Gazetarja italiane Cecilia Sala e cila u liruar nga një burg iranian pas tre javësh është kthyer në Itali.
Kryeministrja Giorgia Meloni dhe ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani e pritën atë në Romë duke treguar rëndësinë politike që mori çështja e saj.
Zonja Sala, 29 vjeç, zotëronte vizë të rregullt pune për gazetarët kur u arrestua në Teheran më 19 dhjetor. Ajo u akuzua për “shkelje të ligjeve të Republikës Islamike”.
Gazetarja u ndalua tre ditë pas arrestimit të biznesmenit iranian Mohammad Abedini, në Milano. Zoti Abedini u ndal bazuar në një urdhër-arresti amerikan, mbi dyshimin se ka furnizuar një pjesë të dronëve që Uashingtoni thotë se u përdorën në një sulm të vitit të kaluar që vrau tre ushtarë amerikan në Jordani.
Irani ka mohuar përfshirjen në sulm dhe ka hedhur poshtë akuzat se burgosja e zonjën Sala u bë për të ushtruar trysni ndaj Italisë për lirimin e zotit Abedini.
Në një deklaratë të zyrës së Kryeministres Meloni thuhej se zonja Sala, e cila u mbaj në izolim në burgun famëkeq Evin të Teheranit, u lirua “falë punës intensive me kanalet diplomatike dhe të inteligjencës”. Në të nuk përmendej fare rasti i zotit Abedini.
“Dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ata që ndihmuan për të bërë të mundur kthimin e Cecilias”, shkroi Kryeministrja Meloni në rrjetin social X.
Zoti Abedini mbetet në një burg të Milanos, ndërsa një gjykatë do të vendosë javën e ardhshme për kërkesën e tij për t’u liruar në arrest shtëpiak përpara procedurave eventuale për ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara.
“Momentalisht, rasti i Abedinit mbetet i pandryshuar”, u tha gazetarëve Francesca Nanni prokurore në Milano.
FITORE DIPLOMATIKE
Zonja Sala punon për gazetën ‘Il Foglio’ dhe kompaninë që prodhon podkaste ‘Chora Media’. Babai i saj Renato Sala tha se u pushtua nga emocionet kur dëgjoi se ajo po kthehej në shtëpi.
“Kam qarë vetëm tre herë në jetën time”, tha ai, duke shtuar: “Gjatë kësaj periudhe pata përshtypjen se po luhej një lojë shahu, por nuk ishin vetëm dy lojtarë”.
Lirimi i shpejtë i gazetares Sala përfaqëson një fitore të qartë diplomatike për Kryeministren Meloni, e cila kishte frikë se çështja mund të zvarritej.
Udhëheqësja italiane bëri një vizitë të papritur në Florida në fundjavë për të takuar Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Pas takimit nuk u publikuan detaje të bisedimeve, por zëvendëskryeministri Matteo Salvini tha se ata kishin diskutuar edhe çështjen e gazetares Cecilia Sala.
Faqja italiane e lajmeve ‘Il Post’, ku punon partneri i zonjës Sala, njoftoi se Presidenti i zgjedhur Trump i kishte dhënë “një lloj dritë jeshile” Italisë për të negociuar me Iranin dhe kishte premtuar se nuk do ta politizonte çështjen me administratën në largim të Presidentit Joe Biden.
Një burim i lartë politik nuk pranoi të jepte detaje, por tha se takimi në Florida kishte qenë i rëndësishëm dhe kishte luajtur një rol në lirimin e zonjës Sala.
Vitet e fundit, forcat iraniane të sigurisë kanë arrestuar dhjetëra të huaj dhe individë me shtetësi të dyfishtë, kryesisht me akuza të lidhura me spiunazhin dhe sigurinë. Organizatat për të drejtat e njeriut kanë akuzuar Iranin se po përpiqet të siguroj lëshime nga vendet e tjera përmes arrestimeve të tilla. Irani e mohon këtë gjë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Esmaeil Baghaei tha të dielën se ndalimi i zotit Abedini përbënte pengmarrje.
Komentet