N J Ë I “G J Y M T U E M” N’ I B A L L E
Ky i gjymtuem i asajë kohe jam unë, autori i këtij dokumentimi (Kolë Mirakaj). I gjymtuem them, se n’ atë kohë, endè nuk mund të qendrojshe me ecë me kambët e mija, nga plumbat që më kishin shpartallue kërcinin e kambës në mbrojtjen e Shkodrës, kundër sulmit t’ ushtrisë jugosllave me 13 prill 1941, të Diellën e Pashkëve.
Mbas grushtit të shtetit që patët rasë ta njihni ndër këto fletë, u tërhoqa për me pushue në shtëpinë time n’ Iballe të Pukës…
***
Iballja asht katundi – vendlindja e ime dhe e të Parëve të mij.
Asht një zonë fushore rrafshnaltë e vogël, e rrumbullaktë, rrethue gjithkah me male të veshuna me pyje të blerta gati gati virgjëna: lis, ah, bredh e pishë. Këto male që i japin një bukuri të hyjnueshme e që natyra ia vuni përrreth si kunorë, arrijnë deri 1350 metër naltësi. Nepër një grykë të ngushtë që kufizon katundin me fisin Berishë, shfren burimi i quejtun Lumi i Bosetës, e që ky lum në gushtin e 1949-ës, u la me gjakun e BIMES së parë të zemrës sime: N D O C I T!..
Tue hy në grykë, derdhën në këte lum të vogël edhe dy burime të tjera ma të vogla uji të gjallë (verë e dimën), tue gjarpnue fushorën për ti dhanë bukuri edhe ma tepër atij vendi.
Banorët e katundit që përbahet prej njëqindepësdhjetë shtëpishë, janë 3/4 anas (autokton) të fisit “T h a ç”. Nga ky fis jemi edhe né, Familja Mirakaj. Thaçi asht një prej dymdhjetë fiseve Ilirjane që shtrihën në gjithë Shqipninë e Veriut dhe krejt Kosovën, e asht një nder ma të përhapunit fise, e kujtoj, edhe ma i madhi në numër në këto fise.
Mashumse shtatqind shtëpi Thaç janë në bajrakët e Pukës, dhe shumica rreth Iballes, qendër e fisit; aq e matepër janë në Has, rreth tetëmijë shtëpi në Metohi e Kosovë. Të fisit Thaç janë edhe Dushmani, Temali e Bobi në Dukagjin; Gojan, Domgjon e Bisakë në Mirditë.
Edhe në Lumë ka Thaç, me në krye shtëpinë e madhe fisnike dhe atdhetare të SPAHIJAJVE të Kolesjanit.
Administratisht, Komuna Iballes, qendër e dytë e Nënprefekturës së Pukës, asht kenë që motit qendra fillestare e lëvizjeve kombtare, dhe fortesa e ruejtjes së Kanunit, të traditave të vendit dhe të Fesë edhe gjatë pushtimit turk.
Por edhe sot e ksajëdite tash shtatë vjet që komunistët kanë marrë pushtetin, kur po shkruej këta mendime, akoma vazhdojnë të qendrojnë e të derdhin gjakun për Nder’ e Liri, Bijtë e atij vendi të vogël. Iballja asht kenë dhe asht edhe qendra e rrezistencës antikomuniste t’ atyne bajrakëve.
Krahina e Pukës që motit u quente Dukagjin, e prej kësaj krahinë pat zanafillën e parë Shtëpija princore e “Dukagjinëve”, që pat shtrijë kufinjtë e Principatës sonë (përveç Malësive) deri në krejt Metohinë e sotme e në Kosovë. Dukagjin e quejtën edhe vetë malazezët Metohinë deri në reformën e tanishme, ndersa “Kosmet – Rrafshi i Dukagjinit”, e quejnë vetë banorët e vendit. Dukagjin shënohet krahina e Pukës edhe nder disa harta gjeografike, sidomos n’ ato austriake. Emnin Pukë nuk dihet si e muer kjo krahinë, dhe jo Pukë, po “Shtatë Bajrakët e Pukës”, e që i erdhi nga katundi omonim, ku kje përherë qendra e administratës turke e mandej Shqiptare. Fjala “Puk” asht serbisht, e domethanë Regiment (ushtarak). Ndoshta, aty ka pasë qendrën ndonjë grumbullim ushtarak kohët e pushtimit sllav të car Dushanit.
***
E dij se dola jashtë teme me përshkrimin e shkurtë të Vendit në të cilin pashë përherë të parë dritën e diellit. Ku mësova fjalën e parë “NANË”!, të Asajë Nane, që ma vonë më mësoi se kishe edhe një tjetër Nanë poaq të dashtun, po ma të madhe që thirrej: “S H Q I P N I”!..
Dola jashta temet, por nuk u durova pa shpreh atë mallëngjim të përlotshëm për atë Vend, tek i cili, veç fëmijnisë, kujtimesh t’ ambla e t’ idhuna, trojesh e vorresh, më lidhë edhe instinkti, e aq ma shumë fisnikija, burrnia, Besa e virtytet e vendasëve, që si të Parët e mijë edhe mue më ndoqën kurdoherë besnikisht e pa marrë kurrë parasyshë rrjedhimet e theroritë, kurdo që u lëshova kushtrimin për Atdhe. E ka edhe një gja tjetër tërhjekëse e interesante ai vend: Ndoshta, asht i vetmi vend që endè ruen kujtimin e Ilirëve. Një murishtë e vocërr me pak gurë të mëdhej (kolosa), bash në bjeshkët e Asaj Iballes edhe sot quhet “Kulla e Ilirëve”. Aty afër një gurrë uji e ftohtë si akulli thirret “Kroni i Ilirëve”. Këta dy emna gjendën edhe në hartat austriake topografike të paraluftës. Por nuk mund të shuej mallëngjimin e dhimbjen e përlotshme t’atij Vendi, sado i vogël e i parandësi të jetë, sepse kam lé në të, pse aty shqiptova sëparit herë fjalën NANË. Të asaj Nane që mbet e vejë në ma të mirën kohë të jetës, por dijti të na rrisë me mundim e kujdesin e Saj, tre djelmë e dy çika, me virtytet e të Parëve, Besë, Burrni, Vetflijim e mikpritje çka vetëm, një grue Ilire asht e zonja të bajë.
Po, oh ! Faj të madh paske pasë ba… o moj, Nanë-shkretë!
Këte faj e pagove tepër randë në pleqni! Eh po, vetëm për këte faj, birt’ e Asaj NANË të përbashkët që Ti, për Té na rrite e mësove, të dënuen në pleqni me kalvarin e fushave të përqendrimit e të punës së përdhunëshme, derisa njëditë, e internueme në Tepelenën e largët t’ U nda fryma nga kockat e mbetuna pa mish. Fluturove drejt Amëshimit mbasi ndigjove – po nuk e ke pa – vdekjen e njanit nder ma të dashtunit djelmë, të Pashukut; vdekjen e nipit edhe ma të dashtun, të Ndocit, të Lushit, Franit… e sa të tjerëve të familjes, të gjakut e të dashamirëve.
Por po , ndoshta, pate një ngushllim tue ndigjue se të gjithë vdiqën si Kreshnikë me pushkë në dorë, për Atë NANË, që Ti vetë i pate mësue ta duen ma tepër se Ty , e kur Ajo t’ Ua kërkojë, ti bahen flij në gjiun e Saj. E tash, o Nanë, Ti, kujtimi ma i ambël e i dhimbshëm i kësaj jete, nuk ke mbetë gja tjetër, veç një kujtim, e një grusht Eshtna të Bekuem nën një grumbull dhéut (tokët), pa asnjë shenjë Varrit, pa Një Kryq drunit… afër Kështjellës së Tepelenës, që nuk dij as vetë se ku!..
“Syrgjyn edhe përsë vdekuni”!
Por qetësou o Nanë! Ai grusht dheu, ato Eshtna të brejtuna prej krimbash, janë e do të mbetën kujtim i Shenjtë për mue e të gjithë ata që ke lanë mbasvedi. E njëditë o Nanë, Shpirti i Yt, do të prehet, kur prej Amshimi të shohësh Nanën Tande e tonën, Shqipninë, të LIRË e të lume; kur të shohësh bijtë e Saj të vllaznuem në prehën të NANËS SË MADHE. Kur të shohësh Eshtnat Tua, tue pushue të nderueme pranë atyne të Pashukut, Ndocit, Dedës, Franit, Lushit, Gjeloshit, Markut e Sokolit, Martinit e Markut tjetër, e të sa e sa të tjerëve, pjestarë të Familjes e të Fisit tanë, që ranë Deshmorë këto vite zijet kombtare për të njajtin faj që edhe Ti u bane Flijë! Durim o Nanë, pse jo vetëm Ti, po edhe të gjithë Ata, që kanë mbetë pa Shenj varrit e pa Një Kryq druni tek kryet, po, njëditë do t’vijë që Ju, përmes shkrojlave të një rrase mermeri tek koka, do ti jepni breznisë së ré këte mësim të madh, të çmueshëm dhe me të vertetë të Shenjtë:
Ti shtektar që po kalon,
Pran’ktij vorri kur pushon
Xen po, mësim se kur ke lé,
Zot’i madh që rrin mbi né,
Jeten kot nuk t’a dhuroi,
Por kufijt’ Ai ti caktoi:
Me perdorë -tha- n’ Hir t’ Zotit,
E per t’mirë n’ Fis t’ Kastriotit.
Kur ty Zot’ Atdhé – e Liri
T’a kerkojë – per ‘Ta m’u shkrij – ,
Dij të vdesësh si t’msoj i Pari,
Dij të vdesësh si vdes Shqiptari!
E, mbas këtij shfrim lotësh, lot gjaku, po këthej në temë, në këte temë që edhe paraqitja e sajë në këte kohë mjerimi e martirizimi, më ban po njësoj të më pikojë zemra gjak, e që kishe dashtë të mbetej e harrueme, e panjohun. Kishe dashtë, porse trillimet e gënjeshtrat që janë ba një sistem propagandistik për të shtremnue historinë, më detyrojnë të baj dishminë e së vërtetës, sado e hidhun mund të jetë për ndokënd(!).
Po këthej tek kapitulli që ndërpreva.
U tërhoqa në shtëpi time .
Ndër malësina nuk kishte mbetë ma asnjë autoritet shtetnor për të mbajtë qetsinë. Ky problem nuk kishte tjetër zgjidhje për të ndalue vrasjet, hakmarrjet e zakonshme, mbrojtjën e bashkimit e të jetës paqësore të Popullit, veçse, lidhjen e BESËS tradicjonale në bazë të Kanunit, tue i dhanë edhe formën e organizmit që kërkonte koha.
Me Beslidhjen në Shtatë bajrakët e Pukës, përveç hakmarrjeve (vrasje e tjera), ndalohej edhe propaganda komuniste, tue aplikue edhe për këtë sanksjonet e Besës, e jo vetëm propaganda komuniste, po këshillohej t’evitohej edhe propaganda e çdo partie tjetër, meqë quhej e damshme derisa të përfundonte lufta; të damshme, pse ndamja ndër parti do ta dobsonte bashkimin e Popullit, i cili kishte për qellim vetëm përballimin e rrezikut komunist, tue u përpjekë të jetë në gjendje me dhanë kontributin e vet në kuadrin kombtar, për ti shpëtue këtij rreziku; për të kenë në gjendje me dalë ndër kufinjtë e Atdheut, kur të paraqitej nevoja.
Mbledhja e parë për lidhjen e Besës u ba në Kabash e ma vonë për çdo muej rregullisht, u banë mbledhje të Parisë së bajrakëve n’Iballe. Unë nuk munda me shkue (në mbledhjen e parë) per shkak gjymtimi, e u kufizova të ngarkoj kapiten Xh. Laçi me i lexue një letër timen mbledhjes.
Në dimën të 1944 major Halit Kazazi, sillte në katundin Truen të Pukës (bajrak i Iballes) misjonin ushtarak anglez të kryesuem nga majori i R.A.F.-it, Neell, për t’organizue çeta t’ armatosuna, me qellim që të sabotojshin komunikacionin e ushtrisë gjermane në rrugën Pukë-Kukës (Shkodër-Prizren).
Halit Kazazi me vllazën bajshin pjesë në Ballin Kombtar. Ndërsa ky merrte këte drejtim, natyrisht, me pëlqim të partisë së Ballit Kombtar, që akoma bashkpunonte me gjermanët në Tiranë e në Shqipni të Jugut, dhe merrte ndihma armësh e të hollash nga Komanda gjermane.
Kjo rrugë (Shkodër-Prizren) për gjermanët në Shqipni, kishte rendësi jetsore, pse ishte e vetmja rrugë që lidhte ushtrinë gjermane në Shqipni me Kosovën dhe me Kuartierin e Përgjithshëm të Ballkanit me qendër në Beograd. Fillimi i veprimit të sabotimit të kësajë rruge, do të sillte hakmarrje (raprezalje-t) e pakursim t’ushtrisë gjermane ndaj nesh, që sido që t’ishte, këte rrugë do ta mbante të lirë medoemos Gjermania, derisa t’ kishte edhe një ushtar në tokën tonë. Raprezaljet do ta shuenin atë krahinë pa i sjellë asnjë dobi çeshtjes sonë kombtare.
Misioni “Neell” kishte fillue rekrutimin e një pakicë elementësh të paguem mirë. Kjo gjendje e rrezikshme për vendin, më këshilloi të ftoj parsinë e Shtatë Bajrakëve në një mbledhje të jashtzakonshme.
Në mbledhje u bisedue çeshtja me të tanë rendësinë e kujdesin që lypte rasti, dhe në rrjedhim t’arsyetimit që po përmbledhi shkurtimisht, u morën edhe vendimet.
***
“Meqë tashma pothuej shihet kjartë se Gjermania po e humbë këte luftë, do t’ ishte detyrë e Popullit të kësajë krahinë me flijue vetën për të kontribue në sigurimin e s’ ardhmes e t’ interesave të përgjithëshme t’ Atdheut, tue fitue simpatinë e përkrahjën e Aleatëve. Nji shërbim të tillë mund t’ ia sillte Atdheut flijimi ynë, nëse Aleatët do ti jepshin sigurime Shqipnisë sëpaku me një deklaratë zyrtare, për pavarsinë e për integritetin toksor për mbaslufte, tue përfshi edhe Tokët e Lirueme që janë këthye në gjiun e Atdheut në prill të vitit 1941. Gjithashtu, Aleatët, do të duhej t’ ua presin ndihmat komunistëve për të ndalue vllavrasjën.
Fatkeqsisht deri më sot, realiteti asht i kundërt. Aleatët, jo vetëm, nuk i kanë dhanë këta sigurime, po endè nuk kanë formue një qeveri Shqiptare në mërgim, siç kanë ba me fqinjtë tanë. N’anën tjetër vazhdojnë të ndihmojnë komunistët në vllavrasjën kombëtare, ndoshta pa dijtë, e pa vemendje dhe pa i dhanë fare rendësi këtij shemtimi, por fakti asht se komunistët të gjithë luftën e tyne e zhvillojnë kundër nacionalistëve, tue u kufizue me ndonjë pusi të rrallë kundër ndonjë ushtari o patrulle të vogël t’ izolueme gjermane, sa për tu hjedhë pluhun syve t’ Aleatëve dhe për të përligjë ndihmat që marrin për luftën e vërtetë të tyne, që asht “lufta kundër nacionalizmit Shqiptar”, kundra Atdheut, për t’ua përgatitë sheshin e lirë anmiqëve të Kombit.
Gjermanija u ka deklarue solemnisht qeverisë e Popullit Shqiptar se: Pushtimi ushtarak i Atdheut tanë asht vetëm për nevojë lufte, e për derisa të marrë fund kjo luftë, dhe se “Shqipnisë i njeh pavarsinë e integritetin ndër kufinjtë Etnikë.”
Ushtrija gjermane i ka ndejë besnike këtij parimi, tue mos përdorë R.M.(markun) e okupacjonit e as të maparshmin, e tue mos ba rekuizime si ndër vendet tjera të pushtueme. Megjithkëtë, meqë Shqipnia, nuk asht aleate e Gjermanisë, as në luftë me asnjenën palë luftuese, pra jemi të paanshëm, nuk duhet t’ua mohojmë strehimin në vendin tonë misjoneve Aleate, nëse nuk zhvillojnë aktivitete që damtojnë vendin.
Por derisa Shqipnia, nuk merr asnjë sigurim nga Aleatët për t’ ardhmën e saj, e né këte gjendje e dijmë me siguri, se tue fitue luftën Aleatët jo vetëm, që do ti shkëputën Atdheut tonë Kosova me tjerat Tokë të Lirueme, po kemi në rrezik edhe kufijt e 1913, mbasi çdo bashkpunim armësh a spiunazhi me misjonet Aleate, do të kishte vetëm kuptim “mercenarije”, do të baheshim shkrum e hi e mish për topa, jo për interesat e Shqipnisë, po për të huejtë.
Ndër konditat ndërkombtare që gjendet sot Shqipnia, e derisa të mos jenë dhanë sigurimet e nevojshme e të drejtat nga Aleatët, duhet konsiderue se: Ushtrija gjermane, njëherit me kauzën e vet, tërthorazi asht tue ruejtë edhe kufinjtë e Atdheut tonë nga “jurishi” sllav e grek, që nuk do të ngiheshin vetëm me pushtetin e aneksimin e Tokës Shqiptare, po do të dëshronin të na shuenin edhe fizikisht si Komb nga faqja e dheut. “Me u vue pushkën atij lloj ushtari ndër këto kushte, asht antikombtare e antinjerzore, asht me i vue thikën në fyt Asajë Nanë, që quhet Shqipni”.
Mbas bisedimit të përgjithshëm u vëndos njëzani:
- I) Nuk luftojmë as për Aleatët kundër gjermanëve, dhe as për gjermanët kundër Aleatëve.
- II) Forcat Kombtare duhet të ruhën për me u ba ballë rrezikut komunist dhe sulmit eventual sllav e grek, që mund të vërtetohet në rasën e tërhjekjes s’ ushtrisë gjermane nga Shqipnia.
III) Misioni anglez mund të rrijë ku të dishërojë në tokën e Shtatë Bajrakëve e askush nuk guxon ta trazojë o spijunojë, nëse ka nevojë të rrijë fshehtas dhe si mik. Duhet vetëm ai të ketë kujdes nga ushtria gjermane, nga e cila nuk kemi fuqi ta marrim në mbrojtje.
- IV) Për ruejtjën e misionit anglez, lejohet një numër deri njëzetë vetash me i qendrue pranë vullnetarisht, me kusht, që të mos bajë asnjë veprim (aksion) kundër gjermanëve.
- V) Kushdo që vehet në shërbim të misioneve të hueja për të ba veprime që damtojnë vendin, then Besën e Bajrakëve dhe pëson dënimet e parapame.
- VI) Një përfaqësi shtatë vetësh (një për çdo bajrak) ngarkohet t’ ia kumtojë misionit Neell këto vendime, përcjellë me një letër të kryetarit të mbledhjes z. Kol Mirakaj.”
Fatbardhësisht, nuk na u thye gja në dorë nga askush. Majori Neell e kishte kuptue se nuk mund të zbatonte programin e tij n’atë krahinë. Ushtrija gjermane e kish marrë vesh kenjën e atij misioni (që rrinte krejt sheshit tue e dijtë kushdo se ku gjindej), dhe kishte marrë masat.
Desht Zoti, e perpara se ky misjon të mbetej i rrethuem nga gjermanët, jo ma tepër se përgjysë ore, e shpëtuem, tue e kalue në Dri, në Va-Dardhës, e kështu shkoi e zuni vend në Btoshë të Merturit (n’ashtinë të Qafës Kolçit). Atje nuk ishte shesh veprimi.
***
Tue kenë akoma në Truen, dikush …ia kishte mbushë mendjen majorit Neell, se pa zhdukë Kolë Biben, “i shitun gjermanëve(!)”, nuk mund të bahej gja në Malësina. “Mirakaj, ka njerzë të fortë e besnikë rreth vetës dhe nuk mund të vritet në pusi” – i kishin thanë. Për këtë i kishin sugjerue një lloj tjetër atentati për të më shue (që e mësova ma vonë). Majori Neell (Billy Mc Lean – Rektori), njeri i qytetnuem e me ndërgjegje, kish mendue që parase të vepronte n’atë mënyrë, të takohej me mue për tu shpjegue gojarisht.
SHPJEGIMI ME MAJORIN NEELL
Me anë të një miku, më shfaqi dëshirën të takohej personalisht me mue. Nëse unë e pranoj këte takim, Ai kerkoi ti caktoj ditën e vendin, dhe ti dërgoj ndokënd timin me e marrë. Caktova ditën 2 prill (kujtoj), në javën para Pashkëve të 1944, në shtëpinë time. Erdh me Nik Sokolin vetë të pestin dhe vllaun tim Palin, që me disa djelmë ua kisha dërgue për me e shoqnue. E pata mysafir të ruejtun (klandestin) dy ditë e tri netë.
Biseden e filloi Ai, ditën e dytë.
“Erdha në krahinë të Pukës për t’ organizue premjën e kësaj rruge ushtarake me rendsi të rendit parë për ushtrinë gjermane, rrugën Shkodër-Prizren – tha ai -. Nuk më pranoi kush për këte veprim sëpse i ndaluet ju! Kam tash sa kohë në këto malësina e nuk arrij të kryej misionin tim, e kjo vjen nga sabotimi i juej, e influenca që paskeni ju në këto Malësi. Cila asht arsyeja që jeni kaq anglofob, e njëkohësisht kaq gjermanofil? Ju si njeri me mend e politikan duhet ta dini tashma, Gjermania e ka humbë luftën. Veprimi i Juej kundër nesh, vetëm dam mund ti sjellë Shqipnisë, e aq ma tepër ty personalisht. Ti do të shënohesh anmik i deklaruem i Aleatëve. Dëshroj të hiqësh dorë nga qëndrimi i deritanishëm e të bashkpunojsh me né, kjo ka me të sjellë dobi e përfitime të mëdha. Para se të dal prej shtëpisë s’ ate, due ta dij nëse jemi miq apo armiq?”
U përgjegja: “Zotni major! U deklaroj sinqerisht, pa hile, se as nuk jam anglofob, as i shitun gjermanëve ashtusi të kanë thanë. Besoj, të jem vetëm një Shqiptar i mirë, që para gjithshkafes ka interesat e Vendit të vet. Do t’ Ua provoj se kjo asht e vërtetë. Para se ti përgjegjëm kërkesës s’ Uej, më lejoni zotni major, t’ Ua baj ekspozenë e gjendjes së Atdheut tim, si e mendoj unë, ndër kushtet e tanishme:
– Shqipnia asht Populli ma i vogël i Ballkanit. Historia e këtij Populli gjatë gjithë shekujve asht e shkrueme me lot e me gjak, kalvar i pandërpremë invazjonesh, masakrimesh, shkatrrimesh e shkombtarizimi. Nga Populli ma i vjetër i Europës, që shtrihej që prej përtej Danubit në Det të Zi, Adriatik e deri në Venedik, kemi ngelë ky grusht Shqiptarë që sot nuk kalojnë dy milionë frymë ndër kufinjtë etnikë.
– Mbas katër vjetë kryengritjesh së përgjakshme 1908-1912, u shkëputëm nga perandoria turke. Kujtuem se fituem Lirinë e shpallëm vetqeverimin. Popujt e Ballkanit, në vend që të na ndihmojshin siç u kishin ndihmue Shqiptarët atyne në luftën për Liri, i shpallën luftë Turkisë së dërmueme nga kryengritja Shqiptare, Lufta e Libi-së, kryengritjet Jemene e tjera rrethana, e u turrën mbi tokën Shqiptare, serbë, bullgarë, grekë e malazezë. Konferenca e Londrës (1913), na shkëputi nga gjiu i Atdheut, pjesët ma të çmueshme, gjysën e tokës e Popullsisë Shqiptare, tue ua dhanë serbëve, bullgarëve, grekëve e malazezëve vendet ma pjellore, ato krahina që kishin derdhë gjak rrëkajë për katër vjet rresht, për të fitue Lirinë, si Hoti, Gruda, Kosova, Çamëria etj. E as me këto kurrë nuk u nginë fqinjtë tanë. Serbët akoma duen të dalin në Durrës, grekët kerkojnë të na grabisin edhe Korçën e Gjinokastrën, e ndoshta, ma thellë.
Populli Shqiptar nuk ka hjekë dorë kurrë, as nuk mund të hjekun nga rivendikimi mbi tokët e mbetuna jashtë kufinjve politikë t’Atdheut, por ka arsye të shpjegueshme, që nuk ka tentue ndonjëherë për ndërmarrje armësh në realizimin e të drejtave të Tij, dhe këto arsye janë:
- a) Nuk ka dashtë kurrë të bajë turbullina, që mund të shtynte në luftë europiane o ma të gjanë.
- b) Nuk mund t’ ua dilte e vetme, vetëm me fuqitë e veta, një ndërmarrjes me armë kundër fqinjëve të koalizuem.
- c) Ka dishrue e shpresue (deri dikur), me ia lanë Drejtësisë Ndërkombtare ta zgjidhë ndërgjegjshmënisht këte problem.
Në këte drejtim bani përpjekjen dërgata Shqiptare në Konferencën e Paqës, mbas Luftës së Parë Botnore, me argumenta historike-kombtare bindse, po nuk ua vuni kush veshin. Përkundrazi, dërgata Shqiptare kje shtërngue të kthehet në mbrojtje kundra kërkesave greke që donin Shqipninë e Jugut, e atyne serbe që donin Shkodrën e Shën-Gjinin.
Vetëm përkrahja kambngulse e Italisë, që mbasi nuk mundi të zbatojë planin Titoni-Venizelos, i interesonte ruajtja e integritetit të Shqipnisë, dhe VETO-ja e Presidentit Wilson, i shpëtuen këto vënde.
Grekët e mbytën në gjak e zjarr Shqipninë e Jugut, tue djegë e rrënue qinda katunde e qytetëthe (paesi). Serbët e malazezët zhdukën ma se treqindmijë Shqiptarë nga Kosova e Maqedonia prej 1912-ës e këndej. Në Çamëri e pjesën e Vilajetit të Janinës, ishin mashumse treqindmijë Shqiptarë që në 1912, e sot nuk kanë mbetë ma as katërdhjetmijë.
Unë kam bindjen e ngultë që porsa të fillojë tërhjekja e ushtrisë gjermane nga Shqipnia, tragjedia e 1912-1914, do të përsëritet kundër Atdheut tim. Sllav e grek do të na turrën nga të gjitha anët, jo vetëm, për të pushtue e nda ndërmjet tyne edhe gjysën tjetër të kësaj Shqipni fatzezë të kufinjëve të 1913, o krejtsisht, po edhe për të na shue si komb nga faqja e dheut. Mjafton të shihni e të ndigjoni përmbajtjën e një urdhni të Ministrit të Luftës së Mbretnisë Jugosllave, gjeneralit Mihajloviq, pjestar i qeverisë së Jugosllavisë në Londër, pra, “aleat” i juej. Ma besoni zotni major: Ky dokument nuk asht shpikje propagande, po asht kopjo besnike e origjinalit që pat ra në dorën tonë, e asht shprehja autentike e qellimëve serbe-çetnike kundër Popullit Shqiptar. (Nxora dokumentin dhe e bana përkthyesin t’ ia shpjegojë pikat kryesore që i përkisnin Shqipnisë).
Nga qeveritë Aleate deri sot Shqipnia, nuk ka asnjë garanci për t’ardhmën e saj, jo vetëm për ti njohë Tokët e Lirueme e të kthyeme në gjiun e Atdheut në Prill të 1941, por as për ato të kufinjve të 1913, dhe as për mbrojtjen e rrezikut ma të madh që U thashë, zhdukjen nga faqja e dheut. Për ma tepër qendron edhe një deklaratë e Ministrit Eden, ba në dam të Shqipnisë së kufinjve të 1913, e në dobi të Greqisë, që për mue don të thotë me i dhanë Greqisë edhe Korçën e Gjinokastrën.
Nuk besoj se Aleatët do ta pëlqejnë e lejojnë një vepër barbare masakrimi aq të shemtueme e të turpshme për vetë Aleatët jo, por nëse né vetë nuk jemi në gjendje të mbrohemi derisa të arrijnë ushtritë anglo-amerikane per me zëvëndësue ushtrinë gjermane, serbët e grekët mund ta kenë krye qellimin e tyne kriminal. E, duhet të bindeni zotni major, se nuk asht pesimizmi o fatalizmi negativ që më shtyjnë të mendoj kësisoji. Jo! Asht i njohun qellimi i ngultë i fqinjve tanë. Asht një plan i përcaktuem në hollësi siç e vutë ré n’ urdhnat e Mihajloviqit, zbatimin e të cilit e kanë fillue çetnikët e këtij gjenerali e ministri jugosllav, në krahinë të Senicës, porsa u doli rasa e parë. Në Bihor, një natë të vetme çetnikët masakruen katërmijë Shqiptarë, pleqë, të rijë, gra e fëmijë, pa lanë gjallë askend që ra në duertë e tyne. Grave shtatzanë u kanë hapë barkun me bajonetë përsëgjalli, u kanë nxjerrë fëminë nga barku, e mandej, kanë therë nanë e fëmijë, e tjera shemtime që bajnë të të ngrihën lesht e kresë. Të gjithë vendin e banë shkrum’ e hi. Ky fat po i përgatitet gjithë Popullit Shqiptar, që nga dita që fillon tërhjekja e ushtrisë gjermane, nëse né nuk do të jemi në gjendje të mbrohemi vetë derisa t’ arrini ju.
Në rrjedhim të këtyne prospektivave të tmerrshme, unë si bir’ i përvujtë, po njiherit edhe me përgjegjësi morale para Kombit tim dhe historisë, e quej detyrë Shenjt, Urdhën nga Vorret, fëmijtë, gratë e pleqtë e këtij Populli, me i ruejtë të paprekuna e të bashkueme forcat e pakta të këtyne Malëve, për të mundë me kontribue në mbrojtjën e Atdheut ndër kufinjtë e sotëm, derisa të mos të jemi marrë nën mbrojtjën e ushtrive të Demokracive. E për të mundë me u ba kjo mbrojtje, i quej të nevojshem dy kushte kryesore:
I pari: Zhdukjen e lëvizjes komuniste, që do ta kemi gjithnjë thikë në shpatulla.
I dyti : Mos me shkaktue reprezalje gjermane, me gjeste që deri më sot nuk kanë tjetër kuptim veçse, mercenarije, ose çmendije.
Ju zotni major, kërkoni me sabotue rrugën Shkodër-Prizren, tue vra ushtarë gjermanë, tue djegë automjete, tue hjedhë ura n’ erë etj., tue ba të papërdorshëm këte komunikacion jetsor (vital) për gjermanët. E mirë, Ju, keni plotësisht të drejtë tue kenë në luftë kundër gjermanëve, dhe patjetër kujtoj, se mund t’ ia arrini qellimit po t’iu ndjekë edhe unë. Po né, Shqiptarët pse të hyjmë në këté zjarr? …(Më pritni, U lutëm, të mbaroj)…
Do t’U baj një deklaratë të shkurtë në lidhje me sa U kam thanë deri këtu. E dij se jam tue ba një pohim me rendësi e ndoshta, të damshëm për vetën time: “Jam unë që pengoj të kryeni misjonin t’Uej në këte krahinë, krejt ashtu siç keni mendue Ju. Asht e vërtetë, por nuk mund të baj ndryshe ndër kushtet që jemi!”
Me ba atë që thoni Ju, zotni major, don të thotë, me shtërngue ushtrinë gjermane që ajo të marrë masa sigurimi.
Ato masa do ti bajshin shkrum e hi këto Malësi; do ti shuenin!
E përse? Pse t’ua vemë pushkën gjermanëve? A po vetëm, për të shue vetvetën, që të bahet ma i lehtë zbatimi i planit të Mihajloviqit, ose ardhja e komunizmit në fuqi? Këte gja, as unë, as ndonjëtjetër Shqiptar me mend e ndërgjegje, nuk mund as nuk duhet ta bajë!
Nga sa u kam parashtrue, duhet të bindeni zotni major, se as anglofobia kundra Kombit të madh britanik, as ndonjë simpati e veçantë për gjermanët, nuk më kanë shtye ta marr këte qendrim. Janë vetëm rrethanat në të cilat gjendet Populli Shqiptar e interesat e Tij, që m’ urdhojnë kështu. E ma besoni, se po të mundë të pushtonte pasjoni o instinkti ndërgjegjën time, kam të drejtë të justifikueshme përsonale, të përfitoj nga rasti i bashkpunimit me Ju, të hakmerrem kundër gjermanëve. Ata u sollën fort keq kundër meje e kolegëve të mij në Tiranë, kur pushtuen Shqipninë. Jam shtërngue të ndryhëm nder këto male, të shkëputëm nga përpjekja (kontakti) me miqë e krenë të Shqipnisë, gja që e quej të damëshme meqë nuk kam mundsi të takohëm me ta ftyrëpërftyrë, për të mujtë me arrijtë në bashkimin e kordinimin e të gjitha forcave kombtare, për ti ndejë gati rrezikut. Jam gati i paralizuem këtu, pa mujtë me lëvizë, tue kufizue veprimin tim ndër këto male, e ketë, sëpse jam lajmërue që gjermanët duen të më arrestojnë e interrnojnë në Gjermani. Kam informata të sigurta mbi këte marrëzi të tyne, pse ua kanë mbushë mendjen disa intriganta shqiptarë të pandërgjegjshëm, se unë jam kundër tyne. E megjithkëtë sjellje marrëzije të gjermanëve, që gënjehen nga ma i pari që u paraqitet, nuk mund të baj një akt që e kujtoj me bindje se asht kundër interesit t’ Atdheut tim. Fatbardhësisht, kam shumë ma të fortë ndërgjegjën kombtare se pasjonin ose interesin tim.
Shqipnija për mue nuk asht element shfrytëzimi, po NANË.
Nuk mund të marr pjesë në masakrimin e Sajë. Këto janë arsyet që nuk më lejojnë t’ aderoj në planin t’ Uej e asgja tjetër.
Më keni thanë se nuk keni fakultetin të bani traktativa politike, e prandej, asht e kotë t’ U baj propozime për një akord eventual.
Po të kishi këte fakultet, e të mund t’ arrijshim n’atë marrëveshje, që unë e mendoj kusht të domosdoshëm për nevojat e të drejtat e Atdheut tim, e aspak kundër interesave angleze, të deklaroj sinqerisht, se do t’ ishëm gati t’ Ua shtrijë dorën, ti shtrohëm vullnetit t’ Uej, edhe pse e dij me siguri se do ta shkatrroj këte krahinë, për të mujtë me kontribue në sigurimin e s’ ardhmes së Kombit tim. Do ta zhgulshe zemrën nga gjoksi e të vija një gurë në vend të sajë.
Kjo deklaratë e fundit, duhet t’ U jetë e mjaftë për t’ U bindë se qëndrimi im nuk rrjedhë as nga anglofobija, as nga gjermanofilia.
E tash, nuk po të mbajë ma gjatë me fjalë zotni major, por para se të më përgjegjesh, dhe të më thuesh mendimin Tand, due me të ba një apel të rendit njerzor. Due t’ Ua kërkoj një sakrificë:
“Të shvisheni për një moment nga misjoni Juej. Të harroni se jeni anglez. Të viheni ndergjegjshmënisht në gjendjen time dhe të thoni: Çka do të bajshit Ju, si Shqiptar i mirë, ndër rrethanat që Ua tregova?”…
I prekun thellësisht, – mbas pak heshtje – mu përgjegjë:
“Më keni vue në pozitë të vështirë shkëlqesë, me arsyetimin që më keni ba dhe këte kërkesën e fundit. Më folët me zemër të haptë e më duhet tu përgjegjëm sinqerisht: Nuk mund t’ iu thom se nuk keni të drejtë për qendrimin që keni marrë, derisa keni ato bindje. Edhe unë, kujtoj, se nuk mund të bajshe ndryshe, pra, e quej të kotë të insistoj me kërkue bashkpunimin t’ Uej mbi bazat që kishe mendue e që deri më sot, kam veprue në gjithë Shqipninë. Dishroj të mbetemi miqë, tue arrijtë pa tjetër në bashkpunim mbi baza të ndershme. Do ta shkapërcej mandatin tim kësajë here. Më tregoni konditat rreth të cilave mund të merremi vesh. Nëse hynë deri diku në kompetencën time, fillojmë menjëherë, nëse e kalojnë fakultetin tim, do të ia parashtroj Kuartierit të përgjithshëm n’Itali me rekomandimet e mija ma të favorshme.”
K Ë R K E S A T E M I J A:
1) Qeveritë Aleate (Anglija, Franca dhe Shtetet e Bashkueme) të formojnë pa vonesë një Qeveri Shqiptare të përkohshme në mërgim, siç kanë ba për kombet tjera të pushtueme nga Boshti.
2) Në mes t’ Aleatëve të Mëdhej e ksajë qeverije të nënshkruhet një protokol, për sigurimin e pavarsisë e t’integritetit toksor të Shqipnisë, tue përfshi mbrëndë edhe tokët iredente të kthyeme në gjiun e Atdheut, në Prill të vitit 1941.
3) Të shpallet nga zallanësit e Ministrive të Punëve të Jashtme të Londrës e Washingtonit, teksti i këtij protokoli me të gjitha hollsitë dhe të bahet i njohun me shtyp dhe radio.
4) Në gjiun e Shqipnisë, përveç vendeve që janë sot, duhet të hyjnë edhe Mitrovica, Kaçaniku dhe Çamëria.
5) Tu pritën furnizimet e ndihmat të çdo natyre komunistëve nga Anglia dhe Amerika, dhe të ndihmohën nacionalistët.
Këto kërkesa përsa u përket kufinjëve janë të drejta natyrale të Shtetit Shqiptar. Nëse Aleatët, kanë marrë detyrime të kundërta ndaj Jugosllavisë e Greqisë, e nuk mundën ta pranojnë konditë absolute çeshtjen e kufinjëve siç e parashtrova, atëherë, shtërngohëm të zbres në minimum me këte kompromis:
- a) Të sigurohet paprekshmënija e kufinjëve të 1913.
- b) Kërkesat Shqiptare e sllave mbi Kosovën dhe tjera vende, të zgjidhën me anë plebishiti të përgjithshëm, tue mos pasë të drejtë plebishiti elementa kolonista t’ instaluem mbas 1912; pokështu, të veprohet edhe për Greqinë.
- c) Plebishiti të zhvillohet nën kontrollin e sigurimin e lirisë nga ushtritë anglo – amerikane, dhe Shqipnia, Jugosllavia dhe Greqia, t’ impenjohën që maparë me respektue e pranue përfundimisht rezultatin e plebishitit.
- d) Të mbahet statuo-qou-ja e kufinjëve të tanishëm deri në përfundim të referendumit. Nëse kjo pikë nuk pëlqehet, vendet e kontestueshme t’administrohën nga një Komision Ndërkombtar derisa të zgjidhet problemi me referendum.
- d) Pala që do të fitojë me referendum, të detyrohet me u dhanë pakicave Statutin e Minoritetit të së Drejtës Ndërkombtare.
***
Këto janë zotni major konditat maksimum e minimum ndër të cilat, unë jam gati t’ U vihëm në dispozicjon.
“I gjej me vend këto kërkesa – tha majori – sidomos pjesën e dytë, e patjetër, do t’ ia transmetoj porsa të këthej në qendër, e do ti mbështes me gjithë zemër. Due t’ ju pyes edhe një gja: Nëse pranohën kërkesat tua tanësisht o pjesërisht, qeverija a duhet të formohet e drejtohet nga Mbreti Zog, a po të lihet në njëanë Zogu për tani?”
– Mbi këte pikë mund të shprehi vetëm mendimin tim: Të bahet ashtu si Aleatët ta gjykojnë ma të përshtatshme për kohën. Mue nuk më intereson në mënyrë të posaçme të jetë ose jo, Mbreti Zog, që të drejtojë këtë punë, megjithqë, kujtoj se ma mirë se Ai, asnjë tjetër nuk mund ta drejtojë. Më intereson të formohet një qeveri Shqiptare jashtë e me këtë të lidhën Aleatët me protokolin që kam thanë.
Natyrisht, duhet të jenë përsona që gëzojnë prestigj e besim në Popullin Shqiptar, Ata që do të përbajnë qeverinë.
Këte prestigj ma të madh se Zogu, sot, nuk e ka askush nga të mërguemit.
– “Due t’ ju kujtoj disa gjana me rendësi” – këthej prap majori – : “Këto propozime do të kishin pasë ma shumë peshë e vlerë, sikur t’ishin parashtrue para ditës së sotit e njëzani nga krenët ma me rëndsi të Shqipnisë, të cilëve, nuk u kanë mungue kontaktet me mue e të tjerë kryetarë misjonesh. Jam sjellë anëmbanë Shqipnisë nga Jugu në Veri, e jam takue pothuej me të gjithë krentë ma me rendësi e reprezentativë të Shqipnisë, si Mit’hat Frashërin, Abaz Kupin etj., e më duhet me të thanë sinqerisht, se askush deri sot, nuk ma ka paraqitë problemin në këte mënyrë e me këta kushte. Janë mjaftue me premtimet e miqësisë sonë.
Kërkesa të tilla asht e para herë që i parashtrohën Kuartierit të Përgjithshëm. Mos harroni, se né jemi Aleatë edhe me Rusinë, e ndoshta, me të tanë vullnetin e mirë që të kenë qeveritë e Londrës e Washingtonit, Rusija nuk e pranon një të tillë protokol.
Mos tu vijë keq tu them se jeni vetëm. Megjithkëte, unë t’ jap fjalën e nderit e t’oficerit të R.A.F.-it , se do ti mbështes kërkesat tua, pse i gjejë krejt të drejta.
Kishe ardhë me krejt tjetër mendim ndaj jush, nga ai që më bindët. Më kishin thanë se ké kenë i shitun i italjanëve maparë, ndersa, tash i gjermanëve, e më kishin mbushë mendjen se pa u zhdukë ti, nuk mund të bajmë gja ndër këto Malësi. Duheshe vra! Ata nuk e morën përsipër tue thanë se kishe njerzë besnikë rreth vetës, dhe nuk dilje nga shtëpia.
Më këshilluen me të bombardue shtëpinë me ndonjë skuadër që kalojnë përditë këndej. Parase të merrshe vendim për atë akt të tmerrshëm, që si njeri nuk më pëlqen, vëndosa të marr këte takim me ju për tu shpjegue e mundsisht me të ba për vete, në rasë të kundërt, do t ‘ju quejshe anmik të deklaruem, e në rrjedhim, do të veprojshim. E kuptova se nuk kenke ashtu siç më kanë thanë. Të shtërngoj dorën e jemi miqë!”
Në këte bashkbisedim, ishin pranë edhe i ndjeri Hilmi Leka dhe përkthyesi, një nënoficer i aviacionit italian, nga Firence.
***
Ma vonë, mbas një bashkfjalimi që kishte pasë Hilmiu (pa mue) me majorin Neell, më tha: “Majori më thirri me bisedue e më tha, me u përpjekë me të mbushë mendjën mos me refuzue bashkpunimin në rasë se gjejnë pengesa tashpërtash propozimet që bane ti. Asht gati me t’ ofrue sa të duesh të holla e matërial luftarak që të kërkojsh.
Duhet mendue me objektivitet çeshtja – tha -, me që duket, se gjithshkafja asht e humbun. Ti vetëm, nuk mund ta shpëtojsh Shqipninë, as nuk ké përgjegjësi. Unë nuk dua të përfitoj nga ky rast, por asht mirë të shikosh edhe për vetën tande, sëpakut për familjën, edhe kundrejt familjes asht përgjegjësia sa kundrejt Atdheut, e ma e madhe!”
Nuk iu përgjegja Hilmiut. Shkuem bashkë në dhomën e majorit të cilit iu drejtova:
– Shkëlqesa Leka, më bani një propozim nga ana e Juej.
Unë insistoj e U lus, të parashtroni e të përkrahni propozimet që u kam shënue. Vetëm n’ atë mënyrë më qetsohet ndërgjegja.
“Patjetër, si të kam dhanë fjalën – tha majori-. Këte propozimin e fundit e mendova, për rasën kur përgjegja të mos jetë ajo e dishrueme nga ju. Mbas bisedimit të djeshëm nuk munda t’ ua them vetë, e përfitova nga miqësija që u lidh me shkëlqesën Leka. Jam në dispozicion t’ Uej!”
– “Zotni major, më ndjeni që po Ua përsërisë: Asnjë bazë tjetër nuk ka që unë të mund t’ aderoj në planin t’ Uej, përveç asajë që u thashë dje. Nuk jam pasanik. E lakmoj edhe unë pasuninë dhe paren si çdo njeri tjetër, por po u them sinqerisht, se për të më blé ndërgjegjën time nuk mjafton as ari e thesaret e gjithë Botës!” Këto fjalë ia thashë majorit…
Të nesërmen mbramje, majori la shtëpinë time për me shkue në qendër të vet. Mbas pak kohe më shkroi nji letër nga Vau i Fierzës. Përmbledhja e shkurtë e së cilës ishte kjo : “Siç mbetëm dakord, i kam parashtrue menjëherë propozimet tua Kuartierit të përgjithshëm, por endè nuk kam marrë përgjegje. Kuptohet, se do ti jetë transmetue Londrës, e prandej asht edhe vonesa.
Jam n’ udhëtim për në Mat tek Abaz Kupi. Atje ka arrijtë një kolonel drejtë nga Londra (shënim K.M.-paska pasë qenë Amery), i cili parase të nisej për në Shqipni, ka pasë audjencë me Eden, te Çërçill dhe tek Mbreti Gjergj, e kujtoj, se asht bashkëbisedue edhe me Mbretin Zog.
Ai patjetër, do të jetë i ngarkuem me misjon edhe në lidhje me kërkesat tua. Porsa, të kryej punë me të, do të kthehëm tek Ju, sigurisht, me lajme të kënaqëshme.”
Me të kthyemen nga ky udhtim, nuk erdh tek unë. Më ka shkrue një letër katër faqe nga qendra e tij në Bëtoshë, tue më dhanë me kuptue – në mënyrë fort delikate, e që sigurisht, shprehte keqardhjen e Tij, të sinqertë – deshtimin e përpjekjeve të Tij rreth propozimeve të mija.
Nga ana tjetër thonte: “Besoj, se prap do të kishim mundsinë të gjejmë baza morale e patriotike të qetsueshme edhe për Ju, për bashkpunimin tonë, prandej dishëroj që mbrënda dhjetë ditëve, të dërgosh njerzit tu me më marrë të takohemi edhe njëherë”.
Bisedimet e takimit të dytë kjenë ma të shkurta e të thjeshta:
“Qeverija angleze -tha majori-, nuk mund të marrë detyrimet që keni kërkue, me një protokol zyrtar, për shkaqe të ndryshme e kryesisht, pse do të ishte një akt arbitrar pa aderimin e Rusisë, që e kemi aleate.
Nëse nacionalistët Shqiptarë bashkëpunojnë me né e bajnë si tu themi né, qeverija angleze do tu presin ndihmën komunistëve, po kjé se nuk bindën me hjekë dorë nga vllavrasja e me ba front të përbashkët me ju, kundër gjermanëve. Qeverija e Mbretnisë N. Britanike, do ti japin përkrahjën kauzës Shqiptare në Konferencën e Paqës.”
Këte premtim Qeverija e M.N. Britanike a e ep së paku me shkrim konfidencjal? – i thashë -, të njëfarë vlere protokolare?
“Nuk mund të siguroj – tha majori. E di se nuk do të jeni i knaqun me kaq, megjithatë, u kshilloj miqësisht të bashkpunoni me né. Tashma, nuk kemi edhe aq nevojë për këto aksjone se Gjermania e ka të humbun luftën me siguri, e matepër asht arsyeja, që due ti bajmë shërbim së bashku Shqipnisë, ku kam gjetë mikpritje e besnikri të pakufi; due që edhe ti përsonalisht të përfitosh me ndreqë pozitën tande për t’ardhmën. Ju jeni i njohun si fashist e kolaboracionist e mund të viheni në listën e kriminelëve të luftës, që do të gjykohën nga një gjyq ndërkombtar, po të mbani qendrimin e deritanishëm. Nuk e meritoni këte fat, por mund t’ iu ndollë. Sigurisht, unë nuk do të raportoj keq për Ju, as nuk do të jetë qeverija britanike që ka me kërkue gjykimin tuej, por këtë mund ta bajë qeverija e ardhshme Shqiptare. Bashkpunimi i juej me né këto kohë të fundit, kishte për ti asgjesue të gjitha akuzat kundër jush.
Duhet të mendoni edhe për vetën Tuej!”
Nuk ngurrova të rrefuzoj përsëri aderimin tim:
“Nuk më trembin as gjygji as vdekja zotni major – kjenë fjalët e para të përgjegjes sime -. Madje, do ta pritshe me kënaqësi daljen time eventuale para një gjyqi ndërkombtar, nëse fati i zi ka paracaktue që Atdheu im, do të pësojë rrënimin që mue më përshkohet kjartë si film parasyshë. Po të kem nderin të dal para një gjyqi të tillë, do të më jepet rasa me vue në dukje para opinionit botnor padrejtsinë e vazhdueshme që asht ba kundër këtij Populli të vogël e fatkeq, që nuk i ka ba askujt ndonjë të keqe, veçse kërkon të jetojë i lirë në tokën e të Parëve të vet, ashtusi, natyra e Zoti i kanë dhanë të drejtë njeriut. Do të më jepet rasa me provue se ky gjak i pashembullt në histori, nuk asht derdhë për të sigurue të drejtat e njeriut njësoj për të gjithë, siç asht premtue, po për egoizëm dominacioni “i forti mbi të dobëtin”, e se popujt e vegjël janë vetëm plaçkë tregu për popujt ma të mëdhej. E do të kemi knaqësinë t’ ua përplasi nder sy se aleanca demokrate – bolshevike, asht një përbindsh që së shpejti, do të shkëputet në dy pjesë, për të shkatrrue njenitjetrin.
Ju, po rrënoni Europën, për t’ ua dhanë si një bukë të pjekun bolshevizmit aziatik.
Po, të pranojmë tezën që Gjermania do ta humbi këte luftë tansisht, ka me e humbë atë tue u shkatrrue krejtësisht, atëherë – vinju mendjen fjalëve që u thashë sot -, do të vërtetohet sa u thashë, kaosi!
Logjika e arsyetimi i shndoshë m’ lejojnë të besoj, se përgjegjësat e politikës angleze dhe amerikane, i kanë parapa të gjitha rreziqet!
Kështu, kur Gjermania të ketë ra në gjunjë, tue mos kenë ma e rrezikshme për ju, do të përfundohet një kompromis i pranueshëm edhe për Gjermaninë, për ti ba ballë së bashku rrezikut bolshevik.
Me këte kompromis do të shpëtojë qytetnimi botnor-kristjan dhe vetë Europa, dhe mbrënda Europës edhe Shqipnia.
Pa Gjermani nuk ka Europë, e pa Europë, do të bolshevizohej -shpejtë a vonë – e gjithë Bota. Kështu e thotë logjika!
Mos t’ U vijë keq zotni major t’ U them se unë: Nuk mund të mbështetëm në premtime të ngjashme me ata të kolonelit Laurence.
Kërkoj ndihma tek ju. Do të kërkoj edhe tek gjermanët, madje, edhe tek Zoti, e tek “dreqi”, për të zhdukë rrezikun komunist e për të mbrojtë kufinjtë e Atdheut tim.
E dij se përgjegjësat e nacionalizmit Shqiptarë janë çapërdisë (gati çmendë) e verbue nga pasioni i partizanive, e se po nuk u ba e kordinue bashkveprimi i përgjithshëm në frontin antibolshevik, n’emën t’Atdheut e jo të partive, kemi sharrue, por unë do të kryej detyrën time edhe vetëm.
Dishroj të mbetemi miqë! Po kje se gjermanët, do të marrin masa kundër Jush dhe e ndjeni nevojën time, le t’ U prijë Nik Sokoli e ejani tek unë. U siguroj se derisa të mbarojë lufta keni me kenë të siguruem. Gjithshka e papritun mund të ndollë. Gjermanët janë në thyemje por janë akoma mjaft të fortë, dhe përmatepër, si e dini, ata do reklamojnë armët sekrete(1). Nëse arrijnë ti shtijnë në përdorim ato armë ashtu siç thonë, fati i luftës mund të ndryshojë tue u kthye prap në favor të tyne; atëherë, gjendja juej në Shqipni ka për me u vështirsue. Tek unë keni për të pasë kurdoherë mbrojtje të sigurtë klandestine.
Unë uroj, që kjo luftë të mbarojë me kompromis në mes Boshtit e Aleatëve, në një front të përbashkët kundër rrezikut bolshevik!”.
***
Me kaq u ndamë e nuk u pamë kurrma me majorin Neell.
E rrëfej pangurrim se më mbeti kujtimi i mirë ndaj tij, pse me gjithë misionin delikat që iu donte ta kryente si ushtar e si anglez i mirë, ai kishte edhe kuptimin e kjartë të rrezikut komunist, e për ma tepër, kishte edhe ndjenjën e drejtësisë.
Pak ditë mavonë, gjendarmërija e Iballës kapi një kapiten anglez vet’ të tretin që vinin nga Mati për të shkue në qendrën e misionit Neell. Ndërhyna e i mora në dorzim dhe mbasi i perbujta në shtëpinë time, i përcolla tek majori Neell. Kam pranue edhe dhuratë prej misionit Neell, tetë teneqe (bidona) benzinë që mu dojshin për motorrin e ndriçimit elektrik të shtëpisë, dhe pak paketa cigare angleze e asgja tjetër.
Majori Neell (tash kolonel i R.A.F.-it), asht gjallë, burrë me ndërgjegje dhe intelektual. Jam i sigurtë se po të jetë nevoja, do ti dishmojë fjalëpërfjalë këta shënime të mija.
——–
- Mbasi kishe rradhue këte vëllim, Nënsekretari i Shtabit të Pentagon-it me një deklaratë zyrtare, zbulonte se gjermanët, kishin ba me sukses provën e parë të bombës atomike në një ishull në Helgeland (Norvegji) në Fruer 1944.
Komentet