Një ditë Nastradini i ngarkoi thasët me grurë në gomarin e tij dhe u nis për në mulli. Fqinjtë e tij, sapo e panë, ia dhanë edhe gomarët e tyre të ngarkuar me thasë gruri, për t’i bluar në mulli. Nastradini nuk ua refuzonte dot. Kështu që përfundoi me nëntë gomarë me grurë, plus gomarin e vet, bëheshin dhjetë.
Ishte e vështirë t’i mbante në rresht gomarët. Kështu që, kur u bë natë, vendosi t’i numërojë. Ai numëroi nëntë.
-Po ku është gomari im? – pyeti Nastradini veten. Ata duhej të ishin dhjetë.
Zbriti nga gomari dhe i numëroi nga e para. I dolën dhjetë.
Hypi në gomar dhe, në një farë vendi, i numëroi gomarët dhe i dolën nëntë. Zbriti nga gomari dhe i dolën dhjetë. Kështu disa herë. Dikur u lodh dhe i tha vetes:
-Mjaft më me numërimet. Sa herë hyp më gomar, më dalin nëntë, sa herë zbres nga gomari më dalin dhjetë.
Komentet