Në Tiranë, Komisioni Parlamentar i Ligjeve nisi të premten shqyrtimin e dy projektligjeve për median të njohura si “paketa antishpifje”. Zëvendësministrja e Drejtësisë Fjoralba Caka, e cila paraqiti projektligjet në emër të qeverisë, tha se Shqipëria ka nevojë për një rregullim të medias elektronike për shkak të përhapjes së lajme të rreme që siç tha ajo, cënojnë dinjitetin dhe privatësinë e qytetarëve. Por pesëmbëdhjetë organizata të medias e shoqërisë civile i bënë thirrje sot qeverisë t’i tërheqë dy projektligjet pasi sipas tyre ato i japin Autoritetit të Medias Audiovizive dhe Agjencisë së Komunikimeve Elektronike e Postare kompetenca gati gjyqësore.
Nëpërmjet një deklarate ato thanë se këto dy agjenci edhe pse të pavarura me ligj, nuk ofrojnë garanci për të qenë efektivisht të pavarura. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” gazetari i Rrjetit Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri Gjergj Erebara tha se qeveria nuk ka reflektuar në këtë variant shqetësimet e komunitetit të medias dhe institucioneve ndërkombëtare edhe pse këto të fundit u bënë shkak për tërheqjen disa herë të paketës antishpifje nga procesi legjislativ. Ai thotë se megjithëse qeveria thotë se kjo paketë synon të mbrojë qytetarët nga shpifja, qëllimi kryesor i saj është që të mbrojë politikanët nga media.
Në deklaratën e organizatave mediatike dhe shoqërisë civile në Shqipëri theksohet nevoja për të patur një vetërregullim të medias dhe jo rregullim ligjor të saj. Sipas tyre kjo qasje merr rëndësi të veçantë në ato shtete me demokraci në tranzicion, sikurse Shqipëria ku shpesh mediat janë të lidhura me interesat e njohura të biznesit e partive politike.
Sipas tyre vetërregullimi duhet të jetë një kombinim i standardeve që përcaktojnë kodet e duhura të sjelljes për median, të cilat janë të nevojshme për të mbështetur lirinë e shprehjes dhe për të mundësuar që kjo sjellje të monitorohet dhe të mbahet e përgjegjshme.
Komentet