Për rifreskim të memories së qytetarëve të vendit, po i sjelli disa nga rastet kur presidentit Historik Ibrahim Rugova i është marrë “pushteti” në mënyrë klandestine dhe të pandershme, në kohën kur ai e gëzonte mbështetjen apsolute të qytetarëve të Kosovës.
Hera e parë ishte në Rambujë (Francë), kur Ibrahim Rugovës nga pozicioni i kryetarit të shtetit i mirret primati nga një figurë anonime, siq ishte asokohe, Hashim Thaçi.
Herën e dytë, pas lufte, poashtu formohet e ashtuquajtura ‘Qeveri e Përkohshme’ nga i njëjti person dhe persona të tjerë që sot janë në PDK, LVV dhe partitë tjera.
Por lidershipi i LDK-së dhe lideri shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës i tejkaloi me urtësi e gjakëftohtësi, me maturi dhe në mënyrë të kulturuar këto dy situata të rënda, por jo të fundit, për të mirën e Kosovës.
Hera e tretë dhe e katërt, kur LDK-ja nën udhëheqjen e presidentin Rugova si fituese e zgjedhjeve nacionale të pasluftës, përkatësisht në zgjedhjet e vitit 2001 (48 %) dhe 2004 (45 %), nën presionin ndërkombëtar dhe trysninë e brendshme detyorhet që timonin e qeverisë t’ua lë dy partive të dala nga lufta (PDK dhe AAK).
Kjo nuk ishte dobësi, por madhështi që dinë ta bëjnë vetëm burrat e mëdhenjë të kombit për të mirën e shtetit dhe qytetarëve.
Respektimi i shumicës parlamentare, obligim kushtetues
Pas shkarkimit të ‘Qeverisë Kurti” (më 25 mars 2020) është krijuar një shumicë e re parlamentare konformë rregullave parlamentare.
Thirrjet e mëhershme (2014) të Albin Kurtit për respektim të shumicës parlamentare, duhet të vlejnë edhe sot dhe kurdoherë, derisa Kosova ta ketë njëjtin sistem qeverisës.
Nëse Albin Kurti i është referuar republikës parlamentare, gjegjësisht shumicës parlamentare në vitin 2014 për tejkalimin e krizës, duhet t’i referohet dhe respektoj edhe sot kur e ka humbur pushtetin në mënyrë legjitime në Kuvend.
Pavarësisht mënyrës komplotiste të rrëzimit, shkarkimi i qeverisë në Kuvend ishte i ligjshëm dhe në përputhje me rregullat parlamentare. Prandaj Albin Kurti duhet ta merrë me qetësi largimin nga pushteti, duke i nxjerrë mësimet e duhura nga kjo rënje.
Ngritjen e sërishme Albin Kurti duhet të provojë ta bëjë në mënyrë demokratike në Kuvendin e Republikës së Kosovës ose t’i presë zgjedhjet e radhës e jo përmes rrugëve antiligjore, përmes protestave dhe trazirave…
Pra, në situatën e tanishme, LVV-ja pas formimit të qeverisë së re, i ka dy rrugë ligjore; të qënurit opozitë konstruktive në Kuvend deri në fund të mandatit kushtues ose të provojë ta bëjë shumicën parlamentare për ngritjen e mocionit për shkarkim të qeverisë së “re” për quarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.
Çdo tendencë për anashkalim të Kuvendit është shkelje dhe dhunim i demokracisë dhe rendit kushtetues në vendin tonë!
Thirrjet për protesta, nuk e ndihmojnë LVV-në
Nëse vërtetë LVV-ja e mendon seriozisht ngritjen e saj politike, atëherë duhet të shkëputet përfundimisht nga e kaluara e saj e dhunshme, përkatësisht nga praktikat e protestave të dhunshme dhe trazirave politike.
I bëjë thirrje liderit të LVV-së, zotit Kurti, drejtuesve dhe simpatizantëve të këtij subjekti politik, që të tregohen të kujdesshëm në marrjen e vendimeve dhe të jenë të përgjegjshëm në veprime pas formimit të qeverisë së “re”.
Realitetin duhet pranuar ashtu siq është e jo siq e dëshirojmë. Vullneti elektoratit dhe simpatizantëve të LVV-së nuk është vullnet i shumicës së qytetarëve të këtij vendi.
Meqë është kështu, atëherë duhet respektuar vullnetin e shumicës së qytetarëve të përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Lideri i LVV-së duhet t’i bindet realitetit të krijuar me tërë përgjegjësinë e tij politike. Edhe pse Albin Kurti është lideri më i votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare, nuk është i preferuari i të gjithë qytetarëve të vendit, sikurse që LVV-ja nuk është e gjithë Kosova, por vetëm çereku i saj (26 %).
Zërat për dalje në rrugë nuk janë zëra të ndërgjegjës qytetare dhe as kombëtare, por janë zëra kobëzi që kërkojnë shkatërrimin e sistemit politik dhe rrënimin e shtetit të Kosovës
Andaj, Albin Kurti si liderë i partisë më të madhe në vend,e mbanë përgjegjësinë historike në këtë ndërrim pushteti, që pas 51 ditëve të qeverisjes legjitime të largohet me qetësi nga pushteti, të paktën, ashtu siq u largua PDK-ja pas 12 vjetëve të qëndrimit në pushtet.
Albin Kurti duhet t’i ftojë të gjithë simpatizantët e LVV-së për vetëpërmbajtje e durim, qetësi e sjellje qytetarë pas votimit të qeverisë së re në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Protestat nuk e kthejnë LVV-në në qeveri, e ndihmojnë Serbinë
24 orët e fundit të ‘Qeverisë Kurti” dhe 24 orët e para të qeverisë së “re” do të jenë testimi i fundit i Albin Kurtit para qytetarëve të vendit. Na mbetët të shohim në praktikë kohezionin dhe largëpamësinë politike, dashurinë për shtetin dhe qytetarët e Kosovës nga ana e Albin Kurtit!
Albin Kurti si liderë opozitarë i duhet Kosovës më shumë se asnjëherë më parë, për të parandaluar votimin e marrëveshjeve të dëmshme me Serbinë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në të kundërtën, me një Kosovë të mbërthyer në trazira, Serbia do ta ketë më lehtë në realizimin e aspiratave të saj hegjemoniste.
Albin Kurti duhet të reflektojë më pozitivisht se asnjëherë më parë, duhet të tregohet i përgjegjshëm dhe i kujdesshëm në veprime, i matur në deklarata dhe në paraqitje publike.
Qasja pragmatike dhe sjellja civilizuese do ta ngrisnin akoma më lartë liderin e LVV-së, në të kundërtën, protestat dhe trazirat do ta ulin imazhin e Kurtit dhe kthenin vendin në anarki, shkatërrim dhe izolim të mëtutjeshëm.
Me gjakëftohtësi dhe në mënyrë të kulturuar Albin Kurti duhet të pranoj verdiktin e shumicës në kuvend dhe të zbatojë në përpikmëri rregullat e lojes demokratike, përkatësisht rregullave të sistemit parlamentar, të cilave ju nënshtrua plotësisht me 3 shkurt të këtij viti.
Albin Kurti, sikurse e pranoj zgjedhjen kryeministër (me 64 vota) dhe shkarkimin (me 82 vota) në mënyrë legjitime në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ashtu duhet ta pranoj dhe respektoj edhe vendimin e radhës për formimin e qeverisë së “re”, të paraparë për të shtunën e 2 majit 2020.
Komentet