Mitrovicë, 14.03.2020
Sot doli nga shtypo libri i radhës i titulluar ”O JETA IME”, (Përmbledhje me poezi), 2020, i poetit Idriz Gashi, botues Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi.
Idriz Gashi, në librin e tij të radhës ”O JETA IME”, (Përmbledhje me poezi), 2020, pas dy veprave të botuara më herët, ”PO TË PRES” (Përmbledhje me poezi) 2018, ”SE NUK VDES”, (Përmbledhje me poezi) 2019, na del një vjershëtar i pavarur i letërsisë shqipe në fushën e poezisë. Këtë më së miri mund ta vërejmë në vargjet e tij se vërtet është një poet i cili, çdoherë, me një elegancë dhe gjuhë të ëmbël, shpreh përvojën jetësore dhe krijuese dhe njëherit etikën e këtij zhanri letrar. Autori, në këtë vepër, është shprehur në poezi sikundër nuk është shprehur më herët, duke dalluar për të mirë nga vjershëtarët e sotëm shqiptarë. Në qoftë se nxjerrim një dallim, duke krahasuar marrëdhënien e poezisë së tij me poezinë moderne të sotme të poetëve të tjerë, do të vërejmë ndryshime të dukshme në shtrirjen e poezisë dhe mënyrën e sendërtimit të këtyre poezive, të botuara në librin e radhës ”O JETA IME”. Këtu krijohet bindja, se lidhja e poezisë së poetit Idriz Gashi me poezinë moderne, gjithsesi përkojnë me realitetin, se janë bazamentet e dhuntisë së tij poetike, por pa e përjashtuar se poeti është ndikuar nga rrethanat jetësore e shoqërore ku ai jeton e krijon dhe në origjinën e tij të lindjes, siç e shohim në vargjet:
Ti Iliri e Dardani
Pasuri e krenari
Lakmi e lavdi
Të shënuara me histori
vargje këto që rrinë në brendi të shpirtit të poetit dhe që e hasim më tutje:
Iliri e Dardani
Binjakë me moshë
Binjakë në rini
Për Shqiptari
Kjo përvojë e poezisë letrare e poetit Idriz Gashi e përvetësuar, dëshmon se është një krijues me dhunti të dalluar poetike, që çdo përvojë në fushën e krijimtarisë e paraqet duke iu nënshtruar përvojës së vet, gjë që vërtet është për t’u vlerësuar lart. E kemi poezinë e titulluar ”O FLAMURI KUQEZI”:
Që nga Pirroja
E deri te Aleksandri i Madh
Skënderbeu e i Ismajl Qemali
Ibrahim Rugova e Adem Jashari
Për Atdhe e për Shqipëri
Kanë luftuar
E në ty janë betuar
Në poezinë e z. Gashi nuk mund të mos vërehet se në qëndrimet ndaj poezisë moderne, dëshmohen mjaft ngjashmëri historikisht të kuptueshme. Pavarësisht se poezia e tij nuk bën fjalë veçmas për letërsinë moderne, sikundër bëhet fjalë për shembull për letërsinë popullore.
Poeti Idriz Gashi, me të drejtë, nuk mund të quhet poet i paanshëm në poezinë e tij moderne, sidomos në poezinë që i përkushtohet gjuhës së tij amtare, ku zë vend përvoja e tij artistike. Sepse ai, në radhë të parë, don gjuhën e tij, madje me një prioritet të lartë dhe të pazëvëndësueshëm:
Lindja jote është mrekulli
Je e bukur plot magji
E shkruar moti që n’lashtësi
Nga pellazgjishtja në Iliri
Homeri të dërgoi në Dardani
Shpirtërisht e me ngrohtësi
E ruajtur me fanatizëm në shqiptari
Je e ëmbël e shumë hyjnore
Në rrënjë të lashta shumëgjuhësore
Linde e rrite shumë dijetarë
Në Evropë dhe në botën mbarë
Në veprat e tij poeti Gashi shquhet me të drejtë me një ndajafërsi të njerëzve meritorë dhe të të gjithë atyre që punojnë dhe sakrifikojnë për vendin. Ai këtu nuk kursehet, kur përmes poezisë së tij i vlerëson si pasuri të madhe, thesarë kombëtarë, që janë të përgjithshëm e shpirtërisht të Kombit.
Ti Avdyl Uka
Ti je lule e Lirisë
Ti je Hero i gjallë i djalërisë
Ti je nderi i familjes dhe i Dardanisë
Ndodh kështu në poezinë e z. Gashi, për arsye se ndikimi i poezisë moderne dhe letrare në poezinë e tij dëshmojnë se gjithsesi janë më të përvetësuara, prandaj edhe janë të ngritura në një shkallë të lartë të krijimit poetik. E themi në shkallë të lartë sepse formulimi i vargut poetik ka përbërje ritmike, mendime apo mesazhe që e cilësojnë poezinë dhe, në përgjithësi, shfaqet imagjinata e poetit, që ndërrojnë plotësisht veçantinë moderne poetike të z. Idriz Gashi dhe shihen qartë se janë të ideuara drejtëpërsëdrejti nga imagjinata e tij. Këtë e shohim në disa poezi, si dhe në poezinë e titulluar ”KUJDES”:
Që frymoni shqip ju njerëz të mirë
Që keni virtyte të larta
Njerëzore dhe kombëtare
Shqiptarë të dijes të penës dhe të sakrificës
Njerëz të guximit dhe vullnetit të mirë
Për punë të gatshëm
Për t’u dalë të këqijave përballë
Zgjohuni zgjohuni
Nga gjumi i mashtruar
Se armikun e keni te dera
Poeti Idriz Gashi, po ashtu, lë përshtypje të shkëlqyera në fushën poetike, se edhe kësaj here kemi poezi të krijuara nga ai, që shpërfaqet jeta rinore dhe, me të drejtë, e shkruan vargun me rimën e tij, të cilat kur i lexojmë me vëmendje do të hasim se nga ato poezi mund të nxirret shumë lehtë folklori poetik i këngësë së mirëfilltë shqipe.
Me sy ma bëri
Unë nuk u befasova
Si të qëllimtë unë e kuptova
Syri i lëshoi shkëndija të dashurisë
Mund të themi se numri i madh i poezive në këtë fushë, që përdor poeti Gashi në poezinë e tij, është shumë më i madh se në poezinë e shumicës së poetëve romantikë të ditëve të sotme. Lexojmë disa vargje nga poezia e titulluar ”PO TË PRES”:
Të këndoj këngë me çifteli
Për atë të bukurën dashuri
Ti je më e bukura në sytë e mi
Zemër e shpirt t’i kam falur Ty
Kjo nuk është aspak e çuditshme, prandaj poeti Gashi e arsyeton bindshëm marrëdhënien morale të njerëzve në poezinë e tij prej burri, duke pasur guximin ta thotë dhe ta shkruajë poezinë për vashën e bukur, flokët e saj të zeza, të bardha, bjonde; për takimet, puthjet e përqafimet; të gjitha këto dalin poezi vërtet artistike e moderne.
Pa dyshim se poeti Idriz Gashi[2] në poezinë e tij përdor metaforë[3]. Në poezinë e tij, edhe vajza, edhe djali me të drejtë emërtohen me emra të ndryshëm, për ta ruajtur raportin ndërnjerëzor.
[1]U lind më 4 janar 1962 në lagj lagjën Shpat, komuna e Mitrovicës; Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi. Autor dhe bashkautorë i 18 veprave, publicistike, poetike dhe letrare. Jeton dhe vepron në Suedi.
[2] Idriz Gashi u lindi më 8 qeshor 1953 në lagjen Lumbardh, fshati Pavlanë, komuna e Pejës. Është veprimtar dhe krijues nga Kosova.Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Vazhdoi me shkollimim e mesëm për dy vjet dhe shkollën Normale – cikli i mësuesisë, pastaj vitin e tretë dhe të katërt në Shkollën e Mesme Teknike ”Shaban Spahija” në Pejë. Studioi shkollimin e lartë, Gjuhë dhe Letërsi me korrespondencë në Gjakovë në universitetin ”Bajram Curri”, studime këto të papërfunduara për shkaqe të aktiviteteve politike në Kosovë dhe u detyrua të emigronte me familje në Suedi në vitin 1989. Aktor në Shoqatën Kulturore Shqiptare ”Besa” në Pejë (1976-1987) dhe aktor në teatrin e qytetit të Pejës, tani ”Istref Begolli”. Në vitin 1989 zgjedhet anëtar i Kryesisë së Shoqatës Kulturore Shqiptare ”Jusuf Gërvalla” në Helsinborg.
Në vitin 1991 qe njëri ndër themeluesit e Nëndegës së LDK-së në Landskrona. Nënkryetar i Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI – Albani”, Suedi (SHSHASHS) dhe kryetar i komisionit për organizimin e përurimit të veprave pranë SHSHASHS-së. Deri më tani ka marrë pjesë në shumë orë letrare me karakter garues si në Kosovë, Shqipëri dhe Suedi. Për tërë këto aktivitete shumë herë është shpërblyer dhe i janë ndarë shumë mirënjohje, falënderime të shumta në nivel kombëtar dhe atë të Suedisë dhe shpërblime me vend të parë për poezi. Veprat e tij të botuara: ”PO TË PRES” (Përmbledhje me poezi) 2018, ”SE NUK VDES”, (Përmbledhje me poezi) 2019 dhe tani del me veprën e tij të tretë, ”O JETA IME”, (Përmbledhje me poezi), 2020. Ka në dorëshkrim edhe disa vepra të tjera.
[3] Përdorimi i një fjale a i një shprehjeje me kuptim të figurshëm në bazë të krahasimit sipas ngjashmërisë;
Komentet