Thash: Lëvizjes e jo Partisë!
Pra LDK sot ka ditëlindjen e tridhjetë.
Bukuri, kur mendon njeriu se një periudhë me tri dekada është pasuri dhe pjekuri .
LDK shkruhej edhe me shkronja ari edhe me shkronja gjaku por edhe kuqezi.
Të gjithë Ishim në Lëvizje atëhere.
Jo edhe bash të gjithë sepse edhe atëhere kishte sa të duash spiuj dhe hafije të JugoSerbisë që ishin në gjendje t’ia hjeknin flamën atij me shallë që projshëm fliste pa bërtitur dhe pa u nxituar duke denoncuar tërë shkeljen e të drejtave dhe pamundësinë tonë per të jetuar ende në kushte apartheidi dhe robërie.
Protestat popullore atëhere ishin 100 përqind, edhe zgjedhjet ishin 100 përqind .
Edhe referendumet ishin njëjtë.
Të gjithë po pritnin që kryetari i parë dhe i fundit i LDK që e deshti populli, pra Ibrahim Rugova të dilte në mal.
E kishte pas ditur mirë ai, se me rrahagjoksa nuk shkohet askund, sepse e kishte parasysh popullin e pambrojtur dhe raprezaljet që do të bënin serbët ndaj shqiptarëve.
Ai diti që ti grumbullojë rreth vetes edhje shqiptarët më të shkolluar por edhe gjeti miq në perendim duke thyer mitin e propagandës serbe.
Presidentin e prisnin ministra, kryetarë qeverish si dhe presidentët më të fuqishënm në Europë dhe Amerikë. Dhe i bënin konak në Qendrat e vendimarrjes globale.
Nuk kishte nevojë Ibra që t’ua zinte pritën atyre në fund të korridoreve e as ti thërriste per t’u fotografuar me ta per të na mashtruar se ka pasur takime bilaterale.
Ibra, siq e thërrisnim të gjithë ne ishte njeri që politikën e bëri me mençuri dhe dinjitet. Si pleqtë e odave tona që gjithmonë kanë ditur ta mbajnë rendin e muhabetit. Si akademikët tonë që dikur kishin nam dhe famë në shkencë, integritet moral dhe dinjitet intelektual.
Koha kalonte me numërim të faqeve të kronikës së dhunës dhe aktiviteteve diplomatike të Ibrës si dhe anëtarëve të qeverisë që LDK themeloi në ekzil.
Edhe ne tjerët në mërgatë sipas mundësive dhe rrethanave po përpiqeshim të bënim çdo gjë që emrin e Kosovës ta mësonin gjithkund bashkë me hallet e saj. Duke kërkuar sensibilizim dhe njohje edhe kur s’kishte as shtet as diplomaci.
Kishim atdheun dhe Ibrën që me punë dhe premtime na pruni deri aty sa Kosova nuk ishte më problem veq i yni po edhe i gjithë botës përfshirë këtu ShBA dhe Nato-n.
Sot jemi shumë pak në vëmendjen e të tjerëve sepse po kemi halle me vetveten. Asnjë premtim nuk u bë realitet saqë as dëshira e qytetarëve per të dalur në Europë pa viza nuk po realizohet.
Prit me muaj e prit me vjet, tash pritja është definicion i arsyeshëm per mosveprim.
Tash jemi mësuar që presidenti dhe kryeministri të shkojnë nëpër shtete të ndryshme që ne i quajmë edhe mike edhe vendimarrëse dhe vërejmë se nuk i presin më kryetarët e jo rrallë as kryeministrat.
Dikur nuk kishim shtet e na llogarisnin e sot jo.Pse ndodh kështu dikush e di dhe do ta dijë por ajo që duket nuk na nderon. Duket sikur ekipi që ka rënë nga Liga.
E gjithë kjo zbehje e shtetit dhe identitetit jo vetëm që brengosë por edhe bënë të mendojmë skajmërisht.
Dikur shumë veta, në rrethanat e krijuara pak para shpërthimit të luftës së armatosur me Serbinë, e patën kritikuar Ibrahimin për mosveprim në kohën kur ai po përpiqej ta bindte Amerikën të na merrte në mbrojtje. Edhe vetë nuk kam qenë i kënaqur me mosveprimin e dëshiruar duke menduar se po frikësohet. Pa harruar asnjëhere që në atë kohë “Tuta” nga gjendje emocionale ishte shëndërruar në kategori filozofike dhe quhej “Durim”.
Nuk e paskemi ditur se Ibra nuk paska pasur punë vetëm me njerëz të mirë në Lëvizje por edhe me njerëz që sot tridhjetë vite pas lavdërohen si heronj të gjallë e të përjetshëm mbi emrin e punën e presidentit historik.
Nuk e paskemi ditur se në atë kohë nuk ishte veq “fantazma” që e përmendte Marksi në Manifestin e tij por edhe Koftlargu të cilin, Rrahman milici me aftësi shkencore-policore na e pat spjeguar ekzistencën e tij paralele midis nesh.
E Ibra paska pasur punë me gjithkënd, duke u munduar që të mbetet i pastër dhe ta mbrojë programin kombëtar të Lëvizjes. Pra programin tonë.
E sot nuk ka më lëvizje dhe popull si dikur !
Tridhjetë vite më vonë një parti e ruan emrin e lëvizjes tonë të dikurshme dhe në vend të popullit kanë militantë.
Edhe partitë tjera që me kohë ikën nga Lëvizja sot lavdërohen duke kërkuar hise në linjën historike duke harruar se edhe ata sot nuk kanë popull por vetëm përqindje dhe militantë.
Sot pas kësaj kohe,si në çdo ditëlindje themi: Urime.
Urime atyre që e themeluan dhe ende besojnë në programin e saj kombëtar.
Urime atyre që janë qytetarë dhe popull e jo militantë.
Urime edhe atyre që po presin themelimin e Qeverisë qysh nga dita e 6 tetorit 2019.
Kosova edhe njëherë mund të ëndërrojë. Më mirë pa fantazma e pa koftlarga.
Edhe Ibra kështu do të ishte më i lumtur.
E LDK nuk duhet të ketë kuptimin e mohimit: Le de krejt !!!
23 dhjetor 1989 – 23 dhjetor 2019.
Gëzim Muçolli.
Komentet