Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karaçnaj është pjesë e asaj që Prokuroria e Posaçme (SPAK) e konsideron grup i strukturuar kriminal. Ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa pak ditë më parë, konkretisht më 3 dhjetor ajo ka dhënë dëshminë e saj në SPAK.
Karçanaj është filmuar me zë dhe figurë nga Ergys Agasi, në zyrën e këtij të fundit, ku së bashku me biznesmenin Ermal Beqiri bënin pazaret.
Në asnjë moment në dëshminë e saj në SPAK Karçanaj nuk i ka mohuar takimet me Ergys Agasin në zyrën e këtij të fundit, madje thotë se të dy kanë njohje të vjetra. Ajo thotë se në zyrën e Agasit janë takuar për punë private.
“Raport miqësor nuk kam me asnjë por për t’i njohur i njoh të gjithë pasi janë pak dhe janë ekspertë të fushës. As nuk pi kafe dhe as nuk rri apo të shoqërohem me ndonjë operator ekonomik jashtë zyre. Ka patur një rast ku kam takuar një operator ekonomik të cilin e kam takuar rastësisht në zyrën e një të njohurit tim, të cilin e kisha takuar për një kafe në zyrën e tij, për shkak të një konsulence private, konkretisht në zyrën e shtetasit Ergys Agasi, me të cilin kam njohje të vjetra, të cilin e kam takuar disa herë në zyrën e tij, për çështje private.
Ergysi do të bënte një partneritet që donte të bënte me një kompani izraelite, dhe më pyeti për një zgjedhje teknike. Në këtë ambient ka qenë dhe shtetasi Ermal Beqiri, i cili rezultoi në mënyrë rastësore prezent në këtë takim.
Me shtetasin Ermal Beqiri mund të jem takuar vetëm një herë jashtë zyre në një ambient privat por jemi takuar në ambientet e AKSHI si me çdo drejtues të kompanive private, për të mirëmenaxhuar implementimin projekteve shtetërore.
Me shtetasin Ergys Agasi, mund të jem takuar disa herë në zyrën e tij, për shkak të raportit miqësor që ne kemi. Po kështu, deklaroj faktin se lidhur me njohjen time me shtetasin Ermal Beqiri, kam qenë gjithashtu në një udhëtim të përbashkët me shumë përfaqësues të tjerë të shoqërive të teknologjisë dhe informacionit, të cilat kanë krijuar një organizatë jofitimprurëse së bashku dhe gjatë kohës së fushatës, u kërkua nga kryeministri, që të shkohej në Greqi dhe t’u kërkohej emigrantëve që të ktheheshin në atdhe, me qëllim për t’u punësuar në institucione të ndryshme dhe institucionin tonë. Në këtë eveniment në Greqi kanë qenë të gjithë operatorët ekonomikë, pjesë të shoqatës “Akti”, në të cilën edhe prezenca e kompanive në panairin e punësimit është kërkuar nga zëvendëskryeministrja në bllokun e ekonomisë…”
Për procedurat e prokurimit
Në SPAK ajo është pyetur në lidhje me ndjekjen dhe organizimin e procedurave të prokurimit, ku ka deklaruar se sipas ligjit për prokurimin publik, nuk lihet shumë hapësirë për veprime të tjera, pasi ligji e përcakton qartë se si funksionon kjo procedurë. Ajo mohon të ketë ndonjëherë në hartimin apo modifikimin e kritereve.
“Në rastin kur sipas ligjit për qeverisjen elektronike, vijnë kërkesa nga institucione të ndryshme, ato diskutohen paraprakisht me AKSHI dhe në rast se vlerësohet nevoja, ne ndjekim të gjithë procedurën e prokurimit, si hartimin e termave të referencës e të gjithë pjesën tjetër të procedurës, sipas parashikimeve ligjore në fuqi. Në rast se buxheti miratohet, ne i drejtohemi institucioneve përgjegjëse për krijimin e grupeve të punës pasi na duhen përfaqësues të këtyre institucioneve, pasi është e nevojshme për shkak të problematikave ose nevojave që kanë këto institucione, gjithmonë në varësi të tipologjisë së nevojave apo procedurës konkrete që do të prokurohet. Termat e referencës dakordësohen nga grupet e punës, përveç se mbledhjeve të drejtorisë së projekteve që bën mbledhje në mënyrë të vazhdueshme. Ndërhyrja ime në termat e referencës gjithnjë ka karakter teknik, lidhur me platformën e ndërveprimit. Projektet ndiqen edhe nga ne dhe nga ana e institucioneve kërkuese, me qëllim garantimin e integritetit dhe mirëfunksionimit të të gjithë sistemeve që do të prokurohen. Në përvojën time 12 vjeçare, nuk kam ndërhyrë ndonjëherë në hartimin apo modifikimin e kritereve“, ka deklaruar ajo.
Lidhur me vendosjen e emrave në grupet e punës të cilat hartojnë kriteret e veçanta të kualifikimit ajo deklaroi se: “..Në varësi të tipologjisë së sistemit, konsultohem me drejtorët e departamenteve apo shefat e sektorëve, pasi ata kanë dhe informacion lidhur me ngarkesën e punës së stafit të tyre, por dhe ekspertizën e gjithsecilit. Zakonisht janë tre veta në grup, gjithnjë me një përfaqësues të institucionit i cili do të marri dhe shërbimin. Në rastin e blerjeve të pajisjeve TIK, janë të gjithë drejtorët e drejtorive të institucionit tonë, të cilët janë pjesë e hartimit të termave të referencës, përcaktimin e kritereve të veçanta të kualifikimit si dhe përcaktimin e fondit limit…”
Anulimi i dy procedurave të prokurimit
Lidhur me interpretimin e bërë në dy memo-t të datës 20.05.2025, si pasojë e të cilave u anuluan dy procedura prokurimi, pas njoftimit të shpalljes së fituesit, konkretisht BOE “Advanced Business Solutions-ABS” dhe “Synapse ATS, Mirlinda Karçanaj shpjegoi se kjo lidhet me CSP pasi oficeri i sigurisë së AKSHI-t ka marrë dijeni që operatori në fjalë i është hequr CSI dhe si rrjedhojë ka sugjeruar anulimin.
“Me thënë të drejtën në 12 vite punë, nuk jam marrë ndonjëherë me operatorët ekonomikë. Sipas argumentimit të kësaj memo, CSP fitohet ngushtësisht e lidhur me vendin e punës që kishte AKSHI. Në rastin konkret, shoqëria ABS, kishte CSP të pajisura vetëm për vendin e punës në Kuvend dhe vetëm për këtë ambient dhe për rrjedhojë nuk do të mund të kualifikohej dhe as të lejohej të hynte në data-center. Nuk di t’ju them lidhur me vendimmarrjen e KVO-së pasi ata kanë bërë punën е tyre sipas përcaktimeve ligjore. Memo në fjalë, është konsultuar me zëvendësdrejtoreshën dhe mе mua, sepse siguria e data-center është primare dhe unë i kam qëndruar këtij arsyetimi pasi nëse do lidhnim kontratën me operatorin në fjalë, ai do të ishte i paaftë ti përgjigjej kërkesave të kontratës së lidhur. Madje mund t’ju them se është bërë një problem i madh nga ky operator ekonomik pasi ka pezulluar punën e të gjithë institucioneve shqiptare, nëpërmjet ankesave që ka bërë për shumë procedura prokurimi dhe jo vetëm në AKSHI, fakt për të cilin kam rënë në dijeni, edhe nëpërmjet informacionit që është publik në faqen e KPP-së.”
Ndërsa u pyet konkretisht për bisedën e zhvilluar midis saj dhe shtetasit Ergys Agasi, Mirlinda Karçanaj deklaroi se: “Ka qenë një projekt që nuk kishte të bënte me shtetin, një projekt izraelit, nuk më kujtohet saktë se për çfarë bëhej falë, por për shkak të njohurive të mia në këtë fushë, më kërkoi mendim teknik lidhur me çështjen…”.
Përsa i përket lidhjes shoqërore mes shtetasve Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi ajo deklaroi se nuk ishte në dijeni të raportit që ata kanë midis tyre.
Gjithashtu, Mirlinda Karçanaj u pyet edhe për faktin nëse në bisedën e zhvilluar midis saj dhe shtetasit Ergys Agasi, a kuptoi që dhe shtetasi Ermal Beqiri do të ishte pjesë e këtij projekti, pyetje së cilës ajo ju përgjigj duke deklaruar se: “Jo, ai qëlloi thjesht aty dhe nuk mu duk sikur ai ishte pjesë e këtij projekti…”.
Ndërkohë, lidhur me faktin që shtetasit Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri kanë dhe bashkëpunim financiar, konkretisht se dhe shtetasi Ergys Agasi është ortak i një shoqërisë “EA Solution”, e cila ka objekt aktiviteti zhvillim, implementim dhe mirëmbajtje të sistemeve, programeve në fushën e teknologjisë së informacionit, shtetasja Mirlinda Karçanaj u përgjigj se nuk ka qenë në dijeni të këtij fakti, dhe se nuk ka enë pjesë e diskutimeve asnjë herë.














Bibjan Mirakaj
Falenderoj VOAL-Voice of Albanian per botimin e poemes se Prof. Ernest Koliqi, kushtuar atit tim te ndjere Ndoc Kol Mirakaj. Ne respekt te lexuesve te sotem , ne vijim po e sjell kete poeme te transkiptuar ne shqipen aktuale nga mikja jone, Doktoresha e Shkencave Albanologjike, Merita Sauku Bruci
Kënga e NDOC KOLE MIRAKAJ
nga Prof. Ernest Koliqi
Nga Zoti u vendos mbi shpate të ashpra fisi
pararojë e Perëndimit
dhe turri i asnjë thëllimi
në rrjedhë të moteve nuk mundi ta trondisë
shkëlqyen këtu pari e u shembën
Perandorë madhështorë e Sulltanë të rreptë
që ai veç emrin ia mësoi
se e ndjente veten mbret mbi shkëmbinj viganë
I strukur në kulla vetmitare përmbi maja
buzë votrës shpesh i lodhur nga urija
ky besnik i ndejti kanunit
Të stërgjyshave fisnikë e s’u bë vasal
Dhe kur urija shtrëngonte
ndonëse të veshur me zhele e mbathur opinga të grisura
bukën e thatë me shije hante e i lulëzonte në gojë e gëzueshme kënga
Bylmet prej Perëndie, lirija rrojtjes
dhe gjellës i jepte shije
brezat me këtë shije u përtërinë
shqip Zotit duke ia drejtu lutjen e shpresën
Bylmetin plot ajkë atë të dhenvet, të ruajtun në skuta
e fshehte në dollap, me ia përgatit
mikut sofrën bujarisht, kur në derë trokiste
Këtë rrojtje të thjeshtë në këto shkrepa të shkreta
Kush mundi t’ia lakmojë
kujt i shkoi mendja të shuajë
një fis të harruar, ngujuar në gojëdhanat e veta
Stuhia e të pafeve
që bërtet “jepi të mira e gja skamnorit (i varfër)”
më të varfërit fis që bota
Njeh, deri bulmetin e ruajtur për miqt ia mori.
Stuhia e furishme që merr frymëzim nga Moska
deshi të shkulë nga rrënjët në këto shpate
doke e zakone, altarë
të mbruajtura në magjen e qytetërimit që njohu
Perëndimi, se të pashuajturai mbante edhe në varfëri lidhjet jetike
brez pas brezi të trashiguara që e bënë Shqipërinë Europës me i ndejt besnike.
Të tërbuar për gjak, altarët i shkelën me këmbë
me gjak shuan në vatra zjarrin
duke u rrekur me lëndu (prish) tharmin
e qytetërimit perëndimor të skalitur në zemra.
E fisi u mek. Në Malsi flaka e qëndresës sa vinte e shuhej
kur heshtja u trondit nga një kushtrim që ushtonte lart. Ish Ndoc Miraka
Kreshnik i ri, ti u shfaqe në kufijtë e vjetër
Flakrove në sulmim e doke e trashëgime
në gjak i shugurove dhe u dhe një tjetër shndritje mbi trojet e përgjakura
kundra të çoroditurve të dehur në ethe t’huaja i dole mburojë Shqipërisë
Duke çuditur dhe armiqtë me vepra t’huaja e shpejt rrodhën curril me hove të reja
gurrat e vlerave të moçme për prijës ty të zgjodhën burrat
Dhe epopenë e Gjonmarkajve vazhdove.
Në majë të lavdisë u ngjitejo vetëm dëshmove se je fis dragonjsh
por edhe se sa rreze drite
Lëshon një pinjoll që rritet me frymën e zakonit
egërsinë gjakatare dhe mërinë e tërbimit
vala jote përballi me atë virtut që në shpirt të ndezi
Prindi, duke të mësuar urtërinë e vetmohimin
as t’i shkuli shkolla
ato me qumshtin e nanës i thithe, shtysa fisnike,
me idetë e stërholla
që nxisin me përbuz vetitë shqiptare
e ra dëshmor për kombin e vet: veç prap mbi shpatë
trimërija jote e madhe vezullon ndë rradhët e djemve që ranë në luftë me thirrjen tënde
Ashtu, Ndoc, si mbas majave,
në shkëlqimin e vet perëndon buzë mbrëmjes dielli me ar mbi gjethe lisash
duke e mbushur deri vonë të pavenitur qiellin
O flijim i bardhë, përjetësuar në këngë lahute ngushëllim, nga Zoti i Madh
për kobin që na lodhi tepër
kërkoj, të dëgjohesh në psherëtima lutjeje
ndërsa fisi, motra e nana
o dalëzot i vatrave ndër zhurma të tmerrit derdhin lot tek murrana (guri i varrit)
që të mbulon, tue sjellun mbi të dafina nderi.
le të mos qajnë per ty vetëm arbnorët e arbnoret
të vajtojë me lot në faqe
edhe Europa , zonjë harraqe
që s’e di sa të forta i ka në Shqipëri llogoret
se, Ndoc, ky flijimi yt
deshi, me gojdhanat tona të ruajë edhe atë kezë
qytetërimi hirëplotë që i farfurin në ballë Europës plot dritë