U gjenda këtë të diel dasmash në njërën prej tyre. Familje veriorësh të kamur e të traditës. Me plot rini të pashme, të mbajtur e të veshur, ngjanin si drita. I pyesje e të thoshin: Ah po, jetoj në Miçigan, në Nju Xhersi, në Londër ca të tjerë, në Bruksel a këtej kah Italia. Ca të tjerë prisnin të mësynin për Gjermani, në kurset e gjuhës jemi, të thoshin. Edhe nusja, dasmën kishte këtu, në pritje për të ikur matanë oqeanit. Dy herë më nxorën nga salla për biseda në kafe. Njëri grup, të rinj në moshë. Grupi tjetër krejt të moshuar, sa në vitet e prindërve të mi, prej atyre që dinë të flasin, dinë dhe të dëgjojnë. Dhe menjëherë biseda hapej me pyetjen: Ç’po bëhet. Çfarë bën Basha, ç’po bëhet me PD-në, ku po shkojmë?
Pastaj biseda merr ritëm. Hamendësimet, fjalët e tavolinave, trukimet mediatike të gjendjes se vendit, yryshi i korit të mirëdirigjuar antiopozitë të ulen këmbëkryq në bisedë. Dhe ky është një lloj diskursi që e has thuajse çdo ditë. Përpiqesh të arsyetosh, po aty në bisedë do gjendet dikush, që dhe pse pa dashakeqësi, i lëshon pyetjet a thua se enkas i ka menduar pak çaste më parë.
Dhe kur as vetë nuk e besojnë, ta thonë ashtu nxitimthi se iu duket se Basha po e vazhdon një marrëveshje të fshehtë. I flet për të kundërtën, por dikush të ndërpret dhe kthehet mbrapa te vitet e Bashës në bashki. I komenton me argumente të dëgjuara poshtë e lart si një periudhë që s’pati dukje. Tjetri e ka gati fjalën për traun e Udhës së Kombit dhe ta përmbyll shkurt, duke të thënë se aksioni u la në gjysmë të udhës.
Kjo dalja nga Parlamenti duket si zgjidhje e nxituar dhe se bashku me mospjesëmarrjen në zgjedhje lokale na nxori krejt nga sistemi, ta thonë pa qenë të interesuar t’ua thuash psenë. Siç e dëgjojnë në fakt dhe e thonë, pa qenë të interesuar deri në fund për kundërargumentin. Kapen dhe në më të fundit zhvillime. Po ja, bëhen deklarime se nuk do lejojmë zgjedhje, se ky është mitingu i fundit me Ramën Kryeministër, se nuk do lejojmë të futen nëpër bashki ata me 5 a 10 për qind të votave dhe fundi del krejt ndryshe.
E ndajnë ashtu me naivitet thelbin dhe frymën e deklarimeve nga veprimi praktik dhe rrinë në mëdyshje. Ka pastaj prej atyre që u hyjnë thellë hamendësimeve, duke aluduar për tentativa të zhbërjes se PD-ja njësh me fatin e simotrave të saj të para 30 viteve në gjithë Lindjen komuniste, apo për skenarë të panjohur të të mëdhenjve të botës për të ardhmen e gadishullit problematik të Ballkanit.
Nuk besoj se gjithë këtë huti e paqartësi e has vetëm unë, në atë si rutinë dialogësh të së përditshmes. Por dhe nëse më ndodh vetëm mua, e shoh me shqetësim sa kohë më del në tavolinë, ku je ulur për qejf a për hall, më del në udhëtim, më del te çadra e plazhit apo tek ecën nepër park, më del te miku apo shoku, kur i ke vajtur për mirë a për keq.
Edhe nëse në rastin më fatlum jam vetëm unë i keqkuptuari i madh i kësaj hallakatjeje opinionesh, prirem ta shoh me shqetësim këtë lloj kalamendje të frikshme, këtë çorientim që i mban njerëzit si të ngrirë, pa dritë në fund të tunelit. Ky është një kurth i madh, që dhe pse grotesk, është i rrezikshëm dhe i synon me sforco radhët e mëdha të mbështetësve të opozitës për t’i ushqyer me diversion, me hutim, me mosbesim.
Një pushtet e një qeverisje që s’ka e s’mundet të thotë asgjë për punët e veta të gjashtë viteve, ka gjetë udhën e agjitpropit për t’i mbajtur njerëzit nën trysninë e pasigurisë për një të nesërme ndryshe. Ka një përpjekje të ethshme të pushtetit të sotëm në këtë angazhim ogurzi të krijimit të atmosferës së rrezikut, që gjoja i kanoset vendit nga opozita dhe mosekzistenca e saj imagjinare. Në krye të punëve për çdo çast, në çdo centimetër e në çdo qelizë për zhbërjen e opozitës është vetë Edi Rama, Kryeministri më i dështuar dhe më problematik, qëkurse vendi ka pasur mbi krye një qeveri që nga indipendenca e deri më sot.
I kam të gdhendura në kujtesë fjalët e Aurel Plasarit në 2013: nën Edi Ramën Shqipëria dhe shqiptarët do pësojnë ku e ku më keq se nën Enver Hoxhën. Dhe këtë Ramë ziu nuk e bën i vetmuar, por në front me ekipin e së shkuarës komuniste, që ka në parti e në çdo nivel qeverisjeje. Ka një opinion të gabuar kur thuhet se Rama ka larguar socialistët dhe i ka mbushur radhët me rilindës.
Një e pavërtetë e madhe.
Larguar janë ata me europianistët, janë larguar socialistët që e duan vendin, një demokraci funksionale, por i ke aty socialistët punistë.
Merrini emrat e ekipit të Ramës në parti e në nivelet e ndryshme të pushtetit dhe do t’ju rezultojë se janë pjesë e trungut të familjeve të pushtetit të shkuar. Pasardhës të familjeve me pozita në Partinë e Punës, me pozita në pushtetin e djeshëm, me pozita në organet e propagandës komuniste, me pozita në sindikatat e partisë, me pozita në organet e levave të partisë, fronti, rinia, gruaja, me pozita në strukturën e errët të Sigurimit të Shtetit.
Ka dhe ca pak të rekrutuar prej familjesh të zhgërryera e masakruara nga sistemi për një gjysmëshekulli. Janë individë që, pasi i ka gjetur të zhytur në paligjshmëri, në punë të pista krimi e trafiku, i ka thërritur në ekip duke u vënë përpara dhe karotën dhe kërbaçin. Të gjithë këta kanë një mision, të mbulojnë keqqeverisjen e vendit, krimin, vjedhjet dhe shpopullimin masiv me lëveren e pistë të rrezikut nga opozita.
E dyta në rend, po e para në punë në këtë sipërmarrje të rrezikshme, është struktura famëzezë e Sigurimit të Shtetit. E di, disa do nënqeshin me këtë. Personalisht e kam pasur dhe e kam bindje se në këto tridhjetë vite, PD-së më së shumti i është dashur të përballet me këtë strukturë të pashpërberë, pra me organizatën e përbindshme të Sigurimit të Shtetit, që sot e ke brenda dhe jashtë strukturës qeverisëse. E gjen atë kudo, sot e kësaj dite, në strukturat e pushtetit, në organizatat e shoqërisë civile, në media, në biznes dhe pse jo, si misionarë edhe brenda vetë opozitës.
Kjo nuk është një realitet vetëm shqiptar.
Në gjithë ish-Lindjen komuniste, arma e sigurimit e mban zjarrin ndezur sa herë që se shkuarës i duhet të na rrijë mbi kokë si kërcenim. Vëreni më të fuqishmin e këtij ish-kampi, Presidentin Putin. Simbolikisht i vajti për urim këto ditë ish-shefit të tij të para tridhjetë viteve në KGB, me falënderimin dhe mirënjohjen çfarë ai me të tijtë kishte bërë për ahere dhe për sot.
E treta për nga renditja, por jo nga pesha e ndikimit në antiopozitarizmin e këtyre gjashtë viteve janë një pjesë jo e vogël e mediave, e gazetarëve, e analistëve, e zotëruesve të portaleve dhe e grupeve e strukturave të krijuara posaçërisht për kontrollin e komunikimeve online.
Shumë prej tyre e bëjnë këtë nga halli dhe malli për Ramën. Disa e bëjnë se origjinojnë nga e shkuara komuniste, ani pse në demokraci u ka qëlluar të shndërrohen nga kapterë, në gazetarë e në parellinj. Jo të paktët zbatojnë urdhrat e pronarëve oligarkë, a kandidatë për oligarkë, që pushtetin ekonomik e kanë në simbiozë me qeverinë. Janë dhe ndoca që krimi edhe i paguan, edhe i komandon.
Grupeve të krimit po ua hëngre bukën, duhet t’u bësh punën, se ndryshe dhe zinxhirët dhe plumbat i kanë prej çeliku. Janë dhe një kategori tjetër e propagandës antiopozitë. Këta janë pak në numër, po shumë në rrezikshmëri sepse janë të kamufluar brenda kampit të opozitës. Fraksioni i parë i tyre grupon ata që, mjeshtri Kapexhiu i stigmatizon në diçiturën e karikaturës si “sokoleshë për kundra peshë”.
E kanë nga mllefi për humbjen e ofiqeve, por jo vetëm aq. Më së shumti e kanë nga përvujtnia e litarëve që kanë nëpër këmbë, nga kërcënimi që u rri mbi krye për abuzime dhe afera, që fort mirë ia dinë vetes dhe pse jo, për joshje që një qeveri që pastron paratë e krimit, nuk e ka me dhimbje të shpërndajë ca shuma si pagesa për të zhbërë opozitën.
Këta i quaj pa hezitim njerëz që jetojnë nën hijet e së shkuarës. Nuk i mëshiroj dhe pse janë bërë për t’u mëshiruar. Nuk kanë pikë uji në fytyrë kur i dalin në krah Kryeministrit, sa herë ai shkon në zgrip të greminës. I turren opozitës dhe liderit të saj me çiftet e mbushura me saçma për ariun. Të vjen zor e ndihesh keq tek i dëgjon, tek kujton të shkuarën e përbashkët dhe ndien zhgënjim tek i sheh ashtu me kallajisjen e rrënuar.
Po duket se pesha e mëkatit është më e madhe se pesha e turpit. Të fundit antiopozitarë janë dhe ca pak që rrinë brenda PD-së, brenda strukturave partiake, apo në ndonjë nivel pushteti lokal a zyre qeverisjeje. Janë të pakët në numra, po skuthëri kanë me tepri. Sa herë shohin fallin e së nesërmes, se sa të pasigurt për karrigen e ëndërruar, bëhen keq dhe përtypin dhe këta sa mundin antiopozitarizëm.
Ankimojnë para të tjerëve nëpër tavolina për lidershipin e opozitës dhe gati ndihen të pafat, që e shohin veten të lidhur me perspektivën e opozitës. E qartë është se i gjithë ky sulm frontal kundër opozitës, që pastaj përkthehet në ato debatet tona të përditshme sa herë ulemi me njerëzit e zakonshëm dhe pse është i rrezikshëm, është pa të ardhme. Veçse dhe çdo neglizhencë për ta përballur çdo ditë këtë llumnajë antiopozitarizmi është e pafalshme, nuk ka vend për shkujdesjen më të vogël të çdo opozitari, aq më pak për shkujdesjen e Bashës dhe të ekipit të tij.
Është e ditur se lufta ndaj Bashës nuk ka nisur sot. Ata që e piketonin veten për të drejtuar PD-në e post-Berishës, e panë Bashën si rival dhe nisën të sillen ndaj tij si ndaj rivalit në mentalitetin dhe në politiken ballkanike. Basha iku shpejt nga ministria, që në zbatim të VKMsë kontraktoi ndërtimin e Udhës së Kombit. Ajo ishte një kontratë me negocim për pagesa për volumet faktike të punës.
Punimet e pagesat vazhduan gjatë, ndërkohë që Basha ishte larguar e drejtonte tjetër ministri. Dhe si për çudi, akuzat absurde ngërthyen veç emrin e tij, padia u ngrit po ndaj tij dhe sot ende lakojnë gjyqin e fituar prej tij. Në vitet e drejtimit të kryeqytetit, Basha dhe projektet e tij u gjendën në një rrethim të dyfishtë. Janë të freskëta aktet e therorisë së deputetëve dhe militantëve të PS-së, që donin të bëheshin kurbanet e Bulevardit të Ri, deri sa ia dolën bllokimit.
Disa lisa dhe një rrethim i parkut të Pallatit Mbretëror, që i prekte zgjerimi i Rrugës së Elbasanit, u bënë kuja e shoqërisë civile, e opozitarit Rama, e elementeve të nxitura që mbaheshin si eminenca të mbrojtjes së ambientit dhe të trashëgimisë kulturore të Tiranës. Që të gjithë këta bejtexhi sokakësh janë autorë të sotëm të masakrës urbane të kryeqytetit, autorë të rrënimit të trashëgimisë se Tiranës.
Në financimin buxhetor të projekteve të kryeqytetit, Bashës i është dashur t’i lëvizte pa ujë gurët e mullirit të pushtetit. Ishte koha kur projektohej ndërrimi i drejtimit të PD-së pas zgjedhjeve të 2013-ës dhe Basha duhej penguar. Jam dëshmitar i hasjes rastësore të më shumë se një rasti diskutimesh të tilla në paskuinta. Kam hasur në ato tavolina diskutimi dhe individë, që sot i rrinë në krah Bashës si opozitarë të zellshëm. Besoj vetë Basha ta ketë ditur këtë situatë, unë kurrë s’kam pasur rast ta diskutoj me të këtë gjë, por pikëpamjen time ua kam thënë në sy protagonistëve të atëhershëm.
Basha bëri përpjekje ta hapte bashkinë dhe mbetet ndofta kryebashkiaku i Tiranës me më pak leje ndërtimi, e rriti transparencën e vendimmarrjes. Më shumë se gjysma e mandatit, që prej mesit të vitit 2013, ishte nën qeverisjen e Ramës dhe bllokimi për Tiranën tashmë ishte kthyer në çështje dite për fitimtarët. Kanë kaluar kohë dhe faktet harrohen e insinuatat mbeten, po realiteti ky ka qenë.
Në gjithë këtë spirale, nuk dua t’i bëj lak faktit se brenda asaj strukture që Basha kishte në bashki, nuk janë konstatuar individë e segmente që eficiencën e kanë pasur më të shkurtër e dorën më të zgjatur. Gjithmonë ka pasur e ka individë, me te cilët nuk mund të krenohesh as pse i ke pasur dhe as pse ende i mban. Rezultatin e zgjedhjeve të 2017-ës janë të shumtë ata që ia ngarkojnë vetëm Bashës.
Më të egër në këtë akuzë janë ata që patën rezultate katastrofike për PD në zgjedhjet e vitit 2013. Lista Basha u sulmua si kazusi i humbjes. Në të vërtetë, ajo nuk është ndonjë listë që mbrohet lehtë, ashtu siç e sigurt është se ashtu do ndodhte dhe me një listë ndryshe. Kur mendon se në ballë të sulmit të saj u vunë ata që e gjetën vetën jashtë saj, dhe disa prej atyre që e donin veten brenda saj, por dolën të zhgënjyer, duhet ulur shpata.
Pastaj ka dhe një fakt domethënës.
Merreni atë listë emër për emër dhe do t’ju rezultojë se 70 për qind e emrave janë zyrtarë të niveleve të dyta të pushtetit të demokrateve ndër vite. Basha i gjeti aty, as i shpiku, as i solli. Periudha post çadrës komentohet ende sot si një marrëveshje-dështim, madje për më keq si marrëveshje e errët. Nëse për atë marrëveshje marrim në konsideratë disa faktorë, Bashës i takon zhveshja nga një lloj përgjegjësie e inskenuar.
Kurrë më parë nga Amerika dhe Europa nuk ka pasur një deklarim të prerë zyrtar se i njohim zgjedhjet, pavarësisht kush merr pjesë në to. Lihet larg vëmendjes loja e kahershme e LSI-së me drekën te Pazari i Vjetër i Tiranës për pazaret e reja të politikës.
Se treti, ish-at e partisë që herë bënin presion për djegie mandatesh, herë për mospjesëmarrje e më pas për pjesëmarrje me çdo kusht, luajtën lojën e grackës. Ishte një lojë me të panjohura, vështirë të lexueshme. Basha nuk mundet të jetë jashtë përgjegjësisë as për marrëveshjen e as për rezultatin e zgjedhjeve, por gjithë çfarë i vishet Bashës është pjesë e skemës se antiopozitarizmit, që sot është më në dritë se kurrë.
Basha dhe mundet ta kishte tejkaluar mungesën e eksperiencës, për të mos qëndruar i vetëm në atë tavolinë bisedimesh tek për tek me Edi Ramën, që ka profilin e mashtruesit dhe manipulatorit klasik të të vërtetave.
Mungesa e një të treti çoi ujë në mullirin e Ramës, ushqeu makinerinë e tij të manipulimit.
Përpjekjet e sforcuara për ta mohuar e zvetënuar luftën dhe devizat politike të Bashës në jetën brenda e jashtë parlamentare të këtyre viteve në opozitë, janë dhe kryefjala e kundërshtisë për suksesin a mossuksesin e tij. Në betejat e politikës asnjëherë nuk është mjaft, por Bashës nuk mund t’i mohohet suksesi i miratimit të korpusit ligjor për dekriminalizimin dhe qasja për zbatimin praktik të tij, këmbëngulja për një reformë reale të sistemit të drejtësisë, përpjekjet për të vënë në themelin e themeleve zgjedhjet e lira dhe të drejta, linçimin e projektit për ndërtimin e një demokracie funksionale në vend përmes ndarjes së pushteteve, denoncimin me fakte, me emra, me argumente zyrtarisht të provuara përkundër koncesioneve abuzive, përkundër PPP, përkundër aferave korruptive, përkundër grupeve të krimit të organizuar lidhur ngushtë pushtetit të ditës, përkundër rasteve e fushave të pastrimit të parave të krimit, përkundër kanabizimit të vendit, përkundër zhbalancimit dhe kapjes së gjithë pushteteve nga një dorë e vetme, aq sa opozita e këtyre viteve të dallojë thelbësisht në opozitarizmin e këtyre tri dekadave, për shkak të bazueshmërisë së akuzës.
A ka vend për më shumë. Gjithnjë po. A ka vend për më shumë qartësi e pragmatizëm në gjithë lojën politike dhe në deklarimet publike të opozitës, besoj që po.
Shumë herë, deklarimet publike të opozitës kanë krijuar o zbrazëti o pritshmëri të panevojshme. Janë të shumtë ata që e ngatërrojnë pa asnjë qëllim thelbin dhe frymën e një deklarate me germën e saj. E ngatërrojnë dhe s’ka pse të pyesim përse.
Pastaj vijnë ata që e ngatërrojnë qëllimisht, fërkojnë duart dhe shfryjnë vesh më vesh, bie fjala, ia u tha nuk lëshohen bashkitë, po ja që po merren një e nga një. Establishmenti politik i opozitës ka nevojë jo për deklarata sa për frymë e për nxitje, ka nevojën e qartësisë së çdo veprimi, ka nevoje për të qenë të hapur me njerëzit për atë që don dhe që mundet të bëjë opozita, pa nevojën për pritshmëri që u dihet fati që kur thuhen.
Basha e ka informacionin për gjithë platformën anti-Bashë e anti-PD. Por siç kjo platformë zhvillohet e komentohet çdo ditë, Basha dhe establishmenti i tij i politikës dhe i propagandës duhet po në përditshmëri t’i përgjigjen
Kjo nuk duhet parë nën vështrimin e gabuar si vetëmbrojtje, por si një detyrim ndaj mbështetësve të opozitës dhe ndaj opinionit publik për të qartësuar çdo rast e në çdo çast, çdo fjalë, çdo fjali e koment që devijon detyrat e pushteti nga puna për qytetarët, në përpunimin e qytetarëve për të keqen dhe rrezikun që vjen prej opozitës.
Basha dhe ekipi i tij duhet të çlirohen nga të panjohurat dhe frikërat e balancave në mes të mirave e të këqijave të të pasurit unitet me çdo kusht.
Çdo qasje në një unitet që mezi mbahet në këmbë është të ecësh me gjasme e me gjysma. Aty ku është mjaft, është mjaft se jemi në kushtet kur kemi nevojën ulëritëse të ecim përpara.
Gjithë sa thashë në këto rreshta s’janë asgjë më shumë se besimi që unë kam në kauzat e drejta te opozitës, që krejt afër besoj se do ia dalin të kryhen./Syri.net
Komentet