Pas marrëveshjes për kufijtë detare të 2009-s nga të djathtët, qeveria “Rama” ka ngritur një grup të ri pune për të diskutuar mbi mundësinë e një marrëveshje të re me Greqinë.
Tirananews.al ka biseduar me një prej ekspertëve më të mirë për këtë çështje, Beqir Gërbi, i cili ka qenë shef i shtabit të flotës detare të Shqipërisë (1981-1990) dhe kryetar i komisionit për përcaktimin e vijës së Shelfit Kontinental Shqipëri-Itali (1982-1990).
Profesor Gërbi nënvizon se marrëveshja e arritur nga të dy qeveritë (Komisionet),me vullnetin e tyre të lirë në 2009-n që vendosen kufirin detar, ku dhe si gjykuan vetë dhe e firmosën, gabuan duke sjellë korrektim të vijës së kufirit të ujërave territoriale në favor të Greqisë, pasi nuk kanë analizuar veçoritë gjeografike te ishujve sipas kërkesave e dispozitave ligjore të konventës detare,ishullit Fanos(Otonoi) dhe ishullit Erikuoza. Profesor i njohur nënvizon se përmes këtij gabimi, ishulli Fanos u favorizua për t’u bërë pikë referuese në përcaktimin e kufirit të Shelfit Kontinental në favor të Greqisë.
Ai vlerëson se është tepër e rëndësishme që të përcaktohet Zona Ekskluzive Ekonomike me shumë saktësi,sipas dispozitave ligjore e normave të konventës detare UNCLOS-82 pasi,duke përcaktuar ZEE, kemi përcaktuar kufirin e Shelfit Kontinental që përfshin fundin e detit dhe nënburimet e zonës nënujore detare mbi të cilën shteti bregdetar gëzon sovranitet. Gërbi thotë se ky problem do të ishte zgjidhur shumë mirë edhe nëse kjo çështje do të shkonte në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtën e Detit, e cila do të ballafaqonte marrëveshjen me dispozitat ligjore e normat e konventës detare duke korrigjuar edhe gabimet e lejuara dhe me saktesi do të përcaktonte vijën e kufirit të shelfit kontinental Shqipëri-Greqi.
Përkundër deklarimeve të bëra nga PS,Gjykata Kushtetuese dhe shume botues se vija e kufirit detar Shqipëri-Greqi është e saksionuar në Protokollin e Firencës të 27 janarit 1925, Gërbi sqaron se Protokolli i Firences nuk ka përcaktuar kufi detar Shqipëri- Greqi dhe nuk mund t’i referohemi në përcaktimin e kufijve detarë.
Nga Beqir Gerbi*
1.-A duhet vepruar në këto momente një marrëveshje me Greqinë për kufijtë detarë dhe si është vepruar para vitit 1990?
Kam mendimin se jemi tepër të vonuar në nënshkrimin e marrëveshjes së detit për shelfin kontinental me Greqinë, por edhe me Malin e Zi. Për të filluar kërkimet në det, të dyja shtetet jane të interesuara që të përcaktohen sa më parë kufijtë detarë,
Pozitive është fakti se: Të dyja shtetet (Shqipëria e Greqia) janë palë në konventën detare UNCLOS-82 dhe kanë një mendim që, përcaktimin e vijës së kufirit detar midis dy shteteve të bazohen në dispozitat ligjore e normat e konventës detare UNCLOS-82,duke përjashtuar mendimin e disave se kufiri detar Shqipëri-Greqi është përcaktuar në Aneksin III të Protokolli Firences të 27 janarit1925.
Pa u ndalur në imtësira,Protokolli Firences nuk përcakton me saktësi kufirin detar Shqipëri-Greqi, por jep një orientim të përgjithshëm në drejtimin Jug-Jugperëndim, në një sektor të hapësirës ujore detare prej 45 gradë,duke filluar nga Piramida III/79.
1.-Mbarimi i Luftës së II Boterore i gjeti shtetet bregdetare pa konventë detare.
Në vitin 1958, me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB në Gjenevë, zhvilloi punimet konferenca e parë UNCLOS-I. Në këtë konferencë u miratuan:4 konventa detare: “Konventa mbi Ujërat Territoriale (UT-58);Konventa mbi Shelfin Kontinental;Konventa mbi Peshkimin dhe ruajtjen e Burimeve të gjalla në ujërat ndërkombëtare”.Shtetet pjesëmarrëse nuk arritën konsensusin në përcaktimin e gjerësisë së ujërave territoriale dhe të zonës detare fqinje.Shteti shqiptar nuk u bë palë në konventën detare UT-58,pasi nuk pranoi kalimin paqësor të anijeve luftarake të shteteve të huaja në ujërat territoriale të vendit tonë.
Megjithëse konventa UT-58 nga shumë shtete bregdetare u miratua, në jetë nga shtetet
bregdetare nuk gjeti zbatim.Konferenca e dyte UNCLOS-II e zhvilluar në vitin 1970,po në Gjenevë, pësoi të njëjtin fat. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së vendosi zhvillimin e Konferencës Ndërkombëtare për miratimin e konventës detare UNCLOS-III.
Mbledhjen e parë e zhvilloi në vitin 1973 (Gjenevë); të dytin në vitin 1974(Venezuelë) dhe të tretin në vitin 1982 në Xhamajkë.
Duke punuar në mënyrë konstante për 10 vjet, më 30 prill 1982, në Konferencën e Montego Bay,u miratua konventa detare UNCLOS-III ose e ashtuquajtura konventa detare UNCLOS-82,me: 130 vota pro; 4 vota kundra dhe 17 vota abstenime.
Konventa detare UNCLOS-82 (pa kapitullin XI) hyri në fuqi në formën e nënshkruar më 16 nentor 1994, firmosur nga 166 shtete.
Me rishikimin,korigjimin dhe përpunimin e dispozitave ligjore të kapitullit XI-të e cila u miratua më 28 korrik 1996, iu ribashkua konventës detare UNCLOS-III, duke formuar paketën e plotë ligjore të sistemit ndërkombëtar të së drejtës së detit.
Konventa UNCLOS-82,e cila përmban 320 dispozita ligjore, konsiderohet nga shtetet palë që e kanë ratifikuar si Kushtetuta e Oqeanisë Botërore.
Shteti Shqiptar përsëri nuk u bë palë, nuk e ratifikoi konventën detare UNCLOS-82. Arsyet:
1.-Legjislacioni shqiptar nuk pranonte kalimin paqësor të anijeve luftarake të huaja në ujërat tona territoriale.
2.-Nuk pranonte gjerësinë e ujërave territoriale 12 milje detare (1 milje detare = 1852 metra), pasi në vitin 1975, me Dekret, e kishte përcaktuar gjerësinë e ujërave territorial 15 milje detare.
Republika e Shqipërisë, Konventen detare UNCLOS-82 e ka ratifikuar në datën 23 qershor 2003, duke u bërë shteti 143 palë.
Shteti shqiptar me t’u bërë palë,duhet që dispozitat ligjore e normat e konventës detare,
t’i konsiderojë si pjesë përbërëse të ligjshmërisë së saj, të kërkojë njohjen dhe zbatimin rigoroz të konventës në marreveshjet me shtetet e tjera bregdetare përballë ose përbri në delimitimin e hapësirave ujore detare.
Me keqardhje, por botues të ndryshëm, biles edhe me tituj shkencorë, me mendimet e tyre kanë krijuar padashje një konfuzion në njohjen, trajtimin dhe zbatimin në praktikë të dispozitave ligjore e normat e përcaktuara të konventës detare.
Kështu:”Ata pranojnë që konventa detare UNCLOS-82 ka përcaktuar dispozita ligjore e norma për delimitimin e kufirit detar ndërmjet shteteve, por Konventa nuk ka marrë përsipër t’u imponojë atyre që të veprojnë detyrimisht sipas percaktimeve ose kritereve të fiksuara prej saj.Ata jane krejtësisht të lirë që me vullnetin e tyre të plotë të vendosin kufirin detar, ku dhe si ta gjykojnë vetë. Sikurse janë të lirë, gjithashtu që të mos e caktojnë shprehimisht, por të pranojnë reciprokisht në heshtje përcaktimet e fiksuara në legjislacinet e tyre përkatëse”.
Mendime të tilla janë të gabuara pasi të çojnë në: “Mohimin e konventës detare UNCLOS-82; mohimin e dispozitave ligjore e normave të caktuara të koventës detare, të cilat shërbejnë për delimitimin me saktësi të hapësirës ujore detare si dhe ne mohimin e Gjykatës Ndërkombëtare të së Drejtës së Detit e cila trajton ekzkluzivisht konfliktet ligjore që rrjedhin nga moszbatimi rigoroz i dispozitave e normave të Konventës Detare.
Po i referohem shprehjes se,”Ata janë krejtësisht të lirë që me vullnetin e tyre të vendosin kufirin detar,ku dhe si ta gjykojnë vetë”. Le ta ballafaqojmë me marrëveshjen e detit Shqipëri-Greqi të vitit 2009.
Të dy qeveritë (Komisionet),me vullnetin e tyre të lirë, vendosin kufirin detar,ku dhe si gjykuan vetë dhe e firmosën. Të dy qeveritë e gjykuan që përballë ishullit të Korfuzit të zbatohej Ekitea, duke korrektuar vijën e kufirit të ujërave territoriale në favor të Greqisë dhe duke mos analizuar veçoritë gjeografike të ishujve sipas kërkesave e dispozitave ligjore të konventës detare, ishullit Fanos(Otonoi) dhe ishullit Erikuoza i dhanë Vijë Bazë. Këto,janë në papajtushmëri me konventën detare, d.m.th janë të gabuara.
Me këtë veprim, ishullit Fanos u favorizua për t’u bërë pikë referuese në përcaktimin e kufirit të Shelfit Kontinental në favor të Greqisë.
Sipas dispozitave ligjore e normave të konventës, si pika referimi janë kepi Gramës(Shqipëri)-kepi perëndimor ishulli Korfuzit(Greqi).
Nëqoftëse shteti shqiptar do e çonte problemin në GJNDD, ajo së pari, do e ballafaqonte marrëveshjen me dispozitat ligjore e normat e konventës detare, do korrigjonte gabimet e lejuara dhe me saktësi do përcaktonte vijën e kufirit të shelfit kontinental Shqipëri-Greqi.
Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të së Drejtës së Detit do ishte i detyrushëm për zbatim nga të dyja qeveritë. Kjo,do ishte rruga e drejtë e zgjidhjes së problemit.
Partia Socialiste e Shqipërisë (PSSH) duke parë se,”Presidenti i Republikës së Shqipërisë nuk ishte vënë në dijeni për marrëveshjen e detit Shqipëri-Greqi se Komisioni i ngritur nga qeveria shqiptare ishte në papajtushmëri me Nenet:3,4,7 dhe 92/e të Kushtetutës,si dhe disa mangësi të konstatuara në metodologjinë e përcaktimit të kufirit detar Shqipëri-Greqi,vendosi ta çojë për kontroll, gjykim dhe vendim në Gjykatën Kushtetuese.
Lidhur me çështjen e legjitimitetit të kërkesave të PSSH, Gjykata Kushtetuese thekson se para se të shprehet për bazueshmërinë e pretendimeve të kërkuesit që lidhen me përmbajtjen e marrëveshjes objekt gjykim, e vlerëson të nevojshme të bëjë të njohur fillimisht kriteret e kontrollit ku ajo do të mbështetet gjatë shqyrtimit të tyre.
Për këtë, Gjykata Kushtetuese thekson se: “Nisur nga objekti i kërkesës, Gjykata Kushtetuese, bazuar në nenin 131/b të Kushtetutës kontrollon marrëveshjet ndërkombëtare para ratifikimit nga Kuvendi lidhur me pajtushmërinë e tyre me kushtetutën.
Meqënëse Kuvendi e ka ratifikuar Konventën detare UNCLOS-82, më dt:23 qershor 2003,veprimi i Gjykatës Kushtetuese për kontrollin, gjykimin e marrjen e vendimit që lidhen me njohjen e zbatimin konkret të dispozitave ligjore e normave të konventës detare në marrëveshjen e detit Shqipëri-Greqi, të cilat ngrihen nga kërkuesi është në papajtushmëri me Nenin-131/b si dhe me Nenin-122 të Kushtetutës.
Neni-122 i Kushtetutës:
1.-Çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar përbën pjesë të sistemit të brendshëm juridik pasi botohet në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë.Ajo zbatohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë.
2.-Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohet me të.
3.-Normat e nxjerra prej një organizate ndërkombëtare kanë epërsi, në rast konflikti, mbi të drejtën e vendit, kur në marrëveshjen e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë për mungesë pjesëmarrjen në atë.
Cila do ishte rruga më e drejtë për Gjykatën Kushtetuese në zgjidhjen e problemeve të ngrituara nga kërkuesi PSSH për marrëveshjen e detit të vitit 2009 Shqipëri-Greqi ?
E para.-Gjykata Kushtetuese meqeneëse,konstatoi se Presidenti i Republikës nuk kishte
dijeni për marrëveshjen e detit me Greqinë si dhe, ngritja e Komisionit nga qeveria shqiptare ishte në papajtushmëri me Nenet 3,4,7,92/e të Kushtetutës, ishte në të drejtën e saj për ta bërë “Zero”marrëveshjen e detit midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë.
E dyta.-Të mos pranonte të analizonte, kontrollonte, gjykonte dhe të merrte vendime nëse marrëveshja e detit Shqipëri-Greqi-2009 është bërë në përputhje me dispozitat ligjore e normat e Konventës Detare UNCLOS-82. Këtë të drejtë e ka GJNDD.
Me keqardhje, por shumë vërejtje,propozime e vendime të Gjykates Kushtetuese nuk përputhen me dispozitat ligjore e normat e Konventës detare.
Kuptohet se çdo anëtar i gjykatës Kushtetuese gëzon të drejtën si çdo qytetar, të shprehë mendimet, të bëjë vërejtje për ato që e gjykon të gabuar si dhe të bëjë propozime konkrete për korrigjimin e tyre.
Pozitive është fakti se të dyja qeveritë ranë dakord që të vazhdojnë bisedimet për arritjen e një marrëveshje të re.
2.-Nocionet e hapësirave ujore detare të përcaktuara nga konventa detare.
Sipas Konventës Detare UNCLOS-82, shteti bregdetar gëzon sovranitet mbi këto nocione të hapësirës ujore detare: Ujërat e Brendshme detare; Ujërat Territoriale dhe mbi Shelfin Kontinental.
Konventa detare përcakton si nocion edhe Zona Ekonomike Ekzkluzive(ZEE) dhe Zona e Puqur Detare (ZPD).
Çdo nocion matet nga Vija e drejtë Bazë.
Sipas konventës, Vija Bazë është vija e drejtë që bashkon kepat më të dalë të bregdetit në periudhën e zbaticës detare. Gjatësia e vijës bazë, jo më e madhe se 24 milje detare.
-Ujërat e brendshme detare(UBD), quhet hapësira ujore detare nga vija bazë në drejtim të bregut-tokës.Shteti bregdetar gëzon sovranitet të plotë mbi këtë hapësirë ujore detare.
Hyrja e anijeve të huaja në UBD bëhet me leje nga shteti bregdetar.
-Ujërat Territoriale(UT),quhet hapësira ujore detare nga vija bazë në drejtim të detit të hapur.Gjerësia e ujërave territoriale 12 milje detare.(neni-3)Vija kufitare detare e UT
është njëkohësisht edhe kufiri shtetëror i shtetit bregdetar.Shteti bregdetar gëzon sovranitet të plotë mbi këtë hapësirë ujore detare mbi fundin e detit të kësaj hapësire si dhe mbi hapësirën ajrore të saj. Anijet e huaja, përfshirë dhe anijet luftarake (nëndetëset në gjendje të mbiujshme), lejohen të bëjnë kalimin paqësore sipas parimit në “rrugën më të shkurtër dhe sa më shpejt” duke zbatuar kërkesat e përcaktuara në konventë detare për kalimin paqësor.
Sqaroj se përcaktimi i Vijës Bazë, Ujërave të Brendshme Detare dhe Ujërave Territoriale janë Akte të njëanshëm të shtetit bregdetar. Grafikisht, çdo nocion përcaktohet duke zbatuar dispozitat ligjore e normat e konventës detare.
-Shelfi Kontinental(SHK), i një shteti bregdetar përfshin fundin e detit dhe nënburimet e zonës nënujore që shtrihet përtej detit të tij territorial deri në distancën 200 milje detare.
Një favor të tillë për të shtrirë kufirin e Shelfit kontinental në distancën deri 200 milje detare e kanë shtetet bregdetare oqeanike. Matja e distancës bëhet nga Vija Bazë, por ShK fillon shtrirjen përtej vijës së kufirit të ujërave territoriale të shtetit bregdetar.
Përcaktimi i vijës së kufirit të Shelfit Kontinental, midis shteteve bregdetare (përballë ose përbri) bëhet me marrëveshje.
-Zona Ekonomike Ekzkluzive(ZEE) i një shteti bregdetar është hapësira ujore detare që shtrihet përtej detit të tij territorial deri në distancën 200 milje detare. Matja bëhet nga vija bazë, por ZEE fillon nga vija e kufirit të ujërave territoriale.Vija e kufirit e ZEE midis shteteve bregdetare (përballë ose përbri) përcaktohet me marrëveshje. Mbi hapësirën ujore detare të ZEE, shteti bregdetar nuk gëzon sovranitet, pasi hapësira ujore detare përtej vijës detare të kufirit të Ujërave territoriale, konsiderohet ujëra ndërkombëtare ku zbatohet parimi i lundrimit të lirë.
Po pse Greqia këmbëngul kaq shumë për ZEE ?
Shqetësimi është i drejtë por, ky shqetesim vjen nga mosnjohja e konventës detare.
Media, kohët e fundit ka trajtuar qëndrimin e Greqisë për marrëveshjen e Re të detit si dhe ka publikuar deklaratën e Kryetarit të ri të delegacionit të Parlamentit Europian në Komitetin e Stabilizimit Asocimit, Shqipëri – Bashkimi Europian ku thekson se,”ka sigurisht çështje bilaterale që duhen zgjidhur si delimitimi i ZEE mes dy vendeve”.
Komentuesit, të shqetësuar për problemin e marrëveshjes së re të detit për mungesë informacioni si dhe duke u bazuar në deklaraten e deputetit të Parlamentit Europian, arrijnë në disa konkluzione si:
-Ky është një konfirmim se mes Greqisë e Shqipërisë nuk diskutohet më kufiri detar, por vetëm hapësira e shfrytëzimit ekonomik në ZEE. Kufiri detar është çështje e mbyllur,duke lënë në fuqi marrëveshjen e detit 2009.
-se,nga pala greke,kufiri detar quhet çeshtje e mbyllur.
-kufiri detar si i tillë është pranuar edhe nga Rama dhe quhet çështje e mbyllur etj,etj.
Më lart, duke iu referuar konventës detare UNCLOS-82, sqarova nocionin e Shelfit Kontinental dhe të Zonës Ekonomike Ekskluzive.
Theksova se shteti bregdetar gëzon sovranitet vetëm mbi Shelfin Kontinental për qëllime kërkimi dhe shfrytëzimi të burimeve të saj natyrore. Hapësira ujore detare e ZEE, konsiderohet si ujëra detare ndërkombëtare, shteti bregdetar nuk gëzon sovranitet mbi ZEE.
-Ja pse Greqia këmbengul kaq shumë për ZEE:
Për të përcaktuar kufirin e Shelfit Kontinental që, përfshin fundin e detit dhe nënburimet e e zonës nënujore detare, shtetet bregdetare (përballë ose përbri) fillimisht ndajnë hapësiren ujore detare midis tyre e cila është emërtuar ZEE.
Duhet kuptuar se, ZEE dhe Shelfi Kontinental, janë dy sipërfaqe (njëra fundi i detit dhe tjetra hapësira ujore detare), të vendosura ose të palosura njëra mbi tjetrën, me të njëjtat vija të kufirit, me të njëjtat madhësi, me të njëjtat koordinata gjeografike, të cilat maten nga vija bazë, por fillojnë përtej kufirit detar të ujërave territoriale.
Nëqoftëse dy shtete bregdetare (përballë ose përbri), kanë rënë dakord që me marrëveshje të përcaktojnë kufirin e Shelfit kontinental, konventa detare u rekomandon që fillimisht të përcaktojnë kufirin detar të ZEE.(Psh.Po marr marrëveshjen Shqipëri-Itali).
a.-Konventa detare rekomandon që ndarja e hapësirës ujore detare të bëhet me metodën e baraslargësisë nga kepat. Kjo ndarje të filloje nga ku distanca midis tyre është më e vogël.
Konkretisht,u fillua kepi Gjuhëzës (Shqipëri)-kepi Otranto (Itali).
(Për përcaktimin e vijës së kufirit ujor detar të ZEE Shqipëri-Itali, në bregdetin shqiptar morën pjesë: kepi Gjuhëzes-kepi Sazanit-kepi l.Vjosa-kepi l.Seman-k.Turrës-k.Pallës.
Kepi Rodonit u la për marrëveshjen e Shelfit Kontinental Shqipëri-Mali Zi.
Kepi Gramës u la për marrëveshjen e Shelfit Kontinental Shqipëri-Greqi.
b.-Konventa rekomandon që shtetet bregdetare pasi përcaktuan vijën e baraslarguar nga kepat të përcaktojnë gjiret të cilat plotësojnë kërkesat e Nenit-10.Kërkesa e nenit-10 është kjo: Nëse, sipërfaqja e hapësirës ujore e gjirit është më e madhe se sipërfaqia e gjysmë rrethit, diametri i të cilit është vija e drejtë që bashkon hyrjen e të thelluarës (gjirit).
Kjo vijë e drejtë që bashkon hyrjen e të thelluarës, quhet vija “përmbyllëse” për ta dalluar nga Vija e drejtë Bazë. Sipas konventës, vija përmbyllëse nuk ka kufi për gjatësinë e saj, ndërsa për Vijën Bazë, konventa e përcakton, jo më e madhe se 24 milje detare.
c.-Përballë gjirit, i cili plotëson kërkesat e Nenit-10,konventa kërkon që të zbatohet Ekitea. Të korrektohet vija e kufirit detar që përcaktuam me metodën e baraslargësisë nga kepat.
Meqënëse gjiret në bregdetin shqiptar dhe në bregdetin italian nuk plotësojnë kerkesat e nenit-10,vija e kufirit e ZEE Shqipëri-Itali, mbetet ajo e përcaktuar,sipas pikës-a.
Për sqarim, këto veprime e matje kryhen nga Instituti i Hartografisë.
Këtë vijë kufiri të hapësirës ujore detare të ZEE që përcaktuam më lart,(duke marrë si shembull Shqipëri-Itali), po ta shtrijmë në thellësi deri në fund të detit, kemi përcaktuar vijën e kufirit të Shelfit Kontinental (Shqipëri-Itali).
Prandaj, ka shumë rëndësi që ZEE të përcaktohet me shumë saktesi sipas dispozitave ligjore e normave të konventës detare UNCLOS-82 pasi, duke përcaktuar ZEE, kemi përcaktuar kufirin e Shelfit Kontinental që përfshin fundin e detit dhe nënburimet e zonës nënujore detare mbi të cilën shteti bregdetar gëzon sovranitet.
Meqënëse,ka disa keqkuptime sqaroj:Nocionet e hapësirës ujore detare mbi të cilat shteti bregdetar gëzon sovranitet të plotë, shtrihen në gjerësi, njëra pas tjetrës (deti brendshëm; deti territorial; Shelfi Kontinental),ndërsa palosja ndodh për Shelfin Kontinental i cili shtrihet poshtë ZEE.
*Beqir Gërbi ka qenë shef i shtabit të flotës detare të Shqipërisë (1981-1990) dhe kryetar i komisionit për përcaktimin e vijës së Shelfit Kontinental Shqipëri-Itali (1982-1990)
Komentet