Historia e ringjalljes së popujve dhe kombeve të Ballkanit, nuk mund te kuptohet pa kontributin e elitave evropiane, të cilat në një moment të caktuar të historisë kulturore së Europës, siç ishte Romantizmi, u përfshinë drejtë për së drejtë ose tërthorazi në mesazhet kulturore të ringjalljes së Greqisë Antike, Epirit dhe Maqedonisë. Një nga figurat evropiane që pati një ndikim të madh në Romantizëm por edhe në kontaktet kulturore midis botës evropiane dhe botës orientale ishte poeti anglez Xhorxh Bajroni(1788-1824). Vizita e tij në Shqipëri, Prevezë, Janinë e Tepelenë la gjurmë të pashlyeshme edhe në elitat nacionaliste shqiptare në momentet kur nisi zgjimi kombëtar shqiptar dhe përjekjet për të themeluar shtetin kombëtar shqiptar. Në mungesë të një kulture të teksteve të shkruara ose të egzistencës së pakët të tyre, elitat evropiane promovuan etnografinë, kostumografinë dhe folklorin e këtyre vendeve. Këtë dukuri nuk do ta linin pa përmenduar edhe aktivistë kulturorë të zgjimit kombëtar shqiptar por dhe vlerësimin të vetive të shqiptarëve nga këto elita evropiane.
Në këtë kontekst, Faik Konica, në gazetën e vet “Albania”, kur do të shkruante për vizitën e Xhorxh Bajronit në Shqipëri në 1809, në artikullin “Udhëtimin e Lord Bajronit në Shqipëri”, do të përmendte dhe faktin e mbledhjes së dy këngëve polifonike të transkiptuara dhe me vargjet e tyre. “Lord Bajroni në një ndër udhëtimet e tij në Shqipëri, mblodhi disa këngë shqipe. Jo vetëm i mblodhi, por dinte edhe t’i këndojë. Në jetë të tij mësojmë se, duke qenë një herë me disa miq në të shëtitur në një anije mbi Rhin të Gjermanisë, u tha miqve: “Daleni, t’ju këndoj një këngë shqipe”. Të gjithë pushuan, thotë shkruesi i jetës së tij, e vjershëtori ia dha një mënyre ulërimit që i çuditi të gjithë (duket do të ish ndonjë këngë vajtimtare e Toskërisë). – Nga ato këngë që kish mbledhur, Lord Bajroni shtypi vetëm dy me notat [shënimet] që ia shtoi Çajld Haroldit. Por, ato këngë janë aq liksht të përshkruara, sa s’i merr dot kush vesh, përveç ca fjalë tej e këtej. Na u duk pra punë për t’u vënë re të shtypim nga një anë këngët ashtu si i ka shtypur Bajroni, nga ana tjetër të ndërtuara e të shkoqitura ashtu si na duket që duhen. [Ne, po japim këtu vetëm variantin e ndërtuar nga Faik Konica për këto dy këngë.]
Kënga e parë: “Bobobo, bobo! / Na ç’arriva, po pusho. / Na ç’arriva, na çë vinj / Hape derënë të hinj. / Hape derën e shkretë / Të vinj të marrë xhebhanetë. / Kalariote (?) me serme / Eja hape se dua t’i ve. / Bobobo, bobo! / Digju shpirt u zemëro. / Kalariote vure funde, / Edhe vete tunde-tunde. / Kalariote me serme / Ti më puth e po më le. / Se të putha që t’i mora, / Zemërën vetë e dogja. / Vallenë e ke kadale, / Kalo moj, kalo në valle / Pluhëri……….? / Pluhuron…?
Kënga e Dytë:
Në sevda tënde u llavosa, / Vetëmë u përvëlofsha. / Ah vashëzë më përvëlove / Si më rëndë më llavose. / U të thashë roba s’dua, / Sitë e vetullat dua / Robat… s’i dua, / Qumështinë vetë dua. / …………………….? / Robatë zjarmi t’i diegë. / U tërbova vashëzë / me zemrën të haptë, / E ti më bëre…….. / Si një dhëndrë të lartë .” (Fotaq Andrea, Faik Konica-Përlindësi modern. Fletore koniciane, Zenit, Tiranë:2016, fq 248)
Këto dy këngë mund të kenë qenë një nga kontaktet e para të këngës labe me botën perëndimore në një tekst të shkruar dhe përpos marshit të njohur “Tamburxhi, Tamburxhi” në “Shtegtimet e Çhilde Haroldit” përbëjnë dëshmi të rëndësishme të përfaqësimit të kulturës shqiptare në botë. Duket sikur është një rastësi fatlume , një nga ato rastësitë që ndodhin shumë vjet më parë por që i vijnë kaq shumë në ndihmë të sotmes, që vargjet e këngës labe janë mbledhur në bregdetin shqiptar të Jonit. Ato duken se i kanë paraprirë regjistrimit të parë të këngës labe himariote nga Neço Muko, 90 vjet më parë me këngën emblematike tashmë “Vajzë e valëve”. A nuk ka pashaportë më të fortë dhe më të bukur identiteti sesa këto këngë polifonike që dëshmojnë sa lashtësinë po aq dhe etnicitetin e këtyre viseve. Jo rastësisht Bajroni në himnin e ushtrive të Ali Pashës, “Tamburxhi , Tamburxhi”, na jep një gjeografi jo vetëm fizike por edhe shpirtërore të territoreve shqiptare, kur këndon:
Të bijt’ e Himarës që s’falin as mikun,
Si mundet ta lënë të gjallë armikun?
Si s’markan dot gjak me pushkat besnike,
Ka shenj’ më të bukur se zemra armike?
(Bajron. Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 79, vargjet 660, përkthyer nga Skënder Luarasi)
Kënga labe e këtyre viseve perëndimore të shqiptarisë na vjen e freskët dhe gjithë ritëm duke bashkuar bashkë dhe vargmalet e maleve të Vetëtimave që i përngjajnë valëve të detit dhe detit Jon të Himarës gjithë valë. Duket se malsia dhe bregdeti shtrihen bashkë të harmonizuara në isot gjithë plazëm e jetë të këtyre viseve të mrekullueshme.
Në çdo ngjarje të rëndësishme të kombit, kënga labe do të jetë e pranishme duke regjistruar me timbrin e saj të veçantë njerëz, data e personazhe historikë. A nuk është i mrekullueshëm fakti se Bajroni që regjistron këngë labe dhe ia përcjell miqve të tij si melodi dhe i shkruan në një tekst për ti memorizuar përherë, të kthehet vet në një personazh të një kënge labe, kur me pak rreshta përjetësohet dhe portretizohet si rrallëkush personalitet i huaj në etno kulturën shqiptare.
“Lord Baroni ill i rrallë,
Që kish mik Ali Pashanë,
Shkoi e luftoi për Elladhë,
Po trimat i kish shqiptarë,
Si besnikë e kordhëtarë.”
(Mbledhës të Folklorit, vëll.8, Këngë popullore të labërisë, nga Fatos Mero Rrapaj, Tiranë 1991, fq 814)
Mbledhja e vargjeve popullore shqiptare dhe përdorimi i ritmit të tyre në poezinë e tij është një eksperincë që Bajroni e përjetoi gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri e Greqi. Po a mundet vallë që Bajroni ta njihte një pjesë të kulturës shqiptare para se të vinte në Shqipëri? Në shënimet e Kantos II të “Shtegtimeve të Childe Harold”, Bajroni përmend historianin Edëard Gibbon (1737 – 1794). Gibbon ishte historian anglez dhe deputet në Parlamentin Anglez. Vepra e tij më e rëndësishme, “Dobësimi dhe rënia e Perandorisë Romake”, në gjashtë vëllime u botua mes viteve 1776 -1788. Libri është i njohur për informacionin e ngjeshur historik, përdorimin e burimeve primare, dhe kritikat e hapura ndaj miteve historikë. Gibbon ishte i pari që përdori shprehjen për “Shqipërinë si një vend që mund të shihet nga brigjet e Italisë, dhe njihet më pak sesa brendësitë e Amerikës”( Shënimet e Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 204 , përkthyer nga Skënder Luarasi) . Të gjithë udhëtarët angleze të shekullit të XIX i referoheshin këtij teksti sa herë që vizituan Shqipërinë, përfshirë dhe Bajronin. Gjithësesi, Bajroni duket se nuk ndan të njëjtin mendim me Gibbonin përsa i përket Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Gibbon i kushton rreth 10 faqe Gjergj Kastriotit – Skenderbeu. Gibbon përgëzon Marin Barletin për hollësitë nga jeta e Skënderbeut, por edhe kritikon autorin herë-herë për pasaktësi, për shembull kur Barleti thotë se Gjergj Kastrioti u muar peng në moshën 9 vjecare nga Sulltan Muradi, kur këtij sulltani i duheshin edhe 9 vjet të vinte në pushtet. Gibbon gjithashtu shprehet i zhgënjyer sesi Barleti nuk sjell thuajse asnjë hollësi rreth Gjon Kastriotit, i ati i Skënderbeut. Gibboni i bën gjithashtu një përshkrim karakterit të Skënderbeut: “Sjelljet e tij ishin popullore, por disiplina e tij ishte e rreptë, dhe çdo ves sado i vogël nuk kishte vend në ushtrinë e tij: me shembullin e vet forcoi komandën, dhe nën sjelljen e tij, shqiptarët ishin të pamposhtur sipas medimit të tyre dhe atë të armiqve të tyre”. (Astrit Lulushi, Gibbon dhe roli i dyfishtë i Skenderbeut, Radio Zëri i Amerikës) Por pavarësisht këtyre vlerësimeve rreth Skënderbeut, Edëard Gibbon është në të njëjtën kohë dhe hartuesi i parë i tezës së kotësisë së rezistencës së Skënderbeut kundër osmanëve , pasi merr në analizë ngjarjet që pasuan pas vdekjes së tij; “Shkatërrim i menjëhershëm i vendit të tij mund të kontribuojë për lavdinë e heroit, por, sikur ai t’i kishte peshuar pasojat e dorëzimit dhe të qendresës, një atdhetar ndoshta nuk do ta kishte pranuar garën e pabarabartë e cila do të varej nga jeta dhe gjenialiteti i një njeriu të vetëm” .( Astrit Lulushi, Gibbon dhe roli i dyfishtë i Skenderbeut, Radio Zëri i Amerikës) Gjithësesi, Bajroni duket se nuk ndan të njëjtin mendim me Gibbonin përsa i përket Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në vargjet e Këngës II, të “Shtegtimeve të Child Haroldit”, Bajroni nuk shpreh asnjë vlerësim të tillë, por përkundrazi që vargjet hyrëse të shtegtimit në Shqipëri shprehet me nderim dhe nganjëllim poetik për Skënderbeun.
O Shqipëri ku lindi Iskanderi,
Këngë e rinisë, fanar i të urtëvet,
Dhe Iskanderi tjetër që i dërrmoi
Përherë armiqtë me kordhën e tij kreshnike…
(Bajron. Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 67, vargjet 335, përkthyer nga Skënder Luarasi)
Në shënimet e këngëve duket se Bajroni ka një informacion të pasur rreth Shqipërisë, heronjve të vjetër të antikitetit të Ilirisë, Maqedonisë dhe Epirit si dhe disa traditave dhe zakoneve të këtyre territoreve. Në shënimet e vargut Ku lindi Iskanderi ai pasi jep kuptimin e emrit Iskander shkruan se Aleksandri i Madh lindi në Pellë të Maqedonisë po duke qenë në kufi me Ilirinë, edhe ng fakti se , e ëma, Olimpia qe nga shtëpia mbretërore e Epirit, mjafton të justifikohet e thëna poetike se lindi në Shqipëri. Veç kësaj historiani Gibbon e quan të këtillë tok me Piron, kur flet për veprat e tyre luftarake(.Shënimet e Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 207,përkthyer nga Skënder Luarasi). Po kështu në shpjegimet e vargut tjetër, Bajroni e baravlerëson heroin tonë Kombëtar kur shkruan Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur Skënderbej, d.m.th princ Aleksandër.(Shënimet e Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 207 , përkthyer nga Skënder Luarasi).
Por nga mund të ishte i influencuar Bajroni në admirimin e tij për Skënderbeun? Ndoshta një njohje tjetër tekstuale dhe burimi historik që nuk e përmend në shënimet e “Shtegtimeve të Child Harold” ai mund të ketë pasur nga vepra e një figurë tjetër emblematike e kulturës angleze, Edmund Spenser dhe botimi i “Historisë së Skënderbeut” të Barletit në anglisht. Bajroni njihet si mjeshër i vargëzimit në gjuhën angleze. Ai ringjalli dhe risolli sërish në poezinë angleze strofën Spenseriane, të cilën e përdori kur shkruajti “Shtegtimet e “Childe Haroldit”. Strofa Spenseriane përbëhet prej nëntë rreshtash: tetë rreshta janë vargje jambike që ndiqen nga një varg i vetëm aleksandrin në heksametër jambik. Rima e strofës Spenseriane është “ababbcbç.” Këtë strofë Edmund Spenseri(1552-1599), poeti më i madh i periudhës Elisabetiane në letërsinë angleze, e përdori kur shkruajti “The Faeire Queene” (“Mbretëresha e zanave”), poema glorifikuese për Mbretëreshën Elisabetë, ku në disa vargje ai përmend dhe veshjen tradicionale shqiptare. Në këngën e tretë, kreu XII, vargu i 10-të, Spenseri e vesh mbretëreshën Elisabeta me fustan që mëngët i varen në mënyrë arbëreshe” (“Sleeves dependant albanese iyse”). Është po prapë Edmund Spenseri i cili shkroi një sonet që përmend më 1596 nga Zachary Jones kur botoi anglisht përkthimin e historianit frëng J.Lavardin “Historia e Gjergj Kastriotit, të mbi-emëruar Skënderbe”. Botimin anglisht të këtij libri, Jones e përcolli me një sonet për Skënderbenë.(S.Luarasi, Skënderbeu në letërsinë angleze, Studime filologjike, Nr.4, 1967, f.121-128). Në mënyrë të çuditshme kostumi popullor shqiptar ka shtegtuar deri në Britaninë e largët nëpërmjet stratiotëve shqiptarë, luftëtarëve të vënë në shërbim të Henrit VIII, babait të Elisabetës I. Henri VIII , Mbreti i Anglisë pajtoi nën shërbimin e tij stratiotë shqiptarë dhe grekë(këta të fundit ishin në tërësi arvanitas) gjatë betejave me Mbretërinë e Skocisë në 1514.
Bajroni si një ripërtëritës i strofës Spenseriane padyshim që e ka lexuar krjimtarinë e Edmund Spenser dhe libra të tjerë që kanë qarkulluar në Angli ku përmenden shqiptarët. Egzistenca e tyre dhe e njohje mbi Shqipërinë dhe shqiptarët e dëshmon tërthorazi dhe një shënim i Mbretëreshës Elisabet I, në librin e vet të lutjeve më 17 janar 1559, se këtë ditë vdiq Princi i mirë Skënderbe mbret i Epirit dhe nganjëllimtar mbi osmanët. Duket se për Mbretërëshen Elisabet I, Skënderbeu është një hero i Europës.
Vizita e Bajronit në Shqipëri do ti përforconte kontaktet , njohjet dhe dijet rreth vendit. Polifonia labe do të ishte një element që do ta habiste për variacionin dhe tingujt dhe zërat e saj do t’i bënte pjesë organike të veprës së vet poetike. Në vargjet 71 të Këngës së II , Bajroni do të shkruante:
Në zall të shtruar ndritën zjarret natën,
darka mbaroi, vjen rrotull verë e kuqe;
Dhe kush u ndodh atje pa pritur gjë,
Ju muar mentë fare nga ajo pamje;
Se sa pa shkuar orëz e mesnatës,
Përcjellësit ia nisën këngës tyre;
Çdo Palikar e flaku tutje shpatën
Kërcyen dorëpërdorë njëri pas tjetrit,
Me këngë apo vajtim u drodhën fustanellat.
(Bajron. Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 67, vargjet 335, përkthyer nga Skënder Luarasi)
Ndonse Shqipëria dhe shqiptarët nuk patën fatin që të kishin të botuar një përmbledhje të këngëve të vjetra të tyre si patën fatin grekët me botimin e Claude Fauriel në 1824 “Chants populaires de la Grèce moderne” apo vet serbët me folkoristin e tyre Vuk Karaxhiç me dy volumet e “Këngëve Popullore Serbe” në 1814-1815, teksti i Childe Haroldit, shënimet e tij dhe “Turkish Tales”, ku shfaqen personazhe dhe subjekte të influencuara nga qendrimi me shqiptarët në Pashallëkun e Janinës dhe në Greqi, luajtën rolin e një parateksti që krijoi një imazh të caktuar për Shqipërinë dhe shqiptarët në Evropë. Në mënyrë të tërthortë folklori dhe etnografia shqiptare u bënë pararendëse të përfaqësimit të shqiptarëve në një tekst të letërsisë botërore dhe për këtë arsye Kënga e II e Childe Haroldit mund të konsiderohet edhe si një tekst ku gëlojnë meloditë e ritmet e këngës labe.
Bibliografia:
1- Astrit Lulushi, “Gibbon dhe roli i dyfishtë i Skenderbeut”, Radio Zëri i Amerikës.
2- Bajron. Çajld Harold. Shtëpia Botuese: Naim Frashëri, Tiranë: 1973
3- Fotaq Andrea, Faik Konica-Përlindësi modern. Fletore koniciane, Zenit, Tiranë:2016
4- Mbledhës të Folklorit, vëll.8, Këngë popullore të labërisë, nga Fatos Mero Rrapaj, Tiranë 1991
5- S.Luarasi, Skënderbeu në letërsinë angleze, Studime filologjike, Nr.4, 1967
Nga Dr Dorian Koçi
Komentet