Për disa orë dje, Isa Mustafa ka mbajtur mbledhje me strukturat e partisë në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike. Diskutimet brenda zyrave nuk qenë aq të lehta për të dalë me përfundim, se duan të vazhdojnë diskutimet me LV’në për koalicion. Megjithatë, ata që edhe publikisht ishin kundër që partia e Albin Kurtit të marrë poste të caktuara, shpërfaqen edhe dje kundërshtimet e tyre. Të njëjtat, më vonë dolën për t’i demantuar përmes një komunikate për media, shkruan Gazeta Express.
Tre muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit, situata e bisedimeve për koalicion në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partisë së parë të dalë nga zgjedhjet, Lëvizjes Vetëvendosje ka shkuar duke u vështirësuar.
Seanca konstituive e 26 dhjetorit, ku LV propozoi Glauk Konjufcën si kandidat për kryeparlamentar, e gjithashtu edhe nënkryetaren e parë, bëri që për disa ditë të mos ketë komunikim fare në mes të dy liderëve, Albin Kurtit e Isa Mustafës. Ky i fundit, madje as nuk është përgjigjur në thirrjet për takim nga kreu i LV-së, e rrjedhimisht një i tillë ka javë që nuk ka ndodhur.
Të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur deri më tani janë bërë në distancë, e dy partitë këto kohë i kanë shtuar edhe akuzat për njëra tjetrën.
Derisa nga LDK-ja nuk kanë lëvizur nga pozicioni që kanë mbajtur që nga fillimi, e kërkesat e tyre, Albin Kurti ka shkuar një hap më përpara duke bërë propozimet e tij për kabinet qeveritar. Kështu ai dje ka publikuar emrat e pesë ministrave në dikasteret që kanë zgjedhur në marrëveshjen e parë me Mustafën, si dhe zëvendëskryeministrin e dytë.
Rrjedhimisht, siç potencoi edhe pas takimit me Hashim Thaçin në rast se mbërrijnë marrëveshje me Mustafën, pjesë e diskutimit nuk do të jetë pozita e kryeparlamentarit të cilën do ta vazhdojë ta mbajë Glauk Konjufca. Për presidentin në anën tjetër, shtoi se vazhdojnë të mendojnë se duhet të diskutohet kur t’i vjen koha.
Përderisa LV-ja po vazhdon procedurat për mandatim, nga LDK-ja ka pasur dje një mobilizim të strukturave, për të vendosur përfundimisht se a do të vazhdojnë diskutimet, apo të tërhiqen duke zgjedhur opozitën.
Ky opsion, ishte i pëlqyer nga disa prej anëtarëve të kryesisë, që njihen edhe për ndikimin që kanë brenda partisë.
Gazeta Express ka raportuar nga burime të sigurta brenda kryesisë së partisë së Isa Mustafës, se disa prej anëtarëve të LDK-së, në mbledhjen e djeshme kanë qenë kategorikisht kundër një marrëveshje me LV-në. Në fund, megjithatë, është vendosur që të dalin me qëndrim pro diskutimit.
Listës së kundërshtuesve i prin nënkryetari i parë i LDK-së, Agim Veliu. Bashkë me të edhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, por edhe ish-ministri i Jashtëm, Skender Hyseni. Tre tre këta ditë më parë u takuan me Richard Grenell, të dërguarin e presidentin Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi.
Përveç tyre, sipas të njëjtave burime, kundër është shprehur edhe ish-kandidati për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, që tash mban pozitën e sekretarit në LDK.
Po ashtu edhe deputeti i zgjedhur Florian Dushi, e anëtari i kryesisë Naser Osmani.
Edhe kryetarja e forumit të gruas së LDK’së, Lirije Kajtazi, sipas burimeve të Expressit brenda mbledhjes, është deklaruar kundër bashkëpunimit me partinë e Kurtit. Këta persona megjithatë nuk e arritën shumicën e kryesisë që ishte pro vazhdimit të diskutimit. Kështu pas mbledhjes përmes një komunikate u dha qëndrimi, pasi që askush nga kryesia nuk pranoi të flasë para gazetarëve që pritën me orë të tëra para selisë.
“LDK-ja konsideron se partisё qё ka dalё e para i takon pёrgjegjёsia pёr tё themeluar instuitucionet. LDK-ja, edhe njё herё shpreh gatishmёrinё qё tё vijojё bisedimet me Lёvizjen Vetёvendosje, mbi bazёn e mirёbesimit dhe tё partneritetit”, shkruhej në komunikatë, teksa bëhej thirrje që ndarja e pushteteve të bëhej e barabartë.
Nga LDK-ja madje vendosën që të akuzojnë median për raportime që sipas tyre nuk janë të sakta, ani pse qëndrimet e personave të cekur në lajmin e publikuar në Express janë edhe publike.
Agim Veliu, nënkryetari i parë i LDK-së, është që para zgjedhjeve më i zëshmi kundër një koalicioni me partinë e Albin Kurtit. Në prononcimin e parë pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit, Veliu kishte thënë për Gazetën Express se është i vështirë bashkëpunimi me LV-në. Ai kishte kërkuar që ndarja e pushtetit të bëhet në mënyrë proporcionale, duke insistuar që të marrin si pjesë të pazarit edhe pozitën e presidentit.
Në anën tjetër, Avdullah Hoti, anëtari tjetër i kryesisë që ka kundërshtuar një marrëveshje me LV-në, merret vesh se është edhe pretendent kryesor për një nga pozitat që i takojnë Lidhjes Demokratike. I njëjti, së bashku me Skender Hysenin dhe Veliun, si tre kundërshtuesit kryesorë të marrëveshjes, për këtë arsye udhëtuan në Berlin për tu takuar me të deleguarin e Trumpit.
Skender Hyseni në një paraqitje në RTV 21 dy javë më parë, madje kishte thënë se koalicioni nuk do të ndodhë nëse LV kërkon pushtet të tepruar. Ai kishte thënë se kjo do të mund të ndikonte që të shkohet në sistem diktatorial.
“Është VV-ja ajo që e ka në dorë nëse vendin do ta çojë në zgjedhje të parakohshme, sepse VV-ja është fituese e zgjedhjeve, me një pakicë ekstreme, sepse kur flasim për zgjedhje, duhet ta kemi parasysh përkrahjen popullore.
Nëse nuk shënohet një koalicion partneriteti, ai koalicion nuk duhet të ndodhë, unë jam në mënyrë jetike i interesuar, dhe angazhohem në të gjitha strukturat e partisë që ky koalicion të ndodhë. Nuk mund të lejojmë koncentrim pushteti të tepruar në njërën ose tjetrën parti, fundja, përtej votës gati të barabartë është e shëndetshme për demokracinë në këtë vend që të krijohet me domosdo instrumenti i kontrollit dhe i vetë kontrollit për qeverinë.
Mund ta quaj një far rebelimi deri në krekosje, që nëse nuk doni ne shkojmë në zgjedhje të reja, ky është abuzim me vullnetin qytetar. Koalicioni vetëm LDK – VV nuk përmbush ato kërkesat për qeverisje stabile”, kishte deklaruar Hyseni duke folur për marrëveshjen potenciale me LV-në.
Në anën tjetër, Avdullah Hoti ka qenë që nga fillimi i diskutimeve i zëshëm për shkuarjen në opozitë.
“Nëse nuk marrim postin e presidentit, shkojmë në opozitë Ne jemi partia më e vjetër në Kosovë dhe si të tillë kemi përvojë në ndërtimin e institucioneve. Po ashtu ne jemi parti shtet ndërtuese dhe si e tillë kemi futur historikisht njerëzit më të mirë të mundshëm nëpër poste drejtuese. Ky nuk është kushtëzim. Është një qasje ferr nga partia më e vjetër në Kosovë e cila po pranon që kryeministri të i takojë Lëvizjes Vetëvendosje”, kishte deklaruar Avdullah Hoti në emisionin Pressing në T7.
Në të njëjtën javë deklaratë afërsisht të njëjtë kishte dhënë edhe sekretari i LDK-së, Arban Abrashi që mbrëmë hezitoi ta përmende me emër LV-në, duke iu referuar si partia me 29 deputetë.
Abrashi kishte deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është duke hezituar që ta drejtojë qeverinë.
“Po flasim për nj ndërtim të koalicionit, të shpresës. Kjo duhet të ndërtohet në baza të shëndosha të bashkëpunimit në mes të partnerëve. S’ka të bëjë me barrikadim. Edhe pika e Presidentit ka qenë diskutim shumë i shëndosh se pse kjo duhet t’i takojë LDK-së ose një partneri tjetër. Kështu do ta kontrollin partitë njëra-tjetrën më mirë. Politika në Kosovë dhe sistemi politik ta imponon kompromisin. Nga paslufta shohim kompromise të mëdha. Fitues është ai që bën kompromise”, pati deklaruar Abrashi.
Kundër tashmë dihet qëndrimi i deputetes Lirije Kajtazi, e cila ishte e vetmja që nuk votoi pro kur Glauk Konjufca u propozua nga Albin Kurti.
“Jo, s’e kam votuar. Qaq ka meritu, qaq ka marrë. LDK ka votuar, kam konsideruar se qaq ka mjaftuar. Ne e kemi menduar mirë, kemi bashkëpunuar si opozitë, e kemi menduar se mundemi… Nëse na konsiderojnë si partner jemi të gatshëm derisa ata janë serioz. E dini qëndrimin e LDK-së”, deklaroi e njejta.
Qëndrimi i Florian Dushit, anëtarit tjetër të kryesisë, tashmë dihet. I njëjti që nga fillimi ka kundërshtuar publikisht përmes disa shkrimeve në Facebook këtë marrëveshje. Të njëjtin qëndrim e përsëriti edhe mbrëmë.
“Qëndrimi im rreth koalicionit eventual LDK me VV është publik. Koalicioni me VV duhet të ndodhë, mendoj unë, por asnjëherë nën kushtet e diktuara njëanshëm nga partia e Albin Kurtit.
Dje, sot, dhe nesër, në organet e partisë, por edhe publikisht, angazhohem që Kosovës dhe qytetarëve tonë t’iu ofrojmë një qeveri dhe qeverisje ndryshe, duke pasur kujdes të veçantë që partneriteti në mes të këtyre dy partive të jetë i sinqertë dhe i mirëfilltë, e përfaqësimi LDK-së në institucione i dinjitetshëm”, ka shkruar Dushi mbrëmë në Facebook.
Tashmë kur dihet se si është bërë ndarja e ministrive sipas zgjedhjes 5+5, dhe kur është zgjedhur kryeparlamentari e nënkryetarët e Kuvendit, post që i ka mbetur LDK-së është ai i zëvendëskryeministrit të parë.
Sipas kësaj marrëveshje LV merr kryeparlamentarin, nënkryetarin e parë të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e dytë, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Financat, zhvillimin ekonomik, sportin dhe shëndetësinë dhe ministrinë e Drejtësisë.
LDK në anën tjetër, merr zëvendëskryeministrin e parë, kryetarin e dytë të Kuvendit, MPB-në, Arsimin, Bujqësinë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Infrastrukturës. Edhe ndarja e emrave që do të emërohen zëvendësministra mbetet e njëjtë.
LDK nuk ka sqaruar se a do të pranonte një marrëveshje me LV-në pa pozitën e kryeparlamentarit, derisa, merret vesh se me ndarjen e posteve siç është aktualisht, LV-ja mund të pranojë që të negociojë me postin e presidentit.
Sido që të jetë, sot ose ditëve në vazhdim pritet që të mbahet takim në mes të Mustafës dhe Kurtit, aty ku do të jepen në tavolinë të diskutimit edhe ofertat e fundit./GazetaExpress/
Komentet