E quan veten djalë 64-vjeçar, që di të japë puthje artistike, luan pingpong në duele profesionistësh në rang ballkanik, masazhoterapist me famë, dhe ka një pronë 300 mijë euro në Burrel. Dalip Gjoka është burrë i martuar me dy vajza, dhe gjysh i një mbese, por po kërkon një fillim të ri sentimental në jetën e tij.
I ka shkrepur në kokë të arrijë atë që familja apo miqtë e konsiderojnë “marrëzi”, t’i propozojë martesë të lumtur Bleona Qeretit. Nuk e mban veten për Don Zhuan e nuk vuan nga sindroma e Don Kishotit që po lufton me mullinjtë e erës, por thotë se e gjitha është çështje ndjenjash.
Pasi ka dërguar pranë redaksisë së gazetës “Panorama” një letër propozimi për martesë dedikuar Bleonës, ky mjek pediatër në prag pensioni na rrëfen për dashurinë që i ka lindur në distancë, dhe pse ka vendosur të vetëofrohet si burri altruist i një këngëtareje në qendër të vëmendjes mediatike.
Një letër drejtuar Bleona Qeretit, ku i kërkoni t’ju marrë në konsideratë si një ndër kandidaturat për të qenë burri dhe babai i fëmijës së saj. Si lindi kjo ide?
Se çfarë mund të bëj e kam shprehur te letra, që kam dërguar në adresë të saj. Është një meditim shumë serioz dhe i ndjerë. Do të isha i lumtur të kontribuoja me vlerat e mia, si mjek pediatër, sportist, e masazhoterapist, për t’ia shtuar vlerat kësaj artisteje e jo për t’ia pakësuar. Nuk mendoj si mund të përfitoj unë prej saj, por si mund t’i gjendem pranë në këtë propozim.
Sa kohë t’u desh për ta shkruar atë letër?
Pasi meditova, i hodha çfarë ndjeva në letër për 30 minuta. Më pas u konsultova me një psikologe të re, D. H., cila më njeh shumë mirë. Ajo nuk e quajti as çmenduri, aventurë apo një lajthitje timen këtë letër, por më dha Okin.
Kishe ndonjë moment pendese?
Në fillim po, por tani jam shumë i vendosur.
Komentet