NÉ, E TË TJERËT (1939 – 1944)
Dallimi i dy tëndencave, të dyja nacionaliste, ka fillue të dalin në shesh kur fati i armëve të Boshtit filloi të zbehet nder frontet e luftës, deri atëherë, pothuej të gjithë ishim njëmendimi, se interesi i Kombit, lypte të ishim leal me Italinë, e se vetëm n’atë mënyrë, mund t’ arrihej gradualisht me kjartsue poziten e Shqipnisë në kuadrin e Bashkimit Personal me Italinë, tue i dhanë përherë e mashumë individualitetin e së drejtës ndërkombtare si shtet sovran, gja që do të shihet në vazhdim, që kishte fillue të realizohej.
Shfaqja e tendencës së kundërt u perftue nga konsiderata e faktit të humbjes së luftës nga ana e Boshtit. Këte fakt nuk e përjashtojshim tansisht as né të tendencës së lealitetit deri në fund.
Mendimet, sigurisht, ndryshonin në qendrimin që duhej të mbante Shqipnia. Njena palë mendojshin se qindrimi e veprimi duhej caktue e ndjekë në atë mënyrë deri ku ta lejojnë rrethanat, me mujtë me e ruejtë vendin të padamtuem, tue mos u perzi në përleshjen e gjigantëve, kështu, me mujtë me përballue luftën e vërtete per mbrojtjen e Atdheut, që e parashihshim të paevitushme në rast të humbjes së luftës nga Boshti.
Objektiv ky, vërtetë i veshtirë per tu arrijtë, por jo i pamundun. Mundësia e logjikëshme mbështetej nësa vijon:
a)Shqipnia e vogël, vend i okupuem ushtarakisht që para luftës, pa politikë të jashtme autonome e pa ushtri, gjendje kjo e njohun de facto, menjëherë mbas Prillit të 1939, nga vetë shtetet në luftë, në bazë të normave ndërkombtare, ajo nuk mund të konsiderohej në luftë pro o kundër njenës apo tjetrës palë.
b)Per t’arrijtë ketë qellim, e kështu, me mujtë jo vetem me u ruejtë po edhe me u forcue, Shqipnia nuk mund të hynte n’ aventura e lojna të dyanëshme pa rrezikue me humbë të dy “shalqijtë”, prandej, duhej të mbahej leale me Italinë mbrenda domethanjes së Statutit të Bashkimit Personal, dhe aq ma tepër kur Italia, nuk kerkonte pjesmarrje ushtarake të Shqipnisë jashtë kufinjve të saj. Vetëm në këte mënyrë mund të përfitohej me ruejtë e me shtue begatinë ekonomike, që me një vrull të pashembull kishte sjellë bashkimi me Italinë, kështu, me mujtë edhe me u armatosë.
Tjetra palë mendonte ndoshta, se lëvizja me sabotime e veprime të vogla e sporadike luftimi kundër Italisë, do ti jepte mundësinë të fitohej nga ana e tyne simpatia e Aleatëve mbas lufte.
Mund të pohoj pa frikë përgënjeshtrimi se në mes të dy palëve kje arrijtë verbalisht, në pajtim mendimesh si vazhdon:
Njerëzit qi kishin përgjegjësinë e qeverimit, do të mbaheshin leal me Italinë, pra, zyrtarisht, Shqipnia duhej t’ ishte leale. Ata të tendencës tjetër, me disa manifestime jodamtuse e tepër komprometuese, do të përpiqeshin me perfitue simpatinë e Aleatëve, kështu, ky do t’ ishte një korent i konsideruem “mik i tyne”, dhe do t’ ishte edhe një rrezervë per të marrë pushtetin, në rasë se Boshti do të humbte luftën. Njerëzit e këtij korrenti do të mbroheshin nga qeveria kundër masave eventuale që ushtria italjane do të merrte kundër tyne. Prandej, i kishin shpatullat të mbrojtuna. Nëse kjo politikë ishte ajo që kshillojshin rrethanat n’interesin kombtar, apo “kolaboracionizëm tradhëtije”, kujtoj, se tashma, koha e ka dallue padyshim dhe mundësi tjera intërpretimi.
Dëshmi asht vetë fakti tragjik, që Shqipnia, pësoj mbas luftës e fitorës së Aleatëve emnin “demokratike – bolshevike”!
MARRVESHJA U THYE – SHQIPNIA HUMBI
Disa nga né…i kemi qendrue besnikë rrugës së paracaktueme në çdo rrethanë, nuk e kemi quejtë të dobishme politikisht me ua vue pushken ushtarit të shpartalluem italjan e as atij gjerman kur po tërhiqej nga vendi ynë, në një kohë që nuk kishim asgja të garantueme nga Aleatët..
Kemi vazhdue të mbajmë qendrim leal me çdo therori, simbas një programi të caktuem që në fillimin e gjendjes së re të Shqipnisë, tue u përpjekë me i sigurue përsonalitetin e sovranitetit që në kuadrin e Unionit që përcakton e Drejta Ndërkombtare në marrdhanjet midis popujve. Kemi qendrue besnikë me objektiv të caktuem e largëpamës, me synimin që ti sigurojmë Kombit t’ ardhme të mirë dhe të sigurtë politike, kulturore, ekonomike dhe zhvillimi nacional, në kuptimin përparimtarë të kohës.
Këte rrugë e kemi ndjekë pa iu shmangë deri në kapitullimin e Italisë. Nuk na asht dukë në interesin kombtar me provue me hangër me “dy lugë”, ashtusi vepruen disa të tjerë, domethanë, deri sa kje Boshti në fitore, leal me Boshtin, dhe gjendjen e re që kje Shqipnia! E porsa i rrëshqitën kambët Musolinit, ishin kundër Italisë.
Me përjashtim t’ Abaz Kupit, që ka qendrue në Jugosllavi prej Prillit 1939 e deri në pushtimin e Jugosllavisë, dhe mandej, përherë ilegal dhe përveç Kryezezëve, ish nënshtetas jugosllavë, prej okupimit të Jugosllavisë e deri mbas ramjes Musolinit, që kanë kenë t’ interrnuem në Ventotene, e prap mavonë ilegal, per shkak se në Prill të 1941, u kishin prijë ushtrive jugosllave per t’ okupue Shqipninë, e që bashkë me ta ka kenë edhe Abaz Kupi, njerëzit tjerë ma përgjegjësa të grupeve të sotme politike që deklarohen antifashistë, kanë kenë po, si disa prej nesh të B.K.I., bashkëpuntorë drejtëpersëdrejti ose tërthorazi, gjithnjë me rregjimin e Bashkimit deri kohët e fundit.
Disa prej tyne po, kanë fillue veprime sporadike sabotimi, sidomos tue shtye rininë t’ arratisësh nder male mbas fillimit të veprimtarisë komuniste, e që patjetër ata përfundojshin nder kthetrat e komunistëve, tue shtue rradhet antikombtare të kolonës së pestë sllave. Po, kanë ba edhe aksjone sporadike armësh me ndonjë grup të ushtarëve italjanë t’ izoluem, sidomos mbas 25 Korrikut 1943 kur Musolini ishte burgosë, pra, kur fashizmi kishte ra edhe në Itali dhe dalja e Italisë, së shpejti nga lufta shifej si fakt i paevitushem. Atëherë po, disa prej tyne që kanë guxim të quejnë veten puritanë, supërpatriotë,…dhe né të tjerëve tradhëtarë, kapën pushkën e sëbashku me pizhama e pantofla, na dolën ilegalë kundër “fashizmit”, që nuk ekzistonte ma.
Nëse këta zotnijë përpiqen të shtrembnojnë të vërtetën per të gënjye naivët me demagogjinë e tyne të pakrypë, atëherë, po i pyes: Ku ishte Mit’hat beu, e ku ishit ju, deri me 25 Korrik 1943? A asht e vërtetë apo jo, se Mit’hat Frashëri zhvillonte lirisht propaganden e Tij, kundër rregjimit, që e mbronte dhe vazhdonte të gëzonte frytin e kontratës së furnizimit të shkresurinave të zyreve qeveritare (monopol i Tij), dhe ju, të tjerët keni vazhdue të merrni rregullisht rrogat e nëpunësisë së rregjimit fashist? Aksjone armësh të çetave të tyne para 25 Korrikut, e përherë në bashkpunim me komunistë, kanë kenë tepër të pakta per me mujtë me u quejtë rrezistencë në kuptimin e vërtetë të fjales.
Kjo, asht e vërteta lakuriq e jo, përrallzat e propagandës së sotme. Né të B.K.I., edhe sot që kemi humbë gjithshka përveç, ndërgjegjës së paster kombtare, e quejmë veten të qetë dhe kryenaltë që në rradhët tona nuk kemi të tillë kapadainjë…
Veprimet e rezistencës së anës kundërshtare deri me ramjen e Musolinit, mund të stigmatizohen në dy kuptime: Bisedime kafeneshë nënza, që prej hotel Dajtit tek kafe Kursal dhe tek Dhoma e Këshilltarëve të Shtetit, qi edhe ajo kishte fizjonomi kafehanje, e vazhdonte, deri tek libraria e Lumo Skendos, si dhe nder shkollat e mesme që disa arsimtarë i kishin këthye ato në palestra propagande politike, pa kurrfarë parashikimit të dobishme per t’ ardhmën e Atdheut.
Po, fitili i shkatrrimit të misionit edukativ t’ arësimit, dhe shtymja naivisht e rinisë drejt komunizmit, janë vërtetë vepër e kapadainjëve të sotëm “rezistencjalistë” t’ asaj kohë!
KRAHASIME
Per të mujtë me formue gjykim të paanshëm e kështu, edhe me përcaktue përgjegjsitë, asht nevoja të bahen krahasimet e veprimtarisë së dy palëve, tue shenue rrethanat e mënyrat në të cilat asht veprue që nga data 7 Prill 1939, dhe deri sa kemi lanë Atdheun.
Po filloj nga né t’ akuzuemit bashkpuntorë, fashistë e tradhëtarë!
***
Zbarkimi i ushtrisë italjane në Shqipni (7 Prill 1939), ka kenë ngjarje e papritun dhe e padishrume edhe per né, ashtusi per të gjithë Popullin Shqiptar. Këte do ta provoj me fakte që rrëzojnë poshtë të gjitha fallsifikimet, përfshi këtu edhe ato të famëshmit telegrame drejtue Duçes.
Kundërshtarë të qeverimit të maparshëm ka pasë deri ditën e 7 Prillit 1939 si nga njerëzit e sotëm të Blokut, nder të cilët kundërshtarë përfshihem edhe unë, poashtu, edhe nga ata që janë rreshtue nder grupet tjera politike, por në ditën 7 Prill1939, per né ka kenë vetëm një problem dhe ky, krejt i ri dhe i papritun.
Ky problem ishte ATDHEU NË RREZIK, prandej, e quejshim detyrë urdhnuese të bajshim armëpushim politik ndaj së kaluemes, dhe ti viheshim në dispozicion pakushte Mbretit dhe qeverisë përgjegjëse per mbrojtjen e Atdheut. Në kuptimin tonë kombtar, n’ atë rasë Mbreti Zog ishte simboli i pavarësisë dhe sovranitetit të Kombit.
I shtymë nga kjo ndjenjë, Kapidani i Mirditës Gjon Markagjoni, i ofroj Mbretit telegrafisht solidaritetin e Tij, tue u shpreh i gatshëm me rrokë armët per me luftue kundër sulmuesit.
Unë që rastësisht u gjeta në Shkoder, porsa ndigjova në radio lajmin e sulmit italian, iu paraqita Prefektit të Shkodres z.Javer Hurshidi, dhe i bana këte deklaratë: Ndigjova kumtesën e qeverisë së sulmit italian. Ju më konsideroni një nder kundërshtarët e këtij sistem qeverimi, sëpaku, kundërshtar pasiv. Per të kjarue poziten time morale politike të deri tanishme e per t’ iu hjekë çdo dyshim ndaj lealitetit e ndjenjave të mija, mbas kësaj ngjarje të dhimbëshme pohoj, se deri sot ishe kundërshtar aktiv dhe se do të kishe ba çka do të kishem mujtë me e ndryshue ketë gjendje, sigurisht, po të me ishte paraqitë rasa, pa damtue interesat e Atdheut e institucionin e Monarkisë. Sot vihem në dispozicion të Mbretit dhe të Qeverisë, me luftue me pushkë në dorë, pa asnjë kusht e as pretëndim, kundër ushtrisë së huej sulmuese. Sot per mue e per gjithë Shqiptarët e denjë per këte Emen, Mbreti Zog asht simboli i pavarësisë dhe i vazhdimit të jetës së Kombit sovran. Ju lutem, më siguroni disa qinda armësh e po u qes kushtrimin miqëve nder Malësi. Sigurisht, kanë me iu përgjegjë këtij kushtrimi! Unë jam gati të derdhi gjakun e t’jap jeten nën urdhna të Mbretit!
Betohem, se do të qendroj besnik e do të luftoj burrnisht!
“Nuk kemi armë!” – mu përgjegjë!..
Insistova të lejohesha me shkue të luftoj në Shën Gjin, sëpaku me ata pak djelmoça t’ armatosun që kishe me vete! Ai më tha: T’ urdhnoj, të rrijsh i mbyllun në shtëpi dhe mos të lëvizësh, as mos të bajsh kontakte pa urdhnin tim, perndryshej, do të shtërngohem të marrë masat e rastit.
Kuptohet se nuk me besoj! Kjo u provue nga fakti që porsa u këtheva në shtëpi, Prefekti u ndau treqindë armë postribasëve, të cilët, në vend që të shkojshin në front, disa shkuen në shtëpi me mauzerre në cep të krahut, e disa rrethuen burgun per të lirue të burgosunit.
Këto që them, nuk janë trillime të sotme per të mujtë me perligjë veten dhe miqtë, po janë fakte që i kam deklarue botnisht, po kështu si i rreshtova, edhe nder konferencat që pata fillue në theatrin Majestik të Korçës, (kujtoj, në Mars të 1940), janë botue po atë vit nga DISTAPUR, organ i Ministrisë së Kulturës Popullore, tek fashikulli me titull “PËRMBLEDHJE KONFERENCASH – Kolë Bib Mirakaj”.
Në një kohë pra, që Italia, renditej nder pushtetet e fuqishme të Botës, që si e tillë ajo kishte pushtue një perandori, dhe dhanë kontributin vendimtar per fitoren kundra bolshevizmit në Spanjë, njëkohësisht gjindej edhe pushtuse ushtarakisht e Shqipnisë. Këto janë fakte që rrëzojnë poshtë çdo trillim që synon të na atribuojnë si “inteligjencë” me të huej per me pushtue Shqipninë, siç prëtendojnë në mënyrën ma shburnore kundërshtarët tanë të vonshëm. Rrëzojnë çdo trillim të tillë, pse në kohën që janë shqiptue publikisht këto deklarata e vue e zeza në të bardhë, po të mos ishin të vërteta, s’ do të kishte pasë burrë as guximin me i shqiptue, e fortë vështirë ishte me i pohue botnisht edhe tue kenë të vërteta.
Por unë, nuk kam pasë kurrë frikë të përballoj të vërtetën dhe ta vërtetoj e ta mbroj até. Shpresoj, se i tillë kam me qendrue derisa të kemi frymen!
Shefqet Verlaci, siç dihet, nuk ka kenë në marrdhanje të mira me Mbretin Zog e rrethin e tij, që prej disa kohe, e ishte ato ditë në Elbasan. Ai ka pasë mundësinë e padiskutueshme po të kishte dashtë, me i ndalue përsonalitetët e rregjimit që ikën tue kalue nepër Elbasan, e ndoshta, edhe vetë Mbretin Zog, tue ua zanë rrugen në ndonjë ngushticë të Shkumbinit, ku do të kalojshin medoemos, por nuk e bani këte. Nuk e bani pse per Shefqet Verlacin e burra si Ai, n’ atë rasë nuk mund të ishte ma çeshtja, çeshtje pasionesh e hakmarjesh, po ishte çeshtje Atdheu, dhe nuk duhej lejue as per vete e as per të tjerët, ti vihej një njollë e zezë historisë!
Mustafa Kruja, as nuk asht rregjistrue në B.K.I., as nuk më lidhë asnjë interes apo miqësi e posaçme me Te, (flas per kur kam rradhitë këte dokument, vërtetë asgja e posaçme nuk më lidhte me Mustafa Krujen. Tani jemi krushqë, meqë i biri i Tij marton mbesën time në kampin e interrnimit, në Savër të Lushnjes). Madje, në ndonjë rasë per çeshtje që i përkisnin politikës së mbrendëshme, kam pasë edhe mosmarrveshje e pakënaqësi me Té, kur Ai ishte Kryeminister e unë Minister-Sekretar i P.F.SH., në kabinetin e Tij, mbas pushimit të Dr. Jup Kazazit, por ndjej per detyrë të dëshmoj të vërtetën edhe per Atë burrë e patriot të vjetër e të shumvujtun, në lidhje me ngjarjet e Prillit 1939.
Në përfaqsinë që caktoi Asambleja e 12 Prillit per të shkue në Romë per formalitetin e ofrimit të Kunorës, ishe edhe unë. Mustafa Kruja ndollej në Zvicërr. Gjeta rasen e u vuna në lidhje telefonike me Té.
I kerkova me ngulm të vinte në Romë e të këthehej me né në Shqipni. Mu përgjegj se: “E kishte këputë malli per Atdhé, tue pasë kalue pjesën ma të bukur të jetës larg Tij, po fati i zi e paska thanë ndoshta, mos me e pa e gëzue ma kurrë. Kam kenë kundërshtar i Zogut e jam përpjekë me mundësitë e mija të vogla per ndryshimin e qeverisjës në Shqipni, per me mujtë me kthye në bazat e Statutit të Lushnjes, që të rifillohej ndertimi i shtetit me baza moderne europjane; po një ndryshim të tillë me okupacion të huej nuk e kam dëshrue kurrë, megjthqë, kam qenë përherë përkrahës i politikës e i marrdhanjëve ma të mira me Italinë. Zhvillimi i ngjarjeve në mënyrën që u përfundue me ka zhgjetue. Nuk e ndjej vetën të jem i dobishëm e prandej, më mbushet mendja ti shtrohem fatit e të hjek dorë prej politike, derisa, fati mos të sjellin raste ma të mira per Kombin.”
Vazhdoi: “Ju, keni ba mirë, e keni krye një detyrë kombtare tue i hy përgjegjësisë, se duhej ti hynte dikush e jo, kushdohi! Jam i bindun se ju burrat e Shqipnisë, që i keni hy kësaj punë, jeni ma të përshtatëshmit per kohen e per ngjarjet, dhe nuk do të leni gja mangut përsa kanë me ju lejue rrethanat. E çmoj barren e randë e delikate dhe therorinë t’uej. Fati i Shqipnisë sot asht në doren e fituesit e në veprimin tuej t’ urt’ e guximtar njëherit, mbasi gjithë Bota na la në baltë.
Përpiquni të shpëtoni çka të jetë e mundun, Zoti Ju ndihmoftë!”
Ju përgjegja: “Né kemi shpresë të madhe në Ty, e patriotë të tjerë që jeni tash 15 vjetë në mërgim. Kemi shpresue se tue marrë edhe ju përgjegjësinë që u përket në ketë gjendje të papritun e të pasigurtë, do të mund të ndikojshi me përsonalitetin, të kaluemen e miqësitë Tua, me e lehtësue fatkeqësinë. Kam bindjen se bash sot, mund ti vleni Atdheut ma tepër se kurrë! Realiteti i hidhun i sotit, duhet shembllue me shtëpinë që ka marr zjarr! Mbrendë kemi familje e plaçka që po digjen. Duhet të hyjmë mbrendë me shkimë zjarrin, me shpëtue çka të jetë e mundun, ose me u djegë edhe né vetë mbrenda. Sidoqë të jetë, asht gjasa se kushdo që të hyjnë në ketë zjarr, pak a shumë ka me u përzhitë, por bash per ketë arësye na duhet me pasë guxim me krye detyrën. Ju, me shokë nuk duhet të rrini tue shikue nga larg, tue fsha e tue lotue; fshamja e lotët në të tilla raste nuk japin asnjë dobi. Mustafë! (Përfundova fjalen): Unë nuk jam i autorizuem prej askujt t’ Ua baj ketë thirrje dramatike, as nuk kam tjetër cilësi zyrtare o shtytje, përveç nëvojës që ndjej në shpirtin tim, i bindun se kështu e lypë interesi i Atdheut, në ketë gjendje të papritun. Jam i bindun se jam tue shpreh ndjenjen e shumicës së Popullit Shqiptar që U njeh!
Po, Ua përsërisë, unë e quej detyrë që nuk mund ti shmangeni Ti, as shumë patriotë të tjerë, që jeni tash pesmëdhjetë vjetë jashtë, që duhet të vini e të na ndihmoni!
Mu falnderës per ndjenjat e mija, dhe përfundoj me këto pak fjalë:
“Nuk mund të marr vendim pa bisedue e vendosë me shoket!”
Ky bashkbisedim telefonik u zhvillue (nga ana ime), nga shtëpia e z. Profesor Ernest Koliqi, ku profesori, ishte prezent.
Ma vonë u riatdhesue Mustafa Kruja e tjerë refugjatë të periudhës pesmëdhjetëvjeçare. Ai nuk u perzi në punët e qeverisjes deri disa muej mbasi mbaroj lufta me Greqinë e Jugosllavinë, e derisa, elita nacionaliste e kulturore Shqiptare kerkoi me kambngulje të merrte kryesinë e qeverisë, mbas dorëheqjes së qeverisë së kryesueme nga Shefqet Verlaci.
Per të vërtetue se asnjë miqësi e posaçme o interesi nuk me lidhte me Mustafa Krujën, as para as mavonë, mjafton fakti që Ai, nuk më emnoi as mue, as Vangjel Koçen, Minister-Sekretar të P.F.SH.
Në kabinetin e Tij, po federalin e Durrësit Jup Kazazi. Sigurisht, Mustafa Kruja asht në gjendje ma mirë se unë e kushdo, me dokumentue para Kombit e historisë, vepren e gjatë plot vujtje të Tij persa i perket çeshtjes kombtare, e sidomos së kohës së rregjimit t’ Unionit.
Që ka heshtë e vazhdon të heshtin kundër shpifjesh poshtnuse e deri shamjesh banale, këte sigurisht, e ban nga ndjenja ma fisnike e vetëmohimit dhe e atdhedashunisë, se nuk e quen të dobishme në ketë gjendje të sotme per çeshtjen kombtare, me shtrue kartat në shesh.
Njëditë, duhet ta bajnë patjetër per hirin e së vërtetës…
Ai u terhoq nga veprimi politik pothuej krejtësisht që me 1943, e sidomos, gjatë këtij mërgimi akoma rrinë në heshtje, ndoshta, pse asht tepër i plagosun në zemër e paburrnisht, nga njerëz që nuk ia vlenë as sa thonjtë e kambës, nga njerëz qi vetflijimin e Mustafa Krujës as nuk mund ta durojnë dhe ta përballojnë as n’ andërr.
Persa kam pasë rasë ti njoh burrat e Shqipnisë (në rasa e kohë të mjaftueshme per të mujtë me dhanë një gjykim) mund të them se, nëse ndokush nder ta e meriton cilësinë që të quhet Burrë shteti e patriot, këto cilësi i ka Mustafa Kruja, me të vërtetë; nder’ e vlerë kombtare, kur atyne cilësi i shtohet edhe kultura e gjanë e Tij. Prandej asht dam i madh që një vlerë e tillë të struket anash…
Megjithse, edhe unë jam i akuzuem nga “ata” që patriotizmin e kanë në maje të gjuhës, dhe “therorinat” i bajnë në tavolinat e kafeve, e ndiej per detyrë të baj edhe një tjetër dëshmi ndaj këtij Burri:
Prej Majit 1942, e deri në dorheqjen e kabinetit, kam kenë edhe unë Minister – Sekretar i P.F.SH., në qeverinë e Tij, dhe kam pasë rasë ti ndjek e njoh imtësisht ndjenjat e Tija, përpjekjet e zotsinë e shqueme, dhe dishmoj para Zotit e Kombit, se: Gjithë vepren e Tij, Ai e ka zhvillue me ndjenjën ma të kullueme per të mirën e Atdheut, per aqsa e kanë lejue rrethanat e kohës. Ndershmëninë e Tij ia dëshmon gjendja e Tij në këte mërgim: Ai kje pa bukë në bark e pastrehë ku me shtij kryet mbrendë, po të mos kishin kenë thonjtë e së motres e bujaria e Mbretit Zog.
Asht Ky, e jo “ai”, që disa të pandërgjegjshëm donë ta paraqesin, kush asht Mustafa Kruja. E per tashti, po e la me kaq ketë atdhetar e Burrë të shquem dhe shumë të vujtun, per të shpjegue prap tjera gja në rradhën e veprimëve tona.
***
Prof. Dr. Ernest Koliqi: Ishte në Itali shumë kohë para ngjarjeve të 7 Prillit 1939. Që prej 1935, kje emnue Lektor i gjuhes shqipe n’ universitetin Padova, dhe asistent pranë Albanologut të ndritum Carlo Tagliarini, që mbante katedrën e Gjuhës Shqipe n’ atë universitet. Në fund të 1937, u krijue katedra e Gjuhës Shqipe n’ universitetin e Romës, ku kje ngarkue me dhanë mësime n’atë katedër. Në Tetor të 1939 kje emnue titullar -ordinar i sajë, të cilën e mban edhe sot, tue i ba nder gjuhës e kulturës së Tij, të rendit të parë. U emnue minister i arsimit nga Asamblea e 12 Prillit 1939, në kabinetin e Shefqet Verlacit, pa pasë kenë prezent dhe pa e pasë pritë fare atë detyrë.
Me rastin e ardhjes në Romë të dërgatës që caktoi Asamblea per ofrimin e kunorës së Viktor Emanuelit III, Dr. Koliqi, i shoqnuem prej njenit nder eksponentët ma të shquem të Shkodres, që bante pjesë në dërgatën per ofrimin e kunorës, kje i pari Shqiptar që filloi përpjekjen zyrtare e miqësore njëherit, per të vue në dukje para qarqeve të nalta zyrtare italijane, paknaqësinë e Popullit Shqiptar, e kryesisht, të atyne përfaqësuesëve të Shkodres per zhvillimin e përfundimin ngjarjeve. Këte pakënaqësi, ia pat shprehë delegacioni i Shkodres vetë Kontit Ciano, në mengjezin e 12 prillit në banesen e Legatës italiane në Tiranë. Sëbashku me atë eksponent shkodranë, emnin e të cilit nuk mund ta përmendi, mbasi gjindet në Shqipni, bani takimin e parë formal zyrtar edhe me Jakomonin, në hotel Exelsior, po i përcjellun prej Tij, me Ministrin e Punëve të Jashtme t’ Italisë kontin Galeazzo Ciano. I deklaroj edhe kontit Ciano se përfaqësia e Shkodres veçmas, dhe e Shqipnisë në përgjithësi, ishin shumë të shqetesuem per fatin e Kombit në ketë gjendje të re, të pakjartë mirë në frymen e kuptimit të së Drejtës Ndërkombtare, në marrëdhanjet e ardhëshme në mes të dy popujve tanë, që ishin në dyshim në lidhje me indipendencën e integritetin e Shqipnisë.
Ky shqetësim – i tha – asht logjik dhe përforcohet nga gjendja e pushtimit ushtarak: Prandej, nëse Italia, nuk ka qellime të mëshefta në dam të Shqipnisë, asht nëvoja të bahen disa deklarata të hapta rreth kësaj çeshtje per të qetësue dhe sigurue opinionin Shqiptar.
Konti Galeazzo Ciano, rikonfermoi prap deklaratën e Duçes të shpërndame përpara nga agjensia Stefani, në të cilën thohej: “Ushtritë Italjane do të tërhiqen nga Shqipnia porsa të vihet rregulli dhe të skjarohet ma mirë gjendja ndërkombtare!” Përveç, kësaj, Ciano, premtoi deklarata solemne ato ditë, si até të manifestimëve e takimëve zyrtare që do të zhvilloheshin shpejtë, dhe autorizoj Koliqin, që në fjalimin që do të mbante në Shkoder, të deklaronte botnisht:
1)Se, Pavarësia e Shqipnisë do të respektohet.
2)Se, porsa të kalojshin kohët e vështira, një princ i Shtëpisë Savoia, do të vinte Mëkambës i Mbretit në Shqipni.(1)
3)Se, ushtria italiane do të tërhiqej nga Shqipnia, porsa të stabilizohej gjendja ndërkombtare.
Po në atë audjencë, Konti Ciano i autorizuem prej Duçes, dha premtimin solemn me realizue aspiraten ma të madhe e të shenjtë që kishte me të drejtë me e kerkue dhe fort per zemër Populli Shqiptar: “SHQIPNINË E MADHE NDËR KUFIJTË ETNIKË”!
Edhe sot mbajë mend pjesët ma me rendësi politike të fjalimit që Profesor Koliqi, shqiptoi nga balkoni i Bashkisë së Shkodres, mbasi u kthyem nga Roma.
Ai tha: “…Situata e re duhet peshue ma tepër me gjykimin e ftohët të mendjes, sësa me ndijesitë e zemrës… Prej kësaj situatë të padëshrueme krijue nga rrethana ma tepër të gjendjes së turbullt ndërkombtare sësa nga shkaqe të mbrendëshme, me matuni, vullnet të pathyeshëm e sidomos, me frymzim realist, Shqipnia mund të nxjerin dobi të ndieshme e ndoshta, edhe aq të mëdha sa të paprituna kombtare, por të dëshrueme nga të gjithë e që vetëm me fuqitë e veta nuk do të mujte ti arrinte kurrë. Aludonte per kthimin e Tokave irredente në gjiun e Atdheut, që u realizue në muejn Prill të vitit 1941.
Përgjegjësi i politikës së jashtme italiane, konti Galeazzo Ciano, më ka ngarkue ti deklaroj Popullit Shqiptar se: Pavarësia e Shqipnisë do të respektohet e sigurohet, ushtria italjane do të terhiqet nga Shqipnia porsa të skjarohet gjendja e turbullt ndërkombtare, që sot asht mjaft e errët. Me tu kjartësue kjo gjendje, një princ i Shtëpisë Savoja do të vijnë Mëkambës Mbreti. Më ka premtue, në prani të z. Nush Topalli, që kam këtu pranë edhe dishka tjetër shumë të lumtun per Kombin Shqiptar, por që sot nuk mund të deklarohet botnisht…
Mbetë në ndershmëninë e vullnetin tonë, me dijtë me përfitue nga rrethanat, per të ruejtë, përmirësue e realizue interesat ma të mëdhaja të Kombit. Per t’ arrijtë në përfundim të tillë, asht i domosdoshëm një kusht që mëvaret nga né Shqiptarët.”
Koliqi e filloi punen e Tij si ministër, tue vizitue shkollat e tue inkurajue arsimtarët që te jenë ma të zellshëm në misjonin e shenjtë të tyne edukativ e kombtar. Kudo ndër fjalimet e Tij, theksonte se nuk do të pranonte kurrë që shkolla e gjuha shqipe, të pësonin dam nga gjendja e re, po përkundrazi, ato do të zhvilloheshin ma me vrull se përpara. Shpjegonte se per t’ arrijtë rezultate të mira, i duhej dhanë rendësi ma shumë frymës së çeshtjes sësa dukjes. Ishte besnik i patundun dhe manovrues i hollë mjeshtrije politike, po dhe gjakftohtë. Ai kje faktori vendimtar që ndaloi që mos vihej gjuha italjane, si gjuhë e dytë zyrtare në Statutin e ri të Shtetit.
Në fillim të Qershorit 1939, një delegacion Shqiptar i përbamë nga ministra e parlamentarë, shkoi në Romë per të marrë në dorzim Statutin që do t’ jepej nga Mbreti. Diten që do të bahej ceremonia e dorzimit, Koliqi mori vesh se në Statut ishte caktue si gjuhë zyrtare shqipja dhe italishtja. Menjëherë i shoqnuem nga Jakomoni e Benini, u paraqit tek ministri Ciano, të cilit me talentin e Tij të hollë e bindës, i deklaroi: “Unë mund të quhem Minister i Arësimit Shqiptar, vetëm në virtyt të gjuhës Shqipe, e cila në këte mënyrë do të gandohej aq randë sa do të humbte domethanja e një shteti sovran. Prandej, si përgjegjës i Arësimit Shqiptar e shkrimtar modest i Gjuhës Amtare, nuk mund të pranoj përgjegjësinë që në ketë rasë bije mbi mue si Ministër i Arësimit”.
Në pak minuta e bindi kontin Ciano per tezën e Tij, i cili shkoi menjëherë ti tregojë Musolinit, prej të cilit nxori pelqimin që të bahej korrigjimi i Statutit, tue hjekë gjuhën italishte. Kështu, po atëditë, asht dashtë të shtypej rishtas ajo fletë e Statutit e korrigjueme, punë që u krye menjëherë në shtypshkronjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Po atëditë, Statuti iu dorzue me solemnitet dergatës Shqiptare nga Mbreti.
Gjuha italishte ka kenë e detyrueshme si gjuhë e dytë nder shkolla të mesme edhe në rregjimin e maparshëm. Ajo pat kenë ba e detyrueshme që kur ishte Mirash Ivanaj Minister i Arësimit, e ashtu vazhdoi dhe gjatë rregjimit t’ Unionit, gja krejt e dobishme që një gjuhë e huej të mësohej nder shkollat e mesme, siç veprohet në gjithë boten e përparueme.
Janë aq të shumta veprimet e prof. E. Koliqit në dobi t’ arësimit Shqiptar gjatë kohës që ai kje ministri përgjegjës, sa me i rradhitë të gjitha, kishte me u dashtë një volum i posaçem, prandej, jam kufizue me përmendë ato që tregojnë squetsinë politike dhe atdhedashuninë e Tij.
Pjero Parini që ishte me cilësi këshilltari pranë Kryeministrisë, pat kerkue me ngutësi të viheshin mësuesa e fëmijë italjanë edhe nder shkolla fillore, e per rrjedhim, edhe gjuha italjane si gjuha shqipe, gjuhë mësimi.
Prof. Koliqi, edhe pse ishte nxanë befas, iu shmang per me e bisedue menjëherë e pavonesë, tue shkue tek Mëkambësi i Mbretit. Mbasi i referoi çeshtjen atij, i deklaroi se n’ asnjë mënyrë kjo kerkesë nuk do të pranohej, persa Ai, do të mbante përgjegjësinë e dikasterit t’Arësimit. Jakomoni që njihte e çmonte fort mirë rendsinë e çeshtjes e delikatesen e saj, iu lutë Prof. Koliqit, që të mos bahej protestë per ketë punë, dhe sëbashku kombinuen planin e manovrimit me të cilin çeshtja u vue në heshtje, dhe nuk u përmend ma në Këshill Ministror, e as nuk u vue në veprim mendimi i propozuesit. Ai mandej, u ngarkue me misjone të një rendsije të rendit të parë dhe gati përherë jashtë Italije, mbasi nuk kishte arrijtë të kuptojë psikologjinë shqiptare e as njerëzit që kishin përgjegjësi në qeverisje, e ndoshta, as Statutin që rregullonte marrdhanjet midis dy popujve tanë. Ma vonë edhe Ai e kuptoi realitetin dhe u ba vërtetë mik i Shqipnisë. Kjo çeshtje u zgjidhë tue hapë kurse të lira vullnetarësh që dishronin me studjue italishten në qendrat e Institutit Dante Aligheri.
Nderkohë Prof. Koliqi, shpejtoi shtypjen e librave shqip jo vetëm per shkollat fillore, po dhe per të mesmet, e meqë Ministrisë i mungojshin fondet e nevojshme, dijti ti mbushin mendjen Beninit (Nënsekretar i Shtetit per Shqipninë, pranë Ministrisë së Jashtme), që të nxjerrin pelqimin nga Musolini me marrë përsipër shpenzimet per shtyp, dhe kështu, shtëpia botuese Valecchine Firenze, u pague tansisht nga Ministrija e P.Jashtme italjane, rreth një miljon franga shqiptar. Nuk vonoi e doli një çeshtje tjetër me rendësi, per tu vue në dukje rreth Arësimit Shqiptar.
Mbas këthimit të Kosovës dhe të tjera viseve të Lirueme në gjiun e Atdheut, kje ba një mbledhje ekspertësh shqiptar e italjan pranë Këshillit Ministror, per me vue bazat e administratës Shqiptare në Tokët e Lirueme. Nder ta, një ekspert arësimi italian, propozonte që të ndiqej sistemi që kishte ndjekë Italia me ligjët tranzitore mbas Luftës së Parë Botnore, në Alto Adige, përsa i përkiste arësimit. Shtonte, se kjo u ishte këshillue nga Roma. Prof. Koliqi, që nganjëherë, në raste që i prekin ndjenjën, e humbë gjakftohtësinë, bani reaksjon violent e doli nga Këshilli Ministror per protestë. Çeshtja u shtye per tu bisedue njëtjetërherë …por, nga Ministri ynë, ajo nuk u la në heshtje.
Njëmendimi me kryeministrin Verlaci, i cili i vuni në dispozicion fondet e nëvojshme per planin që kombinuen bashkë, u vendos nga Prof. Koliqi, që kjo që do të tregoj të bahej fakt i kryem. Dergoi dyqind arsimtarë gjatë pushimëve verore në Tokët e Lirueme në 1941.
Këta gjoja po shkonin per studime, por të ngarkuem me misjon “sekret” që të pushtonin shkollat, e të përgatitshin hapjen e tyne në Gjuhë Shqipe per të gjitha klasët. Kështu, në virtyt të vullnetit, taktit dhe të guximit të Ministrit t’Arësimit e të Kryeministrit, shkolla Shqipe, filloi veprimin prej klasës së parë fillore dhe deri tek e fundit lice, po në vjeshtë të vitit 1941, atij viti të Kosovës së Lirueme, të porsa hyme në gjiun e Nanës së vet Shqipni.
Në këte mënyrë u evituen bisedimet me Romen.
A nuk ishte kjo një vepër per t’ ia çmue Kombi dhe historia me mirënjohje këtij “pionieri” që quhet Ernest Koliqi, që vuni per të paren herë bazat e arësimit Shqiptar, n’ ato shkolla ku parandej nuk guxohej të flitej as në Gjuhë Shqipe? A nuk asht pjesa ma e madhe e kësaj vepre meritë e Tija, që arësimi në Gjuhen Shqipe, jepet edhe sot n’ato shkolla megjithse, ato Tokë janë këthye rishtas nën pushtimin jugosllav? A nuk kje kjo veper (sëbashku me Lirimin) vuemja e themelit të Shqiptarizmit në Kosovë? Kush ka guxim me perçmue patriotizmin e një Burri të tillë veteran? Mohimi, domethanë, që me vetdije me kalue nder kufinjtë e një paturpësisë, që të çon gati n’ imoralitet.
PROJEKTE E REALIZIME PER ARËSIMIN
Gjatë kohës që Prof. Koliqi drejtoi atë dikaster Ai realizoj:
Gjimnazin per ma shumë se njëmijë nxanës, në Bulevardin e madh të Tiranës.
Institutin Femnor me konvikt ngjitë, në kodren kundruell varrit të Nanës Mbretneshë në Tiranë.
Instituti teknik në Laprakë, Tiranë.
Projektet per fondet e sigurueme dhe fillimin i punimeve per ndërtesen e Normalës së Elbasanit.
PROJEKTE ME FONDE TË GATËSHME:
Dy institute të mesme në Korçë.
Një institut i mesëm në Gjinokastër.
Një institut i mesëm në Vlonë.
Një institut i mesëm në Durrës.
Një institut i mesëm në Shkodër.
Në Shqipninë e vjeter u ndertuen 200 shkolla fillore të reja, me banim per mësuesit me dy dhoma. Ato të fushatës me sistemin “Pater”, e nder male me mure. Në Tokët e Lirueme, përveç ndertesash moderne të lana nga jugosllavët, janë marrë disa ndertesa private me qera, per me plotësue sa ma shpejtë nevojët e arësimit lokal në ata vende.
***
Në Shkoder, per me ndalue konkurencen e damëshme në mes të instituteve të ndryshme shkollore, Koliqi, arrijti mbas shumë përpjekjesh ta zgjidhin atë çeshtje me rendësi kombtare. Si dhe me pelqimin e plotë të palëve t’ interesueme, ka nda funksionin e tre gjimnazëve atje si vijon: Gjimnazi i Fretenëve – klasik. Gjimnazi i Shtetit – shkencor. Gjimnazi i Etenëve Jezuit – normal. Veprimtaria kulturore asht organizue e nxitë nga vetë Koliqi. Gjatë gjithë asaj kohë asht shumë e njohun e nder to ishte një vepër monumentale, krijimi i Institutit të Studimëve Shqiptare, ku kje rreshtue elita e kulturës Shqiptare, nën kryesinë e asaj force të madhe e mendje gjurmuese, që quhet Mustafa Kruja.
***
E kam ndij detyrë të posaçme të flas në mënyrë të veçantë per personalitetin e Mustafa Krujës dhe t’ Ernest Koliqit, tue vue në dukje per ata që nuk e dijnë (apo shtremnojnë të vërtetën me qellim), per veprimet e këtyne dy pionierëve në dobi të çeshtjes sonë kombtare gjatë rregjimit të Bashkimit Personal me Italinë. Sepse, po bash kundër Tyne, e sidomos kundër Koliqit, disa njerëz aqsa të pandërgjegjëshëm, aq edhe pa pikë burrnije, janë turrë kundër Tyne në ketë mërgim të zi, me shpifje që kanë arrijtë deri në banalitete, në neveritje edhe të atyne burrave që ndoshta janë edhe kundershtarë të Tyne. Po, t’ atilla banalitete i neverisin edhe ata. Cila asht arësyeja e gjithë kësaj loje denigruse kundër këtyne dy burrave?
– Asnjë arësye tjetër nuk mund të gjejë mbështetje logjike, vetem, në meskinitetin e disa të vetquejtun “profesora”, që Krujës e Koliqit nuk ua kanë pasë kerçikun kerkund, dhe kanë frikë se hija e Tyne nuk i lenë me dalë në shesh. E ndiejnë veten tepër të vegjel para Këtyne kolosëve, dhe përpiqen me mujtë me grapcue me gënjeshtra, pa mendue se po damtojnë vlera të çmueshme kombtare, të cilave nuk mund t’ua zanë vendin. Por, per ta…mjafton me muejtë me rrenue…pa pasë, zotësinë aspak me ndertue e, mbasandej…
Komentet