Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i bëri thirrje të premten kryeministrit Albin Kurti që të heqë tarifat ndaj mallrave serbe dhe të anulojë vendimin për shkarkimin e ministrit të brendshëm, për të shmangur rrëzimin e qeverisë.
Në një postim në llogarinë e tij në facebook, zoti Mustafa shkruan se me 16 mars të këtij viti i kishte drejtuar një letër kryeministrit Kurti duke theksuar se “nuk duhet të rrezikojmë partneritetin me Shtetet e Bashkuara. Se duhet ta heqim tarifën dhe qeveria ta merr përgjegjësinë që i takon në dialog”.
Në letër ai i kishte kërkuar kryeministrit që të hiqen tarifat gjatë kësaj jave. “Nëse vazhdohet kështu, posa ta kapërcejmë këtë situatë emergjente me Virusin, si LDK do të detyrohemi të dalim nga koalicioni, sepse nuk duam të jemi bashkëpërgjegjës të prishjes së marrëdhënieve me aleatin tonë kryesor”.
Por, shkruan zoti Mustafa, “përgjigjen që e mora nga kryeministri Kurti, më 18 mars ishte shkarkimi në kundërshtim me Marrëveshjen për koalicion, të nënkryetarit të parë të LDK-së, z. Agim Veliu nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe shpallja e tij, hiq më pak se, tradhtar në adresimin e tij qytetarëve në mbrëmjen e asaj ditë. Pyes, juve qytetarë të nderuar, edhe disa nga juve përfaqësues të korit diplomatik, por edhe dy tre deputetë të LDK-së: A është ky veprim i drejtë i Kryeministrit tonë? A flet ky veprim se Kryeministri Kurti është i përkushtuar ta ruaj koalicionin dhe ta luftojmë bashkërisht Virusin Corona? Ju pyes, çfarë vendimi tjetër do të duhej të merrte LDK, kur kaq keq injorohet dhe poshtërohet nga Kryeministri i vendit?”.
“Unë nuk jam i ri të ndikohem nga të tjerët e as aventurier. Jam shumë i brengosur për njerëzit tanë, qytetarët e këtij vendi. Dua që unë dhe partia ime të japë çdo gjë dhe ta fitojmë betejën ndaj këtij virusi. Dua që të bashkëpunojmë me partnerët tanë strategjik dhe të mos e humbim përkrahjen e tyre.
Edhe sot përulem para popullit tim dhe kërkoj mirëkuptim nga partia ime. Pres edhe sot që zoti Kurti ta heq tarifën, ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu. Që atij dhe LDK-së t’i kërkoj falje për veprimet e tij dhe të atyre me të cilët ka bashkëpunuar në këtë akt të ulët. Të na japë mundësinë të jemi bashkë në këtë betejë”, përfundon zoti Mustafa.
Të mërkurën në mbrëmje, Lidhja Demokratike paralajmëroi nismën për një mocion mosbesimi për qeverinë e kryeministrit Kurti vetëm disa orë pasi që zoti Kurti shkarkoi ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, për shkak të mospajtimeve rreth shpalljes apo jo të gjendjes së jashtëzakonshme, të cilën po e kërkon presidenti Hashim Thaçi, por pa pajtimin e kryeministrit.
Kryeministri Kurti, tha se do të pres të shoh veprimet e Lidhjes Demokratike para se të komentojë nismën e saj.
Nisma u kritikua nga vëzhgues, analistë e organizata joqeveritare që e shohin atë si zhvillim i dëmshëm në kohë pandemie.
Kosova po përballet me virusin Covid-19 dhe aktualisht numëron 21 raste të konfirmuara të të infektuarve.
Të enjten mbrëma, qytetarët protestuan duke bërë zhurmë me çelësa, tenxhere e tiganë, nëpër ballkonet e tyre, në shenjë pakënaqësie me zhvillimet politike në vend.
Organizatorët e protestës thanë se qytetarët e Kosovës në kohë pandemie po përballen me interesa personale dhe partiake të politikanëve të Kosovës.
Qeveria e koalicionit ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike është formuar në fillim të muajit shkurt dhe është gjetur nën trysni për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe që u vendosën në nëntorit të vitit 2018, duke cuar në pezullimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Lidhja Demokratike nuk është pajtuar me qëndrimin kryeministrit Kurti për heqjen e kushtëzuar të tarifave, duke kërkuar që ato të hiqen tërësisht sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, të cilat tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë. zëri i amerikës
Komentet