Ish-këshilltarja e kryeministrit Rama, Irena Beqiraj, shkruan se në varfëri njerëzit kanë më shumë gjasë të qeverisen nga diktatorët.
Në një postim në Facebook, teksa analizon shfrytëzimin e burimeve në vendin tonë, Beqiraj thekson se në vende si Shqipëria, korrupsioni është i zakonshëm ndërsa nga pandëshkueshmëria përfitojnë ekskluzivisht elitat politike.
Postimi i plotë i Irena Beqirajt:
DEMOKRACIA QE “CIRRET ” PER EKONOMI!
Mbajtja e rritjes së qëndrueshme ekonomike një objektiv i rëndësishëm dhe i arritshëm për Shqipërinë po lëkundet. Si të gjitha “Fitoret” e këtij vendi, konsolidimi fiskal, modeli i ri ekonomik, shfaqen sot anemik, të dobët , me përmirësime të luhatshme duke rritur pasigurinë mbi të ardhmen.
Problemet kryesore të vendit qëndrojnë në mungesën e vëmendjes që u kushtojmë nevojave thelbësore të njerëzve, veçanërisht të të varfërve dhe të rinjve.
Sot rritja ekonomike qartazi tregon se përpjekjet tona kokëfortë për ta bërë debatin politik pjesë të pandarë të tavolinës së çdo shqiptari, kanë zvogëluar mijëra fish mundësinë për ta bërë rritjen ekonomike pjesë të ekonomisë familjare të shqiptarëve.
A i shfrytëzuam mirë burimet publike të gjeneruara për të përmirësuar kushtet e jetesës së njerëzve? A përjetojmë një mungesë të vazhdueshme të shërbimeve sociale cilësore siç janë shkollimi dhe kujdesi mjekësor, si dhe të shërbimeve baze si psh: uji i sigurt, energjia elektrike, kullimi, transporti dhe kanalizimet?
A mos ka ardhur koha që strategjinë e kahershme do bëjmë më shumë me më pak, ta zëvendësojmë me strategjinë” do të bëjmë aq sa mundemi por saktë?
Cdo njeri që ka kaluar një javë në politikë (edhe një javë në politikë është kohë e gjatë) do të nënqeshte duke menduar politikisht, që strategjia e dytë naivisht e sinqertë nuk na duhet sepse nuk shet. Por kujt po “i shitemi” vallë?
Ekonomia jonë kërkon pikërisht një reflektim të sinqertë, të hapur, gjithëpërfshirës jashtë konfliktit politik afatgjatë, larg propagandës, brenda nesh e më afër mirëqënies së shqiptarëve.
Ekonomia jonë ka nevojë urgjente për dije , pasi rritja ekonomike do të vazhdojë të kërcënohet jo vetëm nga mungesa e infrastrukturës sociale dhe fizike por mbi të gjitha kërcenohet nga neglizhenca karshi burimit bazë të saj, zhvillimit të aftësive njerëzore. Injoranca na ka kushtuar e po na kushton cdo ditë e më shumë.
Sistemi ynë demokratik është jo fare çuditërisht në kaos.
As i pari e as i fundit , në historinë botërore të njerëzimit, rasti shqiptar konfirmon se demokracitë janë jashtëzakonisht të brishta kur përballet me varfërinë. Tash e 30 vjet, ëndërrojmë, kërkojmë “demokracinë e paepur” të vendeve të zhvilluara .
Tash e 30 vjet, harrojmë që njerëzit e varfër kanë më shumë gjasa të qeverisen nga diktatorët, bëhen lehtësisht pjesë e dhunës kolektive . Në varfëri drejtësia është luks , korrupsioni zakonshmëri, pandëshkueshmëria përfitim që u takon ekskluzivisht elitave politike.
Ndër njerëz të varfër, fitoret politike, pavarësisht llojit të tyre janë po aq të paqëndrueshme sa ekonomia ku ngrihen. Ato i ngjajnë ngrehinave të ndërtuara mbi kraterin e një vullkani.
Në luftën për të ndërtuar demokracinë, duhet të hapim veshët e qartësisht do të dëgjojmë që demokracia po çirret mbi të gjitha për ekonomi!
Komentet