Berlin, Qershor 2020
1. Rabini i çuditshëm
Teheran. Dimër. Vit i largët 2006. Atmosferë historike. Një konferencë e rrallë mbahej njëj misioni të veçantë. Dhe plot hir presidencial.
Ahmadinexhadi që i printe Republikës mullokratike të Iranit, kishte shpallur qyshkur Izraelin armik të hemisferës islame. Dhe pledonte ose zhdukjen ose zhvendosjen e tij. Do të gjente, tashmë, dhe zonën e ngulimeve të reja çifute: atje, në Alaskën e ftohtë amerikane, duhej të përsëritej dyndja biblike.
Për të mbështetur pretendimin e një përbetimi të tyre botërorë, ai rrekej të shprishte mitin e shfarosjes: Holokaustin e ariozofisë.
Tema e konferencës, duke qenë kjo dhe e vetme, do t’i shërbente, fill e fund, strategjisë së tij mohimtare.
Merrnin pjesë ithtarë, klerikë, dinjitarë, panislamistë, historianë rishkrues, politikanë të vëllezërive muslimane, vdekjeshpallës, përkujtues të dënimit hyjnor për bijtë e Judesë që i morën jetën Mesazherit qiellor…
Mirëpo, për çudi, aty ishte dhe një Rabin i lartë. I pyetur më pas: përse, ç’kuptim kishte prania e tij? Apologjia që i jepte ideologjisë persiane se shteti izraelit nuk duhej të ekzistonte?
Përgjigja e tij befasoi të gjithë. Ishte e papritur. Filozofike. Sipërnacionale. Dhe, sërish, thellësisht hebraike, e pra e kombit të përzgjedhur të Hyut.
Po, tha ai: hebrenjtë nuk duhet të kenë shtet. Ç’iu duhet ky rrip i ngushtë Dhéu? E tyre është gjithë bota!
2. Fatkeqësia e quajtur shtet
Ndërsa rikujtoja këtë fjalë lapidare të Rabinit elokuent, pata një çast ëndjen e paralelës mrekullore.
E thashë: ndoshta as ne shqiptarëve s’na duhet shteti, kjo hapsirë e vogël që t’zë frymën e ndëshkon rëndë me idealin e vogël etnik.
Mbase kështu shpjegohet paaftësia e identifikimit me shtetet e, si rrjedhim logjik, urrejtja idhnake e ndjesisë shtetërore. Që këtej, sigurisht, ftillohen dy prirjet e kësomotshme të vetëzhbërjes: njëra, rrënimi i shtetit, i përjetuar si fatkeqësi e komplot kundër tyre. Dhe, tjetra ndërkaq, afshi i zjarrtë i mërgimit, braktisja e thurimës ku ndjehen të ngujuar këta qytetarë të paracaktuar të botës.
Kështu e parë, atdhetare e vërtetë ngjan pikërisht elita e epërme flijuese. Ajo që gërryen, vjedh, urren e prish shtetin dhe, njëkohësisht, turma që shpërthen lëvozhgën e tij robtore për të kaptuar botën: sepse e tyre është e gjitha, kudo që dielli rrezon…
3. Populli i padukshëm n’rreshtim të ri
Jostein Garder, filozof e romansier norvegjez, flet diku në “Botën e Sofisë” për popullin e padukshëm.
Në fakt, ai përafron besimin fetar për pavdeksinë e shpirtit njerëzor. Dhe i shpjegon Sofisë së vogël për lëvizjet, shenjat që dërgojnë krijesat frymore pa peshë e trup tokësor.
Kur e kisha lexuar romanin tij që bëri bujë në Europë, s’më vente akoma mendja tek një popull tjetër i padukshëm.
Më vonë do mësoja se ky, ndryshe nga populli i Garderit, dukej krejt më kompleks. Ishte i padukshëm, por prapë real: jetonte me ne, mes shqiptarëve, fliste, punonte, gëzonte, trishtohej e dashuronte…
Por pjesa që s’shihej, që mbahej në terr, ishte: pëshpërima e fshehtë! Rekrutët e tij në landin verior, veshtarë si askush, dëgjonin, përgjonin, vëzhgonin, hetonin, shënonin e raportonin. Relacioni i tyre i shkonte një populli tjetër, poashtu real e i padukshëm. Tjetrit që ishte matanë lirisë e kundër atdheut të tyre. Gjaks për vdekje. I vjetër sa dhimbja, e i palodhshëm si përsëritja e stinëve.
Kaloi shumë kohë. Zbardhi horizonti. Dhe besoja t’i shkrinte një ditë shekulli i ri, si dielli brymën e agut vjeshtak.
Por jo. Nga shërbestarë të robërisë, ata do shndërrohen shpejt në zelltarë të prishjes së ëndrrës. Të shmagjepsjes me lirinë. Dhe republikën e saj të pritur njëmi vjet.
Ndaj dhe vërejmë atë sesi, pa prerë kurrë fijet e vjetra, rreshtohet në bedenat e ndryshuar: ndihë patriotët e petkut të ri që, posi Rabini i mirë, shpërfillin shtetin – këtë sajesë ngushtore, shkurtabiqe e të pajetë dhe admirojnë botën e paanë..!
Punë aspak e vështirë për shtegësit e “popullit të padukshëm” që, jashtë botës Garderit, quhen spiunë… Sepse a nuk janë të së njëjtës âmë përlindëse me atdhetarët shtetvrasës?
Ç’nyjëtim i fortë e shpresëplotë për mjegullnajat që vijnë…
R. K.
Komentet