Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, mori edhe zyrtarisht detyrën. Pranim dorëzimi i detyrës u bë nga ish-zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli në emër të ish kryeministrit Ramush Haradinaj. i cili ndodhet për një vizitë në Washington
Ceremonia solemne përfshinte edhe parakalimin e Gardës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Pak qaste pas ceremonisë, në një mbledhje solemne të qeverisë së re, kryeministri Albin Kurti u bëri thirrje ministrave që të përqendrohen në përmbushjen e pritjeve të qytetarëve.
“Energjia dhe entuziazmi i qytetarëve duhet të jenë motor për punën tonë prandaj nuk mund të pushojmë derisa ta shpërblejmë besimin e tyre. 100 ditët e para do të jenë ditë të zëna me angazhim e përkushtim maksimal”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se çdo sukses apo dështim do të jenë kolektiv dhe jo personal apo partiak.
“Partitë i kemi në parlament, atje janë grupet parlamentare, këtu punojmë si ekip. Në këtë qeveri nuk do të ketë LVV, LDK, NDS e LS. Do të jemi qeveria e Republikës së Kosovës që punon bashkë për të mirën e përbashkët. Në këtë drejtim dera ime është e hapur për çdo ditë në çdo orë e çdo minutë. Asgjë nuk është më e rëndësishme për mua se sa realizimi i programit qeverisës dhe zbatimi i pritjeve të qytetarëve. Qëllimet i kemi të mira e dëshirat për suksese të mëdha, energjitë e akumuluara në opozitë është koha që t’i kthejmë në veprim në qeveri”, tha zoti Kurti.
Të hënën parlamenti i Kosovës votoi formimin e qeverisë së re që do të drejtohet nga kryeministri Albin Kurti. Votimi i dha fund boshllëkut gati katër muajsh, përgjatë të cilëve lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, negociuan për ndarjen e pushtetit.
Po të hënën, Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës u zgjodh në postin e kryetares së parlamentit, duke shënuar kësisoj rastin e parë në historinë e re të Kosovës që një grua drejton organin më të lartë ligjvënës.
Zonja Osmani priti të martën në takimin e parë zyrtar, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Prishtina, Philip Kosnett.
“Miqësia dhe partneriteti me SHBA-të janë ekzistenciale për Kosovën”, shkroi më pas ajo në rrjetet sociale.
Qeveria e re u përball me kritika të ashpra që në ditën e votimit nga opozita e re që përbëhet nga Partia Demokratike, e cila pas 12 vjetësh nuk do të jetë në pushtet dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Nisma Socialdemokrate.
Qeverinë e 44 vjeçarit Albin Kurti, e presin sfida të vështira, përfshirë edhe shtimin e trysnisë ndërkombëtare për rifillimin e bisedimeve të pezulluara me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.
Kryeministri Kurti tha se është i gatshëm të drejtojë procesin e bisedimeve me Serbinë që do të përfshijnë çështjen e personave të zhdukur, dëmet e luftës, trashëgiminë e ish Jugosllavisë dhe njohjen e ndërsjellë.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës e cila u shpall në shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe.
Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme vjeshtën e kaluar pas dorëheqjes së ish kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr në Hagë në muajin korrik, për t’u marrë në pyetje nga prokuroria e Posaçme që trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.
Komentet