Populli shqiptar, banues autokton i trojevet qi zên sod në gjysishullin ballkanik qysh kur kjo trevë u pushtue për herë të parë prej Indo – Evropianvet, e ka shkuem gjithë jetën e vet në luftë me popuj invadues mâ të fuqishëm për me pruejtun pronat e institucionet e veta plurishekullore. E kur s’ka mûjtun mâ me u qëndruem forcave eprore âsht tërhjekun e ka rruem nëpër bjeshkë, gryka e lugina të paqasëshme, i shkëputun prej krejt botës tjetër, veç me ruejtun individualitetin etnik e doket e vjetra të tija.
Në 1912 leu Shteti shqiptar indipendent, por gati gjysma e popullit prap se prap u la prej Pushteteve të mëdhá t’Evropës nën zotnim të fqînjvet.E qe se edhe ky shtet i cungulluem qi leu s’pat kohë as me çelë sytë ende, e i a behti lufta e parë Botnore. Toka shqiptare u shkel prej pushteteve ndërluftuese e nuk u lirue mâ krejt veçse në 1920, kur populli i Skanderbegut përsëriti në Vlonë nji prej atyne gjesteve të rralla heroizme qi s’mungojnë në historinë e tij. Italija u shtrëngue, vetëm prej gjallnisë vërshuese të popullit shqiptar, pa asnji ndihmë të jashtme, e prej opinionit anti – imperialist italian, me e lëshuem bazën e Vlonës. Shkodra, e shtrueme mbas luftavet ballkanike 1912 – 1913 sidhe mbas luftës së parë botnore nji regjimi ndërkombtar, po n’atë vjetë (1920) i u lëshue Shtetit shqiptar. Lidhja e Kombevet detyroi në vjetën tjetër, 1921, Jugosllavinë me lëshuem nji rryp të gjânë të tokës shqiptare gjatë kufînit qi ajo pat pushtuem kur u tërhoqën trupat okupuese austro – hungare në mbarim të luftës. Mâ vonë nji komision ndërkombtar vot e vërtetoi në vênd kufîjt e Shqipnís jugore, të kontestueme prej Grekvet. Kështu u sigurue me vêndime e akte solemne integriteti toksuer e stabilitet’i Shtetit shqiptar së jashtmi, me nj’ata kufîj qi kishte caktuem Konferenc’e Londrës në 1913.
Por nëse rreziku i përjashtëm qe zhdukun për kombin shqiptar, nji tjetër, ndoshta edhe mâ i madh, qëndronte ende me të tânë kërcnimin e tij përmbrênda. S’âsht nevoja me qênë psikolog i thellë për t’a nduitun karakterin e nji populli qi ka rruem me shekuj e shekuj në frikë t’anmikut qi ka pasun përbrinjë në votër dhe prandêj gjithmonë me pushkë për faqe.I ndamë ndër fise e klane, ndër krahina pa udhlidhje as në mal as në fushë, posë atyne qi kishte krijuem vetë natyra dhe kâmb’e njeriut e e kafshës e me tre besime të ndryshme. I druejtun kundrejt çdo të panjohuni e çdo gjâje të re qi s’âsht ndër zakonet e tija ; rebel kundra çdo ligje a institucioni qi s’u përshtatej këtyne zakoneve ; pa nji gjuhë kombtare t’unjishme, ndonse çdo djalekt qi flitej në nji vênd kuptohej mjaft mirë në të gjitha anët e Shqipnisë ; pa shkolla e pa kurrfarë ligjesh moderne posë ça kishin lânë regjimet e ndryshme të hueja qi kishin sunduem a kaluem mbi tê njani mbas tjetrit. Me gjithë këto elemente negative, ai popull kishte në themel të natyrës së tij vërtyte e cilsina qi e kishin mbajtun gjallë në mes të gjith’atyne shtërgatave qi ishin përshkuem mbi të cilat, ndoshta, asnji popull tjetër s’do të kishte mûjtun t’i bánte pa u shkrîmë. Shqiptari âsht kryenaltë edhe nën leckat e nji të vorfni fshihet nji natyrë princi ; prandej Shqiptari, po t’a çojë nevoja me vjedhun, nuk bracnon, por armatoset dhe ve e grabit ase bie pré me rrezik të jetës. Shqiptari ka besë : po t’a dha fjalën, shkon deri në dekë e në frikë për tê. Shqiptari âsht mikpritës : sado i vorfën qi të jetë, e ka derën çelë për të verptë (verbët) e për të shqeptë (çalë), për të njohun e të panjohun. Âsht ligj i shênjtë për tê, me mos e falë kurrë çdo dhunë e rrêng qi t’i bâjë kush “mikut” qi ka dalë prej derës së tij, e në këtë rasë asht mik edhe nji qi mbrênda as zânin s’i a ka ndîem kurrë. Shqiptari âsht patriot, në qoftë se ksaj fjale i apim kuptimin e dashunisë për gjak e farë, gjuhë, zakone e troje të përbashkta qi i përkasin nji bashkarije. Nëse ndryshimi fetar ndîhet sadopak ndërmjet katolikut e myslimanit, ndërmjet myslimanit e ortodoksit shqiptar faqe shoshoqit përmbrênda, kjo ndjesí âsht thjesht efekt’i propagandës kishtare, e me gjithë këtê, âsht zhdukun kryekëput kurdoherë qi Vêndi âsht gjîndun përpara nji rreziku të përjashtëm, e â zhdukun deri ndërmjet kishtarëvet vetë. Âsht nji gjâ e pabesueshme, por âsht nji fakt : në Shqipní gjinden familje të përzieme myslimanë e katoliq (në Lurë, p.sh.) e myslimanë e ortodoks, si në Dukatin e Vlonës.
Ky ishte brumi i popullit shqiptar kur Shqipníja u bâ de jure Shtet më vete në 1912 e gjithashtu kur në 1920 mûjti me e pasun pavarsín e vet edhe de facto. Nji brumë prej miellli të shëndoshë, por bluem ashpër prej kohet. Duheshin duer t’afta për t’a gatuem. Por mjerisht, Shqipníja s’e pati këtë fat me drejtuesit e vet. Këta daheshin në dý klasë : mbë nji anë ishin parija e vêndit, e dame edhe kjo në dý kategorí : paríja e qytetevet e fushave pjellore dhe ajo e malevet. Kategorij’e parë përbâhej prej beglerësh e agallarësh, myslimanë, siç e thotë vetë titull’i njanës palë sidhe i tjetrës. Në kontakt direkt e të ngushtë brez mbas brezi me Turqit, zotnuesat e Vêndit, mâ tepër beglerët se agallarët përkrahës të tyne, shpirtnisht ishin turkosun qind për qind edhe ata vetë. Shumic’e tyne ishte edhe injorante ase moralisht e shfisnueme, ase të dyja bashkë. Nji provë të ndritshme për mêndsín e ksaj klase e patën Shqiptarët mû ditën qi u shpall pavarsíja kombtare, dhe va dha vetë Ismail Kemali, ai qi i kishte prîmë lëvizjes kombtare n’atë rasë e qi kryesonte kongresin revolucionar për atë qëllim. Ismail Kemal Beu Vlora i proponoi kongresit nji listë personash për të formuem qeverín’e përkohshme pa asnji të krishtênë mbrênda dhe vetëm prej asaj klase ! N’atë kongres kishte edhe delegatë të krishtênë qi përfaqsojshin plot të tretën e Shqipnísë së Londrës. Por kundra asaj liste qenë të rîjtë intelektualë t’anës myslimane, para të krishtênëvet vetë, qi protestuen. E Kryetari hoqi dorë soje, tue ia lânë zgjedhjen e ministravet drejtpërdrejt kongresit. E pra Ismail Kemal Vlora ishte nji nga beglerët mâ të ndritunit të Shqipnísë, patriot i madh dhe kishte shkuem nji pjesë të gjatë të jetës së tij n’Evropën perëndimore. Por beglerët e quejshin sundimin si nji të drejtë hyjnore për veten e tyne, mû si mbretnat e dikurshëm.
Parinë tradicionale të popullit shqiptar e damë dý pjesësh, dhe tashti po flasim edhe për pjesën e dýtë, qi âsht ajo e malevet. Dhe kur themi male, kemi ndër mênd vetëm ato të Shqipnísë s’Epër, të cilat kanë bâmë deri në fund nji jetë autonome nën ligjet zakonore të tyne, jashtë çdo ndëkimi efektiv t’administratës otomane. Ata ligje barin emnin Kanun’i Lekës ndër ato vise qi përbâjshin princnín e hershme të shtëpisë së Dukagjinit, dhe Kanuni i Skënderbeut në qarkun e princnísë së Kastriotëve. Organet zbatuese të këtyne ligjeve janë pleqsít’e viseve të ndryshme dhe në krye të këtyne të gjithave âsht, për çdo gjyq qi s’e dajnë dot ata vetë, Kapidan’i Mirditës i shtëpisë së Gjomarkajve t’Oroshit. Nji tjetër shtëpí në zâ ndër të parët e maleve të Gegnísë ka qênë ajo e Zogollit të Mates, prej së cilës duel Mbreti Zog I. Karakteristika kryesore qi dallon këtë parí prej asaj të fushës, âsht fakti qi kjo, sikur vetë popull’i atyne viseve, tue pasë rruem i papërziem me rrethet sundimtare të mbretnís otomane e aq mâ pak me popullin turk, i kanë ruejtun shumë mâ të thjeshta zakonet kombtare. Përgjithsisht këta s’kanë pamë as shkolla me sŷ, por kanë lemë e janë rritun në shkollën e natyrshme të zakonevet e të Kanunit, bashkë me popullin, dhe njohin këtê e nevojat e tij mâ mirë se mâ i ndrituni intelektual i Shqipnísë. E qe i pari gabim i drejtuesve të Shqipnísë së re : s’e kuptuen rândsínë qi kishte kjo “shkollë” praktike e gjenuine për themelet e Shtetit qi po krijohej. Dhe ndoshta as sod s’kujtohet kush se sa shtrênjt i kanë kushtuem Vêndit pasojat e këtij gabimi, tue filluem prej luftës civile të Mirditës në 1921 e tue mbaruem me triumfin e komunizmës në 1944.
Klasa tjetër e drejtuesve shqiptarë qe “borgjezia intelektuale”. E drejta nji borgjezi me kuptimin qi ka fjala sod n’Evropë, Shqipníja s’e ka pasun, sikurse as ndonji aristokraci të vërtetë jo. Sido qoftë, duhet t’a thomi se edhe borgjezija shqiptare, dmth. banorët e qytetevet, nji farë analogjije me borgjezinë tjetër evropjane e ka pasun, me këtë kuptim, qi edhe në Shqipní ajo përbânte klasën e mesme, ndërmjet katundsisë dhe “aristokracisë”. Borgjezi shqiptar, njimênd, si qytetar, ka qênë nën influencën direkte të sundimit otoman e nën atê të beglervet, por edhe në kontakt mâ të ngushtë me katundarin sesa vetë beglerët. Por edhe ky ka njohun vetëm katundarin e fushës, ku kishte qytete, qytete shqiptare nga të cilët mâ i madhi (Shkodër, Korçë) mbërrînte a s’mbërrînte në njizet mijë banorë. Malsori kishte fort pak punë me qytetet, ai ishte autarqik : ushqim, mbathë e veshë i nxirrte nga toka e bagtíj’e vet. Nevoja kryesore e themelore e tij për qytetet ishte krypa, për gjînd e për gjâ të gjallë. Por edhe këtê e gjênte në dyqan të katundit të vet : gati në çdo katund të malsívet kishte nji dyqan të mbajtun prej nji qytetari të fushës. Ndër qytete kishte edhe shkolla nën sundimin turk, për myslimanët shkolla turke, të cilat kishin vetëm emnin shkollë, po t’a marrim me kuptimin modern të fjalës : nji shkollë fillore me nji hoxhë (mësues feje). Me gjithë këtê nxêhej sa me shkarravitun disi ndonji rresht turqisht plot me gabime, emna veçorë për veresije tregtare dhe numra. Aty – këtu, ndër qêndra mâ të mëdhá gjîndej edhe ndonji ruzhdije me tri klasë gjimnazi t’ulët e rrallë ndonji tjetër me pesë. Por popullatat e krishtêna kishin shkollat e tyne konfesjonale, në Jugë greqisht e të mbajtuna indirekt prej Shtetit grek, e në Verí (Shkodër) shqip e italisht, mjaft të mira, të subvencjonueme prej Austro – Hungarisë e Italisë nën administrimin e mësimin e klerit katolik.
Ata qi dilshin ashtu-kështu prej këtyne shkollave, po të kishin familjet mundsí financore i dërgojshin me plotsuem studimet ndër qytete mâ të mëdhá të perandorís, si Janinë, Monastir, Shkup e Selanik, ase edhe në Stamboll për mësime universitare. Kështu myslimanët ; kurse katolikët lakmojshin Austrín e Italín dhe ortodoksit Greqín. Nga myslimanët rrallë ndonji djalosh prej klasës së beglervet ka mundun me studjuem kund ndër kryeqytetet e Perëndimit.
Kështu ka qênë formuem në Shqipní nën zotnimin otoman klasa e quejtun intelektuale. Mësimi nuk ishte i detyruem as ndër klasët fillore. Kush i dërgonte fëmijët në shkollë, i dërgonte për ndonji qëllim privat : borgjezija myslimane, disa për nevojë tregtije, e shumta për me i siguruem djalit ndonji zyrë n’administratën shtetnore, e beglerët – vetëm ata të Jugës – për me u ngjitun sa mâ nalt në gjerarqinë politike e administrative të perëndorisë. Për sa u përket dý elementeve të krishtêna, borgjezia ortodokse e katolike kishin para sŷsh kryesisht tregtín, e nji pakicë e vogël kulturën për kulturë ase profesionet e lira. Por Kisha katolike të shumtën e klerit shqiptar e ka rekrutuem prej malsijet e katundsíjet.
Tashti Shqipníja ishte bâmë shtet i lirë. Me nji ekonomí primitive e, pa Kosovën qi qe bâmë, me vêndimin e Pushteteve të mëdhá, provincë jugosllave, të pamjaftueshme. Me nji popullsí malsore qi përbânte gjymsën e krejt kombit, pjesa mâ e shëndosha moralisht e fizikisht, por edhe mâ e vorfna e mâ e pastërvituna për nevojat e qytetnís moderne. Me fusha shumkund moçalore e malarike dhe me ujna qi s’i kishte rregulluem kurrë dorë njeriu. Me nji industrí thjesht artizanore. Me nji tokë 28.500 km.² e nji popullsí totale nja nji miljon frymësh.
Po t’i pyeste kush patriotët shqiptarë kur, nën zotnimin otoman, u përpiqshin për pavarsín e atdheut të vet, nëse populli shqiptar ishte i pjekun për nji eventualitet të tillë e nëse kishte mjaft gjînd të mësuem për t’a qeverisun e administruem, kishin gati nji përgjegje shumë të lehtë, por të papeshueme mirë. Thojshin : “Populli shqiptar ? Po athue s’kemi qênë shi na Shqiptarët elementi kryesuer qi ka sunduem e âsht tue sunduem edhe sod krejt perëndorinë otomane ? Athue s’qênkemi na deri te Malazezt qi kanë qênë gati gjithmonë mbë vete e janë edhe sod ? E deri te Sërbt, te Bullgarët e te Grekët madje ?” Po, por harrojshin se me qeverisun nji popull n’Evropë, donte me thânë me e qeverisun në rrugë të prosperitetit e të qytetnimit evropjan, e këta me metoda të përshtatuna psikologjisë së popullit shqiptar vetë ; harrojshin se malsorët e Malit të Zi, me Knjazin e tyne në krye, qeveriseshin vetë nj’ashtu sikur qeveriseshin malet t’ona, me ligjet e zakonet qi kishin lemë prej shpirtit t’atij populli ; se gjithë popujt sllavë të Ballkanit kishin përfituem në çdo mënyrë prej ndihmës e projës së Rusisë së madhe, e shum’a pak edhe të Pushteteve të tjera të Perëndimit. Dhe harrojshin mâ në fund, se Shqipníja vetë ishte mâ i shkëlqyeshmi shêmbull për me treguem se sa mirë ka qênë ajo administratë qi kishin nxânë Shqiptarët prej Turqisë t’atyne kohnave !
Me t’u shpallë pamvarsíj’e Shqipnís, kush mâ herët e kush mâ vonë, të gjithë zyrtarët shqiptarë të perëndorisë otomane u mblodhën në Vêndin e tyne, disa me vullnet të tjerë të dëbuem prej Turqvet. Të tânë myslimanë. Administrata e Shtetit të ri ra automatikisht ndër duer të tyne, tue pasun mbë krye klasën e beglervet. E para pasojë : element’i krishtênë e quejti me të drejtë Shqipnín e pavarme nji Turqí të vogël në Ballkan. Mëní të vjetra personale ndërmjet personalitetesh shqiptare shpërthyen qysh në Vlonë ku kishte selinë Qeveríj’e përkohëshme e Ismail Kemalit. Tipik shêmbulli i nji ministri t’asaj Qeveríje qi padiste poshtë e përpjetë kryetarin e vet për tradhtuer të shitun nji Shteti fqí, e këta pa kurrnji provë tjetër posë fjalësh qi kishte ndëgjuem prej gjîndsh të familjes së vet. Nisën rivalitetet, qi për pak qênë tue ia bâmë vorrin Shtetit të ri pa iu premë kërthiza ende : Esad Pashë Toptani kundra Ismail Kemalit, se donte të bâhej mbret i Shqipnís. Intelektualë të shquem të Jugës nga klasa e beglervet qi për mëní personale kundra begut të Vlonës, hŷjnë në shërbim të begut të Tiranës. Shqipníja porsa e lirueme pjesisht prej okupatës sërbe dahet dý copash : pjesën jugore e qeveris Ismail Kemali e pjesën veriore Esad Toptani.
Më 7 mars 1914 zbret në Durrës princi Wilhelm von Wied, i zgjedhun prej Pushteteve të mëdhá për princ të Shqipnís. Shqipníja unjisohet përsëri, patriotët shqiptarë qajnë nga mallëngjimi, besojnë se tashmâ kanë nji atdhe të lirë me nji mbret në krye. Por shpejt gzimi kthehet në pikllim : Greqíja lëshon trupat e saj kundra Shqipnís së Jugës nën maskë bandash epirote, pushton nji pjesë të madhe të saj dhe djeg me qindra katunde. Shtet’i ri s’ka asnji mundsí me u pruejtun : as armë, as municion, as ndonji farë organizimi ushtarak, madje as gjindarmërí, të cilën nji tubë oficera hollandez kishin ardhun t’a krijojshin. Sikur s’mjaftonte kjo thikë e përjashtme në trupin delikat të foshnjës së porsalindun, nji zjarr i mbrêndshëm rrenimtar plasi pa pritun e pa kujtuem në Shqipní të mesme.
Së pari, kjo kryengritje thjesht popullore, u shfaq me nji ngjyrë vetëm shoqnore : nji kryengritje e klasës borgjeze – katundare kundra klasës së beglervet. Filloi me të djegunit e shtëpive të beglerëve të Tiranës e me kërkesa ekonomike. Por shpejt, ndër ata të thjeshtë hŷnë në veprim intrigat e borgjezisë fanatike myslimane t’atij qyteti për t’a kthyem në nji lëvizje politike kundra princit Wied e për nji princ prej dinastisë otomane. Evropa ishte te pragu i luftës së parë botnore. Agjentavet të Pushteteve t’Oksidentit u ndêjt nji rasë e mbarë kjo për t’i frŷmë zjarmit kundra princit gjerman, mbretnimin e të cilit në Shqipní s’mund e shihshin tashti me sŷ të mirë. Kështu lëvizja u përhap në gjithë Shqipnín e mesme prej lumit të Matit deri në Shkumbîn. Por vetëm zona qêndrore, e përbâme prej distrikteve të Tiranës, Shijakut e Kavajës ishte bâmë me gjithë zêmër viktimë e intrigave të borgjezisë fanatike e t’agjentëve të huej. Viset e tjera rretherrotull vetëm frika e terrorizmës së shefit e gjysëm të çmênduni, Haxhi Qamilit të famshëm, i kishte shtŷmë me marrë pjesë, në nji mënyrë të përciptë n’atê lëvizje. Sa për pjesën tjetër të popullit shqiptar, qi përbânte shumicën dërmuese, kjo ishte e tânë për princin qi i kishte dërgue Evropa e bashkueme e cila, tashti qi ishte damë në dý kampe kundërshtare s’mêndonte mâ tjetër veçse interesat e saj strategjike. Për princin Wied e për flamurin e shqipes dykrênshe, dý simbolet e pavarsís s’atdheut shqiptar dhanë jetën djelmosha, myslimanë e të krishtênë, ardhun qysh prej kolonive të jashtme, me shumë Mirditas nën komandën e Markagjonit, kapidanit të tyne, shumë Kosovarë nën komandën e Currit, Boletinit e Ajdin Dragës, ky i fundit edhe vetë. Ahmet beg Zogolli ra me Matjanët e tij deri në Krujë, për t’i votun në ndihmë Durrsit të rrethuem, por mbërrîni vonë.
Mâ në fund, Durrsi s’mûjti me i qëndruem mâ rrethimit e sulmet e rrebelavet mbërrînë deri te kodrat e qytetit. Princi Wied me familjen e tij, gjithë Qeverinë e patriotët qi luftojshin atje u mbarkuem ndër anije luftet a civile qi ndodheshin në port, kush për dhé të huej e kush për skelën e Shëngjinit e andej për malet e Veriut.
Esad Toptani, i arrestuem prej princit Wied për dyshim kompliciteti me rebelat e lânë i lirë me dalë jashta Shqipníjet, mbas nji kohe të shkurtën si iku princi u kthye në Durrës nëpër Serbí e Prefekturë të Dibrës, tue mbledhun këtu e marrë me vete nji fuqí civile Dibranësh e Matjanësh. Kryengritsit së pari e pritën mirë. Por Esadi, si u ul mbë thronin e princit Wied, kujtoi se, tue u mbështetun mbi forcat civile të tijat mûnd të vepronte edhe mbë krŷe të vet. E para punë qi bâni qe me ulë flamurin e mbretnisë otomane e me ngrit nji flamur të veçantë trekandsh, të kuq e me nji yll të bardhë. Nuk shkoi gjatë e dhe ai pësoi fatin e Wiedit : mbet i rrethuem në Durrës prej kryengritësvet. Por serbët nuk vonuen me vrapuem në ndihmë të “mikut” të tyne : nji fuqí e rregullt e forcavet serbe hŷni në Shqipní e i shkatrroi rebelat e Haxhi Qamilit, dhe nën kërcnimin e këtij beslidhuni të fortë qi kishte Esadi, dorë për dorë iu shtrue gjithë Shqipníja e atëhershme. Pjesa mâ e madhja e Shqipnísë u shkel prej Austro – Hungarisë, ndërsa Vlona deri në Vjosë e Gjinokastra gjîndeshin nën okupatën italjane e Korça deri afër Pogradecit nën Frêngjit. Ushtrija serbe, qi mûndi me u tërhjekun përpara invadimit austro – hungar, 160.000 vetë gjeti hospitalitet në Shqipní me Kralin Aleksandër mbë krye dhe u bart nga skelat shqiptare prej marinës italjane.
Mbarimi i luftës e gjeti Shqipnín t’okupueme, në pjesën mâ të madhen, prej Italisë, në zonën e Korçës prej Francës e në nji pjesë të Veriut prej Serbëvet. Juridikisht traktati i Londrës, lidhun ndërmjet Italís, Francës, Anglís e Rusís në 1915 e kishte shlyem Shtetin shqiptar nga harta gjeografike. Ai traktat i zi krijonte në zonën qêndrore, prej lumit të Matës deri në qafë të Llogarasë, qi dán distriktin e Vlonës nga ai i Himarës, nji protektorat italjan dhe lênte provincat e tjera në dispozicion t’aleatvet ballkanikë, Serbí e Greqí, për t’u caktuem simbas rrethanash, prej Konferencës së paqes. Traktati u shpall në 1916 e ky aveniment qe nji rrufé përvluese për patriotët shqiptarë. Prandej asnji çudí nëse të gjithë këta, prej asaj dite e mbrapa, dëshirojshin me gjithë shpirt fitimin e perandorivet qëndrore. Lumnisht, Shtetet e Bashkueme t’Amerikës s’ishin përlyem me atë krim në kurriz të nji populli të vogël, e ky fakt kryesuer qi do t’i epte nji tjetër rrŷmë historisë qé baza e shpëtimit të Shqipnísë prej asaj katastrofe. Italija qe vetë e para qi e kuptoi situatën mbas ndërhŷmjes s’Amerikës në luftë, dhe bâni prej kalasë së Gjinokastrës, nëpër gojën e gjeneralit Ferrero, shpalljen e njohun “per la più grande Albania sotto l’egida dell’Italia”.[2]
Në dhjetorin 1918, kur dy beglerë intelektualë, Mehmet Konica e Myfid Libohova, kërkuen në Romë qi t’i lejohej mbledhja e nji kongresi shqiptar në Durrës, jo vetëm qi s’gjetën kundërshtim, por përkundrazi përkrahje e lehtësime. Kongresi kishte për qëllim kryesuer me i dhânë vêndit nji qeverí shqiptare, e cila t’administronte Vêndin e të dërgonte në Paris, pranë Konferencës së paqes nji delegacjon për të pruejtun atje të drejtat e kombit. Italjanët e ndreshën nji program të këtillë. Ata pretendojshin se nji qeverí shqiptare mund të formohej vetëm atëherë kur Konferenca e paqes të kishte dhânë nji vêndim mbi fatin e Shqipnís e se nji herë për nji herë kongresi të zgjidhte vetëm nji “komitet ekzekutiv” për të vepruem diplomatikisht në Paris e pranë qeverivet aleate. Por kongresi nguli kâmbë i patundun në programin e vet tue deklaruem se për shqiptarët Shqipníja âsht Shtet mbë vete dhe ka nevojë për nji qeverí, e Roma s’e pa me arsye qi t’a ashpronte popullin shqiptar tue e shpërdamë kongresin me forcë. U zgjodh kështu me mâ të plotën lirí, nji qeverí shqiptare nën kryesín e Turkhan Pashës, si nën Wiedin, prej 14 misesh, nga të cilët gjymsa do të përbâjshin delegacjonin e Parisit. Muerën pjesë në tê 8 myslimanë (7 beglerë intelektualë prej Juget e nji intelektual i ri populluer prej Shqipnísë së Mesme) dhe 6 të krishtênë, nga të cilët tre katolikë e tre ortodoksë. Ndër katolikët ishte nji peshkop, kapidan’i Mirditës dhe mâ i shquemi intelektual i borgjezís shkodrane. Ndër ortodoksit ishte nji Gjirokastrit, nji Korçar e nji Elbasanas. Mund të thuhet se konfesjonalisht kjo qeverí shënonte nji përparim të madh në mentalitetin e gjithë klasave të popullit shqiptar : treqind mijë të krishtênë me 6 ministra, ndërsa shtatëqind mijë myslimanë vetëm me 8. Nga pikpamja krahinore, ka 10 jugorë e 4 veriorë, ndër të cilët vetëm nji mysliman. Sa për klasat shoqnore, beglerët vazhdojnë të jenë, si në qeverín e Ismail Kemalit e n’atê të princit Wied, thjesht të privilegjuem : 7 me 1, edhe ky i pritun mirë vetëm prej pjesës së krishtênë të shokëve të tij. Beglerët e Shqipnís, nëse ndër dý qeverít e para, 1912 e 1914, edhe në këtê të tretën janë treguem për oportunitet politik toleranta kundrejt të krishtênvet e i kanë pranuem këta për shokë, djemtë intelektualë të borgjezisë s’kanë mûndun kurrë t’i honepsin veçse si nënurdhën.
Kjo qeverí qe mâ tepër nji pohim parimor, për me i treguem botës se populli shqiptar ishte gjallë e i vêndosun me prûejtun të drejtat e veta, lirín e vet, se sa nji qeverí efektive. Në Paris, delegacioni shqiptar mûnd të shkruente sa të donte, sikurse edhe ka shkruem e paraqitun konferencës, nota e memoranda, mûnd edhe të pranohej ndonji herë me peroruem përpara zotnave të botës ; por në fund ishte forca qi fitonte, e këtê populli i vogël i Shqipnísë nuk e kishte. Italía e përkrahte Shqipnínë deri ku të drejtat e saj nuk vijshin në kundërshtim me pretendimet e asaj vetë ; Franca, po t’a kishte në dorë, ia falte gjithë Shqipninë Pashiqit e Venizelos-it ; Anglija, si në 1913, luente mâ tepër nji rol pajtues ndërmjet tezavet kundërshtare të të tjervet pa dashun t’i prishë punë vetes me anmiqt’e Shqipnís. Wilsoni bâni ç’mûndi, por Lloyd George-i e Clémenceau-i ishin mâ të fortë se ai n’atë konferencë.
As përmbrênda qeverij’e Turkhan Pashës s’kishte pushtet me bâmë gjithë ç’ishte nevoja nën okupatën ushtarake t’Italisë. I kishte duert të lidhuna e ishte pa pare e pa forcë. Anarkija vinte tue u shtuem dita me ditë. Gjeneralët italjanë s’kishin sŷ me pamë se ç’udhë ishin tue marrë punët tue mos e lânë qeverinë shqiptare me vepruem lirisht e, mb’anë tjetër, e kapërthyeme në tryezën diplomatike me aleatët e vet në Paris, Roma s’ishte as e zonja me marrë masa ushtarake të rrepta në Shqipní.
Prej ksaj situate leu Kongres’i Lushnjes në fillim të vjetës 1920. Të gjithë patriotët shqiptarë ishin të pakënaqun e të tronditun nga rryma qi kishin marrë punët e kombit përmbrênda e përjashta, por sidomos përjashta, ku fati i atdheut dukej përpara nji rreziku të sigurtë, me gjithë patriotizmin e zotësinë e njerzvet qi ishin ngarkuem me e pruejtun. Të gjithë ishin në nji mêndim qi sa për veprimin diplomatik të qeverísë Shqipníja ishte në buzë të humnerës e se prandêj duhej treguem botës, me nji veprim populluer e kombtar t’unjishëm qi bijt e Skënderbegut, atje ke s’i vêhet vesh arsyes e urtísë, dijnë edhe me guxuem. Nëse ka pasun kush ndonji kundërshtim, ky i përkiste vetëm zgjedhjes së momentit mâ oportun për suksesin final të veprimit e jo vetë veprimit.
Në këtë përshkurtje të historisë shqiptare gjatë 32 vjet jete të pavarme, s’ka vênd për emna personash, qi për publikun e botës së madhe s’janë veçse emna e qi harrohen të kthyemen faqen e librit. Por për nji emën qi për me u njohun në botë, s’ka pritun këtë shkrimin t’onë, dý fjalë po na duken të nevojshme. Si u pa mâ nalt, shumic’e familjevet aristokratike të Tosknisë kishin nga nji përfaqsues të vetin në qeverí. Prandêj ato s’kishin si të merrshin pjesë edhe në nji kongres revolucjonar siç ishte ai i Lushnjes, të cilin vetvetiu do t’a çonte puna me u shprehun kundra asaj qeveríe. Por ishin atje beglerët e Elbasanit, Toptanët e Tiranës, dhe Zogoll’i Mates, persona qi prej asaj dite e mbrapa do të bâhej protagonist’i historisë shqiptare deri në 1939.
Asnji familje aristokratike shqiptare s’ka pasun mûndsí me provuem në nji mënyrë të bindshme nji origjinë paraturke, përveç shtëpisë së Gjonmarkut të Mirditës, e cila, tue qênë katolike dhe vazhdimisht në krye të krahinës së vet, edhe kjo krejt katolike, e tue pasun edhe prerogativën ab antiqua[3] me damë gjyq, nuk lên asnji dyshim mbi origjinën e vjetër të saj, ndoshta trashigimtare e princve të Dukagjinit.
Por edhe emn’i Zogollit ka nji karakteristikë kuptimtare. Asht i përbâmë prej fjalës zog, thjesht shqip, dhe fjalës turqisht ogli qi don me thânë i biri e përdorej kështu prej turqve të motshëm për familje sundimtare, siç na e tregon vetë historija otomane. Në gjithë Shqipnínë, ka vetëm edhe nji familje tjetër me nji emën të këtillë me rrânjë shqiptare e me prapashtesën turqishte qi dëften cilsí princore : âsht ajo e Gjinollit të Kosovës.
Ishte djalë i ri 26 vjetsh Ahmet beg Zogolli kur përfaqsoi Maten në Kongresin e Lushnjes. Para tetë vjetsh, kur plasi lufta ballkanike kundra perëndorisë otomane, qe i shtrënguem me premë studimet qi ishte tue bâmë në Stamboll për me u gjîndun n’atë rasë të rândsishme pranë bashkvêndasve të vet. Kur po okupohej Shqipníja prej Serbvet e Turqíja s’kishte asnji fuqí për t’a pruejtun, ai kishte vêndosun, qi të mos e lênte anmikun me e shkelë tokën e Matës pa gjak. E dinte se s’kishte mjete për t’a prûejtun, por nji qëndresë simbolike, mêndonte se i përkiste me e bâmë. Nëpër gjithë qafat e malevet rretherrotull Matës, nga mund të kalojshin serbët për me ramë n’atë luginë u zunë prej matjanvet. Serbët s’panë ndonji interes ushtarak me u futun n’atë gropë dhe çanë përpara drejt Adriatikut. Por popull’i Mates e quejti se ata patën frikë qi nuk e mbësŷnë, e u krenue fort për këtë “ngadhnjim” pa pushkë. Prestigji i begut të ri 18-vjeçar qi kishte vrapuem qysh prej Stambolli për me shpëtuem vêndin e vet hŷpi në qiell ndër sŷ t’atij populli për gjithmonë, e rrethanat për me i a forcuem. Kur u mblodh kuvêndi kombtar në Vlonë më 28 nânduer 1912, Ahmet begu s’pat mûndun me marrë pjesë, se ishte i zânë me punët e vêndit të vet. Por mbasi e pat “shpëtuem” Maten prej invadimit t’anmikut dhe vûmë për fije punët e mbrêndshme, ai u nis për Vlonë me nji forcë t’aqmjaftueshme për sigurimin e vet gjatë udhës nëpër vise t’okupueme prej anmikut. E mbasi nënshkroi proçesverbalet e kuvêndit, u përgzue me qeverinë e Shqipnísë indipendente, e u njoh me përfaqsuesit e gjithë Shqipnísë të mbledhun atje për disa dit, u kthye përsëri në Mat. Kur Serbët e patën liruem nji pjesë të Shqipnísë në 1913 mbas vêndimeve të konferencës së Londrës e Shkodra gjîndej ende e rrethueme prej Serbo – Malazezvet, ai qe nisun me nji fuqí matjanësh për t’u votun në ndihmë të rrethuemvet, por nuk mûndi me e çamë rrethimin e iu desh me u kthye prapë. Kur erdhi në Shqipní princi Wied, ai vot në Durrës me krenët e Matës për me i paraqitun homazhet sunduesit të Shqipnísë së lirë. Kundra rebelísë së Shqipnísë së mesme, e kemi përmêndun mâ nalt tentativën e tij për t’i ndihmuem atij princi. Me gjithë qi t’âmën e kishte Toptaneshë, Esad Pashës nuk i ndihmoi n’asnji përpjekje qi bâni për t’u bâmë i par’i vêndit. Nji kontigjent i vogël matjanësh qi e muer mbrapa Esadin në 1915, mbasi pat ikun Wiedi, ishin pasvojtës personalë të tij. Kur në 1916 Shqipníj’e Veriut dhe e Mesmja qenë okupuem prej Austro – Hungarísë, Ahmet beg Zogolli u vû në komandë për me shliruem Vlonën prej okupatës italjane. Vjena i dha gradën e nji koloneli trupash civile. Por mâ vonë tue koncepuem dyshime politike për tê e detyroi me votun e banuem në Vjenë, ku mbet deri në mbarimin e luftës e prej së cilës u kthye në Mat mbas kuvêndit të Durrësit, i prekun sepse nuk ishte zgjedhun edhe si ministër.
Qe me këto precedente, paraqitej begu i ri i Matës në Kongresin e Lushnjes për me filluem karjerën e tij të shkëlqyeshme në skenën politike. Shpesh herë, fati i nji njeriu e mandêj edhe i nji kombi varet prej nji rase pa kurrfarë rândsíje, qi kurrkujt nuk i bie në sŷ : sikur në Kuvêndin e Durrsit t’i kishte ramë në mênd ndokujt qi në listën ministrore, në mes të shtatë beglerve jugorë mungonte nji beg prej Gegnije e se Ahmet beg Zogolli i kishte të gjitha cilsitë, me gjithë moshën 25-vjeçare, për me zânë nji vênd n’atê shoqní, ka shumë gjasë qi ky mos të kishte qênë mbas nji vjete pjestar i atij kongresi a qi kongresi mos t’ishte bâmë fare, ase t’ishte bâmë ndër tjera kushte e me tjera pasoja për fatin e Shqipnísë. Por këto hipoteza s’kanë vênd me u zhvilluem këtu.
Fakti historik âsht ky, qi djaloshi aristokrat i Matës qe figura qi dominonte për shumë arsye mbi gjithë të tjerat n’atê kuvênd. Pikë së pari për prestigjin e forcës qi kishte përpara në vêndin e tij, forcë e ndëgjueshme ndaj të parin e vet, e cila në rasë nevoje mund të luente nji rol me rândsí. E dyta, pse ishte djalë i ri, plot me energjí e guximtar, siç e lypshin rrethanat. E treta, se ndër sŷtë e intelektualëve borgjezë ishte i lamë prej disa mëkatesh qi ato ankojshin në klasën beglere të fushës me çifliqe e bujq të ndrydhun e të shfrytuem : ai ishte beg malsije, e malsorët s’kanë bartun kurrë zgjedhë e çdo shpërdorimi shoqnuer i janë përgjigjun me pushkë. E katërta, familja e Zogollit s’lëvdohet, si shumë aristokratë të tjerë të Shqipnísë, me vezirë e guvernorë prej së parësh të tyne qi i kanë shërbyem perëndorëve otomanë, ndër disa rasa edhe kundra atdheut të tyne, e s’ka qênë zbutun prej qytetnísë orjentale të korruptueme. E pesta, vetë Ahmet begu, me gjithë qëndrimin e tij naltisht aristokratik, plot me dinjitet e mandej edhe me nji kryenaltí porsa të ndërpashme, kishte edhe mënyra mrekullisht demokratike e të dashuna sidomos me gjînd të stërvitun, sa me tërhjekun simpatín e kujdo qi të vinte në kontakt me tê. Shtëpija e tij në Burgajet të Matës qe bâmë në kohën e kryengritjes kundra Wiedit e Esadit nji strehë mirpritëse e shumë patriotve t’ikun prej terrorit të Haxhi Qamilit.
Kongres’i Lushnjes zgjodhi nji qeverí të re, ku Ahmet beg Zogolli qe ministër i mbrêndshëm, qi në Shqipní donte me thânë factotum i gjithë qeverísë. U vêndos qi aty e mbrapa, jo mâ Durrsi, por Tirana t’ishte kryeqytet i Shqipnísë. Italjanët nuk ndërhŷnë n’asnji mënyrë ndër punët e kongresit as ndër vêndimet e tij. Mbetën vrojtës pasivë me kuptimin e plotë të fjalës. Vetëm te ur’e Shijakut ndodhi nji incident i vogël qi do të kishte mûndun me u bâmë edhe fort i madh n’ato rrethana. Nji patrullë italjane nuk desh t’i lênte me kaluem t’armatosun për Tiranë ministrin djalosh me njerzit e tij. Por ky u përgjegj me zâ autoritar : “Jam ministri i mbrêndshëm i Shqipnís indipendente e do të shkoj përpara me të mijt t’armatosun kështu si jemi. Ju përdorni armët qi keni në dorë në guxofshi !” edhe i dha kalit tutje, ndërsa roja italjane mbet shtângun pa zâ. Kongres’i Lushnjes kishte triumfuem. Posë qeverísë së verevërteshme, dmth. Kabineti ministruer, kongresi emnoi edhe nji Kshill të Naltë prej katër vetësh, dy beglerë gegë, nji ortodoks e nji katolik, si regjencë me prerogativa mbretnore ase si nji presidencë kolektive të nji republike : kishte mbetun e pashqueme në statutin embrijonal të hartuem. Nji kshill legjislativ me emën senat qe zgjedhun prej kongresit.
Ndërsa pushtetet e reja të vêndosuna në Tiranë po përpiqeshin me krijuem nji aparat administrativ e sigurimi të përmbrêndshëm dhe pa e pasë shtrîmë ende pushtetin efektiv veçse në nji pjesë të Vêndit, nji grusht fatal ngrêjti kryet e u duk kërcënueshëm prej kufîjvet të Jugosllavisë deri ke portat e kryeqytetit : esadizma. Esad Toptani, qysh nga okupimi austriak i Shqipnísë, ishte vêndosun në Paris, i njohun de facto për Kryetar Shteti në mërgim vetëm prej Francës për të favorizuem planet e Pashiqit për dam të Shqipnísë. Me Italínë ishte prishun fort shpejt në mërgim dhe krejt politikën e tij e kishte mbështetun mbi Serbët, të përkrahun prej diplomacisë frênge. Përndryshe, me t’u shprazun Shqipníja prej Austro – Hungarvet do të kishte mûndun me kthyem, dhe me të vështirë se do të kishte pasun nji Shtet shqiptar, por vetëm nji Shqipní si ajo qi caktonte traktati i fshehtë i Londrës në 1915. Tashti ai nisi me vepruem në Shqipní me anën e agjentëve të vet, tue pasun për bazë veprimi qytetin e Dibrës në zonën e Serbísë. Ky veprim kishte filluem qysh para kongresit të Lushnjes. Çeta të mëdhá u formuen në krahinën e Dibrës e nëpër fushat e Shqipnísë së mesme, së pari vetëm për propagandë disfatiste e për të shtuem prozelitët. Durrës, Kavajë, Shijak, Krujë e Tiranë, posë me gjithë krahinën e Dibrës virtualisht ishin bâmë esadiste. Matën e mbante jashtë vetëm influenca personale e Ahmet beg Zogollit. Elbasani mbahej ende disi mirë. Por sikur të përgatitej nji bazë, sado e ngushtë, për shêmbull prej Dibre deri në Krujë, për nji zbritje personale të “Pashës”, pa asnji dyshim gjêndja ishte e pjekun për nji pritje triumfale të tij prej Dibre në Lesh, prej Leshje në Vjosë e prej Vjose deri në Pogradec. Krejt ushtría italjane në Shqipní do t’a kishte lânë përtej Vjosës rêndin në Vlonë.
Ky ishte plani i Esad Toptanit e i prozelitve të tij në Shqipní, të cilin mjerisht, as nacionalistat shqiptarë të gjithë as pushtetet italjane në vênd s’kishin mbërrîmë me e kuptuem. Mâ zí, disa patriotë shqiptarë patën pasun miopinë politike e mizerjen morale deri me bâmë aleancë me esadistat kundra qeverísë së Durrsit. Kjo aleancë i prodhoi efektet e veta deri në Kongresin e Lushnjes me ato pasoja qi do t’i shohim tashti shpejt. Zbatimi i këtij plani u tentue. Nji ditë të dhetorit 1919, çetat esadiste i u rrasën mbrênda qytetit të Krujës nën komandën e nji Krutani, ish oficeri t’Esadit, dhe muerën në dorë administratën lokale pa pushkë të shtime. S’kishte atje asnji forcë qeveritare, posë nji numuri të kufizuem gjindarmësh vêndas, të cilët, në mos tjetër, vetëm për mos me u përgjakun me vêndas të tjerë nuk kundërvepruen. Por vetë populli i Krujës dijti me i dalë para me urtín e tij nji situate qi, si u tha, mûnd t’ishte bâmë tragjike. U mblodh ajk’e burrave të qytetit dhe arsyetoi e vêndosi : “Wilhelm Wiedin, në 1914, s’e pat thërritun Shqipníja për mbret, por e pat dërguem Evropa ; ai âsht ende gjallë, e ka edhe nji djalë ; prandêj, me u çuem sod na e me zgjedhun nji mbret tjetër, do t’ishte baraz si me u çuem kundra Evropës, gjâ qi Krujës s’i duket punë e urtë me bâmë për nji mbret a nji tjetër. Por na pohojmë të gjithë nji zânit se në qoftë qi Esad Pasha vjen si mbret me pëlqimin e Evropës, mirë se të vijë, e na do të gzohemi. Ndryshe jemi kundra çdo trazimi qi të bâhet për t’a sjellë këtu përdhunë e pa pëlqimin e Evropës.”
Këtë vêndim solemnuer, të gjithë krutanët, burrë për tym, e forcuen edhe me bé e e nënëshkruen si besë të paprekshme të qytetit, tue formuem edhe nji komisjon gjashtë vetësh për të siguruem respektimin e tij. Mbasandaj ftuen edhe të pesëdhjetë katundet e distriktit për aderimin e tyne në këtë besë. Të gjithë aderuen me të njimêndat formalitetet qi u bânë prej qytetarvet, e “besa e Krujës”, siç qe pagzuem aso kohe, u bâ besa e gjithë distriktit të Krujës, e komisjon’i besës u bâ 12 vetësh tue ia shtuem edhe 5 të tjerë nga paríja e katundevet. Për t’a vorrosun definitivisht problemën esadiste, kruetanët kishin ndër mênd me e shtrîmë këtë besë edhe ndër distriktet fqîj, Tiranë, Shijak e Kavajë, ku esadizma kishte agjentat kryesorë të saj e mâ tepër prozelitë. Qeverij’e Durrsit do t’i epte besës së Krujës gjithë përkrahjen e saj zyrtare për këtë veprim paqsuer. Mirpo shumicës së nisjatorve të kongresit nuk ju prit, dhe e bânë tue u mbështetun kryesisht mbi fautorë ndikimtarë t’esadizmës pa pritun të kryemit e ksaj vepre. Dhe, siç e kemi cekun rrëshqitas diku mâ nalt, shi nji ky shkak i la nji pjesë të vogël patriotësh pasivë kundrejt asaj nisjative kombtare e disa tjerë i bâni kundërshtarë.
Esadistat qi kishin përkrahun Kongresin e Lushnjes pretenduen mâ vonë, me arsye ase jo, qi atyne u ishte premtuem se ajo qeverí qi do të dilte prej atij kongresi kishte për të thërritun në Shqipní për me sunduem të parin e tyne. E kur nji grishje e këtillë nuk ngjau dhe u pa se nuk do të ngjante kurrë, ata nisën nji shtrëngim t’armatosun. Forcat esadiste u varën prej Dibre tërposhtë e von’e zunë Prezën me qëllim qi të pritshin udhlidhjet ndërmjet Tiranës e krahinavet veriore ; ndërsa forca të tjera të rekrutueme në qarkun Durrës – Tiranë u përqëndruen nën komandën e Osman Balit mu te portat e kryeqytetit. Qevería gjîndet në mëshirë të këtyne forcave rebele pa asnji mûndsí me kundërvepruem me armë. Ahmet Zogu dron me thërritun forca personale prej Matje, se esadizma ka marrë mjaft gjânë edhe atje, aq sa Halit Lleshi i Dibrës e Tafë Kaziu i Murrës, para se me ramë në Jallí e nisën veprimin e tyne tue i vûmë zjarrin mû shtëpisë së ministrit në Burgajet pa u hŷmë gjêmb në kâmbë. Por pse vallë forcat esadiste s’mbësŷjshin me hŷmë në kryeqytet mbrênda e me marrë qeverínë në dorë, gjâ qi mûnd t’a bâjshin kur të dojshin, ndoshta me fort pak dâm ? Ata pa pikë dyshimi veprojshin mbas udhzimesh qi kishin prej Esadit vetë via Beligrad – Dibër. Esadi dronte ndoshta nji kundërveprim të fuqísë ushtarake italjane ? Mûndet. Por mâ tepër dronte ndoshta prestigjin moral të nji qeveríje të dalë prej nji kongresi kombtar, e prandej donte qi kjo vetë t’a thirrte. Ndërsa kjo mbë nji anë përpiqej me mbajtun me fjalë anmiqt tue i marrë me të mirë e tue u premtuem qi dëshira e tyne do të realizohej, por me urtí, për mos me provokuem Italinë qi ishte kundra Pashës ; e mb’anë tjetër bânte çmos për të forcuem veten, me aq sa mûndej, në kryeqytet e për të fituem përkrahjen e krahinave t’afërta qi, ndonse të pakënaquna, e dinte se ishin kundra Esadit, psh. Krujën. Mâ në fund, nji stratagjemë e Ahmet Zogut shërbeu si paliativë për t’i dhânë qeverísë edhe do kohë për me punuem pa drashun befasi. U proponoi forcavet anmike me shtimë plak vetë Esadin me anë të nji delegacioni mikst për t’u dëgjuem në Paris nga an’e të dy palëvet. Rebelët e gëlltitën këtë hap të praruem. E ndërsa zgjatën marrëveshjet për formimin e komisjonit e udhtim’i tij të shkuem e t’ardhun deri në Paris, i a bef në Tiranë prej Vjene ku gjîndej nji patriot i madh, trim e guximtar : Bajram Curri. E deri atëherë qevería kishte mbledhun në Tiranë tinzisht e pa zhurmë nji farë force sa me i mjaftuem guximit të Currit për t’i u vûmë mbë krye e me sulmuem forcat esadiste qi ishin tue pritun të qetë pleqnimin e të parit të tyne nga Parisi. Bajram Curri i fshiu këta mbrênda pak ditësh dhe arrestoi nji tufë krenash esadista në zonën mâ t’infektueme : Tiranë,Kavajë e Shijak, deri në Prezë. Qeveríja e Tiranës pat shpëtuem për mrekulli me zgjuetinë e nji persone dhe guximin e nji tjetre : Ahmet Zogu e Bajram Curri.
“Populli Matës âsht shum’i mirë, i ndershëm e i ndëgjueshëm ; por s’e lânë të qetë paríja në grindjet e tyne me shoshoqin. Jam tue u përpjekun me e shpëtuem prej influencës së tyne.” Kështu i thoshte Ahmet beg Zogolli nji mikut të vet n’intimitet më 1914. Ndoshta pa të drejtë, por mikut nuk i u dukën fjalë n’erë këto, tue qênë edhe andatar historije, i u kujtue pa dashun Luigji XI. Motmot mâ vonë s’flitet vetëm për Maten, por për gjithë Shqipnínë. Të njâjtit mik i bie me ndëgjuem prej lalës, nji analfabet dinak qi e kishte pasun nën kujdes qysh së vogli : “Shqipnínë nuk mund t’a sundojë veçse njâni nga këta katër vetë : Ismail Kemali, Esad Pasha, Prengë Bibdoda e Ahmet begu. I pari âsht burrë i dijshëm, por s’ka jetuem kurrë në Shqipní e prandej s’e njeh popullin e as populli atê ; i dyti âsht tradhëtuer ; i treti tue qênë katolik, s’i përket me urdhnuem mbi nji popull qi 70% âsht mysliman e 20% ortodoks…”
S’ka asnji dyshim qi begu i Mates, pinjuell i nji familjeje feudale, ka pasun qysh në të ri të vet tendime qi e shtyjshin me e shtrîmë pushtetin e vet përtej kufîjvet qi kishte trashiguem, së pari tue hjekun çdo ndikim personal tjetër në distriktin e tij e mbrapa deri ku mûnd të mbërrînte me atë forcë, me cilësitë natyrore të tij, e me ndihmën e rrethanave politike të Vêndit. Të gjitha këto elemente i dhanë dorën shoshoqit për t’a qitun 26 vjetsh në skenën politike kombtare si nji farë “shpëtimtari”, si âsht thânë e shkruem për tê qysh në rasën e Kongresit të Lushnjes e përsritun edhe ndër rasa tjera mâ vonë. Miradija për këdo qi bân nji shërbim nga an’e atyne qi janë objekt i atij shërbimi âsht nji detyrë ; por zmadhimi i miradijes pa përpjesí, e deri në lajkatime pa dinjitet, askund s’âsht mâ i dâmshëm se në politikë, si për kombin ashtu edhe për vetë personën së cilës i prodigohen. Tepër vështirë âsht me i njohun njeriu meritat e veta pa i zmadhuem, sado pak. E kur në këtë zmadhim i ndihmon edhe opinioni i të tjervet, ai vetë shkon edhe disa hapa mâ përtej. Prandej, nëse Ahmet begu e ndjeu veten sipër kolegëve të vet në kabinetin e Qeverís qi duel prej Kongresit të Lushnjes, në se qe i zoti me e çmuem gjêndjen e vërtetë të Vêndit e të masavet qi imponoheshin dhe me energjinë e tij vërshuese veproi në disa rasa mbë krye të vet pa humbun kohë me kshillin ministruer e me parlamentin, nuk ishte rasa me e paditun për diktator, sidomos prej anës s’atyne qi pak muej përpara e kishin ngritun në qiell me lavde, e me shkaktuem nji krizë pa vênd. Me gjithë këtë, kështu u bâ e Zogu mbeti jashtë qeverísë së re qi u formue.
Nën sundimin otoman vlonte nji patriotizëm gjenuine ndër zêmrat e intelektualvet shqiptarë, ata e dojshin Shqipnínë me të njimêndat ndîesí qi ngrohin zêmrën e nji biri për t’âmën. Qyshse po thom “ndër zêmrat e intelektualvet”, merret vesh vetiu se jam tue folë për nji patriotizëm jo vetëm të ndîeme, por edhe të kuptueme, t’arsyetueme ; e cila ka nisun të zhvillohet ndër bijt e shqipes jo mâ heret se nja nji të katërt shekulli para këtij të sodshmit përmjet shkrimit shqip. Në gojë të shqiptarit, emn’i kombsísë së vet ka qênë shqiptuem kurdoherë me nji farë krenije, siç e tregojnë do fraza kso doret : “Jam shqiptar !”, qi donte me thânë jam burrë me virtute të vjetra qi s’i ka kurrkush i tjetër kombi. “Mo, bre ashtu, se je shqiptar, a s’të vjen marre ?” kur flitte a bânte kush ndonji të pagjashme. Por kur nisi me u zhvillue ndër Shqiptarë të stërvitun ndërgjegja kombtare, kjo fjalë fitoi edhe nji kuptim të ri, mâ të ngushtë : Shqiptar u identifikue me patriot, gati si me dashun me ia mohuem kombsinë shqiptare atij qi s’mêndonte për nji Shqipní të lirë, e me kuptimin e patriotizmës shqiptare u krijue fjala shqiptarizëm. Shqiptarizma u bâ si nji farë masoníje, të gjithë ata qi e quejshin veten shqiptar me këtë kuptim të ri ishin vllazën, në çdo anë të botës qi të gjîndeshin, kishin të gjithë nji ideal të vetëm qi i shtrëngonte krah për krah e zêmër për zêmër.
Kjo ndjenjë, kjo vllazní zgjati deri ditën qi ideal’i përbashkët u sêndërtue, qi Shqipnía u bâ Shtet mbë vete, i lirë. Bashkë me këtê lenë shkaqe dasíje qi përpara s’ishin, patriotizma i a lëshoi vêndin politikës, me të gjitha veset e këqija qi kjo zgjon në çdo popull të papjekun ku s’ka nji fuqí institucionale qi t’i mbajë në frê. Mâ par’e mâ dalë lakmíj’e pushtetit. Nuk do të sjell përshêmbull Esad Toptanin qi s’ka qênë kurrë as intelektual, as patriot. Por tubë intelektualësh prej mâ së parës klasë e të njohun për patriotë të shquem, ata ç’i shtŷni me i dhânë shkëlqim nji fytyre nga mâ të zezat qi kishte pjellë toka shqiptare ? Kishte ndër ta nji intelektual revolucionar qi tânë jetën e kishte shkuem me propagandë kombtare, në luftë për shlirimin e atdheut e ndër mundime ; nji pinjuell të nji familjeje naltsisht patriotike e cila ka ndezun mija zêmrash shqiptare me flakën e dashunisë s’atdheut ; nji personalitet t’administratës otomane qi ka mbërrîmë në Shqipnín’ e lirë në kulmin e karrjerës politike ; nji intelektual qi krejt jetën e vet e ka shkuem përjashta në botën perëndimore e qi s’vênte kurrkênd përmbi vete për dituní e patriotizëm ; dhe mâ në fund nji tjetër intelektual me nji oratorí demagogjike të prehtë.
[1] Dorëshkrim
[2] It. “për mâ të madhen Shqipní nën mbrojtjen e Italisë” (E.M.)
[3] Lat. : Prej kohëve të vjetra
Komentet