Instituti Demokratik i Kosovës, bëri thirrje të premten, që të arrihet një konsensus i brendshëm politik për bisedimet me Serbinë, si një nga proceset më të rëndësishme me të cilat do të përballet vendi.
Këto thirrje u bënë gjatë prezantimit të një analize me titull, “Konsensusi i brendshëm si parakusht për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi”.
Violeta Haxholli nga ky institut tha se vazhdimi i mundshëm i dialogut Kosovë-Serbi nuk duhet të gjejë Kosovën pa pajtim të brendshëm politik dhe sipas saj, kjo çështje nuk duhet të jetë shkas përçarjesh në mes të partive politike.
“Barra e përgjegjësisë për të bërë përpjekje për të arritur konsensusin politik bie mbi qeverinë e re, konkretisht mbi kryeministrin e ri të vendit, meqenëse Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj për delegacionin shtetëror ka sqaruar edhe njëherë dispozitat kushtetuese të cilat përcaktojnë se udhëheqës kryesor i dialogut është qeveria e vendit përkatësisht kryeministri i vendit, prandaj edhe ai duhet të jetë bartës i iniciativave për konsensus”, tha zonja Haxholli.
Ndërsa, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se partitë politike që pritet të dalin në opozitë duhet të jenë të përfshira në procesin e dialogut.
“Ne i kërkojmë qeverisë së re, të intensifikoj përpjekjet për një konsensus, këto konsultime duhet të jenë në bazën e mirëbesimit. Një kërkesë tjetër është që subjektet opozitare duhet të tregojnë konstruktivitet”, tha zonja Krasniqi.
Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë mbeten të pezulluara që nga nëntori i vitit të kaluar pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia.
Serbia kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, pezullimi i të cilave i është kërkuar Prishtinës edhe nga aleatët euro-perëndimor të saj.
Por, një anketë e këtij instituti vë në pah se tarifa mbështetet nga një shumicë e qytetarëve të Kosovës.
“59 për qind e qytetarëve preferojnë që taksa 100 për qind të mbetet në fuqi për t’i hapur rrugë dialogut me Serbinë”, thuhet në anketën me titull “Këndvështrimi i qytetarëve për temat potenciale të marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi”.
Anketa nxjerrë në pah edhe temat të cilat sipas qytetarëve duhet të prekën në bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë. “Disa nga elementet më të rëndësishme që sipas tyre duhet të përfshijë marrëveshja Kosovë – Serbi janë të pagjeturit (71 për qind), dënimet për krime të luftës (60 për qind), dëmshpërblimet e luftës (59 për qind) dhe kërkim falja (56 për qind) ndërsa 38 për qind thonë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë çështja kryesore”, thuhet mes tjerash në raport.
Çështja e tarifës ishte edhe pjesë e debateve gjatë fushatës së zgjedhjeve të 6 tetorit. Dy partitë që dolën të parat, lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që po diskutojnë edhe mundësinë për formuar qeverinë e re, kanë shprehur synimin që të zëvendësojnë tarifat me masën e reciprocitetit të plotë me Serbinë. zëri i amerikës
Komentet