Gazetari Spartak Koka ka treguar mbrëmjen e sotme detaje të forta për ekzekutimin mafioz të Edison Harizajt, një vit më parë në zonën e “Shën Vlashit” në Durrës.
I ftuar në emisionin Opinion, Koka nuk tregoi emra por tha se një vit më parë kur është vrarë një eksponent i krimit, me vete i ishte gjetur një dokument që tregonte se ai ishte punonjës porti. Të ftuarit e tjerë në studio treguan se personi për të cilin fliste gazetari Koka ishte Edison Harizaj.
Më pas vetë Spartak Koka, tregoi se Harizaj rezultonte punonjës i Portit të Durrësit dhe futej lehtësisht për të kontrolluar kontenierët, nëse droga kishte mbërritur.
“Një eksponenti të rëndësishëm të krimit në vend, që është vrarë një vit më parë, i është gjetur me vete një dokument ku ai rezultonte si punonjës i thjeshtë i portit të Durrësit. Ky dokument është dhe në dosjen hetimore. Këto eksponen futen brenda portit për të kontrolluar drogën”, tha gazetari Spartak Koka, ndërsa Artan Hoxha tregoi “Ai person është Edison Harizaj.”
Kujtojmë se, Edison Harizaj, i konsideruar si i forti apo Il Padrino i Vlorës, është ekzekutuar me breshëri plumbash mbrëmjen e 6 nëntorit 2018 në Durrës, brenda një mjeti tip Audi që drejtohej nga miku i tij Genti Caci.
Komentet