërmja është vetëm një ëndërr.
Për të qenë patriot, por edhe qytetar i vyeshëm i shoqërisë, individi lypset domosdoshmërish të posedon edukimin normal, vlerat e mirëfillta etike dhe morale të “trashëguara” sidomos nga familja dhe prindërit. Shqiptarët kanë ikur në gjithë rruzullin tokësor, por nuk duhet qorras të imitojnë të huajt; lypset të mos harrojnë se nuk kanë lindur në luks, por nëpër ferra dhe midis baltës, prandaj çdo “modernizim” i tepruar i shndërron në turp të botës dhe shakaxhi të mjerë. Duhet të ruajnë me xhelozi dhe krenari vlerat fisnike shqiptare dhe të braktisin kundërvlerat, nga të huajt të përvetësojnë vetëm gjëra pozitive e jo pisllëqet, përndryshe tjetërsohen në plehra biologjik – si individ, si familje, si fqinjë, si shoqëri e si Shqipëri.
IV. E VEÇANTA E TË TRE KONTINENTEVE
1. Jeni një bashkpunëtor i veçantë (në kuptimin qe shkruani ndryshe), i ZemraShqiptare. Si u njohet e u lidhet me këtë revistë?
Pergjigje: – Rastësisht, duke “hulumtuar pas diturive”.
Çështja më themelore gjatë shkrimit të letrave të mia është të zgjedh stilin përkatës se si duhet përshkruar, parashikuar dhe ndryshuar mendimet, ndjenjat dhe veprimet e grupeve dhe individëve në temën që parashtroj.
2. A mund të na dallosh ndonjë veçanti te shqiptareve neper kontinentet ku ke jetuar?
Pergjigje: – Ai që udhëton më gjatë, din më shumë. Sa më afër Shqipërisë që gjenden aq më të shkapërderdhur janë.
Shqiptarët, historikisht, kanë një prirje të grinden midis tyre, janë në një pozitë të vazhdueshme “ndërmjet dy zjarreve”.
3. Shumë bashkvendes tanë kanë ecur para e janë berë të njohur neper bote. Shqipëria është “tokë e mallkuar”, apo pse keshtu more Aurel Djali?
Pergjigje: – Ju mund të provoni për të bindur veten se pasuria dhe suksesi nëpër botën e huaj mund të krijojë lumturinë, por gëzimi që ato krijojnë është vetëm një reagim psikologjik jetëshkurtër, jo një lumturi e vërtetë.
Shqipëria nuk është një vend i keq – është ajo që ne bëjmë me të dhe në të që shkakton problemet.
4. Si e ndieve veten kur i nderuari Kadri Mani, ju futi ne listen per kandidat per President?
Pergjigje: – http://www.zemrashqiptare.net/news/id-27777/cid-115/Nikollë_Lesi:_Kadare,_mos_refuzo,_prano_të_jesh_President.html
Kadri Mani [ Monday, 29.10.2012, 01:21 AM ]
Zotni Nikollë Lesi ikni nga bota e vjetër, e konsumuar!
Propozimi im është për: Aurel Dasareti (35-vjeçar), (ekspert i shkencave psikologjike dhe atyre ushtarake): me tekste brilane! Me traditë familjare! Me gjuhë të huaja krahas shqipes amtare! I vetmi që do ta bëjë KTHESËN, i cili do të na prijë në përmirësimin e imazhit të shqiptarit në botë!
***
Ma kujtoi se: “Është një sezon për gjithçka”. Baca Kadri ishte një vizionar, largpamës i kalibrit të madh, ndër më inteligjentët që kam takuar ndonjëherë. Kadri Mani ishte hero pasi tërë jetën kishte kurajën të ecë përpara drejtë kufirit pa iu dorëzuar frikës apo dyshimit.
5. Megjithese jeni akoma i ri, duke te uruar jete shumë të gjatë, e duke të kerkuar falje per këtë pyetje, guxoj të të them: -Ku e mendon banesen e fundit në boten e pasosur?
Pergjigje: – Në at moment që ti do ta pranosh pashmangshmërinë me vdekjen tënde, do të jesh i lirë për të jetuar. Si çdo gjë në natyrë, ne rritemi, lulëzojmë dhe thahemi. Kjo është lavdia dhe tragjedia jonë.
Ku do ta kemi banesën e fundit? Jeta është një udhëtim ku destinacioni është i panjohur.
Gjatë përvojës sime luftarake 6-7 vjeçare (prej vitit 1994), çdo sekondë kam qenë i ekspozuar rrezikut të vdekjes. Kur luftëtari i hyn një beteje, duhet të pajtohet me faktin se shansi që të dalësh gjallë prej saj është vetëm 1% por edhe ajo 1% nuk është e sigurt. Dhe, vetëm me këtë psikologji mundet të mbijetosh. Luftëtarë të ndryshëm kanë mënyrat e tyre specifike/origjinale të përgatitjes psikologjike para fillimit të betejës. Unë jam shumë i mërzitur. Që të trimëroj veten, meditoj. I gjunjëzohem Zotit të luftërave (“hajmalisë” dhuruar nga gjyshi) – shqiponjës dykrerëshe të varur në qafë, por vetëm njërin gjunjë e mbështesë në tokë, në shuplakën e dorës së majtë e shtrëngojë shqiponjën dykrerëshe, me dorën e djathtë shtrëngoj fortë pushkën, dhe symbyllazi, disa minuta pëshpëriti tekstin luftarak që gjyshi im ma mësoi në fëmijërinë e hershme:
“Moj shqiponja me dy krena,
ta ndijë zanin nëpër breza.
O kur të kujtoj ty në luftime,
bahet pushkë kjo zemra ime”.
Pastaj, brofi në këmbë fuqishëm. Meditimi më qetëson dhe motivon, në mua zgjohet instinkti i malësorit/për fitore (i trashëguar nga familja), frika zhduket tërësisht, gjakftohtësia mbërrin nivelin më të lartë, mendja më kthjellohet. Jepet urdhri për aksion…para meje lëvizin siluetat e luftëtarëve të mi, u bashkohem…
“Hajmalia” ime luftarake, që gjatë betejave më ka mbrojtur nga rreziqet
V. DASARETI = NJË QYTETAR I BOTËS
1. A është kjo botë e njeriut apo thjeshtë, ne si qenie i perkasin asaj?
Pergjigje: – Kjo botë assesi nuk është e njeriut. Kemi fatin që jemi lindur si specia njerëzore, bukur mirë kemi mund të lindim edhe si kafshë, prandaj ne, s`bashku me qeniet tjera i përkasim asaj. Njeriu është i afërt me specie të ndryshme kafshësh ngaqë lufton të ngjashmit e tij. Por, megjithatë ai, mes mijëra speciesh në luftë, është i vetmi që lufton për të shkatërruar.
2. Ke një privilegj që e kan pak njerëz; -jeni shkodrani i tre kontinenteve? Ndihesh i tillë?
Pergjigje: – Po. Nuk ka asgjë ideologjike në dashurinë patriotike. Unë kam bërë përpjekjen time të ndershme për të kuptuar atë, por nuk pata sukses. Një këmbë e kujdesshme mund të ecën kudo.
3. A mos ne shqiptareve, patriotizmi, ndoshta jo rralle edhe i tepruar, na ben ta shohim boten me syze të errëta?
Pergjigje: – Mungesa e patriotizmit elementar te shumica e shqiptarëve ndikon që jo vetëm botën por edhe vetveten ta shikojmë me syza të errëta. Patriotizmi identifikohet me sakrificat që një popull është në gjendje me i bërë për të fituar Lirinë.
4. Si ekspert ushtarak, ështe e gëzueshme perfshirja e një vendi të vogel si Albania jonë, në NATO dhe pse?
Pergjigje: – Për mua Shqipëria në NATO është sigurim relativ, kryesisht ndaj paktit sllavo/ortodoks dhe grek.
Pse është Shqipëria pjesë e aleancës së NATO-s? Çfarë do të thotë kjo për sigurinë Shqipërisë? Si funksionon Shqipëria në NATO dhe operacionet e NATO-s jashtë zonës së NATO-s? A i ofron NATO Shqipërisë diçka që organizata të tjera ndërkombëtare në fushën e politikës së sigurisë nuk e bëjnë? Si bashkëpunon NATO me ish armiqtë?
Si ushtarakisht ashtu dhe politikisht pjesëmarrja e bashkëpunimit në NATO-s, përbën thelbin e politikës së sigurisë shqiptare. Për Shqipërinë është e rëndësishme që NATO-ja mban qëndrimin e saj qendror në sigurinë evropiane, sepse shtetasit e saj, si një anëtar i plotë mund të marrin pjesë plotësisht në bashkëpunim.
Bashkëpunimi në mes të shteteve anëtare është i dyfishtë – politikisht dhe ushtarakisht. Politikisht, NATO është një forum për shkëmbimin e informatave dhe analizave si dhe për krijimin e qëndrimet e përbashkëta në një numër të fushave të politikës së jashtme dhe të sigurisë. Bashkëpunimi më i madh i aleancës në politikën e mbrojtjes, masat për bashkëpunim të mbrojtjes përfshijnë një doktrinë të përbashkët të mbrojtjes, strukturën komanduese të përbashkët dhe ushtrime, trajnime të përbashkëta.
Nga ana shqiptare është thelbësore që NATO-ja ruan aftësinë e sajë për mbrojtjen e përbashkët kolektive dhe që shoqërimi i ngushtë me SHBA mirëmbahet.
Nëpërmes NATOS, Shqipërisë i mundësohet edhe bashkëpunimi me ish-armiqtë, gjë që mund të reflekton në afrimin e vendeve.
5. A ecën bota drejtë luftës apo paqes?
Pergjigje: – Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Rusia nuk është më ajo e dikurshmja. Vakumin përpiqet ta mbulon Kina (kryesisht në aspektin ekonomik, por edhe në at ideor, ushtarak).
Ka mundësi që Kina brenda dhjetë vjetëve ta ritë prodhimin kombëtar bruto. Megjithatë, Kina në mënyrë të konsiderueshme ende do të kishte më pak pushtet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe sikur Kina të përparonte ekonomikisht ashtu siç parashikojnë disa ekspert, sërish vendi do të mbeteshe relativisht i varfër.
USA dhe Kina u takojnë dy botëve të ndryshme.
Së pari, Kina është edhe më tej shumë larg pas SHBA në fushën ushtarake se sa në ekonomi. Buxheti i mbrojtjes i SHBA është gjashtë deri në shtatë herë më i madh se ai kinez, edhe pse norma e rritjes edhe në këtë aspekt, në Kinë, është më e lartë se në Shtetet e Bashkuara, këtu thjesht bëhet fjalë rreth dy botëve krejtësisht të ndryshme. Shtetet e Bashkuara posedojnë plotësisht 11 grupe të aeroplanmbajtëseve, ndërsa Kina përpiqet shumë për të zhvilluar transportuesin e saj të parë të avionit.
Së dyti, është e rëndësishme ajo me aleatë. Shtetet e Bashkuara kanë një rrjet prej aleatëve në mbarë botën. Kina asnjë aleatë të vërtetë, edhe pse ata punojnë ngushtë sidomos me Korenë e Veriut dhe Burma-n. Aleatët e tillë vështirë se mund të thuhet të jenë një përparësi.
Ne gjithashtu shohim se rritja ekonomike dhe ushtarake e Kinës çon në reagimet e fqinjëve. Shtohet numri i vendeve që e orientojnë veten më ngushtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në qoftë se Kina do të fitonte Japoninë si aleat, situata do të dukeshe krejt ndryshe. Por, deri sa Japonia është e lidhur ngushtë me Shtetet e Bashkuara, SHBA do të vazhdojë të jetë forca udhëheqëse, jo vetëm përgjithësisht në botë, por në shumë mënyra edhe në Azi.
Presidenti amerikan duket se është i dobët në Lindjen e Mesme. Kështu që, është e rëndësishme të paraqitet si energjik dhe i fortë gjetkë. Këtë mund të bëjë në Azinë Lindore, pa shumë rrezik të një lufte. Pasojat e një lufte do të ishin të mëdha, prandaj të gjitha palët janë të interesuar në shmangien e saj.
Për USA është e rëndësishme të duket si dinamik dhe i fuqishëm. SHBA ka prirje që të shfaqet si një aleat i besueshëm për të gjithë aleatët e saj në rajon dhe gjetkë. USA patjetër ta ruaje besueshmërinë e saj si fuqia më e madhe ushtarake. Bombardimet e NATO-s, të udhëhequra do të thosha tërësisht nga USA, ”zbutën” serbo-çetnikët. Pa SHBA-në shqiptarët e Kosovës do të zhdukeshin në vitin 1999. A thua vallë vetëm ata?
Përvoja historike ka treguar se çdo vendi, rreziku i konfliktit ushtarak, më së pari, i vjen nga vendet kufitare. Kjo vlen sidomos për Shqipërinë. Është e vërtetë se faktori ushtarak nuk do të na paraqitet më në formën klasike, me veprime frontale ushtarake, me njësi e formacione masive. Më shumë do të ndeshemi me veprime ushtarake asimetrike, çka do të thotë që, me forca e teknikë speciale do të goditen objekte të rëndësishme strategjike që rezultojnë me pasoja fatale për qëndrueshmërinë e stabilitetit tonë politik, ekonomik e ushtarak.
Urrejtja patetike ndaj shqiptarëve fle në qoshet e thella të mendjes së pushtuesve dhe kolonizatorëve të trojeve tona etnike dhe zgjohet e shpërthen në kohë vështirësish, turbullirash, trazirash e rrëmujash.
Pasi Shqipëria është e rrethuar nga armiqtë të cilët akoma kanë nën okupim më tepër se gjysmën e tokave tona, mund të vjen deri te një konflikt me fqinjët të cilët s`bashku e shikojnë Shqipërinë si inferiore. Për t`i ikur luftës – një sulmi nga jashtë – duhet të barazohen potencialet ushtarake ashtu që edhe sikur lufta të ishte e pashmangshme ajo do të ishte kalimtare, nuk do të zgjaste shumë (nëse Shqipëria nuk do të kishte konflikt të brendshëm). Prandaj domosdo të ndërtohet balancë në fuqi ushtarake ndaj fqinjëve grabitqar. Ky lloj balancimi do të ndikonte që të shmanget një konflikt i madh.
Sikur në ish Jugosllavinë, vendet e sulmuara nga Serbia fashiste/naziste/terroriste: Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Kosova të ishin të balancuara me agresorin në armatime, lufta do të shmangeshe. Në terrenin e ish Jugosllavisë lufta assesi nuk mundeshe të shmanget me vendosjen e balancës politike apo presionin e fuqive të mëdha. Erdh në shprehje vetëm balancim i armatosur, dhe pastaj bisedimet me rebelët serb të Kroacisë etj.
Nga doktrina luftarake e kam të njohur se nuk ka luftë, kur dy palët njësoj i frikohen njëra-tjetrës, dhe kjo nuk është strategjia ime, por fakt i njohur gjerësisht në strategjinë ushtarake. Megjithatë, në aspektin e krijimit të balancës, gjëja më e rëndësishme është organizimi i ushtrisë, sepse në një luftë mbrojtëse më e rëndësishme është motivimi dhe organizimi i ushtrisë se sa sasia dhe lloji i armëve që ka. Armët në rrethana të tilla kurrë nuk janë problem. Gjatë përvojës sime luftarake zbulova se fitoren në luftë nuk e ofron as numri i ushtarëve e as sasia e armëve, fiton ajo ushtri e cila i hyn betejës me zemrën më të fortë.
Unë nuk jam në gjendje të ndryshoj botën vetëm, por unë mund të luaj një rol të rëndësishëm në ndryshimin e mënyrës se si ne e trajtojmë atë.
——————————
-Marrë nga ZSh-ja, Maj 2013-
Nje interviste e plote dhe gjithshka e shprehun me zemer te hapun.
Nuk kishte si t’ ishte ndryshej !
Ju falemnderes…
Njeri me permasa te gjithanshme me horizont te madh me kulture dhe qytetar. Kjo tregon inteligjencen, dashurine per atdheun , familjen dhe te gjitha me radhe , Me ben pershtypje pasi nuk le asnje shkrim te Zoteriuse palexuar sa mire e njeh vendin dhe karakterin e shqiptareve . Kjo duhet vleresuar . Pa e njohur me duket sikur eshte afer nesh dhe na mbron nga cdo e keqe per rreth ..Zoti te jete bashke me te dhe familjen e vet . Complimenta ne punet dhe karieren e tij . jasas
Sa e lexova. shkrimin Ky jam une menjehere e kuptova qeautor i tij eshe z. A’ Dasareti Nje shkrim i shkelqyer largpames dhe shume i drejte .
duhen pena te tilla . Na ben te mendojme se cfare duhet te bejme ne qe tendryshoje dicka ne ate vend te bukur me njeres patriote te mire dhe nje udheheqje te koruptuar…
Le te bashkojme mendimet forcen dhe te gjitha mundesite qe kemi qe te ndryshoje dick a .
Pershendetje jasas dhe urime ne vaxhdimesi .