Presidenti amerikan, Donald Trump, kritikoi të marrën presidentin francez Emmanuel Macron për komentet e tij në të cilat e përshkroi NATON si “klinikisht të vdekur”, duke thënë se komentet e udhëheqësit francez janë “deklaratë e keqe”.
Duke folur përkrah Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, derisa udhëheqësit e vendeve anëtare, u mblodhën për një samit në Londër, presidenti Trump tha se “ju thjesht nuk mund të shkoni vërdallë duke bërë deklarata të tilla sikurse ato për NATO-n”.
Komentet e presidentit Macron u bënë në një intervistë me revistën britanike The Economist, muajin e kaluar. Ai që atëherë ka mbrojtur qëndrimet e tij, duke thënë se NATO-s “kishte nevojë për një alarm zgjimi” dhe duhet të përqendrohet në çështje të ndryshme nga shuma e parave që secili anëtar shpenzon për mbrojtjen.
Presidenti Trump dhe presidenti Macron do të takohen gjatë së martës.
Shpenzimet e mbrojtjes janë nënvizuar vazhdimisht nga presidenti Trump që kur morri detyrën në vitin 2017 dhe u ankua se Shtetet e Bashkuara po bartin barrën e tepruar financiare.
Përveç buxhetit vendet anëtare të NATO-s, tha sekretari Stolteberg, do të diskutojnë për luftën kundër terrorizmit, kontrollin e armatimeve, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.
Samiti po mbahet derisa presidenti Trump përballet në shtëpi me një hetim për shkarkimin e tij. Ai përsëriti kritikat e tij të martën për demokratët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, duke thënë se është e padrejtë të mbahen seanca ndërsa ai po merr pjesë në samit.
Por, ai mohoi mundësinë që procesi të ketë dobësuar pozitën e tij derisa po takohet me udhëheqësit botëror.
Komentet