ANILA DEDAJ/ Pulsin e Teatrit e ka ndier në çdo cep të tij. Ka përjetuar emocionet e zemrave që rrahin pas kuintave, atyre në skenë e mes publikut në sallë.
Në biletari, oborr, për çdo lozhë, kabinë etj., ka një histori për të rrëfyer. Shkëlqim Basha, i njohur si “Arturo Ui” shqiptar, e me mbi 70 role në Teatrin Kombëtar e dhjetëra role në kinematografi, e ka të pamundur të besojë se kur të rrëfejë historinë e këtij tempulli kulture, një ditë mund të thotë: E shembën. “Kjo do të ishte një njollë e madhe, të cilën s’ka teatër modern a gjigant që ta shlyejë”, thotë aktori. Edhe pse prej vitesh jeton në Itali, përmes artit ka mbështetur gjatë kësaj kohe miqtë e kolegët e tij. Idealistët si Edmond Budina, që siç thotë, mendojnë për perspektivën e Tiranës dhe brezat që do vijnë. “Artistët me të cilët unë solidarizohem, janë ata që e kanë jetuar atë Teatër, që kanë një vizion për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë, por njëherazi edhe për ruajtjen e kujtimeve që lidhen me një brez aktorësh që sot nuk jetojnë më, por që janë themeluesit e Teatrit”, thotë Basha për “Panoramën”.
Aktori Shkëlqim Basha
Zoti Basha, keni luajtur dhjetëra role në Teatrin Kombëtar, çfarë ju mungon më shumë prej asaj skene?
Kam qenë 7-8 vjeç, kur kureshtja më brente për të parë shfaqjet. Qëndronim në radhë në përpjekje për të gjetur dikë për të na shoqëruar. Këmbëngulnim e u thoshim: Na merr për dore e thuaj se jam fëmija yt, deri sa ia dilnim mbanë. Sa shumë kujtime në ato ambiente të ngrohta, që më vijnë gati si në ëndërr. Mbaj mend kur u dha shfaqja “Dhelpra dhe rrushtë” e Mihallaq Luarasit, me aktorë të njohur si Margarita Xhepa, Esma Agolli, Kadri Roshi, Lazër Filipi, Mario Ashiku etj.. E kam ndjekur atë shfaqje mbi 20 herë dhe sa herë që është vënë në skenë, salla ka qenë plot. Ishte një vepër që fliste në mënyrë të sofistikuar për lirinë, që të mos krijoheshin paralelizma evidentë me diktaturën dhe jetën e përditshme, ku liria ishte e cunguar. Mirëpo, nëntekstet e saj për skllavërinë të çonin atje. Mandej kujtoj kabinat e vogla të aktorëve. Unë pata rastin të jem në një kabinë me Sulejman Pitarkën e më vonë me Robert Ndrenikën. Mbaj mend aktorë të vjetër e të rinj se sa kompakt ishin. Rrinin e bisedonin ne fuajenë, që ishte si një vetëqëndrim edhe gjatë shfaqjeve, në pauzat që ndanin njërin akt nga tjetri. Ne të rinjtë përftonim nga rrëfimet e më të mëdhenjve, edhe për të mësuar, por njëherazi për të shuar kureshtjen. Ata na tregonin çfarë kishin kaluar, shfaqjet që kishin realizuar… Na tregonin teatrin në Teatër.
Përmes artit, ju e keni bërë të ditur qëndrimin tuaj lidhur me kauzën e Teatrit Kombëtar. Çfarë ju nxit të pozicionoheni në krah të kolegëve tuaj, që e mbrojnë atë godinë?
Solidarizohem plotësisht me protestën e artistëve dhe dashamirësve të tjerë të Teatrit, qofshin ata qytetarë të thjeshtë apo personalitete të fushave të ndryshme. I mbështes ata, pasi jam për restaurimin e Teatrit, duke ruajtur arkitekturën që ai ka. Duke u bërë kjo, ruhen vlera të mëdha kulturore, historike, por edhe arkitektonike. Artistët me të cilët unë solidarizohem, janë ata që e kanë jetuar atë Teatër, që kanë një vizion për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë, por njëherazi edhe për ruajtjen e kujtimeve që lidhen me një brez aktorësh që sot nuk jetojnë më, por që janë themeluesit e Teatrit. Unë kam pasur fatin të jem ndër aktorët që kam luajtur në atë Teatër. Kam interpretuar me plejadën e aktorëve të vjetër dhe ato janë kujtime të pashlyeshme, jo vetëm në aspektin subjektiv, por edhe objektiv. Ata njerëz që themeluan Teatrin kanë të drejtën të mbijetojnë përmes kujtesës, në atmosferën e kësaj godine.
Është një ndërtesë, në të cilën janë shpalosur dhjetëra ngjarje që kanë të bëjnë me zhvillimet e Teatrit, politikës dhe historisë së Tiranës, por edhe të Shqipërisë.
Është folur edhe për një rrezik të mundshëm shembjeje nga tërmeti apo të tjera shkaqe. Unë mendoj se atij Teatri, që ka rezistuar për vite, nuk i kanoset një rrezik i tillë, por duan të justifikojnë shkatërrimin e tij për të tjera motive. Rrënimi i kësaj vlere fsheh interesa të tjera, materiale, egoistike, deri edhe maniakale. Kërkojnë të vendosin vulën e zezë e ta zhdukin Teatrin, siç kanë bërë me shumë objekte të tjera në Tiranë. Historianët, arkitektët, specialistët e trashëgimisë e kanë thënë fjalën e tyre. Unë jam me ata mendimtarë, që kanë argumentuar dhe kërkojnë ruajtjen e kësaj tradite.
Keni interpretuar në krah të emrave si Kadri Roshi, Lazër Filipi, Sulejman Pitarka etj.. Është përmendur së fundmi fakti se plejada e vjetër e aktorëve ka kërkuar një Teatër të ri, në po atë territor. Cili ka qenë realisht qëndrimi i atyre aktorëve lidhur me këtë çështje?
Unë kam biseduar disa herë me Naim Frashërin, një ndër aktorët themelues të Teatrit, fjala e të cilit kishte peshë, pasi ishte mjaft i dëgjuar edhe nga qeveria e asaj kohe. Naimi ka kërkuar ndërtimin e një teatri të ri dhe ka bërë çmos që kjo të arrihej, por jo duke prishur teatrin e vjetër. Madje, kujtoj se më ka thënë këto fjalë: Unë ndoshta teatrin e ri nuk do ta gëzoj, por ti dhe gjenerata jote, me siguri që po. Fakt është se një teatër i ri nuk është bërë as tani që unë jam në pension dhe në një moshë shumë më të madhe se ç’ishte Naimi kur m’i tha ato fjalë.
Aktori Naim Frasheri
Ishte menduar ndonjë vend konkret për ndërtimin e një Teatri tjetër?
Variantet e përfolura për ndërtimin e një teatri të ri ishin dy: I pari qe në Parkun Rinia, për të mundësuar një lloj lidhjeje me kompleksin e atij vendi e tjetri ishte në ishstadiumin “Studenti” të lojërave me dorë. Ndërkaq, teatri aktual do të vijonte funksionin e tij.
Për të legjitimuar shembjen përmendet edhe fakti se ajo godinë nuk u ndërtua për të qenë Teatër… Ju që e keni jetuar për vite atë skenë, e gjeni me vend një pohim të tillë?
E them me bindje, bazuar edhe në bisedat që kam shkëmbyer me specialistë, se ajo ndërtesë është Teatër e i përmbush të gjitha kriteret për të qenë e tillë. Teatri Kombëtar ka një akustikë, që nuk e ka asnjë prej teatrove të tjerë në Shqipëri. Kujtoj gjatë viteve të fundit ’70, kur u bë rikonstruksioni i skenës, ne u zhvendosëm për 6 muaj në Akademinë e Arteve, që asokohe funksiononte si teatër opere. Akustika atje ndryshonte, pasi ishte krijuar posaçërisht për teatër opere, për këngëtarët. Ndihej një eho dhe ne nuk e dëgjonim frazën tonë. Qe e vështirë të ambientoheshim, pasi ishim mësuar me një akustikë të përsosur për aktrim, që nuk haset në asnjë teatër tjetër në Shqipëri.
Fakti që situata aktuale përkon me “Arturo Ui”, është përmendur shpesh edhe gjatë protestave. Si e perceptoni ju që e keni interpretuar vetë rolin e protagonistit në Teatër?
Kam bërë edhe një poezi që lidhet më këtë argument, të titulluar “Diktatori modern”, ku them ndër të tjera se kjo është një diktaturë me ligjet e diktaturës. Paralelizmi është shumë evident. Gjendja diktatoriale që është krijuar në Shqipëri ndihet. Është një diktaturë, ndoshta jo aq e egër sa ajo që ne kaluam, pasi ajo kishte jo vetëm ligjet, po edhe dhunën e zhdukjen fizike. Këto të fundit fatmirësisht nuk janë, pasi bota ka bërë hapa para dhe as vetë shqiptarët nuk e pranojnë. Madje, populli gradualisht po ndërgjegjësohet, po reagon ndaj kësaj diktature. Unë jam koherent me gjithçka ndodh në Shqipëri e në skenën ndërkombëtare: Ai po humb terren dita-ditës. Njerëzit e kanë kuptuar dhe është krijuar një mendim i përgjithshëm kundër kësaj vije diktatoriale. Sigurisht që ai ka arritur t’i manipulojë disa, që ndoshta janë më të prirur ndaj interesave, duke u dhënë “një kafshatë”. Por shumica janë zgjuar.
Shpërfillja e mendimit të specialistëve, thuajse nuk është hasur as gjatë diktaturës. Siç e pohuat edhe ju, as asokohe nuk është dashur shembja.
Ideja për ruajtjen e Teatrit po avancon çdo ditë dhe unë jam i bindur se shembja e asaj godine nuk do të ndodhë. Nuk ka se si, kur diaspora po flet kundër rrënimit të teatrit, arkitektët, urbanistët, studiuesit, artistët dhe qytetarët e thjeshtë po ashtu. Njerëzit po ndërgjegjësohen se arkitektura e Tiranës po vihet në rrezik, deri më tani kanë krijuar një lëmsh urbanistik e arkitektonik. Është bërë një punë joserioze për zhvillimin e qytetit, bazuar në interesat e elementëve të caktuar. Artistë e qytetarë janë në pararojë të mbrojtjes së Teatrit prej 18 muajsh. Kjo ngjarje ka prekur shpirtrat e njerëzve, së paku të atyre që e duan kulturën, artin, të bukurën. Është një rast i paprecedent. Objektet me vlerë ruhen në mbarë botën. Kujtoj se gjatë viteve të fundit ’70 kemi shkuar në një turne në Maqedoni, ku luajtëm në një teatër të vogël, gati me 100 vende. Ishte realisht shumë i vjetër, edhe pse ndiheshin përpjekjet që ishin bërë për ta sjellë në formë. Ishte i lyer e mbahej i pastër. Po kishte një arsye se pse kjo godinë ishte e shtrenjtë për ta. Në atë sallë kishte interpretuar Sarah Bernhardt. E kujtoj ende sot, lozhat e atij teatri ishin tepër të vogla, si të qe një teatër kukullash. I tillë qe, por e ruanin si relikte. Ndërsa ne, duke pasur një teatër me akustikë perfekte, simbol të një epoke, duam ta shembim. Ky është barbarizëm modern.
Ç’mund të thoshit për kolegët që kërkojnë një Teatër të ri, me koston e shembjes së aktualit, ndonjëherë edhe duke përdorur tone fyese ndaj atyre që mbrojnë godinën?
Mendoj se ata kanë të drejtë të shfaqin mendimin e tyre, por jo të fyejnë. Më vjen keq ta pranoj, por një pjesë e këtyre artistëve nuk kanë kujtesë historike e as nuk janë thelluar në studimet që janë bërë. Kjo është një vepër jo e veçuar, po e lidhur me gjithë kompleksin, ndaj mendoj se duhet ta mendojnë më gjatë, se të thuash “ta prishim këtë e të bëjmë një të re” është e lehtë, por kjo ka pasoja të parikuperueshme. Është thënë gjithashtu se disa prej aktorëve që sot nuk janë më, janë sëmurur prej kushteve të këqija të teatrit, unë dua të them se kolegët e mi nuk janë sëmurë nga teatri, përndryshe do të ishim sëmurë të gjithë. E kuptoj që në këtë çështje mund të ketë edhe interesa të tjera të artistëve që kërkojnë shembjen e Teatrit, por godina aktuale mund të rregullohet me ndërhyrjet e nevojshme. Le të dëgjojmë zërin e profesionistëve!
Çfarë do të humbiste Tirana me shembjen e Teatrit Kombëtar, i konsideruar edhe si “djepi” i institucioneve të tjera të kulturës?
Shembja e këtij Teatri do të ishte barbari. Si do t’u shpjegohet historia e këtij teatri brezave që do të vijnë?! T’u themi se mbi Teatrin që qe u ndërtua një i ri? T’u shpjegojmë 8 dekada ngjarje e protagonistë të skenës përmes një godine të re, që sado moderne e nis historinë nga zero?! Realisht, do të guxojnë ta mbyllin historinë e kësaj godine të shenjtë, duke thënë: “E shembëm!?” Kjo do të ishte një njollë e madhe, të cilën nuk ka teatër modern a gjigant qoftë, që ta shlyejë. Përgjegjësia për këtë do të binte mbi iniciatorët, por edhe pasuesit.
A do kthehet Shkëlqim Basha në Teatër?
Festivali për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka bërë të mundur që publiku të afrohet përsëri në sallën “Kadri Roshi”, të kyçur prej një viti e gjysmë. Nga Mehdi Malkaj, Justina Aliaj, trupa nga Kosova me “Kanuni i gruas”, performancë akustike e Gjergj Kaçinarit etj., të gjithë kanë dhënë kontributin e tyre artistik në këto shfaqje protestë. Kur aktorin Shkëlqim Basha e pyesim për një rikthim të mundshëm në skenën e Teatrit, edhe pse sapo ka bërë një ndërhyrje në zemër, ai e lë mundësinë të hapur. “Pavarësisht se kam bërë një operacion në zemër, që më pengon të bëj shumë lëvizje aktive, fizikisht e mendërisht jam që të vij në Teatër. Aktualisht s’kam ndonjë projekt të afërt, por më tej mund të marr pjesë në ndonjë prej eventeve që do të mbahen”.
Autobotë, më shumë se 1300 policisë, janë vendosur në gatishmëri për protestën e thirrur nga opozita. Kryeministria është “blinduar” nga efektivë të policë. Ndryshe nga protestat apo Foltoret e opozitës, në këtë protestë ka një numër më të lartë policësh të angazhuar.
Kreu i PD Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për korrupsion ndërsa kanë bërë thirrje për arrestimin e Belinda Ballukut pas skandaleve të njëpasnjëshme.
Gjithashtu në disa pankarta të vendosur përpara Kryeministrisë, shkruhet “i pangopuri i fundit të Europës”. bw
Kreu i PD-së, Sali Berisha në një dalje për mediat përsëriti thirrjen e tij për Adriatik Lapajn dhe partitë e tjera opozitare që t’i bashkohen protestës së opozitës, kundër kësaj qeverie.
“Nuk matet gjëja me numra. Mësimi i historisë së Shqipërisë ka vlerë botërore. Pakicat që kanë fituar kundër stërshumicave nuk gjen kund tjetër. Ne dalim aty me guximin e shqiptarit, me idealet më fisnike të njeriut, për të larguar këtë njeri që mori licencën nga Gjykata Kushtetuese. Licencën mund t’ia japë gjykata, por jo jetëgjatësinë populli.”, pohoi ai.
Ai tha se Rama, pavarësisht se mori licencë për vjedhjet nga Kushtetuesja, populli nuk do ta falë.
“Lapaj ka pasur dhe do të ketë mbështetjen time për sa kohë gjendet në protestë. Kushdo që proteston kundër qeveri, ka mbështetjen time. Ftesa ime për Lapaj dhe partitë opozitare është që të bashkohemi kundër kësaj të keqe të madhe. Kryetari i një partie ka planet e veta.”, tha ai. bw
Altin Dumani i dorëzoi sot zyrtarisht detyrën kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), Klodian Braho.
Në një fjalim shkurt, Dumani tha se sot mbyll një nga kapitujt më sfidues në karrierën e tij profesionale. Ai u shpreh se gjatë detyrës së tij është ndeshur edhe me presione, por theksoi se ka punuar me profesionalizëm dhe përgjegjshmëri.
“Sot mbyllet një kapitull që ka qenë ndër më sfiduesit në karrierën time 26 vjeçare si prokuror. Drejtimi i SPAK ka qenë privilegj, por edhe përgjegjësi e jashtëzakonshme. Në rrugën tonë jemi ndeshur me vendime të vështira, sfida institucionale dhe presion të mëdha.
Në çdo hap kemi punuar me integritet, profesionalizëm dhe vendosmëri. Sot SPAK është më i konsoliduar dhe më i besueshëm se më parë.
Këto arritje janë rezultat i punës së palodhur të të gjithëve. Çdo punonjësi që ka kontribuar me ndershmëri dhe kurajo”, deklaroi Altin Dumani.
Një falënderim kishte edhe për partnerët ndërkombëtarë: “Kanë qenë krah nesh në cdo etapë me mbështetje dhe ekspertizë të pakushtëzuar. Kontributi i tyre ka qenë i çmuar, për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe për të ndërtimin e standardeve që kemi sot.
Besimi i publikut -tha Dumani- ka qenë forca jonë më e madhe.
Dumani i uroi Brahos suksese në punën e tij, duke shprehur bindjen “se do të mbështetet në trashëgimin 6 vjeçare duke e çuar përpara misionin e SPAK me integritet dhe vendosmëri”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau gjatë takimit të tyre në korrik të vitit 2025.
Radio Evropa e Lirë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takon të hënën në Uashington zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit përmes një njoftimi zyrtar.
Aty nuk janë dhënë më shumë hollësi se cilat do të jenë temat e diskutimit në takimin që zhvillohet pasdite, me orën lokale të Kosovës.
Presidentja Osmani është takuar me zëvendëssekretarin Landau edhe në korrik të këtij viti, kur dy palët i kanë diskutuar fushat potenciale për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve në të ardhmen.
Ajo pati përmendur se dy vendet mund të përfitojnë nga bashkëpunimi në sektorin e energjisë, teknologjisë informative dhe atë të mbrojtjes.
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së e kanë përjetuar një goditje më herët gjatë vitit për shkak të vendimit të Uashingtonit për të pezulluar për kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës.
Dialogu ishte planifikuar për t’i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike, por veprimet e ekzekutivit janë parë si sfida për përparim.
Gjatë viteve të fundit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka qenë disa herë në shënjestër të kritikave nga aleatët ndërkombëtarë, për shkak të disa vendimeve në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – që lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi, apo mbylljen e institucioneve serbe.
Kurti i ka justifikuar këto veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Por, bashkësia ndërkombëtare, në disa raste, i ka cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara me aleatët.
Vetë Kurti ka thënë ditë më parë se marrëdhëniet e vendit me Shtetet e Bashkuara janë shumë të mira dhe që mospajtimet kryesore kanë pasur të bëjnë gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.
E pyetur lidhur me këto deklarata, Ambasada e SHBA-së në Kosovë I ka thënë Radios Evropa e Lirë më 17 dhjetor se synon të punojë ngushtë me Qeverinë e re të zgjedhur pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, “për t’i avancuar prioritetet e përbashkëta”.
Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.
Udhëheqës shtetërorë kosovarë e kanë përsëritur ndër vite që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.
Opozita shqiptare organizon sot një protestë kombëtare në Bulevardin e ‘Dëshmorët e Kombit’, kundër qeverisë dhe asaj që e cilëson si “keqqeverisje, korrupsion dhe abuzim me fondet publike”.
Protesta, e cila nis në orën 18:00 ka në qendër akuzat ndaj qeverisë për afera të mëdha infrastrukturore, me fokus të veçantë zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Balluku është e përfshirë në shkelje të rënda ligjore lidhur me projektin e Tunelit të Llogarasë dhe ndërtimin e Unazës së Madhe, për të cilat SPAK e ka marrë të pandehur zyrtarisht.
Kreu i PD-së, Sali Berisha akuzon Belinda Ballukun se ka vjedhur 50 milionë euro, ka 300 apartamente, 2 jahte dhe 13 supermarkete.
Opozita kërkon që Balluku do të japë dorëheqjen dhe të shkojë para drejtësisë. Ndërkohë SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e mandatit të Belinda Ballukut, me qëllim arrestimin e saj.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama një ditë më parë paralajmëroi se do të bllokojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit.
Nesër ora 18:00 Protesta kombëtare përballë pabarazisë dhe korrupsionit
Sali Berisha: Duhet të organizojmë protestat, duhet t’i fillojmë sa më parë.
I kemi filluar ato që janë te kryeministria.
Por me datën 22, duhet të thërrasim protestë kombëtare.
Ata shqiptarë që vijnë, ata janë të bekuar.
Ata që nuk do vijnë, do vijnë më vonë.
Por ne kurrë nuk do bëhemi pengesë, përkundrazi nxitës të protestave gjer ditën e fundit që të krijohet qeveria teknike në këtë vend për zgjedhjet e lira.
Agjendë tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë PD.
Ditë e hënë, 22 dhjetor ora 18:00, është fillimi i protestës tonë.
Të jemi të qartë se ne kemi vetëm një rrugë protesta,
protesta gjer në largimin e Ramës.
Pa protesta të qëndrueshme, narkodiktaturat nuk largohen.
Ne do të jemi më tepër, por në radhë të parë nuk kam më të rëndësishme sesa vendimi i secilit prej nesh çfarë do të bëjë më shumë.”, tha Berisha.
Gazetaria sportive shqiptare humbi një nga figurat e saj më madhore. Afër mesnatës së 20 dhjetorit u shua në moshën 91 vjeçare Ismet Bellova, legjenda e mikrofonit, gazetari, komentatori dhe publicisti i rrallë, zëri i të cilit u bë pjesë e pandashme e historisë së sportit dhe medias shqiptare.
Kushdo që e ka dëgjuar ndonjëherë, vështirë të mos jetë drithëruar, vështirë të mos jetë emocionuar deri në përlotje dhe vështirë të mos i jetë rritur adrenalina e krenarisë dhe atdhedashurisë.
Zëri i tij kumbues dhe timbri i veçantë tashmë do të dëgjohen vetëm në fonotekën e Radio Tiranës dhe në arkivat sportive të RTSH, por jehona e tij do të jetojë përgjithmonë në kujtesën e miliona shqiptarëve.
Me largimin e Ismet Bellovës, gazetaria sportive shqiptare humbi jo vetëm një profesionist të jashtëzakonshëm, por një pasuri kombëtare, një vlerë të rrallë radiofonike dhe një shkollë të vërtetë të gazetarisë sportive, nga e cila u formuan e u frymëzuan breza të tërë. bw
Sërish tensione mes aktivistëve të Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’ dhe policisë. Përfaqësues të Lëvizjes, që po protestojnë para Kryeministrisë prej disa ditësh, denoncojnë se policia i ka marrë gjeneratorin, ndërsa thuhet se janë ndaluar dhe 4 aktivistë.
Në videon e shpërndarë nga lëvizja Shqipëria bëhet, dëgjohet një nga përfaqësueset e lëvizjes që debaton me punonjës të policisë.
“A kemi të bëjmë me policinë, apo me bandat! Këtë dua të di dhe unë. Policia a respekton shkresat? Se kemi shkresa. Dhe ne na e hoqën gjysmë ore para. Ju po silleni si banditë, dhe ne si njerëz.”, tha ajo. Ndërkohë, Adriatik Lapaj tha se ky është shteti dhe policia e Edi Ramës. “Ne kërkojmë që të na jepet gjeneratori dhe më pas ju mbroni Ramën.”, dëgjohet teksa thotë ai. BW
Sic ishte lajmëruar, aktivistët e lëvizjes “Shqipëria Bëhet” kanë nisur protestën para kryeministrisë, përmes të cilës kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.
Pak minuta pas nisjes së protestës, aktivistët janë përleshur me policinë.
Me thirrjet “Edi Rama o hajdut”, protestuesit kanë denoncuar situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi, aferat korruptive të qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të tij.
Prej disa ditësh, kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj dhe aktivistë të kësaj lëvizje janë zhvendosur para selisë së qeverisë duke theksuar se nuk do të lëvizin nga sheshi deri në largimin e tij.
Ish-bashkëshorti i Belinda Ballukut, gazetari Sokol Balla, i njohur si megafon i Edi Ramës ka kërcënuar mbrëmjen e djeshme (18 dhjetor) në një editorial në hyrje të emisionit të tij drejtpërdrejt Edi Ramën se, nëse lëshon Belindën, do të të vijmë tek Linda.
Pavarësisht se ish-bashkëshorti i Belinda Ballukut mundohet të mbulojë mesazhin e tij me SPAK apo me opozitën e Sali Berishës, përfshirja e Linda Ramës, madje edhe me foto, me ish-gruan e tij dhe Milinda Kërçanajn e AKSHI-t, tregon qartësisht se Koli ka kërcënuar drejtpërdrejt Edi Ramën.
Mesazhi i Kol Ballës është i qartë dhe i drejtpërdrejtë për Ramën: Nëse e lëshon Belindën, ajo do ta orientojë SPAK-un për tek Linda dhe ti. Madje ai le të kuptohet se jo vetëm Belinda, por edhe Koli vetë do të flasë më shumë.
Dhe si për t’ia bërë më të qartë këtë Edi Ramës i ka përmendur botuesin e shqiptarja.com dhe Report Tv, Carlo Bollino, i cili del edhe në përgjimet e dosjes Balluku ku përmes personave të tretë kërkon paratë që i ka dhënë Belinda me udhër të Ramës. Koli në editorial shpreh mërzinë që edhe Carlo që ka marrë para nga Belinda me urdhër të Ramës, tani i kërkon dorëheqjen asaj.
Editoriali i fundit i Kol Ballës të enjten në mbrëmje tregon qartë se lufta mes ortakëve që kanë ndarë paratë e shqiptarëve po bëhet tepër agresive dhe tashmë ka dalë në sipërfaqe. Askush nuk po fshihet më në kampin e rilindjes.
Pjesë nga kërcënimi publik i Kol Ballës ndaj Ramës:
“Prokuroria i shpalli të martën një luftë frontale grave. Ndoshta nga frustrimi se me burrat nuk i ecën, prokurorët special u morën një ditë më parë me dy zonja, të dyja me emër të përafërt. Bile po t’i besosh Sali Berishës, SPAK po niset të kapet edhe me Lindën e tretë.
Por përtej batutave, SPAK të martën ndërmori një aksion të pastër politik. Për ta shpjeguar këtë argument, e dha po vetë, duke nisur nga rasti i Balluku. Për zëvendëskryeministren kërkoi një masë më të rëndë sigurie, një muaj pasi thjesht e pezulloi përkohësisht nga detyra. Nga 1 nëntori e deri dje, Balluku rrinte në shtëpi. U kthye në punë të hënën pas vendimit të Kushtetueses.
Pra, përse SPAK kërkoi një masë më të rëndë kur nuk ishte ndryshuar diçka? Pra, vendimi erdhi si reagim ndaj Gjykatës Kushtetuese, ku padinë nuk e bëri Balluku, por Edi Rama. Edhe Berisha po thotë se pas goditjes së Lindës së AKSHI-t, është Linda Rama. Pra SPAK e ka me Edi Ramën.
Dhe nëse e ka me kryeministrin, sigurisht që sfida e këtyre prokurorëve është me shtetin, me Gjykatën Kushtetuese, me qeverinë dhe tashmë edhe me parlamentin. Kjo është një përballje serioze e cila premton luftë, sigurisht një luftë që nuk e dëshiron askush.”- thotë megafoni, deri dje, më i zellshmi pro Edi Ramës e pro SPAK.
Tani mbetet për t’u parë nëse në editorialin e radhës Kol Balla do të jetë qetësuar, pasi dihet që Edi Rama ka mekanizma të shumtë “qetësues” për zarat e tij, apo Koli do vijojë me kërcënime edhe më të forta./Syri.net
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar vendimin e Bahamas, që u bë shteti i katërt sivjet dhe i 121-ti që e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, raporton Sinjali.
Kurti në një potim në ‘Facebook’, tha se viti 2025 është viti i njohjeve të reja.
“Urime të gjithë qytetarëve dhe një mirënjohje e veçantë për presidenten tonë, Vjosa Osmani, zyrtarët shtetërorë dhe partnerët tanë për një tjetër arritje në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar.“, shkroi ai mes të tjerash.
Postimi i plotë i Kurtit
Viti 2024 ishte viti i pasaportës sonë. Viti 2025 është viti i njohjeve të reja, pas një kohe të gjatë. Bahamas bëhet shteti i katërt sivjet dhe i 121-ti që e njeh Republikën tonë si shtet të pavarur dhe sovran.
Urime të gjithë qytetarëve dhe një mirënjohje e veçantë për presidenten tonë, Vjosa Osmani, zyrtarët shtetërorë dhe partnerët tanë për një tjetër arritje në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar.
Kosovës po i shtohen miqësitë e reja dhe, bashkë me to, edhe mundësitë e bashkëpunimit. Mezi presim që njohjen e ndërsjellë ta kthejmë në partneritet të sinqertë me shtetin dhe popullin e Bahamas.
Komentet